Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Narratologji

DHUNË FALAS

Këtë 25 nëntor, po shihja dhe dëgjoja gjithfarë mediash të përfshira në “luftën për eliminimin e dhunës kundër grave”: nuk di çfarë rezultatesh japin të tilla aksione me goditje të përqendruar, ndonëse disa fonde ndërrojnë duar, çfarë është gjë e mirë të paktën për paranë, që nuk duhet të rrijë pa lëvizur. Por nuk po u referohem mediave në Shqipëri, sepse në atë mbretëri dhuna kundër grave – e drejtpërdrejtë, e tërthortë, simbolike, e ndërmjetësuar, e inskenuar – është integruar tashmë te qasja mirëfilli profesionale (nga tipa që dinë se ç’bëjnë). Në kuptimin që, për ta denoncuar këtë kulturç’bëjnë, mund edhe t’i bojkotonim mediat qoftë edhe për një ditë të vetme.

Por tani nuk e kam fjalën te mass mediat që parazitojnë mbi dhunën e përditshme kundër grave, duke e spektakularizuar; madje deri në atë shkallë sa ta kenë topitur deri edhe ndjeshmërinë e vajzave dhe grave që punojnë atje, ndonjëherë duke drejtuar emisione të rëndësishme, dhe që i njoh dhe i respektoj disa edhe personalisht. Nëse po shtoj diçka te kjo temë, që meriton shumë më tepër, më lidhet me një përjetim rastësor, të këtyre ditëve, kur mbarova së lexuari një thriller që m’u rekomandua me të madhe; një roman të titulluar Zig Zag nga një José Carlos Somoza, dhe që në fund më rezultoi një humbje kohe totale; ose gati totale.

Nuk them gjë të re, po të vë në dukje se personazhet gra dhe vajza po zënë vend qendror edhe në letërsinë e zhanrit tradicionalisht të rezervuar për gjininë mashkullore: thrillerë, fantashkencë, letërsi policore, aventura, letërsi horror, e kështu me radhë. Nuk do të vonojë dita kur edhe “Bond, James Bond” do t’ia lërë vendin një “Bond, Trisha Bond”. Kjo lloj ndjeshmërie gjinore e zbuluar rishtas do t’i ketë rrënjët edhe në nevojën për të tërhequr një publik femëror, që mbase identifikohet më mirë me personazhe të tilla. Nga pikëpamja e strukturës narrative gjesti vepron në sipërfaqe të gjërave – njëlloj si edhe në videolojërat, ku protagonistet femra i vënë të bëjnë po ato gjëra që bënin dje meshkujt; të tërheqin të njëjtat këmbëza dhe të sharrojnë të njëjtat qafa orkësh.

Ky Zig Zag, i një autori që kritika e ka çmuar, më la pa fjalë, për qasjen prej adoleshenti, të autorit, ndaj personazhit të vet kryesor: një vajzë fizikante e pashembullt, por edhe tejet “seksi”. Somoza ia kish drejtuar kësaj gjithë projektorët e mundshëm, dhe pastaj kish filluar ta zhvishte a ta zhvoshkte me sy, nga faqja e parë tek e fundit, duke na treguar për mishin e saj të ngjeshur, kofshët e mbrusura, buzët e plota, gjoksin e hedhur, vithet rrotulluese, xhinset që i rrinin ngjitur pas lëkurës, çizmet e gjata; për thithkat e gjinjve që i përvijoheshin poshtë kanatieres së lagur; por edhe për nënshtrimin dhe skllavërimin e saj seksual ndaj një “të ligu”. Edhe pse në roman ndodhnin gjëra ndonjëherë tërheqëse dhe të papritura, nuk e shlyeja dot përshtypjen se po lexoja rrëfimin e hollësishëm të një obsesioni seksual të autorit me personazhin e vet femër. Prandaj edhe fjalë të tilla si lurid dhe trash më vinin vazhdimisht në mendje, gjatë leximit mundues.

E kam pyetur veten edhe herë tjetër: a mund të abuzojë shkrimtari me personazhin e vet? Këtë pyetje e mbaj mend që m’u shfaq kur isha ulur të përkthej, vite më parë, një skenar të një regjisori kinemaje nga Tirana, i cili – duhet ta them për ta shfajësuar – nuk ishte shkrimtar dhe as dinte të shkruante, prandaj kish nxjerrë nga dora diçka absolutisht amatoriale: U ishte qepur keq ca vajzave personazhe; madje jo vetëm, por edhe në rrjedhë të muajve dhe të ripunimeve, erdhi duke e stërholluar dhunën autoriale ndaj tyre, sa herë që e redaktonte skenarin – duke i vënë në fillim të masturbohen para pasqyrës, pastaj të torturohen nga burra të vrazhdë dhe në fund të hyjnë në një marrëdhënie të zjarrtë lesbike me njëra-tjetrën – e gjitha kjo, në një skenar që nuk synonte të rrëfente gjë në lëmin e seksualitetit femëror (të paktën filmi porno ta lajmëron që në fillim synimin që ka). Këto marifete pseudo-erotike ishin, si me thënë, për garniturë, ose për kënaqësinë e tij si “autor skenari” (të cilën mbase pastaj do ta artikulonte edhe si regjisor); përfytyrova se ky tipi kaq priapik, i eksperimentonte këto edhe për të mos u mërzitur gjenitalisht, gjatë kohës që shkruante.

Dhe ashtu, me prapavajtje, u binda se abuzimi sistematik me personazhet femërore, dëshmi e papjekurisë etike të autorëve që e përdorin si përftesë narrative, nuk i mungon hiç letërsisë shqipe, dje dhe sot. Pasi u ndërgjegjësova nga puna me skenarin më lart, fillova ta dalloj këtë gaze vulgare në një numër prozash shqip, që më qëllonte të lexoja: dhe nuk po përmend emra, sepse nuk është rasti, në kuptimin që kritika të tilla lexohen si “akuza” dhe duhen argumentuar më mirë se ç’mund ta bëj unë këtu. Në fakt, një shkrimtar në jetën reale nuk është kurrë aq i lirë sa ç’është në botën narrative ku i vendos personazhet e veta – prandaj edhe, mënyra si sillet me këto personazhe, e përkufizon më mirë, si njeri në lirinë e vet; dhe më duhet ta pranoj se disa nga këta shkrimtarë i tradhton proza që shkruajnë, në kuptimin që i bën të parekomandueshëm, madje edhe si praktikues të një lloj magjie të zezë (meqë sendërgjojnë simulakra për t’i torturuar). Dhe nuk flas vetëm për abuzimin seksual, por për abuzimin në përgjithësi – që lidhet edhe me paaftësinë, ose më mirë impotencën e disa shkrimtarëve shqip (nuk po them shumë shkrimtarëve, sepse nuk kam prova) për t’i vendosur personazhet e tyre vajza dhe gra në marrëdhënie dinjitoze me kundërfigurat mashkullore dhe për ta hequr nga mendja, kur shkruajnë, publikun voyeurist ku bëjnë pjesë edhe vetë. Doemos, duke bërë një përjashtim për Marigotë, të cilat – si në çdo kulturë patriarkale që kërkon të jetë besnike me veten – trajtohen si të shenjta.

Ndoshta vitin tjetër do të na duhet t’ia kushtojmë të gjithin eliminimit të dhunës kundër grave dhe vajzave – çfarëdolloj dhune: në familje, në trotuar, në krevat, në punë, në shkollë, në Facebook dhe në Instagram, në televizion. Ca burra nga tanët kanë bërë hapa mbrapa këto 30 vjet, dhe i kanë interpretuar jo rrallë të drejtat dhe “liritë” e fituara si carta bianca për të qenë vetja e tyre e vrazhdë dhe primitive, aq më tepër në rrethanat e kapitalizmit liberist, që po i tredh po këta burra në masë. Gjithsesi, le t’ia kushtojmë çdo ditë të vitit preokupimit me këtë plagë; por pastaj një ditë të vetme, të themi 25 nëntorin, t’ia rezervojmë luftës kundër dhunës me personazhet fiksionale – në letërsi, në teatër, në film, në televizion.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në mediat e shkruara ose elektronike. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin