Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Sociologji

MEDIOKËR JE VETË

Fjala MEDIOKËR, e përhapur në gjuhët moderne nga frëngjishtja MÉDIOCRE, me prejardhje nga latinishtja MEDIOCRIS “mesatar”, kjo e fundit e analizueshme në MEDIUS “mesatar” dhe OCRIS “mal i thepisur”, shënjonte në krye diçka që, për nga madhësia, sasia a cilësia qëndronte diku në mes të skajeve (ekstremeve); duke qenë STILI MEDIOKËR, në klasifikimin dantesk të stileve, një shkallë e ndërmjetme mes stilit të përvuejtun umile dhe atij sublim; në kuptimin politik-social, CITTADINI MEDIOCRI (Machiavelli) ishin klasa e mesme. E megjithatë, për shkak të rrëshqitjes semantike, sot fjala priret të shënjojë diçka nën mesataren, që lë për të dëshiruar, të pamjaftueshme, të vogël; dhe për pasojë në gjykim shpreh vlerësim negativ: RESTORANT MEDIOKËR, FILM MEDIOKËR; dhe më tej, dikë që lë për të dëshiruar, për qëndrimet, kapacitetin, inteligjencën, rendimentin: AKTOR MEDIOKËR, POET MEDIOKËR (sa më lart, nga TRECCANI). Me këto kuptime të fundit (“nën mesataren”, “që nuk shquhet për asgjë të veçantë”) e jep edhe Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, duke e afruar me I RËNDOMTË.

Si në gjuhë të tjera europiane, edhe në shqip MEDIOKËR gjeti vend në përdorim, ngaqë u përshtat dhe u specializua për të shprehur anën negative të “mesatares” – duke u shkëputur nga qasja statistikore dhe duke i mëshuar “mesatarizmit”, si një formë të “barazitizmit” dhe të “parimit demokratik”, në kuptimin “jemi të gjithë njëlloj”, në kontekste kompetitive, ku dallimi prej të tjerëve, shquarja, përbën vlerë të pazëvendësueshme – prandaj edhe në art, në akademi, në sport. Prandaj edhe MEDIOKRITETI nuk shënjon ndonjë pozicionim në mes të shkallës së vlerave, por mangësi, kufizim, pazotësi dhe, në analizë të fundit, dështim; si të thuash, diçka ose dikush dështojnë thjesht ngaqë nuk shkëlqejnë, çfarë do të ishte pak ekstreme.

Rrëshqitja semantike krijon dashur pa dashur një paradoks: me statistikë, në çdo fushë kompetitive – në letërsi, në art, në dije, në sport – MEDIOKRIT duhet të përbëjnë shumicën, sepse me përkufizim të shquarit janë gjithnjë një pakicë; e megjithatë, të gjithë i dëgjon të ankohen për MEDIOKRIT dhe MEDIOKRITETET, duke filluar nga “mediokrit” vetë. Paradoksi është vetëm në dukje: MEDIOKRI jo vetëm që tani pozicionohet nën mesataren, por edhe kërkon t’i kundërvihet TË LARTIT, TË SHQUARIT, etj.; sipas rastit edhe duke i futur shkopinj në rrota. Sepse MEDIOKRI jo vetëm që është “nën mesataren”, por edhe “nxin nga ZILIA”.

Dhe kështu kalojmë nga semantika në përrallë morale, sidomos kur I MADHI fillon të ankohet se MEDIOKRIT po ia zënë frymën e po ia bëjnë gropën, ngaqë e kanë zili; në një kohë që mediokrit vetë mund të ankohen se i madhi i trajton me PËRÇMIM; dhe pastaj duhet diskutuar për statusin etik të ZILISË, përkatësisht të PËRÇMIMIT, në vetvete dhe në raport mes tyre.

Ka të tjerë që pranojnë se MEDIOKRI është një “mesatar” që nuk e pranon statusin e vet, por megjithatë synon majat, pa e pasur zotësinë ose talentin; jo vetëm është i gjithi AMBICIE, por edhe shpreson se mund të kompensojë, me AMBICIE, çfarë i mungon në TALENT ose KAPACITET. Sistemet burokratike dhe nevoja për disiplinim të organizimit dhe të hierarkive janë të tilla, që gjithnjë promovojnë përparimin e MEDIOKËRVE (Peter’s principle), deri atje sa është pikërisht ky promovim i ekzagjeruar, që ua ushqen mediokërve shpresën se mund të konkurrojnë me majat, me moton “ÇFARË KA AI MË SHUMË SE UNË?”

Për shkak të rrëshqitjes semantike (semantic drift), sot është vështirë të dëgjosh dikë që të thotë “unë jam artist mediokër”, “kjo vepër imja është mediokre”, etj.; mediokër është gjithnjë TJETRI dhe vepra e tjetrit – dhe në këtë rast cilësimi gjykues i TJETRIT si mediokër sjell me vete edhe një vlerësim të tërthortë të vetes, në kuptimin “ndryshe nga unë, ai është mediokër”, ose “ndryshe nga romani im, romani i atij është mediokër”; dhe kjo ndodh edhe më shpesh, kur MEDIOKRIT përshkruhen si masë e padiferencuar, si një lloj kopeje – e cila i kundërvihet individit të shquar. Në thelb, ky këndvështrim është romantik, meqë I SHQUARI nuk mjafton të jetë i shquar, por duhet edhe të rrethohet nga MEDIOKRITETE, të cilat të kërkojnë ta baltosin, ta rrëzojnë ose ta diskreditojnë.

Në kulturë dhe në art, kategoria e MEDIOKRITETIT vjen ndoresh edhe për të kuptuar se ç’qëndrim mban establishmenti ndaj MEDIOKËRVE: a do t’i lërë këta që me “votën” e tyre simbolike – ose filozofinë mesatariste – t’i japin tonin mjedisit kulturor, duke imponuar një lloj rrafshimi nga poshtë; apo do të ndihmojë transformimin e mediokërve në MESATARË, ose në autorë etj., që janë të vetëdijshëm për kapacitetet dhe talentet e tyre? Nëse ky proces kërkon neutralizim të ambicies, vështirë se do të mund të realizohet ndonjëherë, sepse AMBICIA është motori i progresit kulturor – qoftë edhe vetëm në kuptimin aritmetik (inkremental) dhe nuk mund të shpresosh t’ia neutralizosh dikujt ambicien, duke i shpjeguar se është “mesatar”.

Por kulturat që kanë arritur një farë pjekurie, dëshmojnë se është e mundshme të reduktohet KOMPETITIVITETI, pa e cenuar shumë ambicien; duke mbështetur mekanizma që të nxitin autorë të mirë, duke hequr dorë nga mania foshnjore për të përcaktuar detyrimisht më të mirin; ose duke mos e trajtuar më kulturën dhe dijen si të ishin sporte kompetitive ose konkurse. Të pyesësh sot, bie fjala, se “kush është shkrimtari më i mirë frëng bashkëkohor” thjesht tradhton një mendësi a qasje pak provinciale, në mos primitive ndaj letërsisë dhe evidentimit të vlerave letrare; pyetja do të ishte pak “fyese” edhe për vetë kulturën frënge.

Për disa, MEDIOKRITETI është jo aq mangësi në zotësi, intelekt ose talent, sa ç’është defekt etik; sa kohë që MEDIOKRI e di që nuk i ka zotësitë, intelektin ose talentin e nevojshëm për të qenë në majat, e megjithatë shpreson se mund të çajë përpara, qoftë edhe me intrigë, mashtrim, dashakeqësi. Aq më tepër që, në zotësinë e vet për intriga, makinacione dhe mashtrime, ky nuk tregon kurrfarë mediokriteti, përkundrazi: ka kapacitet mbi mesataren për të bërë keq dhe për ta rrëzuar rivalin nga piedestali.

Por kujdes: nuk janë mangësitë intelektuale ose të talentit, ato që çojnë në korrupsion moral – kudo që të kërkosh, në biografi të mëdhenjsh, zbulon se nuk ka ndonjë lidhje mes VIRTYTIT dhe TALENTIT, ose kapacitetit moral dhe kapacitetit intelektual. Një njeri i shquar mund ta shohë veten si të rrethuar nga mediokritete, por kjo nuk e bën të parin të virtytshëm dhe të dytët të pavirtytshëm. ZILIA, si korrupsion shpirtëror i mangësisë, kundërpeshohet nga PËRÇMIMI, si taksë morale që paguan i shquari, jo rrallë i kapur nga MEGALOMANIA. Që këtej edhe truizmi se dikush mund të jetë artist, shkrimtar, dijetar i madh, por “njeri” i vogël.

Këto i kanë thënë prej kohësh; çfarë po më detyron t’u kthehem, ka të bëjë me modën në mos me maninë e sotme të shumë “të shquarve”, për t’u imponuar personalisht në jetën publike – duke zëvendësuar veprën me biografinë, ose duke u sjellë si të ishin ata vetë vepra e tyre më e mirë (shih edhe CELEBRITIES). Kjo bën që mendje të mëdha e të shquara të sjellin në skenë edhe MEDIOKRITETIN e vet moral, duke bërë të njëjtin mëkat, që deri dje ua qortonin masës së “mediokërve” pengues. Publiku vërtet mund të ketë nevojë jo vetëm për vepra dhe ide të mëdha, por edhe për personalitete frymëzuese, për MËSUES në kuptimin filozofik të fjalës, të cilët të shfaqen në petkun e autoritetit moral; por çfarë po ndodh, sot për sot, është që këtë rol përpiqen ta uzurpojnë MEDIOKËR moralë, të cilët – siç pritet të bëjnë mediokrit – ushqehen kryesisht me ambicie dashakeqe.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin