Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Përkthim

MJEKU RROTULLUES

Ngaqë ngacmohem gjithnjë prej kombinimit të mjekësisë me politikën, më tërhoqi vëmendjen titulli i një artikulli në TemA:

Portreti i Lukashenkos nga mjeku i tij: Ka frikë nga e panjohura dhe është i paaftë të dashurojë.

Mbase edhe ngaqë, kur mendon njeriu për Lukashenkon, nuk është se e fillon nga shqetësimi nëse ky është në gjendje apo jo të dashurojë.

Me pak durim, e gjeta edhe origjinalin në italisht:

“Ha paura di ciò che non conosce ed è incapace di amare” Lukashenko raccontato dall’ex spin doctor[1]

Ku vura re edhe gabimin trashaman që SPIN DOCTOR ishte përkthyer shqip si “mjeku i tij” – pa çka se kjo metaforë tashmë klishe e ligjërimit publicistik do të thotë diçka si “përfaqësues a zëdhënës, që ka për detyrë t’u japë interpretim të favorshëm ngjarjeve për mediat, sidomos për llogari të një partie politike.”[2]

S’ka të bëjë as me mjekun as me mjekësinë.

Por thashë se, mbase këta që e kanë përkthyer nga italishtja, nuk kanë ditur anglisht.[3]

Më i hollë gabimi i dytë: AMARE e italishtes, njëlloj si LOVE e anglishtes, nuk përkthehet gjithnjë “dashuroj”. Fjalori i GJSSH e përkufizon shqipen DASHUROJ si “dua me gjithë zemër një njeri të seksit tjetër, kam dashuri për një njeri të seksit tjetër”, ndërsa si AMARE në italishte, ashtu edhe LOVE në anglishte, kanë – në këtë kontekst – kuptimin “të ndiesh dhe të tregosh dashuri për dikë.”

Si può amare una bambina, you can love a child, por nuk mund të DASHUROSH një fëmijë (ose më mirë, mundesh, por rrezikon burgun). Për të dalluar dashurinë me komponent seksual nga ajo tjetra, shqipja thotë “të kam xhan”, “të kam shpirt”, “të dua shumë”, e kështu me radhë. Në fakt, DASHUROJ është neologjizëm, një folje e formuar nga pjesorja e një foljeje tjetër (dua > dashur), mbase me ndërmjetësinë e heshtur të DASHURÍ dhe të shprehjeve “e mori me dashuri”, “ka rënë në dashuri”, etj. dhe në zëvendësim të orientalizmit SEVDA ose i shprehjeve më folk, si “më ka zënë meraku”, etj.

Pra DASHUROJ e shqipes nuk i mbulon dot foljet përkatëse, në gjuhë të tjera: “ama stare alla finestra” tingëllon fare normale në italishte (sikurse “(he) loves to sit at the window” në anglishte), por në shqipe nuk themi dot “dashuron të rrijë në dritare” – ose mbase e ka thënë ndonjë përkthyes për gazetat dhe nuk e kemi dëgjuar akoma.

Në thelb, specializimi i DASHUROJ për dashurinë me natyrë seksuale (erotike) është pasurim i shqipes – edhe italishtja veç ti amo ka edhe ti voglio bene, siç ka anglishtja I do care for you; po ashtu, ka një nuancë që e dallon shqipen E DO (SHUMË) VAJZËN dhe E DASHURON VAJZËN; dhe jo vetëm ngaqë përdorimi i parë është popullor, ndërsa i dyti libror (i ftohtë). Madje folja DUA, në këtë kuptim, e ka edhe komponentin e dëshirës për ta pasur dikë (njëlloj si spanjishtja TE QUIERO ose anglishtja I WANT YOU, I NEED YOU; më pak italishtja TI VOGLIO), që DASHUROJ nuk e ka.

Shprehja incapace di amare, që ndeshet edhe në ligjërimin e psikologjisë, për të profiluar dikë me prirje sociopatike, në shqipe mbase do të përkthehej “i paaftë të ndiejë dashuri”, ose edhe në shqipen bisedore “nuk do njeri”.

Nuk dua të tingëlloj si ca apokaliptikë, që mezi ç’presin të gjejnë ndonjë gabim të tillë, për të vënë alarmin “shqipja po prishet!”. Por edhe nuk rri dot pa e thënë: janë shqiptarët që po budallallepsen, duke filluar nga unë, që vazhdoj të merrem me këto marrëzira, duke mbajtur gjallë, tërthorazi, iluzionin e një shprese.

© 2020, Shqipologji™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Ironikisht, ky titull në versionin anglisht të lajmit të Euronews është përkthyer si ‘He stopped listening… and became cruel’: Lukashenko remembered by former campaign manager.

[2] Mendova edhe që “spin doctor” i një politikani mund të jetë, njëfarësoj, edhe mjeku i tij; ose edhe e kundërta – që mjeku i një politikani ta marrë këtë në kontroll dhe t’ia “doktorojë” daljet publike. Ja një temë për rrëfim a për film: mjeku e manipulon politikanin, duke ia moduluar barnat, në mënyrë që ky gjithnjë të fitojë ndaj armiqve të vet.

[3] Edhe pse në versionin anglisht të artikullit nuk flitet për spin doctor, por thjesht për campaign manager. Italianët e flasin anglishten ndryshe nga anglisht-folësit.

5 Komente

  1. Ju thoni:

    “Nuk dua të tingëlloj si ca apokaliptikë, që mezi ç’presin të gjejnë ndonjë gabim të tillë, për të vënë alarmin “shqipja po prishet!”. Por edhe nuk rri dot pa e thënë: janë shqiptarët që po budallallepsen, duke filluar nga unë, që vazhdoj të merrem me këto marrëzira, duke mbajtur gjallë, tërthorazi, iluzionin e një shprese.”

    Nuk besoj se “shqipja po prishet”. E gjora shqipe eshte ajo qe eshte , puna eshte se ata shqiptare qe e nxjerrin buken me perkthim, kur perkthejne ne shqip, sidomos per konsum te perditshem dhe masiv, nuk tregojne kujdesin e duhur, ose impenjimin e nevojshem per te dhene korrektesisht permbajtjen e lendes ne gjuhen nga e cila perkthejne. Ketu ka dy elemente, e para, vete ata qe perkthejne ndoshta nuk zoterojne ne lartesine e duhur njeren nga gjuhet, ose te dyja bashke, e pastaj kur ngaterrohet edhe ndonje gjuhe e trete ne mes, sic eshte ky rast ketu me spin doctor-in ngaterresa behet edhe me interesante. Elementi i dyte lidhet me konsumatorin e ketij lloj malli ne kuptimin qe shumica e atyre qe i lexojne keto artikuj me duket se fatkeqsisht jane ne nje nivel qe si t’ua japesh kete mall te cilesise se pare, si surrogat deri ne kuptim te kundert te asaj qe transmeton origjinali nuk besoj se i ha meraku. Midis te keqijave te tjera kjo lloj veprimtarie mund te sherbeje edhe si gjenerator i “fake news”, pavarsisht se keto lloj “fake news” krijohen ne menyre te paqellimshme.

    Cdo perpjekje qe behet per ta ndryshuar kete situate qe duket e pashprese, dhe mbase ashtu eshte, padyshim qe eshte thelbesisht pozitive, por duket pak si beteja e Thermopileve, ku ne fund te fundit perset do te fitojne, edhe pse Leonidas-i me treqint spartanet e vet do te hyjne ne histori si heronj.

    1. Sipas të dhënave nga sajtet e trafikut global, çdo muaj, faqja në fjalë vizitohet nga rreth 700,000 vetë nga Shqipëria, të cilëve u ofrohet ky lloj ushqimi gjuhësor.

      Për t’u shënuar se i njëjti lajm, i përkthyer njëlloj, del edhe në shumë sajte të tjera shqip. Do të ketë ndonjë lloj qendre (translation farm) që i shpërndan këto përkthime me kosto të lirë. Dua të them se numri i atyre që potencialisht i ekspozohen këtij virusi do të jetë shumë më i lartë.

      Ja, p.sh. portali abc.news.

      https://abcnews.al/portreti-i-lukashenkos-nga-mjeku-i-tij-ka-frike-nga-e-panjohura-dhe-eshte-i-paafte-te-dashuroje/

      Mbase në faqe të tilla u dashka futur detyrimisht me maskë.

      1. Pa tjeter, gjithmone me maske, madje edhe pasi, do Zoti, COVID-19 te kete kaluar.

  2. duledupicard,

    shkrimin e lexova dhe e kuptova.
    Ty nuk të kuptova.

    Je duke thë gjë, që
    1. “kujt nuk di të përkthejë, do të duhet t’i falen gafat e bëra nga padija” dhe
    2. “kur përkthen për njerëz të paditur është e lejueshme të përkthesh “Roma per Toma””?
    Seriozisht e ke?
    Kush i qaset një teksti për ta përkthyer me ekspërtizën e një mushke dhe bën gafa nuk lë gjë shumë hapësirë për ta mirëkuptuar, siç po fton ti.
    Nga ç’perspektivë qënke duke ju qasur problemit; gjë edhe ti nga ajo e mushkës?

    Mbase në një shkrim tjetër do të duhet të të kërkoj ndjesë për këtë përgjigje, por momentalisht kam përshtypjen se kam të drejtë.

    1. Z.pifto apo znj. pifto, qe nuk me kuptove hiç fare, mund te mos e kesh fajin vetem ti, une mbase duhet edhe te kisha pushkatuar ndonje nga ata perkthyesit qe te ishte bere fare e qarte edhe per mushkat se cfare doja te thosha. Sikur ta kishe lene deri tek ankesa per moskuptim nuk do me shtyje te thosha qe kushedi mushka jeni juve. Ja u shpreha qarte me duket.

      Une thjesht u mundova te shpiegoj ate qe po ndodh. Vertet nuk e marr vesh ku e pate ju qe une po mundohem te justifikoj dhe them qe gafat e padijes duhen falur. Pstaj eshte evident fakti qe nqs ata qe perkthejne jane njerez te paditur “Roma per Toma” do te perkthejne. Mos valle juve prisni qe po i dhe majmunit makinen e shkrimit, pas ca perpjekjesh majmuni do te shkruaje “Hamletin”.

      Dhe per ta mbyllur, mendoj se eshte fatkeqsi qe ashtu sic jane punet nuk po duken perpjekje te mjaftueshme per ta ndrequr sado pak kete situate, aq me teper qe edhe ca njerez si puna e Z. Vehbiu ketu po shprehin nje fare mosbesimi per suksesin e perpjekjeve te tyre kur shkrimin e mbyll:

      “Por edhe nuk rri dot pa e thënë: janë shqiptarët që po budallallepsen, duke filluar nga unë, që vazhdoj të merrem me këto marrëzira, duke mbajtur gjallë, tërthorazi, iluzionin e një shprese.”

      Besoj se me miresine tuaj mund te me gradoni nga mushke, ne kale.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin