Lexoja një ditë një shkrim për “hyjnitë pellazgo-ilire”, nga Zeusi dhe poshtë dhe ngeca te pasazhi ku autori shfrynte kundër disa institucioneve publike, përfshi edhe Akademinë. Ngeca por nuk u habita. Shfryrje të tipit “Ku është Akademia?”, “Pse fle Akademia?”, etj. vijnë si mbyllje të detyruara të çdo shkrimi të themeluar në paranojën kombëtariste ose, më gjerë, konspiraciste. Shqipja gjuhë kozmike: ku është Akademia? Hyn njëri me kamera te një gufë me eshtra njerëzish: ku është Akademia? UFO-t i kanë parë në Tomor: ku fshihet Akademia? Orakulli i Dodonës fliste shqip: po Akademia pse flet sllavisht? Homerin po e lexojnë me anë të shqipes: ç’bën Akademia? Shqiptarët nuk i prek COVID-i: pse hesht Akademia? Gati-gati, të krijohet ideja sikur për një takëm njerëzish – dhe që nuk janë tërësisht analfabetë – Akademia duhej të ishte ky institucion i çuditshëm, diçka si një lloj sekti priftërinjsh të rreptë, të cilët të gatuajnë dita-ditës gjithfarë narrativash dhe mistifikimesh lidhen me lashtësinë apo unicitetin shqiptar. Kërkesa dhe pretendime të tilla nuk para dëgjon t’u dërgohen katedrave albanologjike në universitet – gishti mbetet i drejtuar për nga Akademia, ndoshta sepse në imagjinatën e cave – që nuk janë fare të paktë – atje banojnë pleq të dijshëm; dhe që nuk flasin, sepse me siguri i paguan “serbi” që të mos flasin. Pritet, prej kësaj Akademie të imagjinuar, që të kujdeset për çdo fantazi patriotike të njërit a tjetrit, madje sa më profan të jetë ky, aq më mirë, sepse “i flet zemra”. Një inxhinier urash që vihet të zbërthejë mbishkrimet arkaike të Kretës? Është e vërteta që më në fund po del në dritë. Një mësues gjeografie që i nxjerr gjuhët indo-europiane si të prejardhura nga “gegnishtja”? Ca gjëra sot nuk mund të fshihen më. Një oficer në pension që ka lexuar Malte-Brunn-in? Mjafton të kërkosh. Alternativët, konspiracionistët, spekulantët dhe tuhafët tani i ftojnë rregullisht në biseda televizive me shikueshmëri të lartë, duke i legjitimuar si “dijetarë” madje “të persekutuar”: fillojnë pastaj të elaborojnë këta lirshëm për piramidat, egjiptianët, shumerët, Biblën, Luftën e Trojës, sanskritishten, etruskishten, sardishten, hiperborealët, arianët, tregojnë harta sekrete dhe fotografi nga “Arkivat e Vatikanit”, në praninë e gazetarëve intervistues që nuk kundërshtojnë, sepse o nuk kuptojnë asgjë, o kuptojnë gjithçka; dhe në fund të këtij spektakli në thelb dëfryes-komik, sërish do t’ia behë pyetja: Pse nuk merret Akademia me këtë punë? E ndjekur nga shpjegimi përkatës: Akademia hesht, sepse ashtu e kanë udhëzuar. Sepse e kanë uzurpuar. Akademia qëllimisht i ka groposur e varrosur këto vepra dhe gjetje. Akademia i ka shpallur këto gjëra tabu. “Fjalori i Akademisë” e ka nxjerrë 80% të shqipes të prejardhur nga serbishtja. E kështu me radhë.
Çdo kulturë që mëton të jetë racionale do të shoqërohet, në kontekst, fenomene psikotike: teori alternative, teori komploti, paranoja. Aq më tepër në ditët tona, kur efektet anësore të dijes i gjen të nyjëtuara lirisht në Internet, është pjekur edhe tek ne ideja se, ata që nuk e kuptojnë shkencën sepse kushedi nuk kanë përgatitjen e duhur ose kuriozitetin e nevojshëm, gjithnjë mund të përqafojnë vizione alternative dhe t’i mbrojnë ato në publik, në emër të pluralizmit: “është e drejta ime të mendoj ndryshe nga ti.” Por në këtë atmosferë ku lulëzojnë njëqind lule dhe mbijnë njëqind kërpudha, Akademia thirret në muhabet si autoriteti suprem, që u dashka futur në lojë në emër të kombit, ose “për atë flámur”; me synim legjitimimin e çdo paranoje dhe çdo megalomanie kombëtariste. Modeli për këtë lloj Akademie nuk mungon: edhe pse u vjen turp ta thonë, shumë nga kombëtaristët tanë e admirojnë “akademinë serbe” (ashtu siç e njohin), për angazhimin e saj të plotë serbomadh dhe në favor të spastrimit etnik të shqiptarëve: ja një Akademi vërtet kombëtare, që nuk është kursyer, për t’i dalë zot popullit të vet! Ja pra serbët, ja madje edhe grekët, që po i fshijnë arvanitët nga hartat demografike si me gomë: Po këta tanët pse rrinë e vështrojnë?
E vërteta është që një pjesë e madhe e këtyre fjalëshumëve, përfshi edhe ata që janë thjesht tifozë të certifikuar të futbollit kuqezi, nuk e kanë të qartë se ç’bën dhe ç’duhet të bëjë Akademia; dhe për këtë një farë përgjegjësie e ka edhe Akademia vetë, që ndonjëherë e nënvlerëson opinionin e të painformuarve e të paditurve dhe dëmin që mund t’i sjellë opinioni negativ, në afat të mesëm dhe në afat të gjatë. Mund të jetë pak e zorshme, që të argumentosh seriozisht kundër atij që ngrihet dhe të thotë se shqipja është gjuhë kozmike dhe se formulat e relativitetit të Einstein-it i gjen të trupëzuara në strukturën morfologjike të fjalës shqipe – por injorimi deri më tash nuk ka rezultuar politika më e mirë. Të paktën në rrjetet sociale dhe sidomos në brezin e ri të mëkuar intelektualisht online, opinioni dhe respekti për Akademinë ka arritur një pikë papranueshëm të ulët.
Si mund të kundërshtohet kjo? Me sa duket arsimimi i përgjithshëm nuk mjafton – meqë burimet e informacionit sot nuk mund t’i mbash nën kontroll dhe as t’i përzgjedhësh. Dija alternative, duke qenë shpesh e thjeshtë, tërheqëse dhe paranojake, e gjen më lehtë rrugën drejt mendjeve se dija e mirëfilltë, që ndonjëherë kërkon vite për t’u përvetësuar. Një njeri çfarëdo, ta zëmë një hidraulik ose bukëpjekës, do ta kuptojë teorinë se grekët ua kanë vjedhur perënditë shqiptarëve më mirë e më shpejt se ç’mund të rrokë historinë e fesë së indo-europianëve. Çështja mirëfilli këtu është se ç’e shtyn hidraulikun ose bukëpjekësin, të interesohet për zanafillën e Olimpit grek; dhe një përgjigje për këtë do të ishte nevoja ende e gjallë për një narrativë kombëtare ngushëlluese, e cila të shpjegojë pse shqiptarët kanë mbetur prapa në mes të Europës (përgjigjja paranojake: “nuk na kanë lënë të tjerët të zhvillohemi”). Por vetëm kjo përgjigje nuk mjafton, sa kohë që nuk kemi faktorizuar fenë, e cila mes nesh përfundon gjithnjë e përdorur si instrument identitar.
Prej Akademisë të shumtë janë ata që ende presin që të luajë rolin e një kryetempulli të fesë kombëtariste – duke u dhënë shqiptarëve jo dije, por ngushëllim dhe shpresë. Dhe nëse është kështu, atëherë kjo provon se Akademia, bashkë me institucionet e tjera të dijes, kanë dështuar në misionin e tyre themelor, që do të ishte ndriçimi i mendjeve.
Por sot armiku kryesor i Akademisë, dhe jo vetëm i Akademisë, nuk është padija por pseudo-dija, e cila ka gjetur truallin e vet të përshtatshëm në Internet, ose tek ajo hapësirë ku gjithçka është produkt dhe pasojë e një zgjedhjeje, madje edhe e sidomos kur mendjet nuk janë gati që të zgjedhin. Prandaj edhe Akademia, edhe institucionet e tjera të ngjashme, nëse duan vërtet ta ndryshojnë perceptimin e “brand-it” akademik dhe reputacionin e dijes dhe të racionalizmit në publik, janë praktikisht të detyruara të fuqizojnë praninë e tyre online, duke e vënë teknologjinë e komunikimit në punë, kundër pseudo-dijes.
Një avantazh i madh, që Akademisë i ka mbetur në këtë konflikt, është se alternativët – që nuk janë pak dhe nuk kanë pak ndjekës dhe admirues – ende i apelohen autoritetit të saj, qoftë edhe vetëm me pyetjen ankimtare “ku është Akademia?” që e përdorin si epilog të pretendimeve të tyre. “Ç’bën Akademia?”, “Pse hesht Akademia?” dhe versione të ngjashme të këtij shqetësimi, tregojnë se shumë nga këta që kërkojnë shtigje të reja, ende kanë nevojë që të legjitimohen nga Akademia; paçka se, në kontekstin e pakënaqësive të tyre, “legjitimohen” shpesh nuk është veçse një fjalë hijerëndë për “begenisen”. Kjo vlen edhe për ato raste të tjera kur diskursi i fortë pellazgjik dhe megalitik u vlen si prelud drejt diskurseve të tjera, edhe më të çuditshme, si ato për reptilianët, projektet për zhdukjen e popullsisë botërore dhe synimet okulte të vaksinave. Në realitet, çfarë i bën bashkë “alternativët” nuk është ndonjë doktrinë ose ideologji specifike, dhe aq më pak “atdhedashuria”, por vënia në dyshim e autoritetit të dijes dhe të institucioneve përkatëse, që deri dje shërbenin si udhërrëfyes drejt së vërtetës.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.