Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

METRI DHE VARGU

Sot poezia e shkruar zë vend të madh në produksionin letrar: vëllime poetike, faqe me poezi dhe poema në gazeta dhe revista letrare dhe sidomos poezitë që shumë prej nesh botojnë në rrjetet sociale. Përkundrazi, poezia “e recituar” duket sikur ka humbur truall, edhe pse nuk është zhdukur krejt.

Në origjinë, poezia ka qenë e kënduar (madje edhe e shoqëruar me një instrument, p.sh. me lirë ose me lahutë, i cili ia ruante organizimin metrik); dhe nga kjo origjinë i ka trashëguar disa karakteristika, edhe kur nuk i largohet faqes së shkruar: ritmi, rima dhe tipare të ngjashme. Për vargun e shkruar, këto karakteristika fonetike supozohet se veprojnë kur lexuesi e shqipton tekstin me vete, duke ia ndier strukturën ritmike, rimore dhe përsëritjet.

Megjithatë, pjesa më e madhe e poezisë që shkruhet sot, është në varg të lirë – ku ritmi është më i vështirë për t’u dalluar, rima shpesh mungon ose zëvendësohet nga asonancat dhe ligjërimi poetik i drejtohet syrit dhe mendjes, duke anashkaluar veshin. Kjo e largon poezinë nga muzika.

Gjëra që dihen dhe që janë thënë. Por unë do të doja të pyes nëse është e nevojshme, për autorin poet, që ta njohë metrikën, edhe sikur të mos e përdorë? Një poet që shkruan vetëm në varg të lirë, a duhet të njohë rregullat e të shkruarit në varg të rregullt, metrin, llojet e vargut (trokaik, jambik, amfibrah, daktilik), teknikën e rimës, llojet e strofave dhe të tjera teknika nga arsenali i traditës?

Një mënyrë e vrazhdë për t’iu qasur kësaj, është t’i kërkosh një poeti të shkruajë diçka në nëntërrokësh ose në shtatërrokësh të rregullt, që janë vargje disi të vështira, për shqipen dhe traditën poetike shqipe. A e bën dot? Ndonjë prej nesh mund ta realizojë këtë vetvetiu, pa qenë i vetëdijshëm për strukturat gati matematikore-muzikore të vargut të rregullt; por si rregull, vargu i rregullt duhet mësuar, njëlloj siç mësohet solfezhi ose harmonia.

Të gjithë ne që jemi shkolluar në shqip, e kemi mësuar letërsinë me varg të rregullt: vjershat për fëmijë dhe pastaj ato të traditës poetike shqipe, nga Naim Frashëri e Gjergj Fishta, te Lasgush Poradeci e Ndre Mjeda, të gjitha janë në varg të rregullt. Këngët e muzikës pop, por dhe rap-i, na ekspozojnë edhe ato ndaj tekstesh të organizuara sipas normave të metrit. Deri edhe poetë që sot mbahen si bashkëkohorë – si Kadareja dhe Agolli – kanë shkruar shpesh me varg të rregullt, duke shkëlqyer jo vetëm në metrat shqipe të gjashtërrokëshit dhe të tetërrokëshit, por edhe në ato jo-shqipe të shtatë- dhe nëntërrokëshit (me nëntërrokësh është e mirënjohura “Ca pika shiu ranë mbi qelq…”).

Një poezi nuk e bën të mirë metri; por një poezi e shkruar me metër i ngjan një balerine që ka hequr tutat dhe ka veshur një tutu, para se të fillojë vallëzimin.

Sërish do të pyesja: a duhet ta njohë poeti sot metrikën, në kuptimin që, a duhet të jetë ushtruar aq sa të mund të shkruajë me metër? Kjo pyetje nuk ka të bëjë me atë nëse dikush shkruan apo jo me metër. Dikush që kompozon, të themi, këngë të lehta, do të ketë mësuar në shkollë si të kompozojë – të themi – një sonatë. Sonata mund të jetë për ibret, por do të ketë strukturën e sonatës.

I duhet pra, metrika, poetit aspirant?

Vetë nuk i përgjigjem dot kësaj pyetjeje. Metrikën e kam studiuar, madje edhe kam paraqitur një temë kursi, në vit të tretë, për vargun e Agollit; kur shoh një poezi në varg të matur, menjëherë e dalloj nëse vargu është trokaik apo jambik apo ka ndonjë strukturë tjetër të rrokjes; njëlloj siç jam në gjendje të dalloj – në vija të trasha – harmoninë e një kënge dhe t’ia “dëgjoj” akordet. Nëse dua, mund të ulem dhe të shkruaj edhe unë një nëntërrokësh perfekt, që megjithatë të mos ketë asnjë vlerë poetike (në kuptimin estetik); njëlloj si ai kitaristi që ngroh gishtat duke luajtur sekuenca akordesh, të cilat nuk janë “tamam” muzikë.

Por edhe jam në gjendje të dalloj, te poetët më të mirë, gjurmë të spikatura të metrit, edhe kur këta shkruajnë në varg të lirë; meqë poezia ka nevojë për ritmin, dhe ritmi vetvetiu e kërkon metrin. Edhe pse sot shumë poezi nuk janë auditive, dhe e ruajnë identitetin duke iu falur figuracionit vizual – metaforës – sërish, që një tekst të jetë poetik, nuk mjafton që të ruajë strukturë vizuale të thyer, në faqe; muzika mund të jetë fshehur, por nuk mungon; ose, kur mungon, poezia nuk do të na pëlqejë.

Metri, rima, përsëritjet dhe marifete të tjera fonetike nuk duan marrë si tipare ornamentale, ose shenja të jashtme që lajmërojnë se një tekst është “poetik”. Përkundrazi, i japin poetit – edhe në krijim, edhe në recitim – mundësinë për të përcjellë emocion dhe ndjesi të tjera, më mirë se me tekst të thjeshtë. Metri i shton tekstit një organizim tingullor dytësor. Po e ilustroj me një rubai të Omar Khajamit, të shqipëruar nga Noli:

Ja, kup’ e qiellit skuqet prej agimit,
bilbili nisi këngën e dëfrimit
me trëndafilin: eja, faqepjeshkë,
natyra qesh; nem qelqin e rubinit.

Këtë strofë mund ta shtrijmë a ta shpalosim, duke ia hequr ndarjet arbitrare në fund të vargut:

“Ja, kup’ e qiellit skuqet prej agimit, bilbili nisi këngën e dëfrimit me trëndafilin: eja, faqepjeshkë, natyra qesh; nem qelqin e rubinit.”

Por struktura jambike mbetet – theksat bien në rrokjet çift, dhe njëmbëdhjetërrokëshi mbetet i paprekur. Dhe ky metër i jep strofës diçka magjike duke e ndihmuar të shprehë diçka më tepër se thjesht figuracioni me bilbil dhe trëndafil, me qiell dhe agim. Nuk është se vargut i shtohet muzika; është se muzika e përfton vargun.

Do të më thonë: sot nuk shkruan njeri kështu. Natyrisht. Një arsye pse ndodh kjo, është se poezia i ka dobësuar lidhjet me oralitetin. Por po të dëgjosh një “slam poet” të deklamojë, ose një rapper që i kushton vëmendje atyre që thotë, do ta vësh re se metri nuk është zhdukur krejt nga produksioni letrar, por vetëm është zhvendosur në mjedise më “audio”.

Ka poetë që mund të mos e njohin metrikën dhe megjithatë të shkruajnë në varg të rregullt; njëlloj si ai muzikanti jazz, që nuk di t’i lexojë notat dhe as t’u vërë emrat akordeve që luan, e megjithatë të përftojë muzikë nga më komplekset. Tek e fundit, sot e kësaj dite gjen vjershëtarë popullorë në gjendje të ligjërojnë, madje edhe të improvizojnë, në tetërrokësh ose gjashtërrokësh perfekt. Kjo, për talentet e kulluara. Pyetja ime vlen më shumë për të tjerët: ju që shkruani poezi, sa e njihni metrikën dhe sa jeni në gjendje ta zbatoni, qoftë edhe si ushtrim gjimnastikor të ligjërimit?

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin