Te Harlot’s Ghost, Norman Mailer rrëfen për fantazmën e njëfarë Snowman Dyer në Bartlett’s Island, një peshkatar plak që kish jetuar aty në shekullin XIX, nën një çati me të motrën e pamartuar. Thuhej se ky Dyer-i, në të ri, pat këmbyer dikur pesë aragosta me një libërth greqisht, që i kish përkitur një profesori të letërsisë klasike në Harvard; dhe se ky libër nuk paskësh qenë veçse një botim dygjuhësh i Oedipus Rex (Οἰδίπους Τύραννος) i Sofokliut, nga ata që përdoreshin rëndom në shkollat e mesme aso kohe, dhe që njiheshin si interlinear trots, meqë e sillnin përkthimin si parafrazë në prozë të origjinalit, duke preferuar besnikërinë mikro-tekstuale ndaj artit.
Aq keq ish intriguar peshkatari Dyer nga fjalët e Sofokliut në përkthimin literal, fjalë që mbase edhe nuk i kuptonte mirë dhe i plotësonte me mendje, sa e mori në sy të lexonte edhe greqishten e origjinalit, paçka se nuk e kish studiuar kurrë alfabetin e kësaj gjuhe dhe aq më pak gjuhën vetë. Por kjo padije nuk e pengoi që të shpikte vetë, lirisht, nga një tingull për çdo shkronjë dhe ashtu t’i shqiptonte vargjet e Sofokliut sipas qejfit; dhe me kalimin e kohës, teksa kish nisur të currufjepsej, kish filluar të recitonte me zë tekstin në këtë gjuhë të pashembullt, gjithë duke shëtitur mbi shkëmbinjtë e bregut të detit. Thonë, rrëfen Mailer-i, se edhe sot e kësaj dite, po të kalojë udhëtari një natë në shtëpinë dikur të motrës së Dyer-it, do të dëgjojë greqishten përçart të peshkatarit plak, që do t’i tingëllojë po aq barbare sa edhe shkreptimat dhe buçimat e motit të sertë të atyre anëve.
Për interlinear trots dhe rolin e tyre në përkthim kam shkruar këtu (I treti në përkthim); por nuk kisha ndeshur gjëkundi më parë ndonjë rast kur përkthimi i fjalëpërfjalshëm të përdorej si instrument, për ta krijuar gjuhën e origjinalit. Edhe pse filologjia dhe dija e vështirë e deshifrimit të mbishkrimeve të panjohura njeh raste kur shkrime enigmatike janë lexuar sipas midesë së studiuesve dhe ashtu edhe janë interpretuar – një fat të cilit s’i kanë shpëtuar as hieroglifet egjiptiane para Champollion-it dhe as mbishkrimet etruske. Por Dyer-i, ndjesë pastë, nuk shtyhej deri në shpikjen e gjuhës, duke u mjaftuar vetëm në një teknikë të re të shqiptimit; në gojën e tij, greqishtja e Sofokliut më shumë se gjuhë do të tingëllonte si një lloj muzike, sado e çoroditur, me notat që u përgjigjeshin shkronjave të alfabetit grek.
Çfarë më kujton tani, ky kuriozitet, janë mbase disa përpjekje sa autodidakte aq edhe patetike të shqiptarëve, në vitet e izolimit dhe të krenarisë, për të mësuar dhe mbase përkthyer tekste nga një gjuhë të cilën kurrë nuk kishin mësuar si ta shqiptonin; me siguri ka pasur të tilla, nga anglishtja dhe nga frëngjishtja, gjuhë të cilat ndjekin parimin historik në të shkruarit e fjalëve, në mënyrë të tillë që lexuesi nuk mund t’ua shqiptojë tekstet ashtu siç ndodh, bie fjala, me shqipen. Nuk më duket e pamundur që një mendje këmbëngulëse, me njohuri të mira të italishtes, dhe me ndihmën e një fjalori, t’i jetë futur përkthimit të një teksti frëngjisht pa ditur ta shqiptojë. Nga ana tjetër, e gjithnjë tani që e mendoj, të njëjtën teknikë improvizuese përdorin të gjithë ata që punojnë me tekste gjuhësh të vdekura, si hetitishtja ose lineari B, të cilat mund të lexohen dhe të kuptohen, por që askush nuk di si t’i shqiptojë; pa përmendur pastaj gjuhët e rindërtuara, si proto-indoeuropianishtja: në 1868 komparativisti August Schleicher-i pat shkruar një përrallë në këtë “gjuhë”, Delja dhe kuajt (Avis akvāsas ka), e cila fillonte kështu:
Avis, jasmin varnā na ā ast, dadarka akvams, tam, vāgham garum vaghantam, tam, bhāram magham, tam, manum āku bharantam. Avis akvabhjams ā vavakat: kard aghnutai mai vidanti manum akvams agantam.
Një shekull e gjysmë më pas, tekstin e kanë rishkruar, për t’ia përshtatur dijes bashkëkohore (versioni i Byrd, 2013):
h₂áu̯ei̯ h₁i̯osméi̯ h₂u̯l̥h₁náh₂ né h₁ést, só h₁éḱu̯oms derḱt. só gʷr̥hₓúm u̯óǵʰom u̯eǵʰed; só méǵh₂m̥ bʰórom; só dʰǵʰémonm̥ h₂ṓḱu bʰered. h₂óu̯is h₁ékʷoi̯bʰi̯os u̯eu̯ked: “dʰǵʰémonm̥ spéḱi̯oh₂ h₁éḱu̯oms-kʷe h₂áǵeti, ḱḗr moi̯ agʰnutor”.
Gjatë një leksioni të historisë së gjuhësisë së përgjithshme, në 1981, Androkli Kostallari na e pat lexuar me zë përrallën origjinale të Schleicher-it, që na pati tingëlluar atëherë si delir i një okultisti; Kushedi si do ta kish shqiptuar Snowman Dyer-i i Mailer-it, këtë version; me siguri, nga vibracionet e afrikateve, motrës së tij të pamartuar do t’i ish shembur çatia.
E megjithatë, nëse duam të bëjmë pedantin, ne sot nuk jemi të sigurt si e shqiptonin aktorët në skenë greqishten e Sofokliut, edhe pse mund t’ua rindërtojmë shqiptimin me rrugë të tërthorta. Prandaj edhe çdo student a dijetar, që vihet ta lexojë me zë Edipin Mbret në origjinal, rimerr në një mënyrë a në një tjetër ndërmarrjen e pamundshme të peshkatarit Dyer, duke ndjellur nga teksti një gjuhë të folur po aq fantazmë, sa edhe plaku që endet akoma në Bartlett’s Island.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Imazhi në kopertinë: interlingual trot i një pasazhi nga Metamorfozat e Ovidit.