Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

HISTORI KITSCH

nga Edon Qesari

1. Rëndom, kur kërkohet t’i jepet shpjegim apo të përdoret nocioni i kitsch-it, ky i huazohet lëvrimit që i ka kushtuar Milan Kundera në atë që mbetet vepra letrare e tij më e përmendur, romani “Lehtësia e papërmbajtshme e qenies”. Në rastin tim, këtu, mora shtysë të posaçme nga një tjetër lexim, si dhe përdorim, që i bëhet të njëjtit nocion.

Fjala është për romanin non-fiction të shkrimtarit spanjoll Javier Cercas të titulluar “Mashtruesi”[1], vepër e cila, në mënyrë mjaft të zhdërvjellët për nga ritmi, merr në shqyrtim jetën e një Don Kishoti të kohës sonë, të njëfarë Enric Marco, ende i gjallë sot, i cili kishte arritur të zyrtarizonte një autobiografi të jashtëzakonshme.

Cili ishte, deri në vitin 2005, Enric Marco? Kishte qenë një republikan i përfshirë në “anën e drejtë të historisë”, pra të humbësve, gjatë luftës civile spanjolle, mandej i mbijetuar i kampeve të përqendrimit në Gjermaninë naziste, mandej kundërshtar jo dhe aq i heshtur gjatë diktaturës frankiste në Spanjë – e sa e sa heroizma të tjera në mesin e këtyre arritjeve kulmore – për të përftuar pasandaj, si merr trajtë demokracia në vendin e tij pas viteve tetëdhjetë, një numër të pamat mirënjohjesh, nderimesh, emërimesh dhe medaljesh, në organizata politike, në ato të shoqërisë civile dhe në ceremoni ndërkombëtare; ngado i apostrofuar dhe i adhuruar si qëndrestar ndaj stuhive të historisë, të cilat shumica e njerëzve i kishin pësuar kokulur dhe të rrasur në një cep.

Kështu deri në vitin 2005, kur, falë një hulumtimi të imët, del në shesh e vërteta: Marco, thjesht kishte ndërtuar një roman kalorësiak me hijet e jetës së vet, duke i tjetërsuar këto të fundit në shkëlqime dhe paskëtaj duke i shitur si të kulluara. Se kushdo i kishte pranuar, pa u thelluar fare, ato trille të një njeriu që, përtej autobiografisë zyrtare prej qëndrestari jashtë turmës, kishte qenë në të vërtetë, bindshëm, brenda turmës; pjesë e turmës së atyre që në përditshmërinë e vet nuk ndërmarrin akte heroizmi, nuk e çajnë historinë me shpatë në dorë, por veç ndjekin rrjedhën e saj dhe shpeshherë, qoftë dhe pa bujë, e përqafojnë.

Marco kishte qenë një duartrokitës i diktaturës frankiste – mbase duartrokitës i heshtur, mbase me ngërç në shpirt, por sidoqoftë duartrokitës – assesi një shpotitës i diktaturës. Dhe aq më pak një goditës i saj. E kjo vlente edhe për të tjerat, pasi as që e kishte parë parë, as nga larg, telin gjembor të një kampi nazist të përqendrimit.

Veç, këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një lajthitje individuale. Cercas-i nuk e shkroi “Mashtruesin” vetëm për të sjellë një ndodhi interesante dhe të lezetshme, sado me nota dramatike, të mënyrës sesi dikush, nisur prej aftësisë ligjërimore që zotëronte, arriti të mashtronte një vend të tërë.

Jo. Cercas-i mendon se Marco, para se të jetë trillues, është përfaqësues. Ngjarja e tij, para se të jetë një kronologji mashtrimesh të kryera nga një individ, është një dukuri kolektive. Marco është përfaqësuesi i një vendi që e ka ves, atëherë kur nuk e ka të nevojshme, që ta sajojë, e kësisoj ta rishpikë, të shkuarën e vet. Çka të bën me turp mund të fshihet, por edhe të mbulohet; mundësisht me diçka që rrezaton shkëlqim. Veçanërisht shkëlqim moral.

Marco ia del të mbulojë hijen e vet gjatë diktaturës nëpërmjet shkëlqimit të të shkuarës fiktive që shpiki. Diçka që Cercas-i e sheh, përtej individit Marco, tek gjithë shoqëria spanjolle e pas diktaturës, në të cilën shumëkush rendi për t’i bashkëngjitur paksa heroizëm, paksa fiction, të shkuarës së vet.

E pikërisht këtu, sillet në vëmendje nocioni i kitsch-it.

2. “Po ç’është kitsch-i?” – pyet Cercas-i. Është “një ide lidhur me artin, e cila nënkupton një falsifikim të artit autentik, apo së paku zhvlerësimin e tij nëpërmjet efekteve sipërfaqësore (…) e fshehur prapa një fasade sentimentalizmi, bukurie të rreme dhe virtyti kallp.”

Kitsch-i brumos një vepër arti e cila kërkon, në radhë të parë, të tërheqë vëmendjen, qoftë edhe atë rastësore; të bëjë për vete blerësin e saj potencial – sepse kitsch-i është i lidhur pashmangshmërisht me tregun, me yshtjen që oferta mëton t’i bëjë kërkesës – “me efekte dhe emfazë melodramatike, të pasura me gjëra pa shije dhe të huaja ndaj kompleksitetit dhe ambiguitetit jetësor”. Një objekt kitsch-i – një veshje, një tablo, apo një shqiponjë e trajtësuar me gishtat e duarve – nuk kërkon thellim, as njohuri paraprake dhe as rrudhosje të ballit e akoma më pak të trurit; kitsch-i “i fal konsumatorit iluzionin se po konsumon art autentik pa i kërkuar asnjë nga përpjekjet që duhen bërë për ta shijuar”.

Këtij përshkrimi të kitsch-i, po themi, estetik, Cercas-i i bashkëlidh atë të llojit historik. “Ashtu sikurse industria tashmë e vjetër e argëtimit ka nevojë të ushqehet me kitsch estetik”, kitsch-i historik “i fal konsumatorit iluzionin e njohjes së historisë reale duke i kursyer mundimin, po sidomos duke i kursyer ironitë dhe kontradiktat dhe turbullimet dhe turpet dhe tmerret dhe neveritë dhe marramendjet dhe zhgënjimet që sjell kjo njohje”.

Pas rënies së diktaturës në Spanjë, kur vlera të reja zëvendësuan normat e vjetra, kur rënia e gjoksit me grusht mori epërsi ndaj maturisë së heshtjes, shumëkush (individë apo grupe) rendi të hetonte të shkuarën vetjake, të nxirrte në pah disa filiza kundërshtimi ndaj diktaturës – qoftë dhe krejt të heshtura e të padëgjuara nga kurrkush, qoftë inekzistente porse të sajueshme; apo të heshtte disa veprime të zellshme aprovimi, disa duartrokitje apo anëtarësime në strukturat e regjimit frankist, të cilat ende mund të kumbonin sakaq që kambanat politike ishin ndërruar tashmë.

Në të tilla rrethana, kur shumëkujt i lypej që të ishte i pranishëm, së paku, apo të kishte mundësinë e të qenit mall i denjë për një pazar të ri vlerash – me një fjalë, teksa kujtdo i voliste që ta zbukuronte veten, të tërhiqte vëmendjen dhe të përshtatej me shijet e reja të konsumatorit post-diktatorial – Marco shënoi njëfarë rekordi: siç pohon Cercas-i, “pakkush në Spanjë e ka ofruar mallin toksik dhe të ëmbëlsuar të këtij kitsch-i” – të këtij zbukurimi të pashije të së shkuarës vetjake, të denjë për vëmendje në prani të një tregu shumice – “në një trajtë aq të kulluar dhe me aq bollëk sa Marko”.

Fakti që ai ofroi një mall gjerësisht të kërkuar – e të shkërbyeshëm, nëse do të lindte nevoja – bën që e gjithë ndërmarrja e tij falsifikuese të besohej qorrazi, të dekorohej qorrazi, e të shprehte po aq qorrazi një prirje të përgjithshme për histori kitsch në vend të historisë crude. Ose thënë, një kërkesë për histori mashtruese në vend të historisë reale.

3. Të ndalemi pak më tej tek kjo nënkategori e përkufizuar nga Cercas-i si kitsch historik. Këtu, unë s’kam për qëllim të ndërmarr ndonjë histori të kitsch-it, gjithsesi. Përkundër, është prania e kitsch-it në histori – ose më saktë, në shkrimin e historisë, në historiografi – që ndjek rreshtat e mëposhtëm.

Në tezgat e kësaj historiografie përfshihen të gjitha ato vepra, librore apo audiovizive, që kanë për qëllim divulgimin e një të shkuare, individuale ose kolektive, e cila duhet t’u përgjigjet nevojave të tanishme. Thënë ndryshe – e mbase më thjesht, duke pasur parasysh tregun e historiografisë në shqip – e kam fjalën për atë okë me vëllime, intervista, workshop-e dhe debate televizive që të djeshmen e mat me kutin e të sotmes; e cila historinë e vë në shërbim të aktualitetit.

Kësodore, libraritë reale dhe raftet virtuale sa nuk po pëlcasin prej botimeve të njëpasnjëshme – një dukuri e vërtetë mode në dekadën e fundit – që identitetin kolektiv të sotëm, ne-në tonë kombëtare nëse duam, e shpien pas në kohë, deri në mugëtirën iliro-pellazgjike, bie fjala; botime që nuk ngopen së rrëfyeri për atlantida shqiptare të kudondodhura, për farën shqiptare që ka ngjizur emra të mëdhenj të njerëzimit, lart e poshtë, nëpër Olimp dhe Had; botime për identitet evropian të shqiptarëve, që kuvendojnë edhe për kohë kur për “identitetin”, si nocion, nuk e vriste mendjen njeri (e aq më pak njihej mbiemri “evropian” në këtë kuptim); botime ku të tjerët janë ne, pavarësisht se ata nuk e dinë, sakaq që as ne nuk e dinim, por kemi qenë ne gjithmonë (sidomos kur nuk e dinim, ama e dinin të tjerët dhe punuan që ne të mos e dinim); botime që kalërojnë mbi valën e shekujve të historisë dhe mbërrijnë deri pranë ditëve tona, ku pavarësia, monarkia dhe mandej socializmi shpjegohen, interpretohen dhe divulgohen si në një karusel, që me pak monedha dhe me galop të lejojnë një të rrotulluar përreth një panoramike ku heroikja, epikja dhe mitikja (të gjitha parafabrikate të të sotmes këto) ta përshtatin shpejtësinë sipas ritmit që lyp stomaku që ke.

Sepse shpeshherë, për të njohur të shkuarën, sidomos atë të cilës thuhet se ti i përket, të duhet stomak i fortë. E jo kushdo e ka. Andaj ty, konsumues i këtyre botimeve, të kursehet rreziku i ulçerës emocionale “ironitë dhe kontradiktat dhe turbullimet dhe turpet dhe tmerret dhe neveritë dhe marramendjet dhe zhgënjimet që sjell kjo njohje”. Zgjidhja të vjen me një “mbushje të helmët sentimentale të mëlmyer me ndërgjegje të pastër historike”, siç vazhdon Cercas-i.

Thënë ndryshe, industria e botimit të librave, siç dhe e emisioneve televizive, me karakter historik në Shqipëri është e mbushur me një shumësi Marco-sh, që riprodhojnë normat dominuese të ligjërimit të sotëm publik – kryesisht dhe veçanërisht të lidhur me narrativën nacionaliste dhe të përjetësimit të kombit si subjekt. Ndodhte po njësoj edhe në periudhën 1945-1990, veçse atëherë kombi dhe socializmi përqafoheshin, e së bashku fabrikonin modelin e tyre të kitsch-it historik.

Ndërsa në historinë e shitshme sot, në version xixa-xixa, të thuhet se ti, konsumues historiografie – plus shqiptar, apo daç ilir, arbër, pastaj evropian, e me shpresë antikomunist – pra ti, si përfaqësues i sotëm i një ne-je që kapërcen shekuj e mijëvjeçarë, ke luftuar për mbijetesë dhe ke çarë me shpatë në dorë ndaj shtrëngatave të shekujve; ndërsa “tjetri” – që mund të jetë i huaji, gjakprishuri, greko-bizantini, osmani, vllahu, sllavo-komunisti, por edhe ndonjë Evropë “kurvë e motit” – ai i cili është përpjekur ta ndalë vazhdimësinë e pazhbëshme mes të shkuarës dhe të tanishmes pra, ende sot përpiqet të të nënshtrojë, asimilojë apo të ta marrë kalanë nga brenda.

4. Por përse, te kjo industri e mirëfilltë historiografike, mund të pikaset thelbi i një kitsch-ëzimi të së shkuarës?

Së pari, sepse kitsch-i, për nga vetë natyra e vet, është i lehtë për t’u përvetësuar. Ai “i fal konsumatorit iluzionin se po konsumon art autentik pa i kërkuar asnjë nga përpjekjet që duhen bërë për ta shijuar”. Kitsch-i të fton të mos mundohesh; të jep një narrativë të thjeshtë, të paketuar dhe të përshtatshme për çdo rast, të përtypshme dhe të riciklueshme. Një narrativë që nuk të lodh; përkundrazi, ajo të shplodh dhe të bën më të fortë, duke të dhënë vetëbesimin e të përkiturit të një kombi të zgjedhur, të një gjuhe zotash, të një race kreshnikësh homerikë. Për ta arritur këtë, kitsch-i kërkon shfletues apo teleshikues, assesi qëmtues dhe thellues. Është një histori like-esh, ajo e prodhuar nga industria e kitsch-it, jo histori që të shtyn të ngresh pikëpyetje. Është histori që shtjellohet dhe konsiderohet e mbyllur brenda minutave televizive të një transmetimi, jo në bibliografinë masive dhe të akullt të ndonjë vëllimi kritik. Një histori e cila, në të vërtet, rekruton followers-a, jo dhe aq lexues; që thotë “fol më thjeshtë se nuk të kupton publiku”. Sepse, nëse do të kërkonte thellim, kitsch-i e di se konsumuesi i tij është veçse një click larg përzgjedhjes së një kitsch-i tjetër, më pak të lodhshëm e makar më të lirë. Mbase nuk ka konsideratë të lartë për mendjen dhe formimin e konsumatorit, por kitsch-i ia njeh mirë dhe e trajton mirë barkun e tij.

Së dyti, kitsch-i jep konsumatorit atë që ky e di già; nuk ia trondit diturinë, veçse ia konfirmon. Kitsch-i dëfton se në shekuj të shekujve ky komb ka pësuar vetëm pushtime, asimilime, diktatura dhe përjashtime. Të gjitha gjëra që dihen, fundja: janë të skalitura në një platformë të ngurtë të viktimologjisë tipike ballkanase. Sepse historiografia kitsch-iste nuk kërkon zbulime të papritura, ose këndvështrime të reja. Kitsch-i është komercial, jo revolucionar. Historishkrimi i sotëm veç pohon ato që historishkrimi i djeshëm i ka thënë qysh në krye të herës – ka ndryshuar kahja, për hir të së vërtetës (partizani është bërë bashkëpunues me okupatorin sllavo-komunist, ndërsa ballisti një martir i demokracisë), ama çështja mbetet se kush e ka fajin. Dhe konsumuesi i kitsch-it e di fare mirë, paraprakisht, se çfarë/cili qëndron në epilog të këtij whodunnit. Sepse kitsch-i, tamam si në një konkurs bukurie, e di se konsumuesi pret që në fund fitimtarja të derdhë lotë.

Dhe së treti, kitsch-i pajis me modele. Se është e pamohueshme se historia, si udhëtim kureshtar në të shkuarën, thith vëmendje në ditët e sotme, zgjon interes dhe debat; nëpër media më shumë se kudo tjetër. Por jo dhe aq për shkak të ndonjë grishjeje për të ditur se ç’ka ndodhur në filan vend dhe si qenë punët në aksh datë; porse që në fund konsumuesi të thotë, me dorë në zemër ose në kobure, “ah, ç’njeri i madh ishte ai!” ose “ç’maskara ka qenë ky tjetri!”[2]. Prodhuesit e kitsch-it e dinë fare mirë – ky i fundit ekziston pikërisht për këtë qëllim – se cilat janë koordinatat e pëlqimit dhe mospëlqimit të konsumuesit të vet; përpos, kitsch-i është plotësisht i ndërgjegjshëm se hulumtimi në të shkuarën nuk bëhet nga premisat e një erudicioni dhe aq. Historia nuk mund të jetë, për kitsch-in, qëllim në vetvete. Në faqet e saj kërkohet, pretendohet, të gjendet gurra e një moraliteti, e të tashmës etike. Prandaj Skënderbeu nuk mund të jetë assesi veçse një quasi-feudal i përfshirë në realpolitikën e kohës, por një apostull i bashkimit kombëtar, një prijës i shqiptarëve për liri, e më tej, një orientues pro-perëndimor i gjithë këtij kombit.

Andaj Marco-t e shumtë janë të kudondodhur sot, në botime dhe click-ime, si dhe sajojnë të shkuarën për ne të gjithë. Na pajisin me një traditë, shpesh duke marrë shabllon, të tjera herë duke kthyer kokëposhtë, të njëjtën historiografi që servirej, me format e saj të kitsch-izmit vetjak, deri në fillim të viteve ’90.

Dhe është ky kitsch-ëzim që i ka hapur rrugën trajtesave historike më bombastic-e: etnogjeneza, ilirët, genet dardane të akejve, nëna sllave e Skënderbeut, shqiptaria e Napoleonit dhe e Washington-it, Lidhja e Prizrenit, Shqipëria nga Nishi deri në gjirin e Ambrakisë, Shqipëria etnike, ajo natyrale, Esat Pasha tradhtar, Avni Rustemi killer, Fan Noli bolshevik, Zogu shtetndërtues, kush e vrau Qemal Stafën?, shtëpia e Xhaferr Devës, Enveri në kuplaratë homoseksuale të Parisit, Koçi Xoxe teneqexhi, kongresi i ’72-shit, Mehmeti vetëvrasës, pse s’e dimë ne kush ishte Beqir Balluku?, Katovica, Kristaqi etj. – zëra apo togfjalësh (por edhe shibboleth të kohës sonë) që fare mirë dëftojnë turrjen pas botimeve, divulgimeve, emisioneve dhe dokumentarëve. (Ah po! edhe të projekteve me fonde të BE-së.)

Marco-t janë në qendër të skenës sot, atje ku takohen historianë me thonjëza dhe pa, gazetarë kronike dhe analistë politike, demokratë dhe socialistë, ish-diplomatë dhe pedagogë me afat, zëvendësministra dhe ministra zëvendësues, repera dhe etimologë, 28 dhe 29 nëntori, të shitur tek greku dhe të blerë nga Mefistofeli, pellazgologë, gjithologë, të asociuar dhe të konvertuar.

Ky pop-ëzim i historisë, siç ka ndodhur qëmoti edhe me etimologjinë, në njëfarë mënyre ka krijuar përshtypjen se me këto sfera shkencore mund të merren shumë – në mos të gjithë, kushdo – se fundja është zanat i lehtë, të cilit i nevojiten vetëm ca lundrime në rrjet për t’ia gjetur anën. Sepse kitsch-i, thamë, ia lehtëson leximin konsumuesit: madje nga lexues e fton të bëhet edhe ai ekspert. Të bëhet edhe ai kitsch.

Marco-t tanë, njësoj si ai i Cercas-it, nuk janë thjesht mashtrues të izoluar nga shoqëria – ata janë shoqëria, e shprehin nevojën që ka kjo e fundit për të përligjur të sotmen përmes një të shkuare restauruese, katartike, në ndërtim e sipër permanent.

 

© 2022 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.


[1] Romani është botuar në vitin 2014. Për citimet që do të përcjell në vijim, shih botimin në shqip me përkthim nga Bashkim Shehu: Javier Cercas, Mashtruesi, Dudaj, Tiranë, 2017, f. 180-181.

[2] Biografizmi, i marrë në shqyrtim nga Ardian Vehbiu këtu (e së fundi edhe këtu) i përgjigjet pikërisht kësaj nevoje për shenjtërime apo mallkime.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin