Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Përkthim

VIRUSE TË PABOTUARA

Një lajm i përkthyer dhe i shpërndarë këto ditë në mediat – më rezulton i botuar nga lajmi.net, A2news, kosovapress, scan-tv.com, TemA, boldnews.al, time.al dhe kushedi ç’të tjera – më vrau veshin me fjalinë e mëposhtme (theksimi im):

Mbikëqyrja e rritur ndërkombëtare mbi variantet e koronavirusit po nxjerr në dritë versione të tjera të pabotuara të virusit, por që ndan të njëjtat karakteristika.

Kjo, ngaqë fjalia është ndërtuar keq nga ana gramatikore (kallzuesi ndan duhej të ishte në shumës, meqë i referohet kryefjalës “versione të tjera…”) por edhe, e sidomos, për shkak të përdorimit idiosinkratik të mbiemrit i pabotuar, te “versione të tjera të pabotuara të virusit”, i cili lë të kuptohet sikur versionet e virusit botohen gjëkundi.

Më shkoi mendja se do të ishte ndonjë përkthim “krijues”, nga ata që bëhen me Google Translate dhe, më tepër për kuriozitet, i kushtova ca minuta analizës retrograde të përkthimit, e cila ndonjëherë synon të gjejë arsyet e një gabimi duke identifikuar fjalën problematike në tekstin burimor.

Mirëpo mediat e Internetit shqip nuk e japin burimin e teksteve që nxjerrin (teksteve që vjedhin); të thuash se i hartojnë vetë… çështje tjetër kjo. Dhe as autorët e përkthimeve. Prandaj, meqë nuk e dija gjuhën nga ishte përkthyer ky tekst, e nisa me anglishten – si gjuha që zotërojnë më mirë dhe by default punëtorët e mediave në Tiranë – dhe arrita te mbiemri unpublished, por pastaj ngeca sërish, sepse unpublished virus versions ose unpublished versions of the virus nuk më tingëllojnë anglisht dhe, në fakt, më dalin me zero rezultate në Google Search.

Nga anglishtja kalova pastaj te gjuha e dytë, që zotërojnë punëtorët e mediave në Tiranë: italishtja – jo sepse e kanë studiuar, por sepse “të gjithë shqiptarët dinë italisht” – dhe këtu pata më shumë fat, sepse i pabotuar në italishte është inedito; dhe ky mbiemër, në italisht, ka edhe kuptimin “non reso ancora di dominio pubblico; nuovo, originale”, pra që ende nuk është bërë i njohur në publik (që do të ishte edhe kuptimi “etimologjik” i mbiemrit shqip i pabotuar).

I armatosur me një hipotezë pune, Google Search më ndihmoi ta gjeja burimin e lajmit: revista focus.it, mbase edhe spettacolone.com, ku flitet në fakt për “altre versioni inedite del virus”. Burimi i dytë i referohet të parit, ndërsa i pari, i datës 25 shkurt 2021, ka për autore Elisabetta Intini.

Kjo më ndihmoi të kuptoja pastaj edhe arsyen e ca enormiteteve të tjera në përkthim, si:

përqindja e mostrave virale të sekuencave mbetet edhe në SHBA jashtëzakonisht e ulët

që i përgjigjet italishtes:

la percentuale di campioni virali sequenziata rimane anche negli USA estremamente bassa

dhe ku, natyrisht, nuk bëhet fjalë për “mostra virale të sekuencave”, një shprehje pa asnjë kuptim.

Më në fund, verifikova që lajmi është përkthyer me Google Translate, meqë paragrafin:

(la percentuale di campioni virali sequenziata rimane anche negli USA estremamente bassa, meno dell’1% del totale).

Google Translate e përktheu kështu:

(përqindja e mostrave virale të sekuencave gjithashtu mbetet në SH.B.A. jashtëzakonisht e ulët, më pak se 1% e totalit).

Përfundimi im i pashmangshëm: Google Translate paguhet nga serbi për të na shkatërruar gjuhën.

Në fakt, edhe kjo fjalë, mostër, në tekstin shqip duhej të më kish shërbyer si sugjerim që burimi ishte italishtja – një shqiptar anglishtfolës do të kish përdorur fjalën kampion…

Unë e kam vështirë të kuptoj pse bëhet kjo: pse botohen këto tekste që, të përkthyera keq, e humbin kuptimin dhe nuk vlejnë më, sidomos për ata që interesohen për amino-acide, mutacione dhe gjera të tjera të ngjashme. Në një vend tjetër, atje ku origjinali flet për një mutacion gjenetik që modifikon amino-acidin numër 677 (mutazione genetica che modifica l’amminoacido numero 677), shqipja flet për “një mutacion gjenetik që modifikon numrin 677 të aminoacideve”!

Përfundimi im tjetër, njëlloj i pashmangshëm: këtë tekst nuk mund ta ketë përkthyer një yni, sepse “nuk ka njeri nga tanët që të mos dijë italishten”.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin