Ju kujtohet kur ish kampioni i botës dhe njëri nga shahistët më të mëdhenj të së gjitha kohërave, Gary Kasparov erdhi për vizitë në Tiranë, ku u takua edhe me kryeministrin Rama? Mua jo. Kjo ndodhi dikur në mars të vitit 2014, kur Kasparovi po bënte një fushatë si kandidat për kryetar të FIDE-s (në mos gabohem) dhe kërkonte votën e Shqipërisë. Me atë rast, Rama u pat treguar entuziast me një projekt për futjen e shahut në shkolla, të cilin Kasparovi do ta mbështeste, po të zgjidhej në postin e lartë, çfarë nuk ndodhi.
Lajmet për vizitën u shoqëruan, atëbotë, me një foto të Ramës me Kasparovin, të dy të ulur në një tryezë shahu groteske; me gjasë, foton e pat shkrepur Jutta Benzenberg, por ideja e tavolinës kish qenë e Ramës vetë.
Gjashtë vjet më vonë, në kontekstin e kremtimit të 1 prillit 2020, një uebsajt i specializuar për shahun, chessbase.com, u bë gati të botonte një lajm – të rremë – për Kasparovin që po bëhej gati të lançonte një projekt të ri, Corochess, të bazuar në një dizajn tryeze, e cila do të mundësonte distancimin e plotë fizik në matchet e kampionatit botëror të shahut. Në vend që t’i ekzekutonin lëvizjet vetë, lojtarët do t’ia diktonin me zë një softueri të posaçëm, i cili pastaj do t’i lëvizte gurët në tabelë. Megjithatë, uebsajti vendosi të mos e botojë lajmin, meqë situata e atëhershme me Covid-in ishte tejet serioze; duke u mjaftuar ta përshkruante, te një njoftim, se pse kish vendosur t’i linte shakatë mënjanë atë vit.
Siç mund ta shihni kur të hapni linkun më lart, për të ilustruar këtë Corochess të Kasparovit, chessbase.com kish përdorur foton e Ramës me ish-kampionin e botës.
Vetëm dy vjet më pas, i njëjti sajt i kthehet sërish idesë djallëzore për distancimin fizik në shah, këtë herë duke iu referuar – me shaka – një tryeze tjetër të bërë të famshme tani së fundi nga një rus tjetër: presidenti Putin, i cili para pak javësh e priti presidentin francez Macron në një sallë të mobiluar pak çuditshëm. Fotoja e atij takimi u përcoll nga të gjitha agjencitë, duke përfunduar si metaforë për distancën e madhe që ish krijuar tashmë mes Rusisë dhe Perëndimit, lidhur me Ukrainën.
Sipas autoriteteve të protokollit rus, ky ekzagjerim në feng-shui-n presidencial erdhi si pasojë e refuzimit, nga Macron-i, për t’iu nënshtruar një testi për Covid; meqë presidenti i Francës nuk dëshironte që t’ua jepte DNA-në e vet rusëve.
Gjithsesi, chessbase.com krijoi versionin e vet të tryezës fatale, duke e përmirësuar pak projektin origjinal të presidencës ruse dhe duke e kombinuar me dizajnin Rama™.
Vështirë të thuash nëse tryeza putiniane reale, si zgjidhje e minutës së fundit, u pat frymëzuar nga fotoja në zyrën e Ramës në Tiranë. Ndryshe nga projekti Corochess, kryeministri shqiptar dhe ish-kampioni i botës në shah patën inskenuar atëherë një shaka që më shumë se surreale, do ta quaja dadaiste; dhe që, duke ilustruar pamundësinë fizike të së luajturit, të kujton fabulën e dhelprës dhe të lejlekut, që ftonin për darkë njëri-tjetrin, por duke e shërbyer ushqimin në pjata dhe enë që s’i përdornin dot të dy njëherësh.
Rama që shah me Kasparovin nuk luajti dot; Macron-i që me Putinin vesh dot nuk u morën – edhe sa zgjidhje të tilla protokollare do të duhen, për të na bindur se negociatat kanë nevojë për tryeza të vogla?
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.