(nga Stanislaw Lec*)
Disa vendosin bomba me shpërthim të vonuar, por harrojnë se ka në botë diferenca orare.
Çfarë atraksioni për turistët, gjithë këto rrënoja njerëzore në vendin tonë!
Argumenti i përjetshëm i pigmejve: “Ne jemi më afër tokës!”
“Njerëzit janë të poshtër!” tha, për kundërshtarët e vet. “Ti e ke vetë në dorë,” iu përgjigja. “Merr pushtetin, dhe do t’i kesh me vete.”
Toka: pika poshtë pikëçuditjes.
Ekzibicionizmi i mirëfilltë është kur tregon atë që s’e ke.
U mblodhën një herë vitet bashkë. A ta krijojmë një epokë? – thanë.
Ndonjëherë është alibia që e përfton krimin.
Çfarë turpi për rrufenë, të përfundojë në rrufepritëse!
Kur të kërcasin dhëmbët, mos ua trego të tjerëve.
Nyja gordiane është më e vështirë për t’u zhbërë, kur ta kanë lidhur rreth qafës.
Flamuri i vërtetë nuk i humb ngjyrat, kur fshijmë gojën me të.
Më kanë thënë se bota është e bukur, tha i verbri. Ashtu duket, u përgjigj ai që shihte.
Qeni i policisë, vallë ndjek vetëm gjurmët e ligjshme?
Ndiq rrugën tënde, edhe në parajsën e të tjerëve.
Njerëz me zemër të artë! Shiteni shtrenjtë.
Kur u nisëm nga z-ja dhe u kthyem në krye të alfabetit, vumë re se shkronjat kishin ndryshuar të gjitha.
Mes atyre që hidhnin valle rreth viçit të artë, gjendej edhe ndonjë kasap.
Xhelati refuzoi të lante duart, pas ekzekutimit. “Nuk jam Pilati, gjithsesi,” tha, i indinjuar.
Pashë Freudin në ëndërr. Ç’kuptim të ketë kjo?
Disa e trumbetojnë një gjë deri në frymën e fundit.
Është tepër vonë që t’i biesh tryezës me grusht, kur të kanë transformuar tashmë në pjatë.
Në vendin e liliputëve, sovranin lejohet ta shohësh vetëm me lupë.
Kur një lundërthyer lufton për të shpëtuar jetën, ka të drejtë ta zbulojë për herë të dytë Amerikën.
Shtetet policore nuk është se popullohen vetëm nga policë.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).