Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Komunikim

DEBATE KEMI, NUK KEMI DEBATUES

Përpiqem të ndjek, aq sa mundem, debatet publike për COVID-19 dhe përplasjet e mëdha që po ndodhin, edhe në Shqipëri, rreth çështjeve të tilla si vaksinimi i detyruar, efikasiteti i vaksinave, menaxhimi i epidemisë, të drejtat e qytetarit vs. përgjegjësisë së autoriteteve të shëndetit publik. Me sa kuptoj, shumë debate të tilla konsumohen në televizion, ku është e vështirë që të artikulosh ide komplekse dhe ku shpesh i jepet përparësi spektaklit dhe argëtimit, duke u ftuar të marrin pjesë njerëz mbase argëtues por që, në fakt, nuk kanë çfarë t’i thonë publikut për epideminë, mënyrat e mbrojtjes ndaj saj dhe politikave të shëndetit publik, përfshi edhe imunizimin masiv, me ose pa detyrim. Në mediat e tjera shoh të ndërhyjnë sidomos mjekë dhe tek-tuk edhe ndonjë pedagog (në kuptimin “specialist i pedagogjisë”) që shqetësohet për efektet e të mësuarit në distancë ndaj fëmijëve; përndryshe mediat e shkruara dhe portalet i bien shkurt, duke përkthyer – zakonisht keq – materiale që i gjejnë në media dhe portale të huaja, dhe që ndonjëherë kanë cilësi të lartë, por ndonjëherë tjetër janë thjesht pisllëqe manipulative. Çfarë po mungon – ose të paktën më duket mua se mungon – është zëri i ekspertëve jo-mjekë në një debat që nuk ka dhe as mund të ketë natyrë thjesht mjekësore; sikurse mungon drejtpeshimi i moderimit të debateve dhe relativizimi i opinioneve të çartura, që i dëgjon të shprehura nga individë me fantazi të ekzagjeruar. Publiku me siguri dëshiron të dëgjojë opinionin e sociologëve, antropologëve dhe juristëve, për çështje që, gjithnjë të lidhura me menaxhimin e epidemisë, prekin jetët individuale dhe komunitetet, në mënyra shpesh dramatike. Institucioneve të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor nuk u mungojnë ekspertët në fusha të tilla, të cilët madje jo rrallë i sheh dhe i dëgjon të angazhohen në gjithfarë aktivitetesh dhe “eventesh”, por që zgjedhin të mos flasin, edhe pse fjala e tyre do të kishte peshë dhe do të zinte po aq vend sa ajo e mjekut epidemiolog. Një pandemi, e cila vë në provë të rëndë të gjitha strukturat e shëndetit publik, nuk mund t’u lihet në dorë vetëm mjekëve, sepse nuk përbën vetëm sfidë mjekësore. Ajo kërkon kontributin edhe të specialistëve të ligjit dhe të së drejtave të njeriut, sa herë që bëhet fjalë për koercionin për vaksinim, kyçjen dhe karantinën; edhe të antropologëve dhe sociologëve, të cilët i kuptojnë më mirë se të tjerët implikimet e epidemisë në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe në funksionimin e institucioneve sociale; edhe të institucioneve të dijes në përgjithësi, të cilat duhet – e kanë për mision – të bindin publikun se politikat e menaxhimit të shëndetit publik janë të bazuara në shkencë dhe se marrëdhëniet e publikut me shkencën kushtëzohen rëndshëm nga besimi i të parit ndaj të dytës, dhe autoriteteve përkatëse. Vetë mjekët e vijës së parë në përballjen me virusin kanë dhënë tashmë prova të atij virtyti të rrallë që vetëm mjeku i mirë mund t’i japë; por është e pamundur dhe madje e padrejtë që t’u lihet mjekëve barra për ta bindur publikun se politikat shëndetësore të miratuara – përfshi karantinat, vaksinimet dhe koercionin në përgjithësi – janë ato të duhurat dhe të bazuara në shkencë. Tjetërkund në botë – veçanërisht në Perëndim – shoh e dëgjoj që ta thonë fjalën e tyre për pandeminë intelektualët publikë më në zë, filozofët, juristët, gazetarët, antropologët, sociologët dhe politologët; dhe jo në televizion, por në faqet e mediave serioze. E bëjnë sepse e shohin të nevojshme, por edhe si pjesë të angazhimit të tyre qytetar. Prandaj edhe tanët mbase duhet të provojnë të dalin nga guaskat e rutinës dhe të vetë-riprodhimit, për të rrezikuar diçka më tepër. Janë me dhjetëra mijëra ata që presin t’i dëgjojnë dhe t’i lexojnë.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin