Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lexim

PERSPEKTIVA E LEXUESIT

Deri më sot, edhe pse historisë së letërsisë shqipe (a shqiptare) i është dhënë vend qendror në kulturën dhe në arsimin kombëtar, këndvështrimet alternative kanë munguar – duke krijuar ndonjëherë bindjen e rreme se ka vetëm një mënyrë të sigurtë, për ta hartuar dhe studiuar këtë letërsi.

Nuk mund të vazhdohet kështu. Qasja tradicionale, ndaj historisë së letërsisë shqipe (tash e tutje HLSH), e mbështetur në autorët, biografitë e tyre, listat dhe përshkrimet e veprave që kanë shkruar, ka nevojë të zgjerohet e të plotësohet me qasje të tjera, duke filluar nga ajo që vendos veprat në qendër dhe intertekstualitetin, përfshi këtu edhe lëvrimin e zhvillimin e zhanreve; dhe pastaj nga ajo tjetra, që i afrohet letërsisë nga pikëpamja e lexuesit ose e leximit.

Vite më parë kam shkruar një ese të gjatë, për mënyrën si mund të shkruhet një HLSH formale; të cilën e kam botuar pastaj te Fraktalet e shqipes. Sot po hedh disa shënime për perspektivën tjetër, atë të leximit; duke vërejtur që në fillim se një HLSH që vendos lexuesin në qendër nuk është doemos identike me një Histori të Leximit shqip (e cila ka edhe ajo nevojë të shkruhet dhe të studiohet).

Tek e fundit, një tekst nuk e arrin dot statusin e veprës letrare, pa u lexuar, pavarësisht se në ç’formë dhe ku; dhe që një tekst të lexohet, duhet që lexuesi të ekzistojë, çfarë parakupton edhe alfabetizimin, shkollën dhe atë lloj kulture, ku lexohet edhe për synime mirëfilli estetike ose të kënaqësisë.

Të marrim, për shembull, librin e parë shqip, Mesharin e Gjon Buzukut; zakonisht këtë e përfshijnë gjithnjë në HLSH-të, edhe pse nuk është letërsi dhe as i drejtohet ndonjë publiku për t’u lexuar – një përfshirje më shumë për arsye ritualesh kombëtariste. Por Meshari ishte krijuar si një vepër për t’u përdorur nga priftërinjtë, në shërbesat fetare; me destinacion rreptësisht utilitar, dhe pa pretendime estetike. Sot e kësaj dite, do të jenë shumë të rrallë ata që e lexojnë si vepër letrare.

Të marrim edhe një lloj letërsie që mori hov në shekujt XVII-XIX, deri pak a shumë në fillimet e Rilindjes Kombëtare (por pa u ndalur atje), të njohur si letërsia shqipe me alfabet arab, ose e bejtexhinjve. “Veprat” e kësaj letërsie, të gjitha në vargje, nuk konsumoheshin në lexim, por të recituara; ose të deklamuara para një publiku pak a shumë analfabet, që i përjetonte me vesh. Si formë kulturore, kjo e “bejtexhinjve” i ngjante më shumë teatrit, edhe pse ruante pika të forta takimi me oralitetin. Tekstet e shkruara me alfabet arab, të cilat sot i kemi transliteruar dhe, sipas rastit, përfshirë në tekste dhe antologji, kishin më tepër funksion mnemoteknik ose arkival: si rregull, veprat e bejtexhinjve nuk synonin të botoheshin si libra.

Të marrim edhe atë lloj tjetër letërsie, që për arsye të ndryshme nuk i ka shkuar dot lexuesit, ose të paktën nuk i ka shkuar lexuesit në kohë; dhe ka mbetur në dorëshkrim, si një pjesë e letërsisë arbëreshe, por jo vetëm – statusi i dorëshkrimit të pabotuar kundrejt relevancës letrare është objekt diskutimi edhe sot (p.sh. vepra e pabotuar e Trebeshinës). Dorëshkrime të tilla si rregull i kanë zbuluar dhe nxjerrë nga sirtarët dhe arkat për t’i botuar më vonë; ato shpesh kanë vlerë të madhe dokumentare e filologjike, dhe ndonjëherë edhe letrare – por statusi i tyre, si vepra, mbetet i mangët, sa kohë që nuk i kanë shkuar dot lexuesit dhe, sidomos, nuk kanë ndikuar dot në zhvillimet letrare, në kohën e tyre.

Një HLSH e lexuesit do të kushtëzohej, vetvetiu, nga shkolla shqipe dhe shkalla e alfabetizimit: investimi për një libër letrar shqip parakupton dikë në gjendje që të lexojë në atë gjuhë. Për këtë arsye, pikënisja e kësaj HLSH-je do të përkonte me pikënisjen jo aq të shkrimit shqip sa të shkollës shqipe – ose periudhën e Rilindjes Kombëtare (shkrimi i paraprin leximit). Por edhe këtu del një problem: një pjesë e mirë e veprave letrare të Rilindjes, edhe pse në formë letrare (p.sh. poema, etj.) hartuan dhe u botuan për synime mirëfilli utilitare, ose për t’u përdorur nga shkolla shqipe, në kuadrin e një program të zgjimit kombëtar.

Aq e vërtetë është kjo, sa shumë nga ato vepra sot na tingëllojnë aq naive dhe aq tmerrësisht të dobëta, se nuk mund të përligjen, veçse brenda një konteksti ose kornize jashtë-letrare, pa çka se u shkatërrojnë shijet nxënësve sot në shkollë.

Këtu mund të pyetet, dhe do të pyetet se çfarë priste lexuesi i fillimeve të HLSH nga një tekst shqip – qoftë ky i botuar në një revistë, ose edhe si libër(th); me gjasë, koncepti i të lexuarit letërsi si veprimtari mirëfilli estetike – ose për të kaluar kohën, ose për t’u mirëmbajtur kulturorisht – ishte ende në shpërgënj. Jo vetëm autorët krijonin duke pasur në mendje funksionin utilitar të teksteve letrare – p.sh. t’u mësonin fëmijëve shqipen, ose të ushqenin ndjenjën kombëtare dhe të ndërtonin mitologjinë përkatëse: p.sh. Historia e Skënderbeut, e Naim Frashërit – por edhe lexuesit e këtyre veprave do të kenë qenë të vetëdijshëm se po “trajnonin” identitetin e tyre kombëtar, qoftë edhe thjesht duke mësuar të lexonin shqip.

Gjatë Rilindjes dhe më pas, deri pak a shumë në vitet 1920, shqipja vazhdoi të mishërohej në tekste që kishin dukje letrare, por në fakt destinoheshin për përdorime utilitare – përfshi këtu edhe përkthimet e shkrimeve të shenjta, ose tekstet mirëfilli shkollore; edhe pse brenda këtyre teksteve filluan të merrnin formë veprat mirëfilli letrare: më parë në vargje, më pas edhe si rrëfime në prozë ose si pjesë teatrale.

Po çfarë priste lexuesi i atyre viteve, nga tekste të tilla? Të kemi parasysh se ishte një lexues ende nën ndikimin e fortë të oralitetit; dhe të mësuar me krijimtarinë gojore – këngët popullore, përrallat, anekdotat ose rrëfimet. Kështu do të kuptohet më mirë edhe pse vepra si poemat e “bejtexhinjve” më parë, dhe ato të Naim Frashërit e të Fishtës më pas, përfunduan rregullisht të mësuara përmendsh dhe të asimiluara në modele të konsumit të letërsisë gojore.

Një histori e leximit shqip këtu do të kontribuonte me të dhëna dhe analiza për përhapjen dhe sidomos shpërndarjen e teksteve në masë, praktikat e leximit dhe përdorimet spontane të këtyre teksteve; por edhe lindjen dhe pasurimin e bibliotekave shqip, madje edhe të librarive; si edhe analizën e vendeve ku lexohej shqip (shtëpia, shkolla, kisha, teqeja, klubi, rrethi letrar, etj.). Bashkëlidhja mes këtyre dukurive është e tillë, që një autor poezish do të bindet t’i përmbledhë këto në një vëllim, në qoftë se ka shpresë se vëllimi do t’u bjerë lexuesve të tij në dorë – përndryshe do të mjaftohej të botonte në një revistë letrare ose në një tekst për shkollat.

E megjithatë, shpresa nuk është gjithçka: sa prej nesh sot e kanë lexuar, ose qoftë edhe vetëm e kanë parë ndonjëherë vëllimin poetik Psalme murgu të një poeti të përmendur si Asdreni, të cilit i përmendet kjo vepër në çdo histori letërsie të respektueshme?

Kufiri mes autorit dhe lexuesit është gjithnjë konvencional, në mos artificial: edhe pse jo çdo lexues shkruan letërsi, nuk ka shkrimtar që të mos jetë formuar si i tillë, duke lexuar. Prandaj ka rëndësi të dimë, bie fjala, si e ka lexuar Naimin Lasgush Poradeci dhe çfarë ka marrë prej tij; sepse ashtu do të kuptojmë më mirë edhe si e lexojnë Naimin sot lexuesit e Lasgushit.

Nga ana tjetër, veprat e letërsisë shqipe nuk janë gjithnjë të lehta për t’u rrokur nga lexuesi – sa më tej të shtyhemi në kohë, aq më e fortë ndihet nevoja për ta edukuar rishtas lexuesin, gjë të cilën e bën në masë të madhe shkolla, por mund ta bëjnë edhe edicionet kritike të veprave, etj. Sot që në shkolla fëmijëve u mësohet standardi, qasja e këtyre ndaj letërsisë në gegnisht vjen e bëhet problematike: ka shqiptarë sot që e kanë të vështirë të shijojnë deri edhe Migjenin e Camajn.

Efektet e këtij rravgimi në lexim nuk mund të nënvlerësohen: për shkak të konfigurimit të standardit, Naimi dhe Noli nuk perceptohen aq fort si autorë toskë, sa ç’perceptohen Fishta dhe Mjeda si autorë gegë, duke ardhur veprat e tyre gjuhësisht të ngjyrosura. Por kjo nuk ndodhte, të themi, në vitet 1930; dhe një poeti si Fishta do t’i dukej absurde, në mos haptazi fyese ideja se ai shkruante vetëm për lexuesin gegë.

Ka edhe më keq. Lexuesi i sotëm shqip, në Shqipëri dhe në Kosovë, e ka praktikisht të pamundur të lexojë dhe aq më pak të shijojë estetikisht letërsinë arbëreshe të traditës – e cila i ka dhënë letërsisë shqipe kryevepra (De Rada, Dara, Serembe, Santori por jo vetëm). Edhe një kolonë peshë-mbajtëse, e kulturës shqiptare, si Milosao-ja e De Radës i jepet lexuesit e përshtatur në shqipen e sotme, praktikisht e shqipëruar, çfarë krijon një iluzion, për të mos folur për precedentin.

Ta studiosh HLSH nga perspektiva e lexuesit është më e vështirë se të mjaftohesh me biografitë e autorëve, të cilat rrëfehen pastaj si të ishin ato vetë pjesë e veprave; paçka se metoda tradicionale e historisë letrare, e cila mbizotëron sot e kësaj dite, rrezikon shndërrimin e autorëve në ikona të ikonostasit kombëtarist; dhe zëvendësimin e analizave të veprave me studimin e biografive të autorëve përkatës.

Çfarë do të linte jashtë jo vetëm pritjen e veprave në momentin e botimit (ose më mirë, momentin kur i binin në dorë lexuesve), por edhe historinë e këtyre veprave në kohë – p.sh. historinë e leximeve të Lahutës së Malsisë në rrjedhë të viteve.

Sa më lart, janë vetëm disa pak shënime; një HLSH nga perspektiva e lexuesit nuk mund të synojë të zëvendësojë qasjen tradicionale, por vetëm t’i japë një alternativë; mbase edhe të integrohet me të, në kontekstin shkollor. Rëndësi ka që të kuptohet, në nivel institucional, se HLSH-ja është pjesë jo aq e indoktrinimit kombëtarist, cilidoqoftë ky; sa e kulturës shqipe mirëfilli.

Dhe, në çdo rast, kjo qasje kërkon edhe studime të mirëfillta në historinë e leximit dhe, sidomos, në sociologjinë e teksteve letrare shqip; studime që mbase duhen edhe nxitur nga institucionet.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin