(Fjala ime në përurimin e ekspozitës “In memoriam Ardian Klosi”, të organizuar nga Biblioteka Kombëtare, në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ardian Klosit.)
Ardian Klosin e kanë cilësuar si Disidentin (me D të madhe) e periudhës së tranzicionit shqiptar.
Edhe pse jemi mësuar ta shoqërojmë këtë rol, të disidentit, me regjime dhe kultura totalitare, disa zhvillime të spikatura jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Lindjes europiane, e kanë sjellë sërish në vëmendje, duke zbuluar njëkohësisht çfarë nuk shkon me shoqëritë post-komuniste dhe si kanë mbijetuar, brenda tyre, struktura dhe mekanizma të regjimit të mëparshëm.
Vetë fakti që ende flitet për disidentë në Shqipëri, por jo për shembull në vende europiane me institucione demokratike të konsoliduara, si Franca ose Gjermania ose Italia, tregon se Europa e Lindjes nuk mund të analizohet mirë as të kuptohet me instrumentet e përpunuara për demokracitë perëndimore.
Etimologjikisht, disidenti është ai që nuk bie dakord; nga latinishtja dissidens, -entis, pjesore e tashme e foljes dissidere – të ulesh veçan, të mos biesh dakord, të mendosh ndryshe.
Se çfarë do të ishte pikërisht disidenti, në një shoqëri si jona, këtë mund ta rrokim edhe thjesht duke u nisur nga çfarë bënte Klosi dhe mënyra si e bënte; dhe pikërisht, duke qenë i pranishëm me fjalën dhe autoritetin e tij në hapësirën publike.
Në fakt, disidenti mishërohet si i tillë jo vetëm duke përpunuar një diskurs të vetin alternativ ose kritik, ndaj establishment-it; por edhe duke e orientuar kritikën e vet ndaj diskursit mbizotërues (dominant). Që këtej, le të themi edhe se disidenti është rol që përftohet brenda një hapësire diskursive, ku ekziston një diskurs mbizotërues; çfarë bie ndesh, në vetvete, me parimin pluralist.
Një disident si Klosi iu kundërvu sistematikisht diskursit mbizotërues të kohës jo vetëm për t’ia çmontuar argumentet dhe mitologjitë, por edhe ngaqë ky ishte mbizotërues dhe intolerant; dhe sepse ky diskurs po përdorej, nga palë të caktuara të komunikimit publik dhe institucional, për të themeluar një hegjemoni të re në kulturë dhe në komunikim, siç edhe për fat të keq nisi të ndodhë pandalshëm, mu pas ikjes së Klosit.
Madje me ikjen e tij aq të parakohshme, ai e la vendin bosh dhe ajo zbrazëti veç ka ardhur duke u rritur, në rrjedhë të viteve, meqë askush nuk ka mundur të artikulohet në mënyrë kritike si ai, gjithë duke mbetur jashtë polarizimeve të teatrit politik. Për të njëjtën arsye, aktiviteti i tij në kulturë – si botues, si promotor, si ndërmjetësues, si organizues dhe si frymëzues – nuk u replikua dot më; aq sa kultura, ky sistem kaq delikat, gjithnjë i tendosur mes politikës dhe argëtimit, tregtisë dhe propagandës, sot e ka të vështirë ta gjejë dhe ta kultivojë identitetin e vet specifik, përballë televizionit komercial, rrjeteve sociale dhe portaleve, eventeve politike performative, teatrit bajat të talk-show-ve, fushatizmit, kitsch-it kombëtarist dhe grimierëve patetikë të imazhit shqiptar.
Por këtu roli i disidentit Klosi do rivlerësuar edhe brenda raportit që vendos opinioni dhe përpjekja individuale me ato të një shumice; meqë në kulturën anglo-saksone, kush merr një pozicion në kundërshtim me shumicën, quhet rëndom edhe contrarian. Rolin që e ka analizuar Christopher Hitchens, te Letters to a Young Contrarian, ku kujdeset të bëjë dallim mes contrarian-it dhe asaj çfarë ai autor e quan “titulli fisnik i disidentit”, që konoton sakrificë dhe marrje të rrezikut në sy; dhe që kërkon veçanërisht guxim. Shumë prej nesh e kalojmë një fazë si contrarians në moshë të re, të cilën pastaj e tejkalojmë, njëlloj si aknen, kur nuk e vazhdojmë në trajta snobizmi ose antikonformizmi performativ. Ndërkohë që disa, ata më të mirët dhe intelektualisht më të virtytshmit, ia dalin kultivojnë në diskursin e tyre disentin, duke i thënë publikut, siç e vërente Orwell-i, “atë çfarë ata [njerëzit] nuk kanë dëshirë ta dëgjojnë.”
Klosi u bë me vetëdije një prej këtyre; çfarë e provon edhe çmimi i papranueshëm që pagoi për qëndrimet e veta kundërshtuese të diskursit mbizotërues, ose të konsensusit, shpesh hipokrit, për “çështjet e mëdha.”
Nga ana tjetër, ngaqë u largua para kohe nga skena, ai arriti të shmangë edhe fatin e kujt shndërrohet, ose e shndërrojnë, në disident profesionist; ose në dikë të cilin shqytarët e diskursit publik mbizotërues tashmë janë detyruar ta pranojnë dhe ta përshëndetin si antagonist, qoftë edhe për hir të spektaklit mediatik ose ritualit politik.
Ky rol do t’i afrohej shumë atij i lolos, i cili mund të thotë ç’të dojë në oborrin mbretëror, për të inskenuar kështu tolerancën e të fortit; por edhe për t’u treguar të tjerëve se çfarë u ndalohet. Pushtetet në thelb intolerante, por që shtrëngohen të ruajnë një konfigurim të caktuar të fytyrës publike, kanë nevojë për role të tilla – qofshin këta lolo, papagaj ose qen që lehin; kundërshtimi prej tyre është narkotizuar deri në atë masë sa të mos rrezikojë më asgjë; dhe kjo është arritur duke e infektuar disidentin e djeshëm, tashmë të profesionalizuar, me parashikueshmëri.
Klosi – ky contrarian i temperuar dora-dorës në disident – refuzoi me ngulm t’i ekspozohej këtij rreziku të dytë, ose neutralizimit të misionit disident; deri ditën e zezë kur u largua fizikisht nga skena. Dhe pavarësisht nga çfarë e shtyu të vrasë veten, ose nuk e la të gjente një zgjidhje tjetër për trazimet që e mundonin, i tiji nuk mund veçse të interpretohet tani si akti i fundit prej një disidenti që rebelohet deri edhe ndaj përpjekjeve të establishment-it për ta normalizuar si të tillë.
Një mënyrë e mirë për ta kujtuar, do të ishte edhe reflektimi i qetë për nevojën e diskursit kritik sot në kulturë, me premisën se kultura pa diskurs kritik shndërrohet në ritual auto-kremtues dhe kalendarik. Aq më alarmante është kjo, po të konstatojmë se tani na mungon jo vetëm Klosi dhe roli i tij publik, por edhe konteksti ku realizohej Klosi kritik dhe disident, ose habitati i diskursit të disidentit. Mjaft t’u hedhësh një sy atyre mass mediave, ku shprehej Klosi dikur – për të konstatuar se i janë dorëzuar banalitetit, shkeljeve të syrit, qokave dhe eventizmit. Nëse duam vërtet ta rikthejmë trashëgiminë e vyer të Klosit disident mes nesh, mbase do të na duhej pikërisht të fillonim nga restaurimi dhe mirëmbajtja e hapësirave për të cilat ka nevojë diskursi kritik.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.