Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

NGA KAFENEJA NË KAFE

Ka një familje të pasur emrash që shënjojnë vende ku shkojnë njerëzit për të pirë ose për të ngrënë diçka dhe për të kaluar kohën – të cilat i mbulon të gjitha fjala çati lokal. Lokalet dallojnë mes tyre nga lloji i gjërave që ofrojnë, nga oraret kur janë të hapura dhe nga tipare të tjera, përfshi traditën. Sot në Shqipëri shkohet zakonisht ditën në kafe, ndërsa në mbrëmje në bar; por ky dallim nuk u referohet vetëm orëve, por edhe llojit të pijeve që konsumohen – meqë në kafe shkohet zakonisht për kafe, ndërsa në bar për alkool. Në shqip kafe konkurron me kafene, duke qenë ky i dyti një ballkanizëm me prejardhje nga osmanishtja kahvehane: serbisht кафана, kroatisht kavana, maqedonisht кафеана, greqisht καφενείο, rumanisht cafenea: më shumë se për një huazim leksikor, kemi shtegtimin e një institucioni më tepër të urbanizmit osman, i cili njohu lulëzimin e vet në shekullin XIX, për të filluar pastaj rrokullimën, aq sa sot kafeneja shihet si vend në periferi të jetës sociale, si një sqetull në rrjedhë të lumit urban, një vend që ka zgjedhur t’i rrijë mënjanë qytetërimit; pa folur për konotacionin keqësues që ka marrë termi, duke iu bashkëlidhur dembelisë, dëshirës për të vrarë kohën, etj.

Ashtu edhe kafenesë ia zuri vendin kafeja (kafja) emërtim metonimik, me etimologji të ngjashme por me konotacion të ndryshëm; një emër që vendosi lidhje mes kësaj praktike sociale në Shqipëri dhe praktikave të ngjashme në Perëndim, si café-ja në Paris dhe gjetiu në Europë, një lokal që zakonisht i shoqërohet jetës së shpenguar në qytet; dhe ku shpesh nuk pritet që të shërbehen pije alkoolike. Kësaj café-je në italishte i përgjigjet termi bar, një vend ku italianët shkojnë për të konsumuar një espresso, një capuccino ose edhe një ushqim të lehtë, duke qëndruar në këmbë, ose të ulur në stola të lartë, të mbështetur në banak (angl. bar). Përndryshe, dhe pavarësisht nga modernizimet leksikore, kafeja në Shqipëri, si institucion i kohës së lirë, i ngjan ende më shumë kafenesë, se café-së europiane.

De-orientalizimi që u përshpejtua në Shqipëri, gjatë viteve të totalitarizmit, u përpoq ta zëvendësojë kafenenë me forma të tjera – që këtej edhe lulëzimi i lokaleve të tilla si pastiçeritë dhe ëmbëltoret, ku sërish shkohej për të pirë kafe; por edhe alternativa si pijetoret dhe, në kontekste specifike, klubi, që erdhi dhe emërtoi lokalin kryesor të një fshati, ose një lokal në një ndërmarrje a institucion, me natyrë eklektike, si vend ku mund të kaloje kohën e lirë. Kjo klub e ka origjinën në anglishte, por në shqipe mund të ketë hyrë nga rusishtja, bashkë me emërtime të tilla si klubi i gazetarëve, klubi i Ministrisë së Brendshme, klubi i shahut, duke nënkuptuar ndonjëherë, përtej lokalit, edhe bashkësinë e atyre që mblidhen aty rregullisht. Gjithsesi, klubi i fshatit ka qenë në çdo rast ekuivalent me kafen e lagjes sot, një vend ku takohen të njëjtët dhe ku përpunohet vetëdija e komuniteteve të vogla.

Një filxhan kafeje espresso mbetet sot e kësaj dite, përtej ujit të ëmbël, pija më e lirë në Shqipëri; dhe të shkosh në një kafe për të pirë një kafe është edhe mënyra më ekonomike për të vrarë kohën duke konsumuar simbolikisht diçka në një vend publik. Ka një dallim mes atyre që takohen për një kafe dhe atyre të tjerëve që takohen te kafja; të dytët janë më të rregullt dhe, çfarë duhet thënë, nuk kanë ndonjë arsye për t’u takuar, përtej dëshirës për të ndenjur bashkë. Ndryshe nga e përditshmja tipike në një vend perëndimor, ku qytetarët shkojnë në kafe në mëngjes, për të marrë kafeinë në forma të ndryshme, por si rregull vetëm dhe gjithsesi jo me synimin për të takuar dikë; dhe pastaj, pas pune, shkojnë në bar për t’u socializuar dhe për të pirë alkool, në Shqipëri shkohet në kafe për të kaluar kohën gjatë ditës – në orar të punës ose në orar të papunësisë. Kafja si praktikë sociale, tek ne, nuk shërben aq si hyrje në ditën e punës, sa si alternativë ndaj punës së përditshme. Kjo edhe ngaqë shumë prej atyre që shkojnë në kafe, e kanë pirë tashmë kafenë e parë në shtëpi.

Duke qenë kafeja pije energjizuese, njerëzit do të duhej ta përdornin për të nxjerrë gjumin dhe për gjallëri të shtuar; por në kafetë shqiptare shpesh ka përfunduar si pije zero, ose një produkt minimal, si në çmim dhe në kalori, ashtu edhe në veti psiko-stimulante, që vetëm sa shoqëron të ndenjurit së bashku gjatë ditës dhe ndihmon për të shmangur alkoolin. Tradicionalisht, shqiptarët kanë konsumuar kafenë turke, gjithë duke ndezur një cigare; ndryshe nga alkooli, kafeina nuk të shtyn që ta përqafosh tjetrin dhe as që të fillosh t’i qahesh; por mendohet si nxitëse e arsyes dhe e seriozitetit – jo më kot shërbehet edhe në kësollet. Megjithatë, sot shumë lokale sidomos në qytete shërbejnë espresso, të përgatitur me makina të posaçme, ndërsa kafeja turke konsumohet zakonisht në shtëpi. Italianët, që e kanë perfeksionuar espresso-n, të thonë se nuk është pije (bevanda) por thjesht një kënaqësi (piacere); ndryshe nga kafeja turke, që e ruan një farë lidhjeje me të përtypurit, edhe të mendimit.

Gjumi në vetvete është i shëndetshëm, por janë ca gjëra që nuk bëhen dot në gjumë; që këtej edhe nevoja për ta kaluar një pjesë të ditës zgjuar. Madje edhe të papunët dhe të ngeshmit e kanë të nevojshme të rrinë zgjuar për një farë kohe – dhe këtu kafeja ndihmon, qoftë edhe vetëm si placebo. Ka, megjithatë, diçka ironike në atë mizëri njerëzish që çdo ditë konsumojnë mijëra e mijëra filxhanë kafeje, për të mbajtur larg gjumin, në mënyrë që të vrasin kohën në biseda të ngeshme, që nuk janë veçse një formë e gjumit social. Për café-të në Francë, sidomos në vitet e Pasluftës, kanë thënë se, duke i mbledhur njerëzit bashkë, shërbyen si vatra të mendimit intelektual, veçanërisht të ekzistencializmit; kjo edhe ngaqë, në muajt e dimrave të ftohtë parisianë, Sartre-i & Co. nuk rrinin as punonin dot në shtëpi se u mërdhinte kurrizi, por detyroheshin të zbrisnin poshtë dhe të gjenin pak ngrohtësi në kafetë anës rrugës, dhe ashtu edhe takonin njëri-tjetrin dhe shkëmbenin mendime të holla. Por ky model nuk vlen për vende mesdhetare si Shqipëria, dhe aq më pak në rrethanat e ngrohjes globale; dhe fakt është që kafetë e Tiranës deri më sot u kanë shërbyer me zell intelektualëve për t’u ndenjur larg punëve.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin