Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

NJË ZË PËRTEJ EULOGJISË

nga Mikaela Minga

U shfaq një ditë në shtëpinë tonë. Ishte viti 1989. Dukej si i ardhur prej kurrkundit e njëherazi sikur kishte qenë aty, vetëm se kish munguar prej kohësh. E thërrisnim xhaxhi Maksi. Kështu e prezantoi im atë para meje dhe sime motre.

Iu “nënshtrua” menjëherë tekave tona fëminore, gjithmonë buzagaz dhe i gatshëm për të luajtur. Ngjante me gjigantin e madh të mirë, me trupin e bëshëm, kraharorin e gjerë dhe qëndrimin kryelartë.  Kishte një zë kumbues, por me një ton të qetë dhe të ëmbël. Në kokë mbante një kasketë të vogël, që ia fshihte pak fytyrën dhe sidomos flokët e rëna që nuk kishte fort dëshirë t’i dukeshin.

Xhaxhi Maksi nuk ishte një mysafir i zakonshëm. Dallohej nga afiniteti me tim atë, nga familjariteti që kishin prindërit me të; qenia e tij mes nesh, si njeri i shtëpisë. Në atë kohë, isha ende e vogël për të kuptuar çka mbartte me vete ky njeri. Edhe çastin kur “e morën”, fill pasi ra busti i Enver Hoxhës në Korçë do ta mësoja shumë më vonë. Jeta e tij do të më shpërfaqej pak e nga pak: me copëza rrëfimesh rreth kalvarit 16-vjeçar në burgjet e Spaçit dhe Burrelit; rreth arrestimit dhe ri-dënimit gjatë burgut; dy tentativat për vetëvrasje; punën në minierë, por edhe për miqësitë, ato shpirtëroret me Dom Simon Jubanin e Dom Nikollë Mazrekun. Pastaj ndodhitë e përditshmërisë, mësimi i gjuhëve të huaja që i bëhej spirancë mbijetese. Do doja t’i kisha regjistruar këto momente; për të fiksuar atë emocion të tijin gjatë rrëfimit, shpeshherë duke u ngritur më këmbë, sepse edhe trupi ngarkohej e donte të shprehej.

M’u shpërfaq nga vizitat në shtëpinë e tij të vjetër. Ishim në vitet’90-të, megjithatë ajo e ruante ende përkatësinë e dikurshme të një prej familjeve më të njohura tregtare korçare: shkallët e gurta, veranda impozante dhe dhomat e larta e plot dritë. Në ato vite, gëlonte nga zërat e njerëzve, shumë të sapokthyer nga vendet e internimit. Jetonin bashkë disa familje, por zonjë e saj mbahej Yli, nëna e tij. Shkodrania flokëbardhë kish një vështrim si të veshur nga lotët, ku bëheshin bashkë trishtimi dhe dhembshuria, durimi dhe përkushtimi.   

Ende sot mendoj se dëshira për të kuptuar më mirë të shkuarën komuniste, jetën në një sistem totalitar, njeriun, muzikën e tij nisi në mënyrë të pandërgjegjshme gjatë atyre viteve kur, gradualisht, fillova të zbuloja se prapa “xhaxhi Maksit”, gjigantit të madh të mirë qëndronte Sherif Merdani.

* * *

Sherif Merdani ngjiti suksesshëm skenën e këngës së lehtë rreth fundit të viteve ’60.[1] Kishte mbaruar shkollën pedagogjike në Korçë, duke spikatur si këngëtar në rrethe miqsh. Me dy prej tyre, Thanas Bicollin dhe Aleko Prodanin, mblidheshin më shpesh për të kënduar. Punoi mësues në fshatrat e Skraparit dhe, pas disa vitesh, fitoi të drejtën e studimit për histori-gjeografi në Tiranë. Në vit të dytë (më 1965) emri i djaloshit që dinte të këndonte mbërriti në dyert e Estradës. Filloi të merrte pjesë në spektaklet e fundjavës. Kjo i hapi rrugën drejt pjesëmarrjes në Festivalin e 4-t tek i cili iu caktuan këngët “Ne jemi tre”, “Valsi i lumturisë”, ku dublonte Vaçe Zelën dhe “Qeshu rini”.[2] Por, pas mbarimit të provës gjenerale i hiqet emri dhe zëvendësohet nga Avni Mula (te “Valsi i lumturisë”) dhe Qemal Kërtusha (tek “Ne jemi tre”). Shkak, sipas rrëfimit të tij, ishte reagimi tepër entuziast i publikut gjatë interpretimit të këngës “Qeshu rini” që nuk iu pëlqeu organizatorëve.

Do të kalonin disa vite – ndërkohë kishte përfunduar universitetin dhe kishte filluar punë si mësues gjimnazi në Librazhd – kur merr ftesë sërish për të interpretuar në Festivalin e 8-të. Bëhet fjalë për këngën “Shokë të pandarë” me muzikë të Agim Prodanit dhe tekst të Robert Shvarcit.

https://www.youtube.com/watch?v=mO5eGBUxraw

Me një emetim të relaksuar të zërit, edhe në kulminacione, Merdanit duket sikur çdo gjë i vjen natyrshëm. Për më tepër, këngën “e lezeton” me disa thyerje si, për shembull, kur i kthen parlato, regjistër të folur: dashurinë, miqësinë, si dhe prerjet që iu bën zanoreve në kulminacione. Kënga rimerr shumë modele nga Non son degno di te e Gianni Morandi-t (në melodi, harmoni dhe orkestracion).[3] Por, ka një frymë pak më marciale në orkestrim, çka konstraston bukur me melodinë sentimentale.  Poezia i përgjigjet standardeve të kohës: jeta e idealizuar e aksionit, njohjet dhe miqësitë e reja, megjithëse  kapim me pak vështirësi se për çfarë shokësh të pandarë është fjala.  Kënga nuk fiton çmim, por fakti që ai përzgjidhet për të interpretuar një kompozim të Agim Prodanit, emër eminent i këngës së lehtë na shtyn ta vendosim në zërat e kërkuar të kompozitorëve shqiptarë (sidomos të atyre që kishin peshë në përzgjedhjen e interpretuesit).[4]

Rrugëtimi i Sherif Merdanit drejt skenës së këngës së lehtë ndodh gjatë asaj periudhe që përjetohet si liberale dhe e hapur ndaj muzikës perëndimore. Merdani nuk kishte kryer ndonjë shkollë muzike, por siç ndodh shpeshherë me zërat e shenjuar, nuk është e thënë që edukata e institucionalizuar muzikore të shërbejë si kusht për të qenë muzikant. Trashëgimia familjare e kishte lënë gjurmën e vet te Merdani.

Sait Hoxha, këngëtari i njohur i ahengut tradicional shkodran ishte gjyshi i tij nga nëna. Megjithatë, zëri i të nipit nuk do të qëndronte në këtë “brumë” kënge, por do të projektohej drejt modernitetit  të muzikës së lehtë. Si një grishje fillestare për interesin e tij ndaj muzikës, ai veçon pllakat e gramafonit me këngë operistike (canzoni d’opera), mjaft popullore në vitet ’30 – ‘40 të shekullit të kaluar që, me shumë gjasë, e kanë orientuar drejt vokalitetit të këngëtarit lirik, dhe asaj lloj kënge tek e cila udhëheq melodia, çka ishte në themel edhe të këngës korçare.

Gjithsesi, e veçova këtë detaj të pllakave për të treguar se, një praktikë dëgjimi mund të shërbejë njëherazi edhe si përvojë të mësuari e të impostuari. Ndonëse Merdani vetë, i atribuon edhe fizarmonikës një rol thelbësor në formimin e tij si këngëtar, unë do të doja të ndalesha pak më gjatë tek kjo përvojë dëgjimi që bëhet referenciale. Me shumë gjasë, kjo ka vijuar ta pasurojë Sherif Merdanin edhe përtej viteve të fëmijërisë. Kam parasysh lidhjet shpirtërore e referenciale me muzikën italiane, me figura të tilla si Gianni Morandi, por sidomos me një artist konkret që ai e konsideronte si idhull: britanikun Tom Jones. Në ato pak vite popullariteti, ai pati kënduar disa këngë të tij, në koncerte live.

Në qoftë se do të përpiqeshim ta vendosnim Merdanin në një tipologji këngëtari, mund të themi se ai  është mjaft afër vokalitetit të një crooner-i. Megjithatë, kam rezervat e mia ndaj këtij përcaktimi.[5] I tiji është një vokalitet mashkullor, i cili pavarësisht timbrit të plotë në interpretim, vjen i butë dhe shumë intim në interpretim. Mbart elemente nga belcanto-ja, por të trajtuara në një formë shumë më “të lehtë”, le të themi, më “pop”. Melodia mbetet në plan kryesor, e shoqëruar me një arranzhim jo shumë të ngarkuar orkestral dhe herë pas here, pasurohet nga zëra të dytë (backing vocalist), që e mbështesin në mënyrë harmonike.

Në Amerikë një format i tillë u klasifikua brenda gjinisë “easy listening” dhe ishte veçanërisht në modë nga vitet ’40-të deri në fillim të viteve ’70-të.  Një rol jo të parëndësishëm, ndonëse jo gjithmonë vihet re, e luan mikrofoni. Nga një dëgjim i kujdesshëm i Merdanit, e kam fjalën për regjistrimet historike, vëren, krahas cilësive fonozhenike të zërit, edhe aftësinë e tij për të menaxhuar raportin mes zërit e mikrofonit.

Merdani arrin të kultivojë vetveten duke qëndruar në këto modele. Ma ka pohuar shpeshherë që këngëtari nuk mund të kopjojë zëra të caktuar, sesa të përvetësojë e të përshtatë teknika vokale. Konkretisht, ai e arrin këtë përmes kalimit shumë elastik mes regjistrave të ndryshëm vokalë, qartësisë në artikulimin e tekstit, të menaxhimit të kulminacioneve dhe artikulimit të zanoreve në regjistra të ndryshëm, si dhe përdorimit të një vibratoje të kursyer e të pranishme aq sa duhet. Rezultati është pikërisht kjo përmasë intime e zërit, tek e cila performativiteti i këngës duket si i natyrshëm. Nga një dëgjim i i vëmendshëm i këngëve të tij të asaj periudhe, kupton gjithashtu edhe veshin harmonik të tij në raport me vertikalitetin e melodisë, një aftësi të cilën jo të gjithë këngëtarët e zotërojnë. Ndërkaq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të afërt përmendin edhe kërkesat që ai kishte ndaj kompozitorëve për zgjidhje të caktuara brenda këngës. Për shembull, në rastin e “Portretit” të Aleksandër Lalos, ai sugjeroi që një linjë melodike e orkestrës t’i vihej këngës si zë back-vocalist-i.[6]

Merdani hyn në atë grupi këngëtarësh, që sillnin një zhvillim tjetër brenda të kënduarit të muzikës së lehtë, e cila krahas shkëputjes nga zërat lirikë operistikë mashkullorë – shkëputje që kishte filluar njëfarësoj me Tonin Tërshanën, Qemal Kërtushën, Besnik Taraneshin – prirej drejt një këngëtari me një zë melodioz, por intim e sa më spontan njëherësh. Kjo spikaste në mënyrë të përveçme te Merdani krahasuar me bashkëkohës të tjerë si, Vladimir Muzha, Nevruz Yzeiri, apo Zija Saraçi.[7]

Deri në fund të viteve ’60-të, zërat mashkullorë më “pop” në këngën e lehtë ishin ato të Qemal Kërtushës dhe sidomos ai i Tonin Tërshanës.  Në këtë pikë është interesante të shohim që Merdanin dhe Tërshanën i vendosnin gjithmonë ballë për ballë në festivale. Ata dublojnë të njëjtat këngë (“Mes jush”, në Festivalin e 9-të, “Këngën e nënës”, në të 10-in). Kjo pranëvënie zërash që timbrikisht janë të afërt të kujton atë mes Frank Sinatra-s dhe Bing Crosby-t. Të dy japin e marrin nga njëri-tjetri, një shkëmbim që në rastin e Merdanit mendoj se e ndikon edhe më shumë për të lëvruar atë karakteristikë intimiteti në të kënduar.

Festivali i 8-të i hap rrugën e plotë drejt suksesit. Në Festivalin e 9-të spikat me “Mes jush” dhe merr çmimin e tretë, ndërkohë që në të 10-tin është fitues i çmimit të parë me “Këngën e nënës”. Megjithatë, rrëfimet e spektatorëve për këtë edicion të çojnë te dueti “Ne të dy”, me Justina Aliajn, si një moment ikonik. Kënga me muzikë të Agim Krajkës dhe tekst të Agim Shehut “noton” plotësisht në rock ’n’ roll dhe dallohet për energjinë vallëzuese të saj. Kjo gjë e bën edhe disi sfiduese në interpretim, si për orkestrën, ashtu dhe këngëtarët, gjë që vihet re kur dëgjon regjistrimin direkt nga festivali.[8] Ky ishte edicioni i parë televiziv i festivalit dhe ata të paktë që kishin mundësinë ta shikonin në televizor, kujtojnë interpretimin e Merdanit dhe Aliajt jo të vendosur përballë publikut, por të kthyer me fytyrë nga njëri-tjetri, ndërkohë që Justina Aliaj mbante në dorë edhe një sister (tambourine).  Kjo lloj pranëvënie që shprish konvencionet standarde skenike përballë mikrofonit dhe publikut lidhej me tekstin e këngës që bënte fjalë për dy personazhe që kërcenin ballë përballë dhe midis tyre kish veç muzikë.[9]

Gjithsesi, përpos festivaleve, mendoj se një nga pikat më të forta të sukseseve të veta muzikore, sikundër edhe të përsosjes edhe më të madhe të këtij personaliteti vokal ishte partneriteti artistik me Kastriot Gjinin. Kam parasysh këtu disa këngë të Kastriot Gjinit që të marra së bashku të shtyjnë ta konsiderosh Sherif Merdanin si zërin e Kastriot Gjinit. Ai i interpretoi në spektaklet e Estradës, në Anketën Muzikore, si dhe në Festivalin e këngës: “Kartolina”, “Kabina nr. 3”, “A do vish sivjet në plazh”, “Duart e tua”, “Fqinja”.

Janë të gjitha këngë që mbajnë plotësisht përkatësinë pop; këngë të përditshmërisë; që luajnë me gjuhën e flirtimit, të detajeve shpesh krejt të zakonshme, por edhe të një gjuhe poetike më spontane, veçori që e dallonin Gjinin dhe kompozimet e veta. Në të gjitha rastet, këngëtari bëhet një me protagonistin e këngës. Luajnë përmes tekstit si ndodh, për shembull, me pyetjen: A do vish sivjet në plazh?, e cila shtrohet mbi një melodi që i ka krejtësisht të qarta referencat nga modelet e melodisë tradicionale të jugut, por që “brumoset” me të tjerë përbërës tingullorë. Këngëtari luan me regjistrat vokalë, duke i mëshuar pyetjes, ndërkohë që ritmi militant përzihet me atë rock ’n’ roll dhe krijon një atmosferë padurimi, insistimi. Harmonia është e thjeshtë, por efektet më interesante realizohen përmes aranzhimit (tingulli i organos elektrike, si Hammond që e gjejmë përgjithësisht te këngë të asaj kohe, tunxhi, back vocal-et).

https://www.youtube.com/watch?v=ZFx785iAa_w

Të gjitha këngët e sipërpërmendura i bën bashkë një lloj fryme rinie, e cila të kujton Beatles-at e hershëm me atë lloj optimizmi dhe energjie rinore dhe që lidhet me konceptin e “kulturës së rinisë” (youth culture). Kam folur edhe më parë për këtë, tek shkrimi për Françesk Radin, (https://peizazhe.com/2021/04/28/francesk-radi/), por dua t’i rikthehem sërish sepse jemi në të njëjtat “ujëra”. Ndonëse edhe një nga hitet e para të Radit mban emrin e Kastriot Gjinit, në rastin e lidhjes Gjini – Merdani,  kjo lloj kulture rinie shpërfaqet më e shtresëzuar dhe e lëvruar muzikalisht. Pra, modele që lëvizin nga rock ’n’ roll-i, te blues-i, te kënga italiane e viteve ’60-të me “të rinjtë” e saj; te easy listening e crooner-i, apo edhe te profile specifike këngëtarësh si Tom Jones, Elvis Presley, Gianni Morandi, Adriano Celentano. Dhe sërish dua të rikthej në vëmendje metaforën e “fëmijëve të rritur” të Fatmir Hysit mbi brezin e muzikantëve të fillim viteve ’70, që atë frymë spontaniteti dhe eksperimentimi të modeleve muzikore po e çonin nga mbrëmjet muzikore, tek estrada, tek anketat dhe sidomos te skena “serioze” e festivalit të këngës.

“Duart e tua”, e kënduar në Festivalin e 11-të ka një përkorje dhe pasuri harmonike, megjithëse melodizmi vazhdon të jetë udhëheqës. Kurse poetikisht (nga Agim Shehu), ajo është një lloj himni për duart e vajzës, si bartëse e të gjitha ndjeshmërive dhe, mbi të gjitha, të frymës tërësisht njerëzore brenda këngës së lehtë shqiptare.

https://www.youtube.com/watch?v=3-d0rbZszCY

Parë nga perspektiva e asaj çka erdhi pas Festivalit të 11-të, materialet e interpretuara atje përfaqësuan deri diku “këngën e mjellmës” për Sherif Merdanin. Brenda 4-5 vjetësh karriere muzikore, Sherif Merdani kishte artikuluar një repertor të vetin që, ndonëse sot nuk kemi të dhëna specifike për të vlerësuar sasinë e suksesit, prapëseprapë kanë rezultuar thelbësore për ta bërë atë një zë “të pakëndshëm” për diktaturën; një zë që, për më tepër, po e zhvillonte karrierën e vet duke qëndruar larg qendrës së muzikëbërjes. Merdani vazhdonte punën e tij si mësues në Librazhd, duke u marrë, ndër të tjera, edhe me pjesën e aktiviteteve muzikore aty. Në këtë pikë, merita që ky zë arrinte të shkonte kudo iu shkon transmetimeve radiofonike.

Këngët që ai interpretoi gjatë kësaj kohe tregojnë se kjo kulturë e rinisë po riformësonte disa procese të brendshme brenda muzikës së lehtë, procese që lidheshin me muzikën popular perëndimore, por që vinin të filtruara, duke fituar identitet. Në nivelin interpretativ ky është shembulli i Sherif Merdanit, këngëtarit të ndërgjegjshëm për statusin e vet me krijuesit e këngës dhe spektatorin, ndonëse, siç e pranon edhe vetë pas shumë vitesh, jo shumë “të kujdesshëm” për të kuptuar se ky popullaritet dhe suksesi i tij mund të rezultonin jo të pranueshëm për shtetin diktatorial. Reflektonte në bisedë rreth mungesës së  “autocensurës” dhe vetësigurisë se ajo çka kishte fituar e kishte bërë të paprekshëm. Prej kësaj rrjedh edhe autoironia e tij e, nëse Tom Jones, falë muzikës, nga minator u bë këngëtar, Sherif Merdani, për shkak të muzikës, nga këngëtar u bë minator.

Festivali i 11-të mund të ketë pasur rolin e vet në rrokullimën e ngjarjeve, por rasti i Sherif Merdanit të fton ta lexosh situatën me një vesh pak më të kujdesshëm dhe me sy më të vëmendshëm. Për këtë, ndihmojnë shumë edhe regjistrimet e tij historike në arkivin e Radio Tiranës dhe “fati” i tyre, pasi Merdani u arrestua. Normalisht, këngëtari duhet të “zhdukej” edhe nga transmetimi. Kësisoj, ato hyjnë në fondin e hequr të lehtë (FHL), prej nga do të dalin vetëm pas viteve ’90-të (kur për ironi, në po të njëjtin fond do të vendosej tanimë tipologjia e repertorit me referenca të drejtpërdrejta nga periudha diktatoriale). Teksa konsulton bobinat, vëren shënime të tipit: “Sekret Këngëtari dënuar” ose “Jo kënga dhe këngëtari.” Interesant ndër to janë të dhënat e kësaj bobine ku, me sa kuptohet nga shënimet me laps, është bërë një dëgjim nga komisioni në vitin 1986 dhe kënga është cilësuar si “jo-origjinale”, pra e papërshtatshme për t’u transmetuar.

Duke e integruar repertorin e tij në peizazhin tingullor të viteve diktatoriale, mund të vërejmë se nuk ishte vetëm kënga. Para së gjithash, ishte zëri të cilit kjo këngë i përkiste –ky emetim intim, i kënduar e ëmbël dhe e qetë – ai që ishte i papranueshëm për diktaturën. Duke perifrazuar Milan Kundera-n, zëri i Sherif Merdanit mbartte një lloj lehtësie të papërballueshme të dëgjimit, atë lehtësi për të cilën vetë muzika e përcaktuar si “e lehtë” është keqkuptuar shumë, historikisht, por që pikërisht nëpërmjet kësaj force lehtësie ka arritur të shoqërojë pazgjidhshmërisht jetët tona. Një “lehtësi” e tillë kishte përballë “rëndesën” muzikore të diktaturës dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për “kitsch”-in e saj muzikor, por për të gjitha format e shtrëngesave që shoqëronin qoftë muzikëbërjen, ashtu edhe dëgjimin e muzikës shqiptare.

Ky vokalitet mashkullor i lehtë, intim u largua nga skena prej Festivalit të 11-të. Ndërkaq, edicionet pasuese rikthyen bindshëm modelin mashkullor të këngëtarit lirik operistik, monumental kryesisht, ose atë që nuk e komprometonte formatin agjitativ të këngës së lehtë. Edhe ata që sillnin një lloj thyerjeje – kryesisht gjatë gjysmës së dytë të viteve ’80 –  prapëseprapë nuk arritën dot të ndryshonin këtë lloj standardi.

Sherif Merdani iu rikthye skenës pas viteve ’90 me disa këngë. Nga këto, do të veçoja baladën “Se kënduam Let It Be”, një dedikim biografik që autorët Zhuljana Jorganxhi dhe Luan Zhegu krijuan mbi jetën e tij, baladë që sot mund të merret parasysh në analizën e atij repertori, i cili u krijua në ato vite pragu e kalimi.

https://www.youtube.com/watch?v=MXQxxmafwAs

Gjithsesi, ky mbetet një rikthim që ashtu si emra të tjerë, kërkonte të rilidhte fijet e shkëputura me muzikën festivalore dhe skenën në përgjithësi, por pa mundur të risjellë veçse një jehonë nostalgjike të atij zëri të lehtë e komunikativ që jetëzoi në mënyrën e vet origjinale këngën e lehtë shqiptare në fillim vitet ’70-të.

* * *

Ngjarjet rrodhën të tilla që takimi im i fundit me Sherif Merdanin të ishte në funddhjetorin e vitit 2019. Sapo kishte përfunduar Festivali i këngës në RTSH, tek i cili kisha qenë anëtare jurie. Mënyra ime e vlerësimit u bë shkak kritikash, duke u shoqëruar edhe me një fushatë haters-ash, me një gjuhë urrejtjeje të pashembullt. Dhe ardhja e tij në shtëpi në vazhdën e kësaj ngjarjeje, m’u duk shumë kuptimplotë, aq më tepër që edhe e kisha menduar herë pas here, gjatë festivalit. Sot, teksa mendoj atë takim të fundit me gjigantin e madh të mirë dhe jam e mbushur me zërin dhe këngët e tij historike, gjykoj sërish fatin e madh që ka njeriu që të ketë njohur nga afër artistë të tillë. Kanë ç’të të mësojnë mbi të vërtetat. 

© 2021 Mikaela Minga. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Për realizimin e këtij shkrimi kam bërë bashkë një sërë bisedash personale me Sherif Merdanin të zhvilluara kohë pas kohe. Thelbësore kanë qenë edhe kujtimet e Josif e Diana Mingës, si dhe disa miqve të tij të afërt. Prej tyre veçoj: Lirika Bicollin, Luljeta Gërmenjin, Spartak Gjinin, Luan Zhegun. Po kështu më kanë ndihmuar edhe dy regjistrime video në Youtube. Këto janë:

https://www.youtube.com/watch?v=WcL-5LY6cfI&t=2399s

https://www.youtube.com/watch?v=7qY1vlSyh-A

Për regjistrimet muzikore i jam referuar materialeve që zotëron arkivi i RTSH-së. Shpreh mirënjohje për drejtorin e Arkivit, z. Devis Xhaja, si dhe përgjegjëset e fonotekës së Radio Tiranës: Santana Xheladinin e Juliana Samarxhiun.

Falënderoj gjithashtu Josif Mingën, Jessie Hong-un, Joana Mingën dhe Blerina Shalarin për diskutimet frymëzuese në analizat e këngëve, si dhe Aida Baron për leximin e kujdesshëm.

[2] Deri në Festivalin e 11-të këngët interpretoheshin nga dy artistë.

[3] Dhe është me interes të vërejmë këtu se kënga është orkestruar nga Ennio Morricone, që në atë kohë punonte për etiketën diskografike RCA Italia.

[4] Në një intervistë të vetën, Merdani ia atribuon këtë ftesë Zhani Cikos dhe Nikolla Zoraqit, të cilët sipas tij u kujtuan për ta thirrur. Nikolla Zoraqi ishte udhëheqës artistik në festivalin në fjalë, si dhe ata vijues, deri tek i 11-ti.

https://www.youtube.com/watch?v=WcL-5LY6cfI&t=2399s  (00: 22: 53)

[5] Ndër shembujt më ikonikë të crooner­-it konsiderohen Frank Sinatra e Bing Crosby, Nat King Cole etj. Edhe Tom Jones për një farë kohe iu afrua këtij modeli, Gjithsesi, shumë prej tyre – Sinatra dhe Crosby për shembull –  nuk është se identifikoheshin edhe aq me këtë lloj përcaktimi. Këtu po e përdorur në kuadër analitik dhe krahasues, brenda zhvillimeve globale e lokale të këngës.

[6] Falënderoj Josif Mingën për këtë detaj.

[7] Në këtë linjë zërash “pop” hyn edhe Dorian Nini, i cili kishte një cilësi të veçantë vokali, por ngjarjet e Festivalit të 11-të nuk ia mundësuan zhvillimin.

[8] Në Youtube qarkullon variant i dubluar i këngës nga Kleopatra Skarço dhe Nevruz Yzeiri, të cilën po e vendos për ilustrim këtu.

https://www.youtube.com/watch?v=YjcezOo_WBQ

[9] Nga bisedat që kam bërë me të, Merdani ia atribuon këtë zgjidhje skenike, Justina Aliajt e cila sipas tij e kishte këtë lloj vokacioni spektakli dhe atij iu duk shumë tërheqëse për ta bërë së bashku.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin