Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime

KARUSELI

nga Castigat

Ka një karusel në Prospect Park, modest madje pak të frikshëm, me sytë e ngrirë të kuajve prej druri dhe atmosferën si prej filmi të Hitchcock-ut. Prindët çojnë atje fëmijët, ndonjëherë tejet të mitur, dhe bëjnë sikur nuk e vënë re tmerrin në sytë e të vegjëlve.

Dje ishim ulur në një nga stolat përreth karuselit, për të marrë pak diell; dhe si pa e kuptuar, filloi të më kaplonte një siklet, si zënie fryme ose parandjenjë e një katastrofe, e ngjashme me boshllëkun e një bubullime që ti e pret të bjerë pas rrufesë, por që nuk bie.

E keqja më vinte nga karuseli, që sillej rrotull e rrotull, me dy-tre fëmijë të mbërthyer paq pas shufrave metalike dhe errësirën poshtë tendës, që ma bënin edhe më kërcënuese syzet e diellit.

Një siklet, që angështi, një e keqe që duhej dëbuar duke ia thënë emrin. E kuptova pastaj se më vinte nga muzika që përcillnin çjerrë altoparlantet e karuselit, dhe që supozohej të ofronte sfond të hareshëm për udhëtimin e fëmijëve mbi drunjtë lëkundës.

Kjo melodi e luajtur me bandë frymore, nga një bandë e lodhur e një shkolle të lodhur më tingëllonte aq e njohur, sa e dija se vetëm identifikimi do të më shpëtonte nga tortura. Zura ta këndoj me vete, ta zhvesh nga rreckat që ia kish hedhur përsipër arranzhimi për bandë; m’u duk se e gjeta, nuk e besova, pastaj m’u desh ta pranoj se ajo ishte, njëlloj siç pranon fajin i torturuari, për t’i dhënë fund dhimbjes.

Kënga S.O.S. e Abba-ve, e luajtur keq, nga një harmonium kërkëllitës diku në Kiev a në Plovdiv, në mos nga një bandë frymore e një instituti korrektimi në Danzig; derdhur drejt nesh nga altoparlantë të mbushur me një konfuzion kandrrash, pezhishka të tkurrura dhe mumje brumbujsh të rreshkur.

Nëse duhet besuar që gjallesat e egra njëfarësoj e përjetojnë edhe ato muzikën, kjo do ta shpjegonte për bukuri pse gjelbërimi në këtë krah të parkut nuk hedh dot shtat si gjetiu; administratës së parkut i duhet që t’i spërkatë me prozak favella-t e chipmunk-ëve, që t’ua stimulojë këtyre dëshirën për të dalë nga vrimat.

Më shkoi në mendje se njeriu vjen e mësohet që vende të tilla ku argëtohen fëmijët, anembanë botës, t’i shoqërojë mendërisht me një kolonë zanore si kjo, që ka për efekt t’i jetërsojë të gjithë ata që janë gënjyer dhe i janë afruar, duke ua maskuar makthin me festivitet entuziast.

Të kapur mes dy lëvizjesh, rrotullimit dhe ulje-ngritjes; të ngecur në heshtjen e shurdhuar nga muzika, si flutura në qelibar, hipur në poni, në kuaj dhëmbëjashtë, okapi dhe zebra me bluza të Juventusit, udhëtarët e karuselit me siguri nuk e dinë që po imitojnë stërvitjet rituale të kalorësve në Mesjetë, luftëtarë statikë që ndjekin njëri-tjetrin, pa e arritur dot; të varur siç janë, kuaj e kalorës bashkë, nga rrezet e rrotës së tavanit.

Ka diçka të përzishme prej cirku te kjo muzikë që vërtitet bashkë me karuselin, diçka prej një traume të hidhur por të ndrydhur tashmë në nënvetëdije, diçka që të mallëngjen si fytyrë klouni pasqyruar dridhshëm në një pellgaçe, diku në një djerrinë parkimi në të dalë të qytetit, mu kur cirkut shëtitës po ia mbështjellin çadrën, se i ka skaduar licenca; teksa klouni nuk resht dot së përsërituri, mekanikisht, rutinën e vet të përnatshme, viktimë e një tiku neuromotor rraskapitës.

Siç ka diçka, po aq të përzishme, prej bordelloje të dekomisionuar, që rri e pret – ditë pas dite e ngrirë në pluhurin e makijazhit të vet antideluvian – që të vijnë demolitorët, për t’ia shkallmuar, me nofullat prej shtaze, dekorin, nevojtoret bojërozë dhe palimpsestin e letrës së murit Belle Époque.

Më duket vetja sikur jam kthyer në atë moshë kur fjala rokoko më bënte për të qeshur.

Mbyll sytë dhe bartem me mendje te një kënd tjetër lojërash, me harmonium dhe karusel, me kuaj me brirë dreri dhe kukulla të tjera surreale që ngrihen dhe ulen, si barkat në një mol të trazuar. Mundohem të shpjegoj pse këto struktura dhe skena që më përhihen, janë kudo njëlloj, me fantazmagori bojërash marzipani, bareliefesh karameli, figurinash porcelani aq sa të kesh frikë mos i thyen pa dashje… kudo njëlloj, si të riprodhonin një formulë, një namatisje, një ritual iniciatik të nevojshëm.

Më fanitet kjo pamje dhe them me vete: Mitteleuropa, e filtruar përmes imazherisë së Wes Anderson-it të The Grand Budapest Hotel.

Ky karusel që mahnit me pamjen prej torte në një vitrinë festive synoka pra të ngashënjejë jo fëmijët, por gjyshërit që vijnë këtu në Prospect Park për të sjellë nipat dhe mbesat – zakonisht imigrantë që ende kërkojnë kuturu Botën e Vjetër, për t’ia treguar trashëgimtarët.

Dhe sa për S.O.S.-in e Abba-ve, atë e lëshojnë doemos të vegjëlit, për ata që kanë veshë t’i dëgjojnë.

 

© 2021 Castigat & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin