(nga Stanislaw Lec*)
“Çdo hap është me rrezik,” e kish zakon të thoshte një mësues baleti. “Mund të krijojë një valle të re.”
Krenaria e fshehtë e njeriut: vdekja mbrohet kundër nesh, por në fund dorëzohet.
Sa shumë njerëz udhëtojnë përtej horizontit të tyre!
Edhe lavjerrësi ndjek ritmin e vet.
Kanibali nuk e pështyn njeriun.
Ti je fëmija e shekullit tënd. Të takon ty të zgjedhësh se me kë do të të zërë.
E dua njeriun. Nuk do ta kisha krijuar kurrë.
Mos harro që, kur pozicioni yt është i pambrojtshëm, gjithnjë mundesh ta pushtosh.
Të zgjedhurit e vërtetë nuk kanë alternativë.
Bota nuk është e çmendur, por nuk është as për njerëzit normalë. Është për të normalizuarit.
Le të jetojmë më gjatë! Se të tjerët.
Kopsite pallton, o palaço, se të ka dalë lëkura lakuriqe e filozofit!
Kur idetë nuk dinë ku të ngrenë kasolle, gjithnjë gjejnë strehë te njeriu.
Arsyeja, kur ka arsye, e ka gjithnjë në anën e vet.
Ka epoka kur, në shtratin e vdekjes, filozofi mund të deklarojë: “Për fatin tim të mirë, nuk më kuptuan!”
E kish ndërgjegjen të pastër. Nuk e kish vënë shumë në punë.
Pas çdo “fjale të fundit” në letërsi, pres zakonisht frymën e fundit.
Teknika do të arrijë një nivel të tillë përsosmërie, sa njeriu do të mund të hiqet si vetja.
Vetëm të shëndoshët mendërisht çmenden.
Ata që konsumojnë frytet e krimit, le të mos i pështyjnë bërthamat në tokë pjellore.
Ushtroje mnemoteknikën. Të ndihmon të mbash mend që je gjallë.
Mjafton t’u dorëzohesh iluzioneve, që të ndiesh pasoja krejt reale.
Njerëzit i shoh lakuriq, por nuk ua them gjithnjë, sepse do të më kërkonin që t’i vesh.
Ndodh që diçka të fshihet mu atje ku fshihemi edhe ne vetë.
Bëj pyetje evazive, që t’u zë rrugën përgjigjeve evazive.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).