Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Semiotikë

NË KËRKIM TË AUTORIT

Një ngatërresë kurioze më ndodhi këto ditë, lidhur me përdorimin e foljes “shkruaj”.

Folja ka edhe kuptimin “shpreh një mendim ose diçka tjetër me shkrim” – si në fjalinë më poshtë:

“Kritiku gjerman Helmholtz shkruan se romani si formë letrare nuk ka të ardhme në kulturën perëndimore.”

Kuptohet se e tashmja, në këtë fjali, është konvencionale, meqë kritiku në fjalë e ka shkruar këtë muaj (ose vite) më parë.

E tashmja i referohet momentit kur ne – autori i thëniezimit më lart dhe lexuesi – komunikojmë për idenë e Helmholtz-it.

Veç kësaj, folja shkruan në këtë shembull është një metonimi për “thotë, mendon, argumenton, sugjeron” etj., duke qenë shkrimi vetëm forma që ai ka zgjedhur për ta përcjellë mendimin.

Aq më tepër që ne nuk i referohemi dorëshkrimit të Helmholtz-it, por librit të tij që kemi në bibliotekë dhe që i përcjell fjalët e kritikut në trajtë të shtypshkruar.

Ka një sërë konvencionesh, të cilat na sigurojnë se këto fjalë janë vërtet të Helmholtz-it, duke filluar nga emri i tij që figuron si autor i librit, te bindja jonë si lexues se botuesi (shtëpia botuese) i kanë qëndruar besnik tekstit të dorëshkruar, me pëlqimin e autorit vetë.

Në kuptimin që Helmholtz-i, nëse vendos ta hapë librin e vet dhe t’i lexojë ato radhë, të thotë: po, i kam shkruar unë vërtet, tamam ashtu.

Shto këtu edhe se, sa kohë që ne i lexojmë mendimet e atij kritiku jo në origjinal, por të përkthyera, na duhet të supozojmë edhe se përkthimi i ka qëndruar besnik origjinalit – në kuptimin që, sikur ky Helmholtz-i të kish shkruar shqip, pikërisht kështu do të ishte shprehur.

Këtë garanci na e jep edhe shtëpia botuese që ka nxjerrë Helmholtz-in në shqip, ashtu edhe emri i përkthyesit që vendoset në krye të librit, krahas atij të autorit.

Kjo, në vija të trasha.

Tani, ngatërresa ndodhi sepse unë, në një ese timen, kisha thënë: “Revista Ex Aequo shkruan,” dhe kisha vazhduar me një përshkrim të tekstit të botuar nga ajo revistë – dhe autori i atij teksti (që ishte, mes të tjerash, përkthim) më korrigjoi, duke më shpjeguar se atë gjë nuk e kish shkruar revista Ex Aequo[1], por vetëm sa e kish botuar; dhe se teksti kish autor dhe përkthyes, të cilët unë s’i kisha përmendur, edhe pse duhej t’i përmendja.

Pyetja ime këtu është se deri ku mund t’ia lejojmë vetes këtë lloj metonimie – e cila përndryshe shfaqet rëndom në publicistikë, si atëherë kur themi: “Londra pritet të marrë një vendim nesër”, duke pasur parasysh me “Londra” qeverinë britanike; ose kur themi: “Gazeta franceze Le Monde sot kish shprehur skepticizëm ndaj planit të paqes”, pa çka se artikulli në Le Monde nuk ishte redaksional, por kish autor.

Kur unë thoja: “Revista Ex Aequo shkruan,” kisha futur në valle, dashur pa dashur, autorin e atij shkrimi, i cili këtë herë qëlloi të ishte përkthyesi, por që mund të kish qenë edhe autor i një shkrimi origjinal. Natyrisht, përkthimi kish autor dhe autori, edhe pse përkthyes, kish një farë agjencie, në rrugëtimin e atij teksti drejt meje si lexues.

Duke u ankuar, përkthyesi m’u paraqit si autor[2] në kuptimin klasik të këtij termi; pra jo në kuptimin e autorit si funksion të diskursit (fonction auteur, Foucault), ose si kusht të produksionit dhe të recepsionit a parim organizativ të një kategorie tekstesh.[3]

Pa u humbur në labirintin filozofik të Foucault-it, le të themi se jo çdo tekst e ka të deklaruar autorin – p.sh. emri i revistës në fjalë, Ex Aequo, nuk ka autor eksplicit dhe as është e nevojshme të ketë, edhe pse lexuesi i revistës gjithnjë presupozon se ekziston një person, ose një kolegjium, që “e bën” revistën dhe që e ka vendosur si ta quajë[4].

Por në esenë e vet të njohur për autorin, Foucault-i vë në dukje edhe se, origjinalisht, autori u përftua, si koncept, brenda sistemit juridik – si individi që mbante përgjegjësi për tekstin dhe që do të dënohej, nëse teksti rezultonte subversiv, në gjykimin e autoritetit përkatës.

Le të themi, atëherë, se një tekst i botuar në Ex Aequo, ka të paktën dy autorë: hartuesin e tij dhe revistën vetë që merr vendimin për ta botuar (kjo përjashton platformat e botimit, ku gjithsekush mund të vendosë një tekst – p.sh. grupet e diskutimeve online).

Në këtë kuptim, vendimi i redaksisë së revistës për ta botuar një tekst nuk është thjesht administrativ – sa kohë që revista ka një profil të vetin edhe kulturor.

Për shembull, thënia “Gazeta franceze Le Monde sot kish shprehur skepticizëm ndaj planit të paqes” do të tingëllonte ndryshe sikur ta zëvendësonim emrin e gazetës: “Gazeta franceze Le Figaro sot kish shprehur skepticizëm ndaj planit të paqes”. Kjo sepse këto dy gazeta i qasen planit të paqes nga pozicione të ndryshme.

Ky dallim lidhet edhe me atë përkufizim tjetër, të rëndësishëm, të Foucault-it, për autorin si kufizues të një diskursi specifik, ose si indikacion si duhet pritur ky diskurs (Foucault-i shprehet kështu: “L’auteur est […] la figure idéologique par laquelle on conjure la prolifération du sens.”)

Në këtë kuptim, revista Ex Aequo është edhe ajo autore e shkrimit në fjalë po aq sa edhe personi që e ka hartuar, por në një mënyrë tjetër.

Ky problem na pat dalë në Peizazhe të fjalës kur vumë në dispozicion të lexuesit studimin e Auron Tares për Koliqin dhe Camajn; e kujt ishte përgjegjësia? E të dyja palëve – e Tares për natyrën e hulumtimeve të tij dhe soliditetin e tyre; jona, që vendosëm t’ia japim publikut.

Megjithatë, mua si drejtues të Peizazheve nuk do të më pëlqente sikur nesër të lexoja se “Revista Peizazhe të fjalës shkruan për bashkëpunimin e Koliqit dhe të Camajt me agjenturat e huaja, që punonin për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.”

Dhe nga kjo pikëpamje e mirëkuptoj shqetësimin e autorit të shkrimit në fjalë – të cilit iu përgjigja dhe ndërhyra në tekst, për ta saktësuar shprehjen.

Vite më parë, kur punoja në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, dhe pasi u botua Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (1980), më kujtohet se kryeredaktori i fjalorit (A. Kostallari) dhe redaktorët u nderuan me çmim të republikës. Por hartuesit e fjalorit, ose grupi që e kish shkruar shkronjë pas shkronje, nuk morën asnjë çmim.

Ashtu njëri nga hartuesit, Palok Daka, u ngrit dhe e pyeti Kostallarin: “sikur Fjalori të kish rezultuar me gabime të rënda ideologjike, vallë vetëm kryeredaktori dhe redaktorët do të dënoheshin?”

U shfaq ashtu autori, si personi që do të dënohet për tekstin.

Meqë – për t’u kthyer tani tek incidenti i vogël me shkrimin e botuar në revistën Ex Aequo – shkrimi im rrekej të hapte një diskutim kritik rreth temës, mbase ashtu edhe e legjitimonte pyetjen se kush do të përgjigjej, për çfarë kisha vënë unë në dukje: autori i shkrimit, apo revista që e kish botuar?

Jo se unë kërkoja ndonjë përgjigje, dhe as se kisha akuzuar kënd për fajtor; por sepse kritika ime i drejtohej qartazi një teksti, pa e specifikuar se kush duhej të jepte përgjigje (dhe nëse duhej të kishte përgjigje).

Duke u shprehur se “Revista Ex Aequo shkruan…”, unë ia kisha lënë, në mënyrë implicite, përgjegjësinë revistës, duke mos përmendur autorin “tjetër” – që e kish iniciuar procesin e botimit: përkthyesin e materialit; dhe jo vetëm përkthyesin, por edhe personin që e kish gjetur këtë tekst, e kish gjykuar si me interes dhe ia kish propozuar revistës (po supozoj se përkthimi nuk ishte me porosi).

Atribuimi prej meje i autorësisë kish ndodhur automatikisht, por kjo nuk e bënte më pak të mangët: duheshin përmendur të gjitha palët që luajtën rol aktiv në botimin e pjesës.

Po i mbyll këto shënime, të hedhura shpejt e shpejt, me një sentencë, e cila sot e kësaj dite shoqëron emrin e gazetës Le Figaro (dhe që më doli përpara tani që verifikoja emrin e asaj gazete, për shkrimin tim):

Sans la liberté de blâmer, il n’est pas d’éloge flatteur.

Të cilën po e përkthej lirisht kështu:

Atje ku nuk ka liri për të kritikuar, nuk mund të ketë lëvdim të mirëfilltë.

Autori i kësaj batute? Personazhi Figaro, në komedinë “Le marriage de Figaro”, me autor Beaumarchais-në, në një përkthim ku autori jam unë (sërish po ngatërrohem me autorin…).

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Kam përdorur një emër të sajuar për revistën – meqë po dua të ndërtoj një shembull për argumentin, jo të debatoj me të.

[2] Fjala autor (ita. autore, angl. author) i ka rrënjët te latinishtja auctor, një emër vepruesi nga folja augere “shtoj, rrit”; pra auctor si dikush që krijon (shpik) diçka. Herët në Mesjetë, auctor kishte edhe kuptimin “burim i informacionit ose opinionit autoritativ”, që sot e ka humbur; por të vihet re lidhja etimologjike me autoritet, pa çka se sot kuptimet janë ndarë; aq sa autori të shihet si ai që e përfaqëson tekstin (veprën, etj.) përballë autoritetit.

[3] Foucault-i e prezantoi përkufizimin e vet të autorit në një leksion me titullin “Qu’est-ce qu’est un auteur”, në anglisht What is an author. Megjithatë, këtu gjendet një shtjellim më i hollësishëm dhe më i qartë i këtij koncepti.

[4] Sipas Foucault-it, tekste të tilla, si emri i një reviste, nuk kanë autor.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin