Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Teori letrare

NOKTURN PËR NJË AGRONOM

Para disa muajsh, komentova këtu një poezi të realizmit socialist, te shkrimi Gruaja në kufi dhe me komente këtu. Poezinë ma pat dërguar një koleg nga Tirana, pa ma thënë autorin dhe m’u duk se ia vlente të tentoja një analizë të saj “siç ishte”, vepër e vitit 1986, kur edhe realizmi socialist dhe Shqipëria “socialiste” vetë kishin marrë rrokullimën.

Kisha vërejtur, me atë rast, se poezia më dukej minimaliste, nga ai lloj që e ndeshje shpesh të lëvruar, atëbotë, nga një shkollë e tërë poetësh të dalë – estetikisht – nga vëllimet Motive me diell dhe sidomos Koha, të Ismail Kadaresë poet. Kënga e tyre nuk ishte ajo e luftëtarit kokoroç, që e mban armikun në shënjestër të maliherit dhe ia bluan kockat me dhëmbë, as e gjelit që përshëndet mëngjesin e komunizmit nga maja e një shtylle tensioni të lartë; por e një intelektuali inferior prej qytetit, keqotë dhe pak parazit, që përpiqet me çdo kusht të gjejë arsye për t’u ekzaltuar për të shpëtuar nga ankthi i ndjenjës së fajit: Ah, kallëzat e grurit në fushë! Ah, shamia e djersitur e tornitores! Ah, kallot e xha Hasanit! Ah, stallierja që i rri te koka viçit të sëmurë…

Ka një arsye pse i kushtova vëmendje një vjershe në thelb të harruar: sepse vepra të tilla, për mua, mishërojnë më qartë esencën e metodës, janë specimenë të mënyrës si shkruhej në një periudhë të caktuar, nga një shkollë krijimi e caktuar. Mendoja atëherë, dhe mendoj akoma, se nuk është e thënë që kritika dhe analiza letrare të merret vetëm me kryeveprat – madje, për qasje të caktuara, veprat e pangjyra janë më të përshtatshme, për të kuptuar intertekstualitetin, ose praninë e veprave të mëparshme tek e tanishmja. Meqë, mund të supozojmë pa gabuar, se këtë vjershë e ka shkruar metoda, ose intertekstualiteti; vjershat që i kanë paraprirë dhe dëshira e autorit për t’iu konformuar një mënyre të caktuar të së bërit poezi, brenda rregullave të metodës dhe të zhanrit.

Tani kam në duar një poezi tjetër, të dalë nga e njëjta penë, dhe po e sjell këtu duke u orvatur ta shoh, edhe atë, nga i njëjti këndvështrim, për t’ia shkoqitur dhe zbërthyer – nëse mund të shprehem kështu – skematizmin.

Poezia ka një titull të ngathët: “Agronomi i mbrojtjes së bimëve”, që lexohet si zë në një listë kategorish të pagave: mbase do t’ia ketë vënë redaksia. I kushtohet, siç e shpall edhe ky titull, një agronomi që jeton në fshat, i cili shqetësohet – të paktën në dukje – për një sëmundje që u ka rënë bimëve të cilat i ka në ngarkim; por që pastaj zbulohet se ka edhe një hall tjetër, të lidhjes me një vajzë. Në vjershë shfaqet kalimthi edhe një personazh i dytë, “uni lirik”, që i shkon agronomit për vizitë (ky poet e ka zakon t’i vizitojë subjektet e veta), bisedon me të, e pinë një cigare bashkë e ndoshta edhe një gotë “nga ajo e shkreta”; ndoshta edhe kalon ca ditë në dhomën e tij dhe ashtu i shërben agronomit edhe si konfesor, në fund fare, kur ky vendos t’i zbrazet për vajzën që ka njohur.

Ka një tension, poshtë vargjeve, midis arsyes së dukshme të shqetësimit të agronomit; bimëve që i janë sëmurur, dhe arsyes tjetër, të nënvendosur: vajzës. Agronomi është “fill i vetëm”, vajza hë për hë i vjen vetëm në përfytyrimet dhe dëshirat e tij; nuk e zë gjumi natën, ka një siklet të madh, nuk flet (“rri i heshtur”). Marrëdhënia mes sëmundjes së bimëve, të cilën ai përpiqet ta luftojë, dhe vajzës që ia trazon qetësinë meriton interpretim.

Edhe këtë herë, do ta nisja me izotopitë në tekst – duke kuptuar me izotopi, në vija shumë të trasha, një bashkësi elementesh gjuhësore, që mund të jenë fjalë, por edhe forma gramatikore ose fonetike, të cilat përmbajnë diçka të përbashkët e të përsëritur, një kuptim ose konotacion ose një aliteracion a gjithçka tjetër.

Teksti ka një izotopi të natyrës: fusha, karpe, ara, bokërrima, ag dhe perëndim, bimë dhe fletë, mars, rrafshnaltë, ngricë, cingërimë… këto përftojnë skenën ku lëviz agronomi, hapësirën e tij jetësore. Ka një izotopi të zjarrit: cigaret, zjarret e ngricave, fenerët. Ka një izotopi të gjumit: krevati pranë dritares, shtrati, krevati bosh, më del në ëndërr, sytë e fryra nga pagjumësia, nuk shtrihet që të flerë. Ka një izotopi të vetmisë: krevati bosh, (agronomi) fill i vetëm, rri i heshtur. Ka një izotopi të shpejtësisë: krevati i rregulluar me nxitim, (agronomi) lëviz shpejt. Këto izotopi shtjellohen sipas akseve jashtë <-> brenda (fushat, dhoma e agronomit), ditë <-> natë (puna me bimët në arë, gjumi dhe krevati), ngrohtë <-> ftohtë (zjarret dhe ngrica/cingërima). Agronomi është i heshtur, nuk flet, por e para gjë që thotë, është edhe çelësi i enigmës së vuajtjes së tij: “kam njohur një vajzë.”

Dy elemente kyçe mbeten jashtë këtyre izotopive: dritarja, e cila mund të interpretohet si kalim nga brenda jashtë, nga dita në natë, ose nga bota në ëndërr; dhe flutura e zezë me të cilën përleshet edhe realisht edhe simbolikisht heroi. Dritarja mbase shërben edhe si rrugëdalje, për një njeri të mbetur peng i rrethanave – siç ishte përnjëmend agronomi, në Shqipërinë e atyre viteve. Përkundrazi, flutura e zezë sjell një element simbolik në tablo, si agjenci negative, që ua prish bimëve jetësinë dhe i jep agronomit arsyen për të qenë agronom. Mirëpo kjo flutur e zezë i del heroit edhe në ëndërr, në ato raste të rralla kur arrin ta mposhtë pagjumësinë. Nëse krevatin zgjuar ia trazon vetmia, krevatin fjetur ia trazon kjo ëndërr me flutur të zezë. Me gjasë, është fjala për ndonjë lloj vemjeje, që ua ha gjethet mollëve (më duket e tepërt të hyj në simbolikën e mollës, që nga Bibla e këtej) dhe pastaj kalon në fazën e fluturës; por një flutur e zezë është tepër i fortë, si imazh, për t’u hedhur rastësisht në një vjershë. Prandaj tingëllon logjike pyetja se ç’është kjo flutur e zezë.

Agronomi e kalon ditën në kontakt me gjelbërimin, duke kaluar nga shtrati i natës te “shtretërit e bimëve”, nga gjumi i vet i pagjumë, te gjumi i amshuar i pemëve. “Kur përkulet për të prekur fletët”, ai “dëgjon zemrën dhe pulsin e tij…” Përtej insektit fatal, në sfond përvijohet edhe një kërcënim tjetër, i paeksplicituar, dhe që ndoshta lidhet me ngricën (cingërimën e kaltër) – një të ftohtë që shtrëngon. Agronomi e ka krevatin bosh, me “rrudha të mëdha malli” – po mall për kë? Zjarret në dimër, tymi i cigares, njerëzit me fenerë dhe muzgu, të gjitha këto ndjellin një efekt melankolie, por agronomi, nëse ka mall, ka mall për dikë që nuk e ka aty. Krevati i tij është bosh jo vetëm ngaqë ai nuk ka ardhur të shtrihet aty, por edhe ngaqë atje nuk fle kush tjetër: vajza që ai ka njohur është ende larg, përtej; mund të vijë në krevat me të vetëm pasi atë ta zërë gjumi (në ëndërr).

Ç’është, pra, kjo flutur e zezë, që po ia bren palcën e jetës agronomit? Për mua, është pikërisht vajza që ka njohur dhe që, me t’u futur në jetën e tij, ia ka shpalosur sa bosh është kjo jetë, pa vajzën (pa vajzë). Heroi i këtij nokturni socialist kërkon të ikë, duke “u arratisur” nga dritarja pranë krevatit; por atë ikje e realizon dot vetëm në gjumë; ka njohur një vajzë dhe kërkon të jetojë me të, mbase edhe e dashuron, por pamundësia për të jetuar me të (për të fjetur me të, për të ndarë shtratin me të) po e gërryen nga brenda, dhe nuk e lë të flerë; dhe pastaj ia gërryen edhe ëndrrat. Ashtu, e vetmja gjë që i ka mbetur të puthë, është cigarja. Agronomi, si agronom në mes të natyrës, nuk mund të jetë veç viktimë e kësaj fluture të zezë – njëherësh e bukur dhe e frikshme. E bukur, sepse e tundon drejt një jete të dëshiruar; por e frikshme, njëlloj si drita në dhomën e të varfrit, që bën të dukshëm mjerimin.

Ndryshe nga vjersha e kufirit, që analizova në qershor, kjo e tanishmja nuk ka asgjë prej realizmi socialist: është një skicë, një akuarel, i një personazhi të vetmuar dhe të trishtuar. Intertekstualiteti vepron në zgjedhjen e temës: agronomi si hero tipik i fshatit socialist, më shumë i sakrifikuar se i privilegjuar – hero i heshtur, edhe ky; sepse kitsch-i poetik i viteve 1980 u kushtohej në masë të madhe këtyre heronjve të heshtur, të gjithë produkte, në një mënyrë ose në një tjetër, të poezisë “Mësueset e fshatit”, të Ismail Kadaresë. Vetëm se ky hero tani është jo vetëm i heshtur, por edhe i lodhur; hiqet zvarrë, më shumë për inerci se për pasion, i vetëdijshëm se e kanë lënë vetëm, dhe se nuk gjen dot ngushëllim as te dita, as te nata e vet. Pagjumësia nuk e ndihmon dot që t’i japë zgjidhje dilemës: me çfarë ta mbushë krevatin? Dhe kjo dilemë, përtej çdo kitsch-i dhe intertekstualiteti, ka ekzistuar vërtet: e kanë përjetuar me mijëra e mijëra, në vetmitë e hidhura të fshatit shqiptar në vitet 1980, me poetin që, edhe sikur pa dashur, e sheh veten në rolin e kujt duhet ta dokumentojë dramën.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në faqe të tjera. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin