Reklama

DHUNË ME PARA

nga Adela Radovani

Ne shkrimin Dhunë Falas, Ardian Vehbiu shkruan se:

Këtë 25 nëntor, po shihja dhe dëgjoja gjithfarë mediash të përfshira në “luftën për eliminimin e dhunës kundër grave”: nuk di çfarë rezultatesh japin të tilla aksione me goditje të përqendruar, ndonëse disa fonde ndërrojnë duar, çfarë është gjë e mirë të paktën për paranë, që nuk duhet të rrijë pa lëvizur. Por nuk po u referohem mediave në Shqipëri, sepse në atë mbretëri dhuna kundër grave – e drejtpërdrejtë, e tërthortë, simbolike, e ndërmjetësuar, e inskenuar – është integruar tashmë te qasja mirëfilli profesionale (nga tipa që dinë se ç’bëjnë). Në kuptimin që, për ta denoncuar këtë kulturë ç’bëjnë, mund edhe t’i bojkotonim mediat qoftë edhe për një ditë të vetme.”

Dy vitet e fundit jam përpjekur të njoh letërsinë që bëhet aktualisht në Shqipëri, sidomos atë të përkrahur nga institucionet nëpërmjet fondeve dhe botimeve të nxitura (që shumicën e kohës janë të nxituara) nga konkurse. Përveç problemeve të zakonta që paraqesin autorët e rinj, mungesën e thellë të redaktimit dhe reklamimin e tyre me kritikë pozitive të pamerituar, një prej çështjeve është edhe ndërtimi skandaloz i personazheve femërore. Fituesit e çmimeve sigurisht i takojnë kryesisht gjinisë tjetër, por dhe vetë vajzat e gratë shkrimtare janë fajtore për personazhe të fetishizuara. Shkrimtaret e reja (në moshë ose në zanatin e letrave) ndërtojnë personazhe të cilat unë i quaj “Ana”. Emrat e tyre janë variante të emrave anglosaksonë, shpesh të nxjerrë nga rom-com-e. Nga brenda janë të gjitha njësoj, të mira, të bukura, të dashura, dhe dy dimensionale. E vetmja e mirë e Ana-ve është lehtësia me të cilën identifikohen; që nga kopertina mund ta vendosësh librin aty ku e gjete dhe të ecësh tutje. Me shkrimtarët meshkuj ka një vështirësi identifikimi të mallit skarco, fshehur nën petkun e kritikës së mirë, lajle-luleve të miqve, kopertinave dhe botimit fizik relativisht serioz. 

Në thelb, arketipi i personazhit femër në duart e shkrimtarit mesatar modern shqiptar është gruaja-interes romantik e cila nuk ka karakter, flet shumë pak dhe gjërat që thotë shpesh nuk kanë kuptim logjik, ose gruaja-nënë e cila jep këshilla të nxjerra diku (gati si thëniet që i gjen në faqe të caktuara online) dhe i fal dashuri pa asnjë kusht personazhit kryesor të gjinisë mashkullore. Njëra i jep personazhit seks, tjetra i lan rrobat: praktikisht jeta e heroit është në rregull dhe shpesh unë nuk e kuptoj pse më duhet të vazhdoj leximin përtej kësaj pike. 

Asgjë e re deri këtu: dualizmi kurvë-zojë e bekueme është i njohur në art. Ndikimi i kulturës amerikane, ku gruaja dhe minoritetet futen deri dhe me dhunë nëpër filma aksioni për të imponuar një barazi fallco gjinore, racore dhe klasore, nuk është i ndjeshëm dhe haset sidomos në romanet ultra të komercializuar në shqip, kryesisht në libra për fëmijë. Asgjë për t’u shqetësuar. Aty ku çështja fillon të bëhet serioze është kur mbi arketipin grua-interes romantik hidhen për të përballuar gjithfarëlloj dhune: psikologjike, fizike e seksuale; shpesh kaq të shumta në sasi e shpeshtësi, saqë gjasat janë se në një botë reale, gruaja në fjalë do duhet të kishte vdekur, minimalisht nga stresi. Për më tepër, në vend se të njihen si letërsi erotike fetishizuese, një zhanër që meriton të mbijetojë për sa kohë ka fansa të saj, duke marrë parasysh se sadomazokizmi që “predikohet” sot në shoqërinë perëndimore as glorifikon dhunën e as tenton të denigrojë kënd, këta libra futen në kategori serioze dhe reklamohen se po dënojnë dhunën ndaj gruas në periudha të caktuara historike, si p.sh., të diktaturës komuniste. Për lexuesin mesatar është e qartë që autori pas një pike të caktuar në libër, thjesht po e përdhunon personazhin për hir të dhunës, por kritika tund flamurin e bukurisë në dhimbje, të durimit të pashoq. Ndërkohë që logjika e thjeshtë të thotë se, një grua e përdhunuar nga tetë burra rresht, me rrobat e çjerra dhe trupin e dëmtuar, nuk mundet të ngrihet në këmbë dhe të kthehet vetë në shtëpi, e as, për më tepër, të ketë orgazma të shumëfishta gjatë dhunës. Kjo nuk është mënyra se si anatomia dhe fiziologjia funksionojnë. Në rrafshin e fetishizmit dhe erotikës sadiste bën sens dhe është tmerrësisht e zakontë të lexosh dhunë të idealizuar, e cila i shërben plotësimit të dëshirave të autorit dhe lexuesve që e njohin veten, realitetin dhe ato që quhen “kinks”.

T’i identifikosh këta autorë, të rinj ose jo, është e lehtë, duhet thjesht të lexosh me dhjetëra prej tyre, deri në mpirje. Të flasësh hapur për ta është e vështirë për shkak të roleve që mbajnë, titujve; për shkak të izolimit: mundësia për të marrë bllok në rrjete sociale, ku më e fundit më ndodhi me babanë e një autori të ri, të cilin e kritikova negativisht në faqen time në Facebook. Disa autorë ke edhe drojë t’i kritikosh, sepse nuk shkruajnë në thelb, keq, dhe të duket sikur po i akuzon për diçka që nuk e kanë bërë me vetëdije, paçka se është krejtësisht e qartë.

Rruga që shoh për të nxjerrë dhunën nga librat është sjellja në vëmendje e kritikës negative dhe kalimi i saj në plan të parë. Para se të jepen çmimet me tufa me lule, të jepen shuplaka. Kuptohet, metaforikisht. Jam tërësisht kundër dhunës, ndaj grave e sidomos, ndaj shkrimtarëve. 

©2020, Adela Radovani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: