Javën që shkoi ishim të ftuar në “Top Albania Radio”, për një intervistë me Anna Shkrelin në podcastin e saj “ÇDO GJË ËSHTË ASHTU SIÇ DUKET” kushtuar revistës “Peizazhe të fjalës” dhe skenës kulturore të pavarur në Shqipëri – të titulluar S’KENA ASI SKENA.
Folëm për rrugëtimin e revistës sonë këto 15 vjet, misionin tonë për të ushqyer, mirëmbajtur dhe çuar përpara diskursin kritik në përballje me inercinë, konformizmin, indiferencën dhe censurën; por edhe në përpjekje për të krijuar komunitet(e) autorësh dhe debate të vijueshme. Në një skenë kulturore ku pjesa më e madhe e nismave dhe aktiviteteve varen nga fonde afatshkurtra dhe grante të vogla, të cilat lënë pas gërmadha dhe varreza mediash, “Peizazhe të fjalës” mund të shërbejë si model mbajtshmërie dhe vijueshmërie – që këtej edhe diskutimi ynë, në intervistë, lidhur me eksportueshmërinë e një modeli që parapëlqen strategjinë shumëvjeçare ndaj zgjidhjeve dhe fishekzjarrëve të çastit.
Falënderojmë Annën për këtë intervistë, që jo vetëm i solli “Peizazhet” në vëmendje të publikut të radios, por edhe na krijoi mundësinë për të reflektuar më mirë e më thellë rreth identitetit tonë gjatë këtij 15-vjeçari dhe gjërave që duam të bëjmë në të ardhmen.
Intervista mund të ndiqet më poshtë ose në çdo shërbim që përcjell podcasts.