KORÇA SHORT FILM: MBRESA FESTIVALI

nga Mikaela Minga

Në datat 7 deri në 10 korrik u zhvillua në Korçë festivali i filmit të shkurtër – Korça short film festival, tashmë në edicionin e tretë të tij. Konkurruan 35 filma në disa kategori: filmi ndërkombëtar, ai kombëtar, filmi i studentit dhe filmi VR (Virtual Reality). Secila prej tyre u vlerësua me çmim, krahas çmimit të madh të festivalit për filmin më të mirë, si dhe çmimit të audiencës, zgjedhur nga spektatorët.

https://korcashortfest.com/program/

Festivali i filmit të shkurtër qëndron pak më vete si tipologji. Kjo ka të bëjë me specifikat e ekonomisë së shkurtësisë dhe e estetikës së saj. Gjithsesi, tek kjo lloj shkurtësie pulson esenca e vetë kinemasë si art, kulturë, por edhe si filozofi. Ndaj, duhet një lloj sprove paraprake me këtë film, një rit kalimi. Ky rrugëtim zbulimi prek qoftë ata që e bëjnë filmin, ashtu edhe ata që janë spektatorë të tij. Nga ana tjetër, fakti që filmi i shkurtër jeton posaçërisht përmes festivaleve i jep një status disi të përveçëm kësaj ngjarjeje dhe përbën ndoshta hapësirën kryesore ku performanca e këtij riti përmbushet në mënyrë më të plotë.

Një e veçantë e këtij festivali është hapësira e posaçme që iu jep studentëve dhe filmave të tyre. Në fakt, festivali ka lindur nga një premise e tillë. Fillimisht, ai u konceptua si First Step Film Festival, nën drejtimin e Gledis Bicës, i cili, duke qenë edhe vetë student bëri bashkë në 2010 një rreth kineastësh dhe kinefilësh të rinj me dëshirën për të krijuar një hapësirë njohjeje, shkëmbimi përvojash dhe sidomos përballjeje me spektatorin, matanë kuadrit shkollor. Kam pasur rastin të ndjek disa nga këto edicione, të zhvilluara në Tiranë më 2015, 2016 dhe 2017, duke çmuar cilësinë e filmave, larminë e gjuhës filmike dhe sidomos energjinë krijuese që gjeje brenda tyre.

Për të gjitha këto arsye e mirëprita me ngazëllim lajmin se Festivali do të transferohej në Korçë, në 2018, duke e zgjeruar tanimë fokusin dhe duke përfshirë edhe kategori të tjera brenda kupolës së përgjithshme të filmit të shkurtër.

Gledis Bica e lidhi këtë me synimin për t’i ikur Tiranës dhe natyrës qendërzuese të ngjarjeve kulturore të saj, çka shpesh bën që aktivitete të veçanta dhe shpesh cilësore të humbasin brenda shumësisë vibruese të eventeve kryeqytetase. Këtij synimi Bica i shtoi edhe dëshirën për të pasur jo thjesht një publik për festivalin, sesa për të krijuar një komunitet të mirëfilltë me filmin dhe rreth tij që të identifikohej me qytetin.

Mirëpo, si shumë gjëra që u trazuan ndjeshëm nga pandemia, vitin e kaluar, edicioni u zhvillua online. Kurse edicioni i sivjetshëm, po për shkak të masave parandaluese, u desh të kufizohej në aktivitete (punëtori, konferenca, leksione të hapura) dhe të ftuar nga jashtë Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, pjesa e filmit, fakti që numri i aplikimeve për pjesëmarrje i kishte kaluar pritshmëritë dhe festivali vazhdoi ta ruante atë cilësi programacioni që e pati dalluar edhe në vitet e tjera me filma që datonin në trevjeçarin e fundit dhe disa shfaqeshin për herë të parë në Ballkan ishin, besoj, treguesit më kuptimplotë të vazhdimësisë dhe seriozitetit të këtij projekti.

Në një nivel më personal, do doja të veçoja gjallërinë dhe dinamizmin që karakterizon ngjarjen artistike publike, bashkë me një sërë ndodhish, momentesh, përjetimesh që dy vjet më parë ishin një normalitet që nuk vihej re. I vendosur në një oborr karakteristik si ai i Muzeut Arkeologjik të qytetit, marrëdhënia me filmin bëhej menjëherë shumë e afërt dhe intime – ndërkaq, veshi kapte komente nostalgjike të spektatorëve për të dikurshmen kinema verore që korçarët e kanë pasur fort për zemër. Në suazën e kësaj atmosfere përsiatjesh, fjalësh të hedhura në ajër, aroma lulesh që merrnin pak frymë në freskun e muzgut dhe lagështinë e avllive të vjetra, ndërsa zogj e insekte fluturonin rrotull duke u ndriçuar çuditshëm nga drita projektorit, hyn filmi. Dy të parët duket se zunë vend me këtë atmosferë: Pipo and the blind love nga Hugo le Gourrierec (Francë) dhe Where are you now nga Eneos Çarka (Shqipëri). I pari, një rrëfim poetik-muzikor që, në gjurmët fantastiko-përrallore të George Méliès-ë, përjetësonte emocionalitetin njerëzor në një botë gjithnjë e më të automatizuar dhe të racionalizuar; ndërsa i dyti, me copëza personale të botës nën pandemi, zëra telefonatash që japin e marrin me izolimin dhe që  kombinohen vizualisht me një realitet virtual videogame-i GTA5 ku jeta “vazhdon” në normalitet.

Filmi sjell njëherazi botë dhe mikrobotë; rrëfen universalen, aq edhe specifiken, çka për çdokënd që kryen atë rit kalimi që përmenda më sipër kthehet në një rrugëtim për të pasuruar veten dhe komunitetin (qytetar, studentor, atë të kineastëve, etj). Pa dashur t’u hyj në hakë tipologjive të tjera të festivaleve dhe faktit që ndodh që të bien peng i performativitetit e qokave të ndërsjellta –  festivali i filmit uroj të përfaqësojë një ngjarje artistike e kulturore jetëgjatë të qytetit, sepse i ka mundësitë që të lidhet me ato vlera e cilësi që i kanë dhënë kulturës korçare statusin e qytetarisë.

© 2021 Mikaela Minga. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin