Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

NJË PËRGJIGJE KRITIKËVE

Për shkrimin së fundi nga Lindita Komani, kushtuar librit “Të lirë” të Lea Ypit, ka pasur disa reaksione flakë për flakë, jo për çfarë thuhet në shkrim (me të cilin autorja ka punuar gjatë), por për aktin e botimit. Ose më mirë, për vëmendjen – për disa “të tepruar” – që po i jepka revista jonë, Peizazhe të fjalës, librit të Ypit.

Këtu është vendi për sqarime.

Peizazhe të fjalës tradicionalisht u kushton vëmendje librave, problematikës letrare, botimeve nga njëra anë, historisë dhe memories nga ana tjetër. Është i madh numri i shkrimeve që kemi nxjerrë për këto tema në rrjedhë të viteve.

Shkrimet që kemi nxjerrë për librin “Të lirë”, si ato që që e lëvdojnë, ashtu edhe ato që e qortojnë, nuk i kemi porositur, por i kanë dërguar në redaksinë tonë autorët vetë, madje edhe autorë që nuk kishin botuar tek ne më parë. Me përjashtime shumë të rralla, ne nuk porositim shkrime, sepse nuk i paguajmë dot autorët.

Që autorët zgjedhin të dërgojnë shkrime kushtuar një libri të ri te Peizazhe të fjalës, kjo nuk duhet të habitë njeri. Ne botojmë rregullisht recensione, ese, shkrime kritike dhe kontribute të tjera për librat, përfshi edhe ato për librat e rinj. Veç kësaj, nuk janë aq shumë revistat ku mund të botohen sot shkrime të tilla – Peizazhe të fjalës jo vetëm nxjerr materiale të reja pothuajse çdo ditë, por edhe u jep shkrimeve lexueshmëri.

Ne si redaksi nuk i botojmë të gjitha shkrimet që vijnë – disa edhe mbeten pa botuar, për arsye të ndryshme. Por këto që kemi nxjerrë, për librin “Të lirë”, i kemi gjykuar si të rëndësishme për temën, por edhe si të kënaqshme për cilësinë e trajtimit.

A e kemi tepruar me temën dhe qasjen ndaj saj? Unë si botues mendoj se jo. Libri “Të lirë” i Lea Ypit ka marrë vëmendje të jashtëzakonshme në Perëndim – vetëm dje ose pardje ishte botuar recension për të nga The New York Times. Recensionin e shpërndau Google në serinë e lajmeve të ditës.

Atëherë pse ky reaksion tani ndaj shkrimit të radhës, aq më tepër nga lexues që nuk i kam parë të tregojnë ndonjëherë interes për qasjet letrare të Peizazheve?

Dyshoj fort se disave nuk po u pëlqen JO vëmendja “e tepruar” për librin e Ypit, por fryma kritikuese, qortuese e këtyre shkrimeve; ose fakti që ka lexues – të kualifikuar – të cilët nuk i janë bashkuar korit të lëvdatave për librin, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Kur libri u prezantua në Tiranë, u ngrit deri edhe kryeministri Rama dhe pushtetarë të tjerë, për të shkuar në event; dhe për prezantimin u zgjodh – simbolikisht – një vend aq i mbarsur me histori, sa Vila e Enverit.

T’u jetë dukur kjo e tepruar disave që po na qortojnë tani? Ta kenë shprehur këtë objeksion të tyrin atëherë publikisht, siç po e shprehin tani? Apo mos janë penduar tani, që u konformuan aq lehtë atëherë, dhe po duan ta ndalin kritikën ndaj librit, sepse ajo kritikë njëfarësoj u kujton figurën aq të keqe që bënë në fillim?

Kur një prezantim libri nderohet nga vetë kryeministri Rama, atëherë libri vetë, dashur pa dashur, merr natyrë politike. Me gjasë, ka njerëz në Tiranë që besojnë se libri i Ypit gëzon përkrahje institucionale – edhe brenda Shqipërisë, edhe jashtë saj. Për të njëjtën arsye, disa nga kritikat që i janë bërë librit – në Shqipëri – mund të kenë pasur arsye politike.

Nuk do të doja që qortimet e tanishme, që i vijnë revistës, të kenë qenë edhe ato politikisht të motivuara.

Nuk do të doja as që, disa nga këta që tani po shprehen të bezdisur nga radha e shkrimeve për librin e Ypit, të jenë bezdisur, në fakt, nga ajo që këto shkrime e kritikojnë librin, nuk e lëvdojnë.

Unë vetë kam shkruar dy herë për librin – si njeri që jam vetë i interesuar për memorien e totalitarizmit në Shqipëri, dhe ngaqë më ka bërë përshtypje ndryshimi i zhanrit të librit nga “memuar” në “roman”.

Nuk e kam bërë këtë rregullisht për libra të tjerë të ngjashëm, por këtë herë “Të lirë” u prezantua si LIBRI që do të na rrëfente ne, shqiptarëve, totalitarizmin – gjë që m’u duk dhe më duket akoma e papranueshme.

Njëlloj po pompohet edhe libri në Perëndim, nëpërmjet një fushate që mua nuk më duket tërësisht spontane dhe as e përligjur. Peizazhe të fjalës nuk e ka fuqinë që të përfshihet në muhabetet për librin në Perëndim, por mund ta thotë fjalën e vet me lexuesin e vet shqip, siç edhe po e thotë.

Ndryshe nga disa prej jush, mua më duket normale që një revistë kulturore t’i kushtojë vëmendje të vijueshme një ngjarjeje kulturore të rëndësishme – për nga reagimet që ka pasur – si libri “Të lirë” i Lea Ypit. Unë madje habitem si, këta që na kritikojnë tani, e marrin për të mirëqenë obsesionin e përditshëm të mediave me temën Berisha-Basha, Berisha-Basha, Berisha-Basha nga mëngjesi në darkë, nga një TV në tjetrin, nga një portal në tjetrin. Dhe nuk protestojnë. Përkundrazi, e ngrenë zërin se Peizazhet paska nxjerrë katër artikuj për një temë kulturore.

Ka pastaj kolegë që bezdisen, sepse mendojnë që kjo vëmendje nuk u është kushtuar librave të tjerë të rinj, mbase më të denjë se ky i Lea Ypit. Mund të jetë kështu. Por fakti është që vëmendjen e rritur ndaj temës nuk e solli Peizazhet, por e gjeti mes jush; dhe, ngjashëm, për injorimin e shumë titujve të rinj vështirë se mund të bësh me faj Peizazhet – ne kemi bërë aq sa kemi mundur.

Libri në fjalë po bën bujë në Perëndim – si Libri përmes të cilit bota do të mësoka më në fund për Shqipërinë (buja në Perëndim mua më duket njëlloj e sponsorizuar, politikisht, sa dasma që iu bë librit në Tiranë). Teksa në Shqipëri ka pasur kritika dhe polemika, jo aq për cilësinë e librit sa për raportin e tij me realitetin. Rrallë ndodh që të sillen këto tema në fokus. Sikurse rrallë ndodh që një libër memuaristik të promovohet me pjesëmarrjen e kryeministrit dhe pushtetarëve të tjerë: vetëm fishekzjarrët munguan. Çfarë po ndodh? Mua më duket se kjo temë na doli neve, si revistë, në shteg; kemi vite që shkruajmë për memorien, raportet e kujtimeve me realitetin, rrëfimin dhe historinë. Dhe, në çdo rast, unë si botues i Peizazheve, por edhe si autor që nuk fillova të shkruaj sot, refuzoj që t’ia lë pushtetit në Tiranë – dhe megafonëve të pushtetit – që t’ia përcaktojnë statusin një libri si “Të lirë”; dhe as që ta vendosin se kur duhet të fillojë dhe kur duhet të mbarojë një debat me temë kulturore. Nëse bëhet fjalë për kryevepër, siç po thuhet, le ta diskutojmë. Çfarë absolutisht nuk duhet të bëjmë, është që ta marrim mbështetjen politike si verdikt kulturor.

Ndonjëri nga ju përmend ZILINË, si faktor që ka nxitur shkrimet kritike të tanishme; edhe pse zilia është reagim kompleks dhe shpesh lidhet me padrejtësinë (unfairness). Është shumë kollaj të pomposh një libër si kryevepër për arsye mirëfilli politike, dhe pastaj të frenosh çdo kritikë ndaj këtij operacioni duke e damkosur si të motivuar nga zilia.

Do ta quanim ZILINË të padenjë, vetëm në ato rrethana kur suksesi publik të ishte i merituar dhe i panjollë.

Kritika për kriteret tona të botimit i drejtohet – dashur pa dashur – edhe politikave tona editoriale; praktikisht, po na thonë se çfarë NUK duhet të bëjmë njerëz të cilët nuk i kemi parë kurrë të tregojnë interes për ne, për shembull duke promovuar shkrimet tona, qëndrimet tona, duke bërë share ato që botojmë, ose – e kundërta – duke na dalë në krah kur jemi sulmuar nga të tretë.

Edhe këtu ka diçka që nuk shkon. Madje ndonjë nga ju që ankohet tani, nuk është as “friends” me ne në Facebook. Çfarë më jep të drejtë të dyshoj se ka edhe nga ata që e përdorin këtë hapësirë komentimi, për interesat e tyre.

Not nice!

Shpresa ime si botues i Peizazheve dhe jona si revistë ishte se diskutimet për librin “Të lirë” do të shërbenin si platformë e një diskutimi më të gjerë, rreth mënyrës si po e kujtojmë dhe po e rrëfejmë periudhën totalitare. Kjo temë, që ka pasur dhe vazhdon të ketë përparësi te Peizazhet, ka ende nevojë për qasje të bashkërenduar nga institucionet akademike, por edhe ato të kulturës dhe të arsimit. Përparësia absolute që i japim – dhe që duhet t’i japin edhe të tjerë – nuk ka lidhje të detyrueshme me ndonjë përparësi në trajtimin e librit në fjalë; edhe pse ky libër na dha tashmë një platformë të re.

Vetë autorja, Lea Ypi, me sa kam parë, i ka mirëpritur diskutimet dhe kritikat rreth librit të saj dhe nuk u është shmangur ballafaqimeve – të cilat ka ditur t’i dallojë nga çfarë ajo vetë e ka quajtur “vicious abuse” (The Guardian), dhe që me siguri i ka ardhur andej nga ku manifakturohet sot pjesa më e madhe e plehut abuziv në rrjetet sociale: fermat e trollëve.

Unë besoj edhe disa nga ju që bezdiseni prej serisë së shkrimeve nuk keni ndonjë prapamendim; por thjesht e shihni me vend që të na e vini në dukje. Ju falënderoj për këtë, sepse gjithnjë na intereson reagimi i lexuesve – jo vetëm ndaj shkrimeve individuale, por edhe ndaj politikave tona editoriale. Edhe pse revista jonë nuk synon T’I ZBAVITË lexuesit e vet, por më shumë t’i intrigojë dhe t’i përfshijë në debate, sërish i vlerësojmë objeksionet tuaja kur vijnë pa prapamendime.

Nuk më mbetet veçse t’ju ftoj që, këtë interes që tregoni për një libër, por edhe për memorien kolektive dhe historisë së vonë, së cilës ai libër i kushtohet, ta mbani gjallë edhe për shkrimet që do të nxjerrim për tema të ngjashme në të ardhmen.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. FREE

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin