Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

ELITA DHE DEMOKRACIA

nga Jani Gjoni & Dhimo Jano

Një qytetar shqiptar, sot mbas 30 vitesh nga rënia e komunizmit, ndodhet në udhëkryq, i pasigurt dhe i paqartë për sistemin e shtetëror e shoqëror të ngritur në Shqipëri. Demokracia e ëndërruar dhe e premtuar nuk shihet në horizont ashtu siç duhet të jetë, sistemi i shkuar duket sikur është aty pranë dhe nuk ka ikur ende, diktatura e përjetuar për 50 vite shpesh duket më e durueshme se sa egërsia autokratike që përjetohet çdo ditë, gati barazia në varfërinë komuniste duket më e drejtë se korrupsioni marramendës në çdo qelizë të jetës dhe Njeriu i Ri, simbol i edukimit komunist, vazhdon të jetë më “miqësor” se individi i “lirë” në “demokracinë” shqiptare.

Njihet gjerësisht se shoqëria është e ndërtuar si strukturë piramidale, ku në bazë të saj është shtresa e gjerë e popullsisë, kryesish ajo e punës dhe me të ardhura të ulëta, që përfaqëson standardin minimal të të ardhurave, me arsimim të pakët dhe pa pronësi në treg. Mbi të është shtresa e mesme, me edukim të lartë dhe shumë aktive në shoqëri, me punëtorë të kualifikuar, pronarë të aseteve të ndryshme dhe zotëruese e bizneseve të vogla e të mesme. Ajo përfaqëson trupin e piramidës shoqërore dhe sa më e gjerë të jetë kjo shtresë, aq më e lartë bëhet piramida e shoqërisë. Individë dhe grupe nga shtresa e bazës së piramidës përpiqen edhe arrijnë të lëvizin lart në shtresën e mesme duke u bërë më produktivë dhe proaktivë në shoqëri. Në majën e piramidës është ELITA, pjesa më vezulluese dhe më e vogël e piramidës. Në të bëjnë pjesë elita politike e sociale, ekonomiko-financiare, kulturore, akademike  e shkencore, pra, individë e grupe me sukses të lartë e me impakt të gjerë në shoqëri.

 

(nga e majta në të djathtë:)

  1. Vende të balancuara
  2. Vende shumë të zhvilluara
  3. Vende të pazhvilluara

Në piramidat e paraqitura për lexuesin e gjerë, do të vihet re se përmasat e tyre ndryshojnë në varësi të hapësirës që zënë shtresat në to.

Piramida “1” është struktura shoqërore e vendeve të balancuara, të drejtpeshuara, thënë shqip, dhe me zhvillim të mirë ekonomik e social, të tillë si Spanja, Greqia, Çekia, Polonia etj. Në këto vende, shtresa e ulët është pjesa më e madhe e piramidës shoqërore, por ajo është aktive dhe gjithnjë në lëvizje për t’u ngjitur lart. Këtë dinamikë e frymëzon sistemi demokratik i ndërtuar me sukses dhe tregu i konkurrencës së merituar. Shpresa e qytetarëve nuk është vetëm një ëndërr, por një realitet i mundshëm dhe i arritshëm për të gjithë.

Piramida “2” paraqet vendet me demokraci të konsoliduar si USA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Zvicra, Vendet e Ulëta, etj. Me demokraci të konsoliduar duhet të kuptojmë se ajo është e tillë në të gjitha drejtimet: institucionale e shoqërore, politike, ekonomike dhe e brendshme. Konkurrenca e lirë dhe tregu i hapur kanë krijuar mundësi dhe hapësira cilësore për të gjithë, prandaj shtresa e mesme është mbizotëruese në hapësirën e strukturës sociale. Piramida e shoqërisë lartësohet vazhdimisht vetëm kur shtresa e mesme zgjerohet e konsolidohet në arsimim, punësim cilësor, pjesëmarrje në politikë e kulturë e akses në të gjitha aspektet e jetës së vendit.

Ndërsa Piramida “3”  paraqet situatën në vende të pazhvilluara si Shqipëria e Kosova jonë, Maqedonia, Bosnja, Serbia deri edhe Rusia etj, ku shtresa e mesme është anemike, pothuajse inekzistente, pa frymë dhe pa dinamikën e nevojshme për të krijuar progresin e pritur shoqëror.

Gjithmonë duke patur parasysh Demokracinë si sistem, kur në këto vende pretendohet se e kanë aplikuar demokracinë dhe tregun me konkurrencë të merituar, atëherë përse ato nuk kanë prodhuar progresin e pritshëm?

Elita është maja e piramidës në çdo sistem shoqëror, ajo është pjesa më e vogël e saj, por me një rol vendimtar për jetën e vendit dhe të shoqërisë.

Në vendet e zhvilluara, Elita është e përbërë nga “old money”, pjesa e trashëguar dhe ajo e re, që lind si rezultat i zhvillimit dhe konkurrencës së lirë. Ajo vjen nga poshtë-lart si rezultat i energjisë që krijon sistemi demokratik e tregu i lirë dhe shembujt e këtij suksesi janë të shumtë në SHBA si Barack Obama, Elon Musk, George Clooney etj. Nuk është rastësi që në SHBA 85% e milionerëve janë “self made”, të bërë me punën e përpjekjet e tyre, me guximin në investime dhe të kapërcimit të rrezikut të tregut. Roli i Elitës në jetën e këtyre vendeve është pozitiv dhe i përgjegjshëm në interes jo vetëm të vetes, por së pari të së mirës publike dhe interesave të vendit. Ajo udhëheq në treg, në politikë e në jetën sociale, merr përgjegjësitë për mosarritjet dhe gabimet nëpërmjet votimit mbarëqytetar të popullit dhe projekton interesat e të ardhmes së vendit, por dhe rreziku i devijimit të saj është i pranishëm. Volejbolli politik me vetëm dy-tre forca politike kanë bërë që Elita të mbajë nën kontroll fushën e lojës së pushtetit duke zvogëluar hapësirat për alternativa të reja. E ngjashme është pamja edhe në fushën ekonomik e financiare, ku me përqendrimin e lartë të pasurisë në disa duar është krijuar një polarizim i skajshëm, që mund të përfundojë në prishjen e balancave sociale e tronditje të sistemit demokratik. Ndërsa më e pastër është elita shkencore dhe ajo inovative, e cila gjithnjë shfaqet pa zhurmë, por me ndikim të madh praktik në të gjithë jetën e vendit.

Në vendet e pazhvilluara e me demokraci të dobët, Elita është produkt në tërësi i emëruar dhe krijuar nga pushteti autokratik e diktatorial. Ajo shfaqet si rrjedhojë e korrupsionit dhe nepotizmit, me vlera të dyshimta, të pamerituara.

Natyrisht që ka edhe një pjesë të vogël, e cila me shumë vështirësi ka arritur të depërtojë rrjetën e ngritur nga pushteti, por ajo nuk ka zë dhe është gjithnjë nën frikën e presionit oligarkik.

Demokracia në këto vende, përfshi dhe Shqipërinë, duket se është më shumë fasadë, reformat nuk janë reforma, mbeten fjalë, që ngjan me shpëlarjen mendjeve të njerëzve, kulti i individit dhe pushteti absolut janë i vetmi model për qytetarin.

Tregu është okupuar nga monopoli dhe nuk ka asnjë hapësirë për bizneset e vogla e të mesme që të konkurrojnë e ngjiten lart, drejtësia përdoret dhe shpërdoret, ngjan si e blerë dhe përralla për kapjen e “peshqve të mëdhenj” a “peshkaqenëve”, tingëllon si histori nga e kaluara. Korrupsioni është e vetmja mënyrë për sukses, tarafi, ryshfeti, mitëmarrja janë një gangrenë që po e gllabëron trupin e Shqipërisë, ajo ushqehet nga vetë sistemi i mbyllur e tribal që Elita e trashëguar politike ka ngritur në tërë këto vite. Është krijuar psikoza se kudo duhet të japësh para nën dorë për të zgjidhur hallin. Elita shqiptare është në skajet e papërgjegjshmërisë, po mësohet të kërkojë përfitimin e pandershëm dhe etja për pushtet absolut në të gjitha fushat ka krijuar oligarkinë si sistem që shitet me nota demokracie. Universitete pa fund me diploma që nuk i hyjnë aq shumë në punë të shumtëve, kane degjeneruar arsimin dhe edukimin e të rinjve duke dëmtuar të ardhmen e tyre; zhgënjimi është dëshpërues.

Në tregun publik shikon e dëgjon vetëm nja dy a tre biznese, që sundojnë tregun, lehtësisht shihet një kompani që i bën të gjitha, media e ndërtimi, arsimi e politikë, bile dhe akademi e shkencë, me doktorata e tituj shkencorë pa vlerën e nivelit të sotëm në vendet përreth, konkurrenca është e asfiksuar, sepse ndokush/disa kanë mundësinë për t’i blerë të tëra. Në ekrane e media shikon moderatorë që shesin mediokritetin pa asnjë vlerë reale publike, që me ego të pamatë pozojnë mosdijen e tyre, të veshur shtrenjtë, bizhuteri shkëlqyese, thua se janë specie unike, që demokracia erdhi vetëm për ta. Arroganca e tyre është pa fre, ajo vihet re në opinionistë që nuk diskutojnë për çështje të ditës, por për orët e shtrenjta në duart e shoku-shokut dhe me reklamimin e pushimeve te tyre në tërë botën duke poshtëruar vendin e tyre.

Kjo duhet të marrë fund, nuk kemi nevojë t’i shohim këto spektakle ekstravagance deri në neveri kolektive, le t’i mbajnë për vete, le t’ua tregojnë familjeve të tyre, nuk na meritojnë ne. Opinionistë lajkatarë, analistë në xhepat e pushtetit oligarkik, që si parazitë politikë prishin higjienën mendore, përhapin të pavërtetën, dizinformacionin si informacion duke çorientuar besimin publik.

Njeriu i thjeshtë në shtresën e ulët, kur ngre krye, shikon sa e pamundur është të ngjitesh lart, të përparosh në dije e mirëqenie me punën dhe djersën tënde, pa u përulur e zhgërryer, ku stigmatizohesh si i padenjë.

Shtresa e mesme s’është sociale, nuk ka impakt  në shoqëri, ajo nuk ka hapësirë të zhvillohet, sepse sistemi i tranzicionit permanent, i ngritur si një kurth nga Elita grabitqare, e pengon të rritet duke e bërë tani inekzistente në Shqipëri. Në Elitën shqiptare, siç e thamë, hyhet vetëm me ndihmën e pushtetit korruptiv e nepotik e në shërbim të tij, pa merita të tjera. Kjo portë kështu është e hapur, për ata individë pa emër e mbiemër vlerash, pa shtyllën kurrizore të karakterit të fortë, gjallesa pa ditëlindje e ditëvdekje, të kudogjendura. ELITA është PSEUDO ELITA që ne kemi sot.

Skllavëri moderne? Kjo është fotografia e sotme e Shqipërisë? Ne duam të alarmojmë.

Shqiptari i ndershëm, njerëz të punës së krahut e asaj intelektuale, të heshtur, të përgjegjshëm, të papaguar, idealistë, të panjohur, kreativë, që me sakrifica shkollohen ku të mundin, edhe universiteteve nëpër botë, ndoshta jo aq të pakët, janë ELITA e vërtetë e Shqipërisë. Të mos u mbyllet rruga!

 

(c) 2022 Jani Gjoni & Dhimo Jano. Të gjitha të drejtat janë të autorëve. Falënderime për Visar Zhitin që ndërmjetësoi për këtë shkrim.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin