Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Përkthim

I TRETI NË PËRKTHIM

Këto ditë dëgjova se një përkthyes yni – mjaft i njohur – ka filluar të punojë kështu: ua jep studentëve tekstin për ta përkthyer në dorë të parë dhe pastaj ky vetëm sa i kalon një dorë të fundit, për ta lëmuar gjuhësisht dhe stilistikisht. Meqë nuk besoj se emrat e studentëve përmenden pastaj si ndihmës-përkthyes, praktika po më duket disi joprofesionale, në mos imorale dhe shfrytëzuese.

Nuk di sa e vërtetë është kjo, por di që përkthyesit, për të fituar kohë dhe pará por edhe për ta zgjeruar biznesin e tyre, që t’i bëjnë ballë kostove në rritje të jetesës, bëhen shumë krijues në metodat e tyre të punës. Ka qenë një i famshëm, në vitet 1970, që u diktonte 2-3 daktilografisteve, njëkohësisht, material të përkthyer nga 2-3 tekste të ndryshme; dhe nuk më duket çudi që të ketë përkthyes edhe sot që ta përdorin diktimin si metodë pune efikase, me kusht që edhe pala tjetër të ndihet e lumtur dhe profesionalisht a njerëzisht e përmbushur.

Di edhe që, para se të hynin në lojë kompjuterët, shumë daktilografiste profesioniste i ndreqnin rregullisht tekstet me të cilat punonin, përfshi edhe tekstet e diktuara; në kuptimin që përkthyesit viheshin të konkurronin mes tyre, për të gjetur daktilografistet më të mira.

Çfarë më intereson në këtë mes është përfshirja e një të treti (si person ose si subjekt thëniezimi), shpesh anonim, në procesin e përkthimit; dukuri me interes edhe për semiotikën e tekstit, sa kohë që ka studiues që flasin për praninë infratekstuale të subjektit përkthyes në tekstin e përkthyer, krahas zërit të autorit.

(Hetim më vete do të meritonte natyra e Google Translate si i tretë i fshehur. Ndoshta i tretë i fshehur kolektiv.)

E gjithë kjo në kornizën teorike të një analize të zërave në tekst, sipas teorisë polifonike të Bakhtin-it. Kështu do të ishte me interes të gjurmohej – ta zëmë te përkthimi në shqip i Njeriut që qesh – polifonia dyzërëshe e autorit Victor Hugo dhe e përkthyesit Bujar Doko. Një zë i tretë, i ndërmjetësuesit, do ta komplikonte analizën keqazi.

Studiuesit e përkthimit poetik anglisht flasin ndonjëherë për teknikën e interlinear trot, që do të ishte parafrazimi, në prozë, i tekstit origjinal – një lloj përkthimi literal. Ky lloj përkthimi ka qenë përdorur dhe ndoshta ende përdoret në klasat e latinishtes dhe të letërsisë latine.

Ja një shembull i një interlinear trot i Metamorfozave të Ovidit, në anglisht:

Përtej studimit të letërsisë antike në shkolla, kjo praktikë u zhvillua tej mase në Bashkimin Sovjetik, në kontekstin e nevojës masive për përkthime letrare nga gjuhët e pakicave kombëtare.

Termi rusisht për interlinear trots është podstrochniki.

Një numër poetësh të mëdhenj sovjetikë, përfshi këtu edhe Pasternakun, “përkthenin” nga gjuhë të vogla, të rralla dhe për ta krejtësisht të panjohura, duke përdorur si pikënisje përkthime literale të përgatitura nga persona të tretë.

Këta persona të tretë ishin dy-gjuhësh kompetentë, që ishin në gjendje të përftonin një version paralel, në rusisht, të tekstit origjinal, pa e vrarë mendjen për efektin “poetik”, i cili shtohej pastaj nga përkthyesi titullar.

Jo rrallë, ishin autorët e këtyre poezive në gjuhë të rralla, që u jepnin “përkthyesve” finalë versione interlineare të teksteve të tyre. Kështu të gjithë fitonin – gjithë duke pasur parasysh se një “përkthim” i poezisë sate nga Pasternaku do t’i jepte lavdi jo vetëm këtij të fundit si përkthyes suprem, por edhe ty vetë, ngaqë një i madh si Pasternaku kish denjuar të të përkthente.

Punën e përkthyesit që punon me tekste interlineare, pa e njohur gjuhën burim, e kanë quajtur edhe “përkthim intuitiv”.

Një përkthyes dhe studiues i kohës, Mark Tarlovskii, ka shkruar se dosja e materialit për përkthyesin final duhet të përmbante: 1) një manual të gjuhës (një përshkrim të gjuhës burim); me të dhëna për alfabetin, morfologjinë, metrikën (për poemat); 2) fjalorë vajtje-ardhje; 3) tekstin origjinal plus një transkriptim me të dhëna për thekset, rimat, strofat, aliteracionin, etj.; 4) një karakterizim të autorit dhe veprës së tij; 5) dy versione interlineare: njëri sa më i saktë, edhe pse jo i kuptueshëm; dhe tjetri i kuptueshëm, por jo doemos i saktë dhe (6) komente për kontekstin kulturor, lojërat e fjalës, emrat, etj.

Praktika mbetet e lidhur ngushtë me realitetin gjuhësor dhe letrar të një vendi shumë-kombësh, si Bashkimi Sovjetik, me politika të masivizimit të letërsisë; por kjo nuk duhet të na bëjë t’i shohim interlinear trots si teknika të kapërcyera.

Në fakt, shumë përkthyes, në shqip dhe në gjuhë të tjera, përdorin rëndom – me të njëjtin funksion – përkthimet e një teksti në gjuhë të treta, për të marrë informacion shtesë rreth kuptimit.

Për shembull, dikush që përkthen Goethe-n nga gjermanishtja, mund të përdorë versionin italisht të tekstit si interlinear trot, për të parë si i ka zgjidhur kolegu i tij italian koklavitjes e gjermanishtes origjinale.

Nëse ndodh kështu, atëherë italishtja futet – si prani gati e fshehur – në versionin përfundimtar shqip.

Le ta pranojmë edhe se, shumë përkthime nga figura të njohura të letrave shqip kanë përdorur versionet e teksteve në gjuhë të treta, për të kapërcyer vështirësitë e origjinalit.

Madje dikur ishte bërë e modës që një autor letrar i afirmuar ta provonte dorën, herët a vonë, me një përkthim ekzemplar, jo aq për të provuar se ishte edhe përkthyes, sa për të demonstruar si duhej përkthyer; ndryshe nga ç’ndodh sot, kur statusi sado i përkohshëm i përkthyesit merr ndonjëherë epërsi ndaj statusit të veprës së përkthyer.

Për të paktën një brez shqiptarësh të letrave periudhës së Pasluftës, shumë produktiv në vetvete, rusishtja ka pasë shërbyer si gjuhë ndërmjetësuese – me një funksion të ngjashëm me atë që e kanë quajtur “shkalla e Wittgenstein-it”. Këtë rol sot e luajnë më shumë anglishtja dhe italishtja.

Të kthehem tani te shembulli i atij përkthyesit që i vë studentët e vet të prodhojnë tekste interlineare: përtej diskutimit etik, të cilin nuk mund ta bëj në mungesë provash, më mbetet të vë në dukje nevojën për ta ripërkufizuar këtë lloj mediatori kulturor, sa kohë që ai pozicionohet vetëm si maja, ose pjesa e dukshme, e një mekanizmi trans-tekstual kompleks.

Tek e fundit, në Bashkimin Sovjetik, ata që përgatisnin tekste interlineare, ose podstrochniki, nuk ishin anonimë dhe, për më tepër, paguheshin mirë: statusi i tyre njihej dhe rregullohej me ligj.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Bibliografi:

Të dhënat për praktikat e përkthimit interlinear në Bashkimin Sovjetik i kam nxjerrë nga një studim i Susanna Witt, “Between the lines – Totalitarianism and translation in the USSR”, botuar në Contexts, Subtexts and Pretexts; Literary translation in Eastern Europe and Russia, Editor Brian James Baer, Kent State University, © John Benjamins Publishing Company, 2011.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin