nga Bardhyl Demiraj
LMU Mynih/RFGJ
Objekt i këtij shkrimi është Dega e Albanologjisë pranë Universitetit elitar “Ludwig-Maximilian” (LMU) të Mynihut, e cila përcjell ndërkohë – si qendër e mëvetësishme albanologjike në veri të Alpeve të Europës – një traditë 60-vjeçare në aktivitetin e saj shkencor-universitar. Prashtu i mbetem besnik së paku titullit që ngërthen në vetvete ky shkrim, duke dashur me marrë njëherësh në analizë edhe mbarëvajtjen e studimeve albanologjike në hapësirën gjermanishtfolëse e më gjerë në kohën tonë. Asgjëmangut syzoj fillimisht një skicim sado të thukët të kronologjisë së përftimit e të ecurisë së programit universitar të kësaj vatre shkencore, duke u përqendruar më pas sidomos në profilin dhe pozicionin e degës në arealin albanologjik bashkëkohor, në aktivitetin kërkimor-shkencor dhe botues si edhe në angazhimin e saj social-intelektual, sa i përket sidomos organizimit të një numri tubimesh shkencore-kulturore albanologjike, kryesisht syresh me radius gjithëpërfshirës në hapësirën albanologjike në Europë dhe SHBA-të. Në mbyllje i jam përkushtuar me një hapësirë të konsiderueshme edhe ecurisë perspektive të kësaj dege si pjesë e atij qerthulli problemor që ngërthen formimi universitar dhe kërkimi shkencor albanologjik në kohën tonë.
1. Kronologji e përftimit dhe e aktivitetit universitar
Kronologjinë e përftimit dhe aktivitetin e saj universitar lejohem ta përshkruaj me stil telegrafik, duke saktësuar fillimisht që Dega e Albanologjisë në LMU e përcjell këtë traditë shumëvjeçare të aktivitetit të saj shkencor dhe universitar, pasi ka udhuar disa faza zhvillimi me këta titullarë:
A. shtator 1961 – gusht 1990: prof. dr. Martin Camaj (Munih/RFGJ)
- lektor pa pagesë: shtator 1961 deri shtator 1964,
- docent privat me statusin e punonjësit shkencor (H 1): qershor 1965 – maj 1970,
- profesor jashtë plani: gusht 1971 – shtator 1978,
- profesor universiteti për albanologji (C3) „nëpunës shteti në marrëdhënie punësimi të përhershme” prej dt. 14 shtator 1978.
B. Profesor universiteti për albanologji (C3): “në marrëdhënie punësimi të përkohshme”.
C. shtator 1998 – gusht 2000: prof. dr. Rexhep Ismajli (Prishtinë/Kosovë)
- Përfaqësim i profesurës së albanologjisë në LMU me statusin e profesorit honorar (C3).
D. Prej tetorit të vitit 2000: Prof. dr. Bardhyl Demiraj (Munih/RFGJ)
- tetor 2000 – shkurt 2001: përfaqësim i profesurës së albanologjisë (C3) në LMU;
- mars 2001 – shtator 2002: profesor universiteti për albanologji (C3): “në marrëdhënie punësimi të përkohshme”;
- prej 1 shtator 2002 profesor ordinar (C3) “nëpunës shteti në marrëdhënie punësimi të përhershme”.
Prej muajit tetor 2012 e deri më sot profesura e albanologjisë mbështetet fuqishëm me një lektorat të gjuhës shqipe:
- me një vend lektori me detyra të posaçme (VL E 13 – ngarkesë mësimore: deri në 8 orë në javë), të përftuar dikur nëpërmjet një marrëveshjeje ndërshtetërore ndërmjet LMU dhe MAS (korrik/shtator 2012).
- Mbarëvajtja e lektoratit të gjuhës shqipe mbështetet gjithashtu me një lektor të dytë me kontrata semestrale, të cilat profesura e albanologjisë i mbulon si me resurset e veta vjetore ashtu edhe me ato të Qendrës së Studimit të Gjuhëve të Huaja pranë LMU (ngarkesë mësimore: deri në 8 orë mësimore në javë).
- Vend të veçantë në program zënë edhe tutoriumet (deri katër orë mësimore në javë), të cilat i mbulojnë studentë të degës që janë ndërkohë në prag të përfundimit të diplomës së masterit.
- Pjesë e programit universitar janë edhe seminaret në bllok, që realizojnë profesorë dhe docentë të ftuar dhe që përmbushin një kapacitet mësimor deri në 30 orë për çdo semestër.
2. Profili dhe statusi aktual
Dega mëton një seksion të veçantë brenda Institutit të Gjuhësisë Krahasuese-Indoeuropiane si edhe të Albanologjisë (Institut für Vergleichende und Historische Sprachwissenschaft sowie Albanologie, Dep. II, Fak. 13) në LMU, duke gëzuar si e tillë statusin institucional të një qendre shkencore-universitare, e cila dikur: prej vitit akademik 1978/79 deri në atë të vitit 2009/10, shërbente si degë magistrature dhe promocioni; që e ka rimarrë veten rishtas: prej vitit akademik 2018/19, po si degë e mëvetësishme universitare dhe promocioni, e cila përgatit, diplomon dhe doktoron si albanologë të rinj ata studentë e studiues që përzgjedhin ndërkohë studimet albanologjike si fushë kryesore studimi në nivelet: a) Master of Arts dhe b) Doctor Philologicum në “Albanologji”; përkatësisht plotëson formimin universitar dhe pasuniversitar të atyre studentëve dhe doktorantëve në ato degë që përzgjedhin albanologjinë si fushë plotësuese studimi në degët Bachelor of Arts “Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë” (Sprache, Literatur und Kultur), në formimin e njësuar universitar në nivelin Master of Arts si “Fushë profilizuese në shkencat humane” (Fakulteti i Shkencave Gjuhësore dhe Letrare = Fak. Nr. 13) ose në atë të “Historisë së Europës Lindore dhe Juglindore” (Fak. nr. 12).
Zhvillimi në vazhdimësi i statusit shkencor-universitar të degës është rrjedhojë e ndryshimeve rrënjësore që ka përjetuar ndërkohë sistemi universitar në RFGJ, ku u implementua fillimisht në mënyrë ballore “Marrëveshja e Bolonjës” (19.06.1999); që vjen me thënë pa u marrë parasysh specifika e shkencave të tilla rajonale si Albanologjia. Riorganizimi i studimit universitar sipas asaj marrëveshjeje – që në kushtet e reja të studimit hapi sigurisht perspektiva profesionale edhe për studentët që studionin në albanologji si fushë kryesore studimi – do të kishte sjellë padyshim pasoja të pallogaritshme, madje do të vinte në pikëpyetje deri edhe ekzistencën e kësaj dege, sikur të mos përjetohej mbështetja e duhur prej Republikës së Shqipërisë, e cila ndërhyri paraprakisht atëbotë që të mos cenohej sadopak profili universitar i degës, pra duke ruajtur si të tillë mëvetësinë e Albanologjisë si shkencë rajonale në tërë atë pjesë të arealit shkencor albanologjik që shtrihet jashtë hapësirës kompakte shqipfolëse në Ballkan.
Dega mbulon sot në aktivitetin e vet universitar – me një kapacitet prej 29 deri 31 orësh akademike në javë – realizimin e një programi mësimor semestral prej 11-12 lëndësh universitare në tri semestrat e parë (90 ECTS) në gjashtë fusha të ndryshme studimi, që i prijnë punimit në nivelin Master dhe mbrojtjes së tij (30 ECTS), ndër to:
a) Gjuhësi bashkëkohore: gramatikë e shqipes standarde dhe dialektologji;
b) Filologji dhe histori e gjuhës shqipe;
c) Letërsi shqipe, kulturë popullore dhe antropologji historike;
d) Albanologji në kuadrin e Gjuhësisë Historike-Krahasuese Indoeuropiane;
e) Albanologji në kuadrin e studimeve të Europës Juglindore (= Filologji Ballkanike),
f) Mësim praktik i shqipes standarde në tri nivele: A1-A2, B1-B2, C1-C2,
Mësimi praktik i gjuhës shqipe (nr. f) me kurse intensive semestrale në tri nivele të ndryshme – me nga 4 orë në javë, d.m.th. secili nivel me 240 orë për çdo vit akademik – përbën një ndër shtyllat bosht të programit universitar, që shquhet ndërkohë për suksesin e tij falë hapjes së lektoratit të gjuhës shqipe (!!!).
Dega e Albanologjisë e ratifikuar së fundmi prej Ministrisë së Kultit në Landin e Bavarisë deri ne vitin akademik 2023/24 është padyshim rrjedhojë e riorganizimit të degëve universitare në nivelin Master of Arts në LMU, ku profesurës së albanologjisë – falë përftimit të lektoratit të shqipes me dy pozicione (lektor + docent me kontrata semestrale) – i është mundësuar paraprakisht të organizojë dhe drejtojë të gjithë programin universitar përkatës si degë universitare e nivelit Master of Arts.[1] Kjo situatë e re, e përftuar dhe konfirmuar zyrtarisht prej vitit akademik 2018/19 – edhe pse me ngarkesë universitare dhe administrative shtesë të profesurës dhe lektoratit në vetvete – i hap gjithsesi perspektiva të reja zhvillimit të vetë degës në të ardhmen, pasi pritet të mundësojë jo vetëm një formim solid të studentëve por edhe një rrjetëzim ndërdisiplinor dhe bashkëpunim efikas me një numër degësh filologjike-universitare simotra që janë aktive sidomos brenda infrastrukturës së LMU-së, të tilla si. Gjuhësi Historike-Krahasuese dhe Indoeuropianistikë, Gjuhësi e Përgjithshme dhe Tipologji gjuhësore, Gjuhësi Kulturore-Kognitive, Romanistikë, Sllavistikë, Grecistikë, Filologji Klasike, Gjermanistikë, Histori e Europës Juglindore, Etnologji, Sociologji dhe Antropologji etj.
Për më tepër, profesura e albanologjisë ushtron ndërkohë funksionin e referentit kryesor me konsulencë dhe ekspertizë profesionale për projekte të ndryshme kryesisht të karakterit kërkimor-shkencor që aplikohen në fondacionet e kërkimit shkencor elitar, si: “Deutsche Forschungsgemeinschaft”, “Alexander von Humboldt-Stiftung”, si edhe ato të “Stiftung des Deutschen Volkes”, “DAAD” në RFGJ; “Wiener Fonds zur Förderung der wissenschaftlichen Forschung” në Austri etj. Kjo profesurë është gjithashtu pjesë e bordit drejtues të programit “Balkan Studies” (San Peterburg/Rusi) sikurse në atë të një numri radhojash dhe revistash shkencore albanologjike, si p.sh. “Albanische Forschungen” (Wiesbaden), “Hylli i Dritës” (Shkodër), “Studime filologjike” dhe “Studia Albanica” (Tiranë) etj. Së bashku me lektoratin e gjuhës shqipe, profesura e albanologjisë drejton edhe provimin shtetëror të abiturientëve të landit të Bavarisë që përzgjedhin albanologjinë si degë specialiteti shkencor.
3. Pozicioni i degës në arealin albanologjik ndërkombëtar
Specifika e qendrës sonë si dega e vetme universitare-albanologjike jashtë hapësirës shqipfolëse për nivelet Master of Arts (më parë Magister of Arts) dhe Doctor Philologicum në “Albanologji” – pra jo thjesht dhe vetëm në veri të Alpeve të Europës (!!!) – ka bërë që në periudhën ndërmjet viteve 2000-2021 të shtohet ndjeshëm, krahas numrit të studentëve, edhe numri i bursistëve dhe i postdoktorantëve që vijnë aty për një qëndrim qoftë edhe afatshkurtër, me synim specializimi pranë saj: deri sot nga 15 vende të ndryshme të botës. Bashkëpunimi me qendra të ndryshme të formimit shkencor universitar albanologjik në Shqipëri (Shkodër, Tiranë, Elbasan), Kosovë (Prishtinë), Rusi (San Peterburg), Itali (Cosenza, Palermo, Napoli), Maqedoni (Tetovë, Shkup), Bullgari (Sofje) etj. ka dhënë dhe vijon të japë ndërkohë frytet e veta, si në plan universitar (= shkëmbime docentësh e studentësh)[2] ashtu edhe në organizimin e tubimeve kulturore-shkencore albanologjike në Evropë.
Në formimin shkencor dhe atë pedagogjik universitar bën pjesë edhe vendi i lektorit të gjuhës shqipe – së paku deri në fund të semestrit në vazhdim (!!!) –, i cili, sipas angazhimit dhe marrëveshjes së përmendur më lart, shpallet me konkurs ndërkombëtar në çdo dy vjet.
Dega e Albanologjisë pranë LMU e ka bërë ndërkohë traditë organizimin çdo dy-tre vjet të “Tubimit Kulturor-Shkencor Shqiptaro-Gjerman“, në të cilin marrin pjesë studiues albanologë të njohur nga vende të ndryshme të Evropës dhe SHBA-ve. Prashtu, në një qark kohor prej 16 vjetësh (2003-2019), janë organizuar gjashtë syresh, si vijon:
I. Das albanische Nationalkonzil 1703. Kulturwissenschaftliche Tagung in seinem 300. Jubiläum (Kuvendi i Arbënit 1703. Tubim shkencor-kulturor në 300-vjetorin e mbajtjes së tij: Munih, 13. shtator 2003)
II. Buzukus‘ „Missale“ und seine Rezeption in unserer Zeit („Meshari“ i Buzukut dhe recepsioni i tij në kohën tonë: Munih, 14.-15. tetor 2005)
III. Der Kongress von Manastir – Herausforderung zwischen Tradition und Neuerung in der albanischen Schriftkultur (Kongresi i Manastirit – sfidë ndërmjet traditës dhe risisë në kulturën e shkrimit shqip: 7.-8. nëntor 2008)
IV. Aktuelle Fragestellungen und Zukunftsperspektiven der Albanologie. 50 Jahre Albanologie an der LMU München (Çështje bashkëkohore dhe perspektiva të Albanologie. 50 vjet albanologji në LMU të Munihut – Gut Schönwag, 23.-25. qershor 2011)
V. Sprache und Kultur der Albaner – zeitliche und räumliche Dimensionen (Gjuha dhe kultura e shqiptarëve – dimensione kohore dhe hapësinore: Buçimas, 5.-8 korrik 2014)
VI. Early Albanian Literacy – Perspectives from Contemporary Philology and Historical Lexicography (Kultura e hershme e shkrimit shqip – në fokusin e filologjisë dhe të leksikografisë historike bashkëkohore – Buçimas, 27 shtator 2019)
4. Kërkimi shkencor dhe aktiviteti botues
Dega me projektet e veta shkencore mëton një vend qendror në arealin kulturor albanologjik edhe sa i përket aktivitetit botues, i cili krahas ndërmarrjeve individuale të profesurës, lektoratit, punonjësve shkencorë, doktorantëve dhe studentëve të degës[3] dallohet edhe për organizimin e botimeve përmbledhëse në shtëpi të njohura botuese në Perëndim, ashtu siç kanë pasur fatin të botohen p.sh. shumica e akteve të tubimeve albanologjike të mbajtura deri sot.[4] Rezultat i një projekti afatgjatë ishte edhe vëllimi përkujtimor që ju përkushtua themeluesit të degës, shkrimtarit dhe intelektualit në zã të mërgatës politike-intelektuale shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, Martin Camaj: “Wir sind die Deinen” (Ne jemi të tutë)[5] si edhe botimi i plotë i opusit të tij letrar në 10 vëllime (Tiranë 2010)[6] së bashku me ribotimin e poezisë së tij (Tiranë 2017)[7] nga shtëpia botuese Onufri.[8]
Pjesë e këtij aktiviteti është edhe përgatitja për shtyp dhe botimi i monografive shkencore albanologjike të mbetura deri sot në dorëshkrim, siç është rasti i punimeve të albanologëve të njohur Hermann Ölberg, Gert Klingenschmitt dhe Shaban Demiraj. Nuk mungon as bashkëpunimi efektiv me kolegë dhe qendra të tjera albanologjike, siç ishte së fundi rasti i botimit të shkrimeve të zgjedhura prej trashëgimisë albanologjike të historianit të mirënjohur Peter Bartl, apo ai i vëllimit jubilar kushtuar Francesco Altimarit në vitin e tij jubilar, sikurse sosh të misionarit Àt Ernesto Cozzi ase ai i opusit të plotë Pjetër Budit (1618; 1621), të realizuar si botim kritik i albanologuit të mirënjohur danez Gunnar Svane (1984/1985).[9]
Së fundi le të përmendim edhe projektin afatgjatë (2017-2025) prestigjoz “Digitales Philologisch-Eymologisches Wörterbuch des Altalbanischen (XV.-XVIII. Jh.)” (Fjalor filologjik etimologjik digjital i shqipes së hershme. Shek. XV-XVIII) që po realizon ndërkohë Dega e Albanologjisë (Moduli Demiraj) në bashkëpunim intensiv me Degën e Gjuhësisë Historike-Krahasuese dhe Indoeuropiane (Moduli Hackstein) e që mbështet fuqishëm fondacioni i mirënjohur gjerman “Deutsche Forschungsgemeinschaft”, duke hapur si i tillë pesë vende pune me perspektivën profesionale përkatëse për studiues të rinj albanologë.[10]
5. Angazhimi social-kulturor
Dega e albanologjisë, së bashku me lektoratin e saj luajnë një rol jo të vogël në përhapjen e imazhit pozitiv për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë hapësirën shqipfolëse në Perëndim, duke shërbyer kështu si urë lidhëse ndërmjet kulturave kombëtare dhe politikave kulturore e shkencore-universitare në botë. Nuk kemi përse e fshehim edhe ndonjë rrethanë disi të vështirë deri të pakëndshme, meqë jo rrallë është dashur – edhe pse jo gjithnjë me sukses (!!!) – të marrim përsipër rolin e avokatit mbrojtës qoftë lidhur me dhunimin e simboleve, përkatësisht të ndonjë figure simbol të qenësisë kombëtare shqiptare, siç është rasti i flamurit kombëtar shqiptar, ai heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, qoftë edhe për rolin e elitës shkencore-intelektuale në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, përkatësisht ecurinë e studimeve albanologjike në kohë dhe hapësirë.[11]
Kujdes të veçantë tregohet gjithashtu edhe për mbarështimin e trashëgimisë albanologjike dhe nderimin e studiuesve albanologë të Munihut me rrethina. Prashtu, me (bashkë)propozimin tonë janë dekoruar nga Presidentët e radhës së Republikës së Shqipërisë në vitin 2010 Martin Camaj me urdhërin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) dhe më 2012 historiani i njohur i Shqipërisë Peter Bartl me “Medaljen e Mirënjohjes”. Ndërsa në nëntor 2013 u realizua filmi dokumentar “Martin Camaj i papërsëritshëm” (regj. Tefta Radi), për prodhimin e të cilit u angazhuan në mënyrë aktive studentët e degës.
Dega jonë është bërë ndërkohë pikë orientuese e kulturës shqiptare për mërgatën shqiptare në Bavari e gjetkë, e cila vjen e vizitohet gjithnjë e më shpesh edhe nga autoritete shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, ndër to lejohemi të dallojmë sidomos vizitën e Presidentes së radhës së Republikës së Kosovës, zonjës Jahjaga (më 6 shkurt 2012) etj.
6. Ecuria perspektive e Degës së Albanologjisë në LMU
Sa i përket zhvillimit perspektiv të degës, edhe në këtë pikë sigurisht që mund të mblidhnim dhe të shpërndanim lule në frymën e optimizmit si mesazh i dëshiruar edhe në këtë shkrim. Në këtë rast na duhet t’u përmbahemi thjesht dhe vetëm dy linjave orientuese në veprimtarinë e qendrës sonë albanologjike: kërkimit dhe prodhimit shkencor albanologjik në përgjithësi, sikurse edhe angazhimit të saj social-kulturor në jetën e mërgatës shqiptare në Bavari në kohën tonë.
Pa dashur të ritheksoj planet afatgjata të aktivitetit shkencor individual, ku bën pjesë sigurisht edhe projekti afatgjatë i Fjalorit Filologjik-Etimologjik të Shqipes së Vjetër (shek. XV.XVIII), po mjaftohem t’i referohem këtu rolit të pararendësve të mi në zhvillimet që përjetonte dikur e përjeton ndërkohë albanologjia në vendet gjermanishtfolëse dhe në hapësirën kompakte shqipfolëse.
Asgjëmangut, Martin Camaj me prurjet e tij jo vetëm në letërsinë shqipe dhe në kritikën letrare, por edhe në kërkimin e mirëfilltë shkencor-albanologjik ishte dhe mbetet ndër përfaqësuesit kryesorë të mërgatës intelektuale shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Wilfried Fiedler ishte dhe mbetet sot për sot – bashkë me Armin Hetzer (Bremen) – ndër studiuesit albanologë dhe balkanologë më të kompletuar në botën albanologjike gjermane e më gjerë, ndërsa për Rexhep Ismajlin janë të tepërt gishtat e njërës dorë, kur marrim në analizë prurjet e albanologjisë mbarëshqiptare në kohën tonë. Veçse të gjithë i bashkon më fort me njëri-tjetrin ai shqetësim i vetëkuptueshëm, deri në makth të përhershëm, që ka të bëjë më fort me të ashtuquajturën linjë të tretë orientuese, por vendimtare në aktivitetin e degës si qendra e vetme shkencore-universitare albanologjike në hapësirën gjermanishtfolëse e më gjerë. Bëjmë fjalë këtu për fatin institucional të profesurës, përkatësisht të Degës së Albanologjisë bashkë me lektoratin (!!!) e saj si hallkë e atij vargu degësh formimi universitar në një universitet ndërkohë elitar në Gjermani, siç është LMU.
Uroj vërtet të paragjykoj, kur mëtoj se gjithkush që mund a do të marrë dikur pozicionin e Profesurës për Albanologji në LMU (Bavari/RFGJ) e ka të fiksuar fatin e vet – në rast se do ta ketë vërtet këtë fat fatlum (!!!) – çka vjen me thënë që ajo/ai do të përjetojë dhe bashkëjetojë gjithherë trysninë psikologjike, se si do t’i vejë “pas meje” halli degës, bash kur t’i vijë moti me mbyllur marrëdhëniet e punësimit. Këtë gjendje të rënduar psikologjike lejohem ta përcjell më mirë me fjalët e Martin Camajt, kur i shkruante dikur mikut të tij Àt Daniel Gjeçaj në Romë:
“[…] Kam pasë shum të çame kreje dhe në çashtje të kathedrës së albanologjisë, mbasi ishte ad personam e unë dosha kontinuitetin. Ka njerëz që kam pregatitë me vjet dhe janë në gjendje me ba punë të mëdha. Tash për tash asht sigurue ekzistenca, por ligjët dhe sistemet universitare janë tue ndërrue dita ditës: gjithkundi kursime prej kah rrjedh mandej edhe prioriteti i dishiplinave (Fächer). Albanologjia, thonë këta edhe ndër sy, e mbramja birë e kavallit. Po, disesi shpresoj se ndreqet puna përndryshej pa sigurinë e kontinuitetit jam paralizuem e nuk mund të zhvillohen programe afatgjata. Këto janë vështirësitë që më kanë lodhë ma tepër se puna në vetvete.” (Camaj drejtuar At Daniel Gjeçajt, Lenggries, 27.8.81)
Të njëjtën situatë përjeton shkruesi i këtyre fjalëve qysh prej emërimit të tij në këtë pozicion, anipse lejohet të kumtojë këtu pa dyshim një numër rezultatesh pozitive që ka arritur kjo degë në këtë fillimshekulli, sa u përket jo vetëm punimeve të para në Magistraturë dhe Doktoranturë në albanologji, sikurse edhe diplomave ne nivelet Bachelor dhe Master në Filologji Ballkanike dhe Albanologji, [12] por edhe projekteve të shumta, deri në sosh afatgjata në grup.
Si do t’i vijë filli më tej, pas shkëputjes së natyrshme prej mësimdhënies, përkatësisht të daljes në pension të drejtuesit të degës (!?!?): “Këto janë vështirësitë që më kanë lodhë ma tepër se puna në vetvete”, shkruante dikur Camaj, çka na detyron sot e gjithë ditën ta përsërisim shpesh e më shpesh: çdo ditë, çdo mëngjes e çdo mbrëmje, maksimën e meshumësenjëkuptimshme: dum spiro, spero (= sa kohë që marr frymë, shpresoj!).
(c) 2021 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Shih <http://www.albanologie.uni-muenchen.de/studieng_nge/ma-balkanphilologie/index.html>.
[2] Ndër profesorët dhe docentët e ftuar që kanë ligjëruar dhe mbajtur leksione në aulat e universitetit tonë gjatë viteve 2000-2017 përmendim ndër të të tjerë kolege dhe kolegë a) nga Shqipëria: Ç. Bidollari, E. Hysa, Sh. Sinani, A. Omari, R. Memushaj, A. Baxhaku, P. Xhufi, F. Dado, L. Varoshi, F. Koleci; b) nga Kosova: R. Ismajli, B. Rugova; c) nga Italia: F. Altimari, M. Mandalá, G. Belluscio, G. Gurga; E. Coforti; d) nga Rusia: L. Kaminskaja, A. Rusakov, A. Novik, A. Sobolev; e) nga Franca: R. Përnaska; nga Gjermania: N. Boretzki, R. Elsie, W. Fiedler (pas daljes në pension), E. Pistrick, K. Clewing; f) nga Austria: J. Matzinger; nga SHBA-të: E. Hamp, V. Fridmann; g) nga Greqia: T. Jochalas; h) nga Zvicra: M. E. Peters, M. de Vaan.
[3] Citojmë këtu ndër të tjera botimet e doktoranturave: J. Xhyra-Entorf: Soziokulturelle Aspekte bei Martin Camajs Prosawortschatz. Eine Untersuchung im Rahmen der interpretativen Semantik, në radhojën “Albanische Forschungen” bl. 24, Harrassowitz, Wiesbaden 2006; M. E. Peters: Der älteste Verlag Albaniens und dessen Beitrag zu Bildung und Kultur. Die Verlagsdruckerei der Unbefleckten Empfängnis zu Shkodra (1870/71 – 1944/45), në radhojën „Studien zur Kirchengeschichte“ bl. 6, Kovač, Hamburg 2007; Lj. Jusufi: Die zentralgegische Mundartengruppe in Mazedonien, në radhojën “Albanische Forschungen” bl. 30, Harrassowitz, Wiesbaden 2011; E. Kristo: Politische Schlagwörter im postkommunistischen Albanien (1990-2001), në radhojën “Albanische Forschungen” bl. 34, Harrassowitz, Wiesbaden 2014; C. van Scherpenberg: Albanian as a member of the “Standard Average European” Sprachbund, në: „Res Albanicae“ 2 [2013] 51-67; F. Kienzle: Ein Nehmen und Geben. Die Geschlechter in der albanischen Literatur, në radhojën “Albanische Forschungen” bl. 45, Harrassowitz, Wiesbaden 2020 etj. Për botimet e drejtuesit aktual të degës, sh. <http://www.albanologie.uni-muenchen.de/personen/professoren/demiraj/publikationen /index.html>.
[4] Sh. për botimet e akteve te këtyre tubimeve në faqen tonë në internet: <https://www.albanologie.uni-muenchen.de/personen/professoren/demiraj/publikationen>.
[5] Wir sind die Deinen – Studien zur albanischen Sprache, Literatur und Kulturgeschichte, dem Gedenken an Martin Camaj (1925 – 1992) gewidmet, bot. Bardhyl Demiraj, në radhojën: „Albanische Forschungen“ Bd. 29, Harrassowitz Verlag, Wiesbaden 2010, 600 f.
[6] Martin Camaj: Diella. Vepra I (148 f.); Poezi 1953 – 1967. Vepra II (280 f.); Shkundullima. Vepra III (367 f.); Njeriu më vete e me tjerë. Vepra IV (135 f.); Rrathë. Vepra V (496 f.); Nema, Buelli, Palimpsest. Vepra VI (150 f.); Karpa. Vepra VII (298 f.); Dranja. Vepra VIII (172 f.) Poezi. Vepra IX (214 f.); Tregime, Novela, Drama, Vepra X, (368 f.). (botues Bardhyl Demiraj), Onufri-Editions, Tiranë 2010.
[7] Martin Camaj: Vepra poetike. (botues Bardhyl Demiraj) Onufri-Editions, Tiranë 2017, 720 f.
[8] Në procesin e përgatitjes për shtyp janë edhe edhe dy përmbledhjet “Scripta minora” me shkrime të shkurtra shkencore-albanologjike në gjuhë të huaj (bleu I) dhe shqip (bleu II).
[9] Për realizimin e rreth 35 botimeve e në bashkëpunim edhe me kolegë të ndryshëm të fushës sh. hollësisht <https://www.albanologie.uni-muenchen.de/personen/professoren/demiraj/publikationen>.
[10] Sh. <http://www.albanologie.uni-muenchen.de/forschung/projekte/albanisch>
[11] Sh. së fundi do ndërhyrje të shkruesit të këtyre radhëve në “Peizazhe të fjalës”: <https://www.facebook.com/peizazhetefjales/posts/3339751109415695>; <https://www.facebook.com/peizazhetefjales/posts/3366629360061203>; <https://www.facebook.com/peizazhetefjales/posts/4576908462366614>.
[12] Përmendim këtu ndër të tjera diplomimin dhe studimin e magistranteve dhe magistrantëve D. Zumberi, Sh. Mehmeti, H. Bajri, St. Ullrich, A. Allamani, R. Vas, D. Dobra, F. Kienzle , E. Franz, G. Hazizaj, D. Kida, Lj. Jusufi, K. Gjoni, O. Okhocha, S. Penkina, A. Seif, A. Tahirsylaj, Z. Osmani; të studentëve të nivelit Bachelor (AIS): E. Neziri, E. H. Müller, C. v. Scherpenberg, Q. Haliti, V. Matoshi, F. Berisha; apo të nivelit Master (Filologji Ballkanike): V. Matoshi, Q. Haliti, E. Halo, A. Dragusha etj.