Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

FABRIKIM I NEVOJSHËM

Disave do t’u kujtohet “zbulimi” i një dorëshkrimi të lashtë në shqipe, nga studiuesi Musa Ahmeti: libri i Teodor Shkodranit, i vitit 1210 (MCCX), i fshehur ku tjetër por në “Arkivin Sekret” të Vatikanit. Dr. Ahmeti e pat lajmëruar këtë zbulim vetë, duke saktësuar:

Vëllimi i tëri është në pergamen, gjë e zakonshme për kohën kur ishte shkruar. I ka 208 fletë, pra 208 faqe, sepse në pergamen shkruhet vetëm në njërën anë. Paginimi [numërimi] i faqeve është vetëm recto. Dimensionet janë: 28 x 39.5 cm. Komplet vëllimi është i ruajtur shumë bukur, nuk ka dëmtime, pos që në disa vende ka filluar të fshihet ngjyra dhe kjo në fletët 188, 189 dhe 192. I gjithë dorëshkrimi është i shkruar me grafema (shkronja) latine dhe i tëri në gjuhën shqipe, në dialektin e veriut, i cili si i vjetër që është, paraqet mjaft vështirësi për t’u lexuar.

Dhe pastaj:

Pas një pune disavjeçare, kemi arritur të bëjmë transkriptimin dhe transliterimin e dorëshkrimit.

Dorëshkrimi ndahet në tre kapituj, në f. 1r – 97r mbi teologjinë; f. 98r – 146r mbi filozofinë dhe 147r – 208r mbi historinë. Secili nga kapitujt, mund të jetë edhe libër në vete. Duke mos mohuar vlerën dhe rëndësinë e dy kapitujve të parë, kapitulli i tretë ka tërhequr më shumë vëmendjen tone, ngase pos të dhënave me interes të veçantë, autori citon edhe vepra të tjera që ka konsultuar dhe më shumë se një herë, mbështetet në kronikat shqiptare të qyteteve të ndryshme.

Gjëra sa emocionuese, aq edhe tronditëse. Dhe ja sihariqi mirëfilli:

Botimi i tërë dorëshkrimit, si libër i veçantë, do të bëhet së shpejti nga revista “Ekskluzive”. Dorëshkrimi është transkriptuar, transliteruar dhe shoqërohet me një koment dhe analizë shkencore nga autori.

Kjo në vitin 2002. Natyrisht, asgjë nga këto nuk ndodhi. Dorëshkrimin e Teodor Shkodranit nuk e pa kush më dhe informacioni për të zuri vend te GABI i albanologjisë, ku përmendet sot e kësaj dite.

Forumi shqiptar u pat bërë një përmbledhje shumë të mirë shkrimeve që shoqëruan njoftimin sensacional (lexohen me ëndje të madhe, sidomos tani kaq vite më pas); i cili atëbotë u përshëndet ndër të tjerë nga Dhimitër Shuteriqi, Moikom Zeqo, Pranvera Bogdani dhe Shaban Sinani; dhe u kundërshtua, ndër të tjerë, nga Ardian Klosi, Aurel Plasari dhe unë.

Çfarë më intereson këtu, është se edhe pse dy dekada kanë kaluar që nga “zbulimi” epokal (apo duhet të them zbulesa?), libri i Teodor Shkodranit mbetet një objekt imagjinar ose ektoplazmë dëshirash patriotike; askush nuk e ka parë, madje as edhe një faqe të vetme të tij, në një kohë që Musa Ahmetin tashmë e kanë denoncuar haptazi, në mediat, si sharlatan dhe mashtrues.

Edhe sikur të ishte i tillë, nuk do të ishte as i pari, as i fundit. Kjo çështje tërheq vëmendjen jo për mashtrimin, as për mirëbesimin naiv të publikut, duke përfshirë aty edhe studiues të mirënjohur të këtyre punëve, por për kokëfortësinë a mbijetesën e kësaj rrene në kohë, përkundër çdo pritjeje racionale.

Populli thotë: në mos qoftë, u sajoftë; dhe kjo gjen zbatim të mrekullueshëm në historinë e dorëshkrimit enigmatik të Teodor Shkodranit.

Askush nuk e ka parë, askush nuk di se çfarë shkruhet aty dhe si është shkruar, askush nuk e ka verifikuar; por ndërkohë Teodor Shkodrani e ka çarë rrugën dhe ka bërë vend deri edhe në Enciklopedinë Britanike, në një artikull pas gjase të përgatitur nga Peter Prifti, ku përshëndetet si shembulli më i lashtë i shkrimit shqip.

Ndërkohë, në historinë e vet të letërsisë shqipe, edhe Robert Elsie i pat dhënë kryet e vendit këtij autori – deri më tash imagjinar – duke i rrëfyer lexuesit, edhe ai, si një dorëshkrim 208-faqesh u zbulua në Arkivat Sekrete të Vatikanit nga “dijetari” Musa Ahmeti, i shkruar me dorë dhe i zbukuruar me miniatura të praruara dhe iniciale me ngjyra; dorëshkrim ku faqet 1-97 merren me teologji, faqet 98-146 me filozofi dhe faqet 147-208 me historinë e botës së njohur, nga viti 154 A.D. deri në vitin 1209 (për fat të keq, duket se Teodor Shkodrani nuk paska arritur ta përfshijë në këtë trajtesë historiografike ngjarjen super-historike të krijimit të dorëshkrimit të vet).

Elsie duket se ra viktimë jo aq e mashtrimit (meqë mashtrimi do të parakuptonte edhe ekzistencën e objektit të rremë), sesa e një zhurme mediatike, të ngritur nga një autor, i cili nuk u doli dot zot pretendimeve të veta bombastike, duke i lënë të shndërrohen në fabrikime.

Edhe pak dhe njoftimi për Teodor Shkodranin dhe traktatin e tij 208-faqesh do ta gjejë rrugën edhe në tekstet shkollore (nëmos e ka gjetur tashmë), krah për krah pellazgëve dhe krijesave të tjera imagjinare, me të cilat kemi dëshirë të kullandrisemi dhe sipas rastit i thërresim që nga mbretëria e të mundshmes.

Kush është Teodor Shkodrani sot? Si një entitet i ngecur – pas gjase përfundimisht – në hapësirën midis ekzistencës dhe mosgjësë, sa kohë që askush nuk e ka parë dorëshkrimin e tij, ai i përket një klase të veçantë qeniesh, të cilat kanë të bëjnë më shumë me algjebrën sesa me historinë: është autori i librit të parë shqip si të tillë, ose i një objekti i cili ka vlerë historike vetëm e vetëm sa kohë, ose në atë masë që është më i vjetër se çdo objekt ose artifakt tjetër i zbuluar ose që do të zbulohet më pas.

Dukuria i intereson para së gjithash semiologut – meqë kemi të bëjmë me një shenjë ose me një shifër, më parë edhe se me një objekt, të mirëfilltë ose të rremë; dhe Teodor Shkodrani shfaqet në vetëdijen kolektive të shqiptarëve, më shumë sesa si personazh historik, si ngushëllim i garantuar për faktin, e trishtuar në vetvete, që shqipja ashtu siç e njohim është shkruar shumë vonë. Data e dorëshkrimit të tij, 1210, nuk ka ndonjë vlerë në vetvete, në krahasim me efektin e shtyrjes tre shekuj mbrapa të datës së botimit të librit të parë shqip, Mesharit të Buzukut (1555).

Ajo datë garanton, në mënyrë më shumë logjike sesa historike, që gjithnjë ka diçka më të vjetër, më të hershme, më të përtejshme se ajo çka dimë dhe njohim; një cak kohor në thelb transhendental, që nuk mund të arrihet dot, pse gjithnjë shtyhet tutje kur i afrohemi; ose sinorin e mbretërisë së prehjes, për të gjithë adhurimtarët e së lashtës.

E vështirë të marrësh me mend, pas kaq vitesh, se çfarë e shtyu një studiues të ndërmerrte një hoax të tillë që gati-gati sot tingëllon si eksperiment – tek e fundit, dorëshkrimin fantazmë i Teodor Shkodranit nuk e quan dot forgery (askush nuk e ka parë); dhe ai autor sot ekziston në një hapësirë imagjinare, bashkë me Mujin dhe Halilin, Rozafën, Princeshën Argjiro, Milo Shinin, Kamanin dhe Kostandinin e Vogëlith, personazh i një rrëfimi të nevojshëm kombëtar, që ka dhënë prova se mund të jetojë pavarësisht statusit të tij mirëfilli historik.

Dr. Ahmeti, kur e dha lajmin e rrallë, pati mirësinë të sillte edhe një fjali të vetme nga dorëshkrimi që kish zbuluar:

Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t’Lummnummitt ZOT e mbaronjj n’Vitte MCCX dittn ee IX t’Mmarxxitee, THEODOR SSCODRAANNITTEE

Çfarë i mjaftoi Ardian Klosit për ta vënë menjëherë në dyshim autenticitetin e tekstit me argumente grafematike. Citoj nga ky autor (sipas tekstit të sjellë nga Forumi shqiptar, shih linkun më lart):

Në këtë fjali dalin edhe një numër pikëpyetjesh, të cilat nuk i përgjigjen njohjes së deritashme të filologjisë në lëmin e teksteve të vjetra të gjuhës shqipe. Së pari, në asnjë autor të vjetër nuk gjejmë për fonemën f grafemën ph, siç na e jep dr. Ahmeti te fjala phorte. Madje edhe italishtja, nga vjen kjo fjalë në gjuhën shqipe, e shkruan me f. Ç’arsye kishte Theodor Shkodrani të shkruante phortee? Vazhdojmë: në asnjë nga autorët e vjetër nuk shkruhet nihemen, por ndihmën. Në atë kohë grupet nd, ng, mb në gegënishte ende nuk ishin asimiluar në n ose m, një zhvillim që është i mëvonshëm (shih edhe shpjegimet etimologjike të Çabejt për fjalën ndihmë). Pra, kur ky grup as te Buzuku, Budi, madje as te Bogdani, që shkruante gjuhën e Shkodrës, nuk ishin asimiluar ende, si shpjegohet që ishte asimiluar te Th. Shkodrani tre shekuj më parë? Por jo vetëm kaq: Derisa autori në fjalë shkruan nihëmë për ndihmë, ai duhej të shkruante edhe maroj për mbaronj. Këtë nuk e bën, është si të thuash këtu më logjik. Vijojmë më tej: Zanoret dyfishe, siç jepen në fjalinë e përmendur të dr. Ahmetit, nuk kanë kuptim, sepse asnjëra nuk është në pozicion të gjatë. Në tërësi mund të thuhet se të gjitha fjalët janë të çuditshme, asnjëra prej tyre dhe asnjë grafemë nuk është ashtu siç mund të pritej. Kështu, përse shkruan autori për fonemën shss” dhe për fonemën sxx“? Te autorët e vjetër për sh, kemi “sc“, çka është e natyrshme, pasi është modeli latin-italian, që do duhej ta kishte marrë, sikurse ta do mendja, edhe Theodor Shkodrani.

Pra, jo vetëm që fragmenti nuk integrohet dot në asnjë lloj tradite të shkrimit shqip, por edhe spikat për absurditetin e shkronjave të dyfishta (ee, ss, nn, mm, tt, xx, aa, zz), të cilat e turbullojnë paleografin. Me një vështrim të parë, duket sikur Dr. Ahmeti ka vajtur të transkriptojë ligjërimin e kuajve fisnikë Houyhnhnms, nga Udhëtimet e Guliverit të Swift-it…

Duke u nisur nga supozimi – jo më i paarsyeshëm tashmë – se Dr. Ahmeti e shpiku edhe Teodor Shkodranin edhe traktatin e tij, nuk do të ishte e ekzagjeruar që t’ia atribuonim fragmentin më lart dorës së atij studiuesi, pa e trazuar stërgjyshin tonë të vitit MCCX, dhe të shqyrtonim si e ka “imagjinuar” ky i sotmi grafinë e imagjinuar të shqipes së atyre kohëve të largëta.

Dhe ashtu mund të vazhdojmë e të themi se, në përpjekje për të shkruar një shqipe të vjetër, fabrikuesi mbase pa dashur u është përshtatur disa rregullsive që filologët kanë pikasur, në zgjidhjet grafematike të teksteve të falsifikuara, duke filluar nga “zgjatimi i fjalëve”, ose ajo ekstravagancë që K.K. Ruthven (Faking Literature) e quan stretch-limo spelling dhe që ndeshet në dorëshkrimet e rreme që lulëzuan në letërsinë angleze gjatë shekullit XVIII. Si shembuj të kësaj Entfremdung of diction (tëhuajzim i diksionit) le të përmendim një William-Henry Ireland e shkruan fjalën perpendicularly si perrepennedycularelye, ndërsa Thomas Chatterton, një tjetër fabrikues i shquar i atij shekulli, fjalën paintings e shkruan peyncteynge dhe hermits si errmmietts dhe ancient si auntiaunt (të gjithë këta shembuj i kam nxjerrë nga vepra e lartcituar e Ruthven-it). Të tjerë i kanë krahasuar këto lloj zgjidhjesh grafike me “vjetrimin” fizik që u bëhet dorëshkrimeve të rreme për t’i paraqitur si të lashta; unë do të shkoja dhe më tutje, për të sjellë në vëmendje teknikën e distressed clothing (p.sh. distressed jeans ose distressed leather), e cila lejon që veshjet e saponxjerra në treg dhe të ofruara për shitje në butikat më ekskluzive të modës të duken sikur janë zhgërryer me dekada nga gjithfarë barinjsh derrash ose gurthyesish në guroret.

Kur u botua për herë të parë teksti “origjinal” i Teodor Shkodranit, publiku, përfshi edhe studiuesit, nuk kishin si ta dinin që ato dy rreshta do të mbeteshin të vetmet dëshmi të shqipes së kohës së kryqëzatave; por Dr. Ahmeti me gjasë e dinte – që këtej, edhe kujdesi për ta vjetruar grafinë, deri në ekzagjerim, por edhe pa sjellë ndonjë ngjashmëri me shqipen e shkruar të Buzukut, i cili ndjek zgjidhje të tjera grafike. Vjetërsia – në këtë rast – garantohet nga jetërsia, në krahasim me drejtshkrimin e sotëm, duke filluar nga bollëku i shkronjave të dyfishta, të cilat janë aq shumë, sa lexuesi, edhe ai profan, do të fillojë të mendojë se autorin fiktiv, Shkodranin, e paguanin sipas sasisë së shkronjave që përdorte.

Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t’Lummnummitt ZOT e mbaronjj n’Vitte MCCX dittn ee IX t’Mmarxxitee, THEODOR SSCODRAANNITTEE

Nëse dr. Ahmeti pati për synim të hipnotizonte masën e të dëshiruarve për lashtësi, ia arriti – duke dyfishuar çdo shkronjë që i doli përpara. Veçanërisht absurde janë m-të në fjalë si lummnummitt dhe mmarxxitee, sa kohë që lexuesi e ka të pamundur të kuptojë se çfarë sjell kjo m e dyfishtë (geminate), në krahasim me m-në e thjeshtë, që e ka detyruar “autorin” e dorëshkrimit të harxhojë penë, bojë dhe kohë dyfish.

Kam shkruar edhe më parë për fakes në historiografinë kombëtariste (Efekte të fabrikimit në kulturë); Teodor Shkodrani zë vend nderi mes tyre, por nuk është i vetmi. Kam përshtypjen se, duke parë analfabetizimin progresiv të publikut që rritet dora-dorës me interesimin për këto çështje, dhe rolin kriminal të mediave, prirja do të mbetet që fakes të vijnë duke zëvendësuar ato pak të vërteta që njohim nga historia – sepse të vërtetat, faktet, gjithnjë u rezistojnë interpretimeve subjektive, ndërsa fakes sajohen të tilla, që t’u përshtaten këtyre interpretimeve. Mjaft të shohësh Muzeun e Skënderbeut në Krujë, i cili për disa që tani po fillon të imponohet si kështjella e mirëfilltë e atij qyteti; ose instalacionet e llojit Bunk’art në Tiranë. Sa kohë që publiku ndihet mirë, duke u sorollatur si zombie në këtë mjegullimë pseudo-faktesh dhe pseudo-arti, që synon veç t’ia konfirmojë ato dije të cilave u beson me afsh, edhe pseudo-elitat nuk do t’i vrasë hiç ndërgjegjja, që të vazhdojnë të ofrojnë fakes dhe madje të çpërgënjeshtrojnë edhe ato fakes që deri dje ishin provuar si të tilla.

Rasi i dr. Ahmetit mbetet megjithatë i pasqaruar – sepse tepër skandaloz, edhe në kontekstin e përgjithshëm të tolerancës ndaj rrenës, që mbretëron në kulturën shqiptare. Ai studiues e lajmëroi zbulimin e vet me zhurmë, madje duke u shtyrë edhe në hollësi që ndoshta nuk ish nevoja që t’i sillte; çfarë mund lërë vend për dyshimin se kjo fake e dorëshkrimit të Teodor Shkodranit ish menduar që të çohej më tutje, madje edhe duke e ofruar dorëshkrimin si të tillë, por që pastaj u la përgjysmë, për arsye misterioze. Vetë dr. Ahmeti nuk pati ndonjë pasojë reputacionale për çfarë ndodhi dhe vazhdoi me kërkimet e tij në arkivat historike; e kam dëgjuar emrin e tij të përmendet në lidhje me aktivitete të paqortueshme. Gati-gati të vjen të mendosh se kultura jonë kombëtariste kish nevojë jetike edhe për një dukuri si kjo e dorëshkrimit imagjinar të Teodor Shkodranit, ose për një pikë referimi të paarritshme; dhe dr. Ahmetit i ra barra që ta ofrojë, të paktën si mundësi legjende. Çudi si arriti t’i shpëtojë medaljes obligatore prej ish-presidentit medaljedhënës Ilir Meta.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin