Gjatë këtyre dy vjetëve pandemi (shkurt 2020-shkurt 2022) ra shumë numri i new-yorkezëve që përdornin metronë – për shkak të kufizimeve të lockdown-it. Në të njëjtën kohë dhe paralelisht, u rrit ndjeshëm numri i të pastrehëve që zgjodhën të kalojnë ditën (dhe me gjasë edhe natën) brenda sistemit të metrosë, në stolat e platformave, në kalesat mes dhe drejt platformave, në mezanina dhe në hapësira të tjera ndihmëse, por edhe brenda vagonave të udhëtarëve. Kjo rritje e numrit të së pastrehëve u përkthye pastaj në më shumë krime brenda metrosë, sidomos të dhunshme, kundër udhëtarëve; krime të cilat sot janë kthyer në problem serioz për metropolin. Shumë prej të pastrehëve janë të regjistruar si të sëmurë mendorë kronikë.
Udhëtarët, qytetarët dhe administrata e NYC kërkojnë që t’i nxjerrin këta të pastrehë nga sistemi, për t’i sistemuar në struktura të përshtatshme – por deri më sot kjo ka rezultuar e vështirë. Mjafton të përdorësh disa prej stacioneve qendrore të metrosë, si ato në Times Square ose në Atlantic Ave – Barklays Center (Brooklyn) për t’u bindur. Të pastrehët bien menjëherë në sy dhe pastaj është e pamundur t’i çshohësh, ngaqë vishen, lëvizin, flasin dhe ndonjëherë mbajnë erë ndryshe nga udhëtarët e rëndomtë; dashur pa dashur, ata paralajmërojnë ankth, ngaqë edhe krimeve të disave prej tyre po u jepet vend i madh në mediat, sidomos në tabloidët. Çfarë shqetëson veçanërisht, është se shumë nga këto krime po ndodhin pa arsye; agresiviteti ndaj tjetrit vjen papritmas e vetvetiu, i paprovokuar (ka ndodhur, disa herë, që njerëz duke pritur në platformë të jenë sulmuar nga prapa krahëve dhe të jenë hedhur në hendekun e shinave, mu para se të kalojë aty treni; jo gjithnjë fajtori ka qenë i pastrehë, por pothuajse gjithnjë është identifikuar si “i pastrehë” në sistem, si “i përjashtuar”, për shkak patologjish mendore persistente). Krime të ngjashme, në formë sulmesh të pashpjegueshme ndaj kalimtarëve, po ndodhin edhe rrugëve; sërish autorët janë identifikuar ose si të pastrehë, ose si të sëmurë mendorë kronikë.
Kjo dyndje e të pastrehëve në hapësirën publike përkoi me një moment si ky i tanishmi, kur administrata bashkiake u rrek ta disiplinonte atë hapësirë, si çdo hapësirë tjetër, nëpërmjet masave kundër pandemisë – nga detyrimi për të mbajtur maskë te mbyllja e disa lokaleve (restorante, bare, kinema, teatro, etj.) dhe kufizimi i numrit të klientëve në dyqane dhe vende të tjera me potencial ekspozimi masiv.
E gjithë kjo më kujtoi – nuk mund të mos më kujtonte – një pasazh te Abnormal i Foucault-së[1], ku ky autor analizon kontrastin mes trajtimit të leprozëve dhe trajtimit të së prekurve nga murtaja, në Europën e Mesjetës. Aso kohe leprozët i dëbonin nga qyteti si të padëshiruar, i nxirrnin jashtë mureve dhe i hidhnin, si me thënë, “në vdekje” (aq sa edhe zotërimet e tyre u kalonin të afërmve, sipas ligjeve të trashëgimisë); e gjithë kjo në emër të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve brenda mureve. Më pas, vazhdon Foucault-ja, ky trajtim i leprozëve ofroi modelin për trajtimin administrativ të lypësve, endacakëve, “parazitëve”, libertinëve e kështu me radhë, të cilët ose do të dëboheshin prej qytetit, ose do të çoheshin në hôpitaux généraux, jo pse kishin kryer këtë apo atë krim, por për çfarë ishin dhe për rrezikun që paraqisnin ndaj Tjetrit.
Kësaj praktike “përjashtimi”, iu kundërvu një praktikë e kundërt e kontrollit urban nëpërmjet “përfshirjes” (inclusion), të cilin Foucault-ja e ilustron nëpërmjet teknikës së karantinës të zbatuar ndaj një qyteti të prekur nga murtaja dhe të shpallur “zonë e mbyllur”. Të gjitha rregulloret e karantinës gjatë Mesjetës, vëren ai autor, parakuptonin një lloj pushteti të vijueshëm të administratës ndaj individëve – të vijueshëm jo vetëm për shkak të natyrës hierarkike të kontrollit, por edhe ngaqë mbikëqyrja duhej të ishte e pandërprerë. Ndryshe nga ç’ndodhte me leprozët, të cilët “dëboheshin” nga sistemi, të prekurit nga murtaja neutralizoheshin nëpërmjet kontrollit kapilar nga autoritetet; dhe synimi nuk është më purifikimi i komunitetit, duke përjashtuar “të sëmurët”, por përftimi i një popullate të shëndetshme, nëpërmjet imponimit të rregullave.
Ky trajtim i qytetit të prekur nga murtaja, shkruan Foucault-ja, mund të shihet nga disa edhe si ai moment “i mrekullishëm”, kur pushteti politik mund të ushtrohet në tërësinë e vet – dhe kur, falë mbikëqyrjes dhe kontrollit, komunikimet e rrezikshme, komunitetet e parregulluara dhe kontaktet e ndaluara nuk mund të shfaqen më në publik si të tilla. Murtaja – ose çdo sëmundje e ngjashme – bëhet shkas për seksionimin (quadrillage) të popullatës nga pushteti politik, i cili tani depërton në përditshmërinë e individëve, duke rregulluar kohën, habitatin, vendndodhjen dhe trupat e tyre.
Diçka e ngjashme ndodhi kur qeveritë anembanë botës dhe organizatat ndërkombëtare zgjodhën që ta pengojnë përhapjen e COVID-19 nëpërmjet disiplinimit të qytetarëve dhe masave të rrepta të mbikëqyrjes, për të siguruar se detyrimet për izolim, distancim, ndalim qarkullimi dhe tërheqje nga hapësira publike po respektoheshin. Këto masa pak a shumë bazoheshin në precepte të higjenës publike dhe, me gjasë, ndihmuan për ta zbutur impaktin e pandemisë në jetën e përditshme dhe sidomos në sistemin shëndetësor publik. Çfarë nuk pritej – së paku në metropolet amerikane – ishte rikthimi i nevojës akute për mbrojtjen e hapësirës publike nga masa e të pastrehëve, sidomos atyre me probleme të shëndetit mendor dhe të varësisë ndaj drogave, një pjesë e madhe e të cilëve me precedentë penalë. Aq më tepër që këta të pastrehë kanë tanimë një aure prej të paprekshmish në statusin e tyre dhe haptazi refuzojnë t’i njohin rregullat që organizojnë jetën urbane.
Për ta thënë me një metaforë, metropole si New York-u, Los Angeles, San Francisco, Chicago por edhe qytete më të vogla, si Portland e Minneapolis, u përballën njëkohësisht me dy sfida simbolike: atë të murtajës dhe atë të leprës. Gjëja e parë që i shkon ndërmend një udhëtari çfarëdo të metrosë, kur sheh popullimin e stacioneve nga të pastrehë, lypësa dhe adiktë, është që këta njerëz nuk e kanë vendin këtu, dhe se dikush – një autoritet publik – duhet të kujdeset për t’i larguar dhe për t’i transferuar në një institucion të kujdesit – p.sh. një klinikë ose spital ose hapësirë tjetër të kontrolluar; me fjalë të tjera, për t’i “përjashtuar”. Kjo nuk do të ndodhë, megjithatë, pa u kuptuar se shtimi e shumëzimi i tanishëm i të pastrehëve në metropolet është kushtëzuar, sado tërthorazi, edhe nga masat kufizuese kundër përhapjes së COVID-19; dhe se është përvijuar tashmë një ngjashmëri strukturore – nga shumë anë e frikshme – mes coronavirus-it dhe të pastrehëve në metropolet.
Në fillim të pandemisë, pati nga ata që – të frymëzuar edhe nga Foucault-ja – paralajmëruan se pushteti do të përfitonte nga masat e lockdown-it dhe të karantinës, për të depërtuar edhe më thellë në jetët individuale dhe ashtu për të kontrolluar liritë qytetare; këto pikëpamje edhe sot nxjerrin krye rëndom në kritikat dhe protestat e të gjithë atyre që ngrihen në revoltë kundër kufizimeve dhe rregullave për kontrollin e pandemisë (përfshi edhe detyrimin për t’u vaksinuar; qoftë edhe nga ata që e shohin bindjen ndaj këtij detyrimi si koncesion fyes ndaj pushtetit). Më të paktë janë ata të tjerët, që duket të kenë reflektuar ndaj efektit tjetër anësor të masave kundër pandemisë: shthurjes së kontrollit ndaj territorit në disa metropole dhe kthimit masiv, në hapësirën publike, të atyre që Foucault-ja do t’i kishte quajtur “anormalë”: të pastrehët, prej të cilëve shumë me sëmundje mendore ose probleme varësie ndaj drogave; endacakët dhe individë të tjerë të paintegruar në sistemet sociale, një pjesë ndoshta edhe mu për shkak të pandemisë vetë dhe pasojave të saj në shtresat më vulnerabël.
Sot m’u desh të bëja një udhëtim të shkurtër me tren: 7 minuta. Stacioni i vogël afër shtëpisë numëronte të paktën tre të pastrehë, prej të cilëve të paktën njëri në situatë gjysmë-kritike (me sy të perënduar, duke i rënë murit me kokë). Te stacioni ku zbrita, në Dekalb Ave në Downtown Brooklyn, gjeta një tip që ulërinte me alarm, mu te hyrja e eskalatorit; ndenja e prita derisa hipi te një nga trenat që erdhën në drejtim të kundërt. Jashtë stacionit, me të dalë nga eskalatori, mu përbri biletarisë (bosh) rrinte një i tretë, që fliste me veten, por qetë. Kjo në një orë të qetë, off-peak, me trenat gjysmë të zbrazët.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Këtu dhe më poshtë po i referohem leksionit 2, në vëllimin Abnormal, Lectures at the Collège de France, Picador 2004, nga Michel Foucault, Picador 2004, ff. 31-53.