Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

MES PELLAZGËVE TË KONDËS DHE ETRUSKËVE TË MAYANIT

Spiro Konda – foto nga Kristaq Sotiri

Koha për ta zgjeruar rrëfimin tonë me personazhe të reja, duke filluar nga Spiro Konda.

I lindur në 1862 dhe i vdekur në 1967, ky methuselah i kulturës shqipe e kish moshën për të qenë deri edhe Rilindës i gjallë – por do të mbahet mend më shumë si artikuluesi i mbramë i interesit tonë kombëtar për pellazgët dhe pellazgjishten.

Spiro Konda nga Dardha e Devollit studioi për filologji klasike në Athinë, me babanë e gjuhësisë greke moderne, Jorgo Haxhidhaqin – njëlloj si, mes të tjerësh, Aleksandër Xhuvani.

Për Kondën Wikipedia shqipe është tejet lapidare:

Studiues, filolog dhe historian. Është i pari që mbrojti tezën e prejardhjes së shqiptarëve nga pellazgët; vepra e tij më e njohur ishte Shqiptarët dhe problemi pellazgjik, botuar më 1964. Konda u harrua nga akademia shqiptare, e cila ishte nën influencën e Eqrem Çabej-it.

Më shumë hollësi mësojmë nga një adash i tiji: Spiro Koleka, i cili ka shkruar për të gjatë, në kujtimet e botuara në 1988.[1]

Kolekën e pat vënë fillimisht (në vitet 1953-1954) në lidhje me Kondën Enver Hoxha, të cilit Konda i kish kërkuar ndihmë, për t’i shkruar dhe përgatitur për botim studimet e tij pellazgjike.

Hoxha i thotë Kolekës kështu:

Konda plak ka kërkuar ndihmë, do të shkruajë për çështjen pellazgjike. T’i japim çdo ndihmë, se ai është një helenist i madh dhe njeri i ditur e i mirë. Ai ka punuar tërë jetën për këtë çështje. Edhe tani, që është rreth të nëntëdhjetave, rron me këto idera dhe ka dëshirë të madhe të shkruajë sa më parë një vepër shkencore.

Në fakt, Konda i kish kërkuar ndihmë për botim edhe një ministri Arsimi të mbretërisë, Xhafer Ypit, edhe Faik Konicës – që ia kish shpërfillur kërkesën, teksa Ypi madje e pat akuzuar për “grekofil.”

Por Hoxha vendos që t’ia japë Kondës ndihmën që kërkonte, edhe pse – nga fjalët që i ka thënë Kolekës më lart, nuk tingëllon tamam entuziast për projektin (fiksimin?) e studiuesit plak (rron me këto idera).

Koleka rrëfen edhe për një takim të rastit në praninë e tij, te “Shtëpia e Partisë” në Korçë, mes Spiro Kondës dhe Aleksandër Xhuvanit – ky i fundit dijetar i shquar, mësues i shqipes nga të parët, që në vitet e Rilindjes, një nga themeluesit e arsimit modern shqip dhe i lidhur ngushtë edhe me pushtetin komunist.[2]

Për çudi, Xhuvani i qëndroi Kondës mjaft ftohtë, edhe pse Xhuvani me siguri ish në dijeni që Kondën po e përkrahte Enver Hoxha, për të gatitur veprën e vet madhore.

Pjesë të zgjedhura nga punimi i Kondës iu dërguan Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë për vlerësim – por specialistët i hodhën poshtë si jo-shkencore; çfarë Spiros tjetër i la një shije të hidhur: “Si ka mundësi që në tërë këtë punë të lodhshme që ky filolog me përvojë ka bërë, këta shkencëtarët tanë nuk gjejnë asnjë gjë me vlerë?” – çuditet ai.

Me interes edhe filologjik është edhe një vjershë që ka shkruar Koleka në mbledhjen e Kuvendit Popullor të shkurtit 1957, me këtë temë, drejtuar Enverit:

DILEMA

Nga Pyrrua tek Skënderbeu
Edhe në kohërat më vonë,
Krenarinë tonë askush s’e theu:
– Që gjak pellazgu ndër neve vlon-

Shumë të huaj kanë punuar,
Këtë dilemë për ta zgjidhur:
“Pellazgët a kanë ekzistuar?”
Por jo “Kush me ta është i lidhur”.

Dhe njëherë që memzi dolli
Një dijetar yni që i bashkon
Me popullin shqiptar, i polli
Të gjorit belaja! Shkenca jonë s’pranon!

Është i ulët, thotë, e primitiv;
Si bëhet pa Jokle, Mayer e tjerë?!
Fonetikën ay s’e di. Dënim definitiv?
Gjykata dha vendim të prerë.

Por historia do ta tregojë,
Se ka të drejtë Konda plak.
Lum ai që do të rrojë:
Të shohë si do hani dajak!

(nënshkruar Arrëza, 18 shkurt 1957)

Së cilës vjershë Enveri i përgjigjet, gjatë së njëjtës mbledhjeje, kështu:

Jam me ti, moj Arrëzo,
Pse ti je njeri i shkencës,
Pamvarësisht se thumba ke,
Dhe i del përpara pendës,

Unë kam besim si ty,
Se kjo punë kështu do dalë.
Hypja kalit me shalë
Edhe shko e pi një dhallë
Me Çabenë e me Xhuvanë”.

(nënshkruar: Grenxa)

Duke i lënë të kuptojë Kolekës – i cili pellazgologjinë e kishte edhe vetë pasion mirëfilli intelektual – se për këto punë vendosnin Çabej dhe Xhuvani, të cilëve ai ua dëgjonte dhe respektonte fjalën.[3]

Në mars të vitit 1958, Konda i dërgoi Hoxhës një përmbledhje të librit të vet, Shqiptarët dhe problemi pellazgjik. Sërish, në hyrjen përkatëse në ditar, lideri mjaftohet të thotë se studime të tilla kërkojnë të përpunohen më tej dhe të pasurohen me prova dhe se kjo u takon institucioneve tona shkencore që ta bëjnë.[4]

Në maj të vitit 1959, Byroja Politike diskutoi disa probleme në lidhje me vëllimin e 1-rë të Historisë së Shqipërisë, mes të cilave edhe ai i etnogjenezës dhe pikërisht: pse nuk thuhej asgjë, në atë vepër, “për prejardhjen tonë nga pellazgët?”

Për këtë çështje, Hoxha në thelb u shpreh kështu:

Tezën që ne vijmë nga pellazgët nuk duhet ta hedhim, por ta studiojmë më tej. Detyra e historianëve tanë është që të gjejnë lidhjet dhe zhvillimin e mëtejshëm të pellazgëve me ilirët.

Vepra e Kondës u botua në 1962, në greqisht (botimi shqip doli në 1964). Një vit më parë, në 1961, ishte botuar libri i arkeologut frëng Zaccharie Mayani, Les étrusques commencent à parler, ku një nga enigmat e mëdha të botës klasike ftillohej nëpërmjet shqipes.[5]

Shkruan Koleka:

Për ne kjo vepër ishte një ngjarje me rëndësi, se autori si çelës të zbërthimit të gjuhës së etruskëve kishte zbuluar gjuhën shqipe. Më kujtohet si shoku Enver e pas tij unë e ndonjë tjetër, e studiuam me vëmëndje e kënaqësi të veçantë këtë vepër që e ngrinte lart gjuhën tonë, për lashtësinë dhe pasurinë e qëndrueshmërinë e saj.

Autori i librit, Mayani (1899-1982), ishte një hebre nga Rusia, i vendosur prej kohësh në Francë dhe, mes të tjerash, aktivist i zionismit revizionist (ideologji e zhvilluar nga Ze’ev Jabotinsky); libri dhe hipoteza e tij etruske u pritën, në rastin më të mirë, me buzëqeshje.

Megjithatë, edhe Konda edhe Mayani u ftuan të flisnin në Konferencën e 1-rë të Studimeve Albanologjike të mbajtur në Tiranë, në nëntor të vitit 1962.

Spiro Koleka sërish nuk arrin dot të shpjegojë pse askush në Shqipëri nuk shprehet në publik për dy veprat në fjalë – dhe gjykon se:

Rrethet shkencore të vendit tonë dënuan me HESHTJEN E TYRE si veprën e Kondës, ashtu edhe atë të Mayanit.

Nuk duket t’i shkojë nëpër mend se kjo HESHTJE mund të ishte minimumi i reagimit negativ, që mund të vinte nga albanologët; të cilët e kishin parë tashmë që as Konda, as Mayani nuk i plotësonin standardet e dijes historike-krahasuese; por kishin frikë të shqiptoheshin hapur, sepse të dy këta gëzonin simpatinë e Enver Hoxhës.

Vepra e dytë e Mayani-t kushtuar etruskëve dhe shqipes, La fin du mystère étrusque, u përkthye menjëherë në shqip dhe u botua në 1973 (nëse nuk gaboj, u printua në Rumani, për shkak të tipografisë së komplikuar – shkronjat e alfabetit etrusk, etj.)

Me sa mbaj mend, në parathënien e atij botimi Mayani falënderonte, mes të tjerëve, Androkli Kostallarin për mikpritjen dhe ndihmën që i kish dhënë, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Hoxha e ka përmendur veprën e Mayani-t edhe në kontekste të tjera; gjithnjë i pëlqenin lexime të tilla veprash gjysmë diturake, që ia dërgonin nga Franca dhe që e furnizonin me tema për muhabete të ngeshme dhe erudite. Nuk është për t’u përjashtuar ndonjë ndërmjetësim nga miqtë e lashtë të Enverit në Francë. Edhe përfshirja e Kostallarit në këto ekuacione nuk është krejtësisht e sqaruar – ky në jetën e vet nuk pat shprehur kurrë asnjë interes për etruskët. Por mund të supozohet ndonjë farë afiniteti mes të dyve, për shkak të lidhjeve të shumëfishta me Rusinë, të cilin e zbuluan gjatë vizitës së parë të Mayani-t në Tiranë, në 1962.

I pikëlluar që Mayani dhe Konda nuk kanë marrë vëmendjen që meritonin, nga ana e dijes në Shqipëri, Koleka thotë:

Është për të ardhur keq, që një gjuhëtar si Eqerem Çabej të ketë ndikuar kaq shumë negativisht në hedhjen poshtë të krenarisë tonë kombëtare, si pasardhës të pellazgëve, me tezat e tij pa baza shkencore, që pohojnë të kundërtën.

Vëreni rrëshqitjen logjike: nga mospajtimi me një hipotezë të thuash pak fantastike, te “hedhja poshtë e krenarisë sonë kombëtare”. Dhe Koleka nuk e lë me kaq:

Jam i mendimit që kjo veprimtari e tij ka dëmtuar deri njëfarë pike, edhe vetë veprën e tij madhore mbi etimologjinë e fjalëve të gjuhës sonë. Duke mos e lidhur gjuhën tonë me gjuhën pellazgjishte, por vetëm me gjuhën e ilirëve, kjo e ka çuar, që në prejardhjen e fjalëve ai të anojë më shumë në huazimet e gjuhës sonë nga greqishtja e latinishtja e të zbehë të kundërtën, pra fjalët që i ka huajtur gjuha jonë këtyre gjuhëve, të cilat janë dukur e zhvilluar pas pellazgëve e në truallin e tyre.

Pra, duke mos e përfillur hipotezën pellazgjike, Çabej u ka dhënë më shumë peshë huazimeve të shqipes “nga greqishtja dhe latinishtja” duke shpërfillur të kundërtën – ose fjalët që këto të dy gjuhë klasike kanë marrë nga pellazgjishtja. Ku e kemi dëgjuar tjetër, këtë që Çabej i ka nxjerrë shumë huazime shqipes? Në ç’tubim a ç’kuvend kombëtar tani së voni?

Këto që thotë Koleka, me gjykim dhe ton prej amatori dhe nacionalisti të bindur por modest, kanë vlerë kryesisht për të dokumentuar që mendësia e mbjellë ndër shqiptarë nga Rilindja, për lidhjet birësore shqiptaro-pellazge dhe primatin e shqiptarëve mes popujve të Europës (“Shqipja është nëna e të gjitha gjuhëve dhe shqiptarët janë baballarët e kombeve”), mbetej e gjallë edhe mes atyre që kishin pushtetin, në Shqipërinë totalitare.

Çfarë e pengoi këtë mendësi, që të merrte në kontroll dijen albanologjike në Shqipëri, ishte gatishmëria e Hoxhës për të marrë dhe dëgjuar qoftë edhe thjesht privatisht këshillat e Çabejt, Xhuvanit dhe të ndokujt tjetër (p.sh. Aleks Budës), të cilët ishin të vetmit që e kuptonin natyrën në thelb para-shkencore, të përpjekjeve si ato të Kondës dhe të Mayani-t.

Mund të supozojmë edhe se Hoxha, në vitet 1950-1970, është konsultuar shpesh me Çabejn dhe akademikë të tjerë, në lidhje me këto çështje, që i tejkalonin caqet e tij të kuptimit (ose më mirë, ku ai do të tregohej kompetent, në atë masë që do t’ua delegonte mendjeve të tjera).

Shumëkush tani mund të pyesë se ç’e shtyu Hoxhën të rreshtohej me Çabejn “kundër” Kondës.[6] Respekti personal për të parin mbetet shpjegimi i parë; por mund të supozohet edhe ndonjë ambicie afatgjatë për ta kthyer Shqipërinë në kryeqendër të studimeve albanologjike në botë – e cila ambicie nuk mund të realizohej, pa ekspertizën dhe sidomos reputacionin ndërkombëtarisht të konfirmuar të Çabejt. Një nga ato raste, sado të rralla, kur vaniteti i liderit i shërbeu dijes drejtpërdrejt.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi i shkrimit pa leje. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.

Kopertina: Poçeri etruske.


[1] Një kapitull i kujtimeve të Kolekës mund të lexohet këtu.

[2] Me një djalë dëshmor, Ptoleme Xhuvanin; dhe me një vajzë, Semiramisin, të martuar me Ramiz Alinë, Xhuvani ishte – incidentalisht – gjyshi i Ardian Klosit nga e jëma; në një kohë që Spiro Koleka ishte dajë i nënës së Edi Ramës, Anetës. Për t’u shënuar që Spiro Koleka ka studiuar në po atë lice klasik arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, në Itali, ku ka dhënë mësim gjuhën shqipe Aleksandër Xhuvani, me ftesë të Luigj Gurakuqit.

[3] Çabej dhe Xhuvani përmenden shpesh bashkë, në dokumente të tilla, edhe pse i kishin rrënjët në dhera kulturore të ndryshme: i pari në Vjenë, i dyti në Athinë. Kanë shkruar bashkë dy monografi, për parashtesat, përkatësisht prapashtesat e gjuhës shqipe; dhe kanë qenë kolegë dhe bashkëpunëtorë që në vitet e Institutit të Studimeve Shqiptare, dhe pastaj të Institutit të Shkencave. Për t’u shënuar që Xhuvani pati bashkëpunuar edhe me Komisinë Letrare Shqipe (të Shkodrës), të formuar nën egjidën austro-hungareze, gjatë viteve të Luftës I Botërore.

[4] Cituar sipas shënimit në veprën Dy popuj miq.

[5] Edhe Konda rezulton të ketë pasë shkruar një vepër për etruskishten (nuk mundej ndryshe), por Mayani nuk do ta ketë njohur.

[6] Vite më pas, trajtimi “Konda” do t’i rezervohej një studiuesi tjetër – Petro Zhejit – dhe veprës të tij Shqipja dhe sanskritishtja, i cili shkëputej nga paradigma albanologjike, për të çarë rrugë drejt mistikes dhe okultes. Edhe atëherë u tha – “u tha” – se albanologët e Akademisë e kishin gjykuar librin e Zhejit si jo-shkencor; ose, si përtej kompetencave të tyre për ta vendosur botimin.

2 Komente

  1. Nga zhvillimet e tyre gjuhesore kemi realisht dy fusha studimore. Tek albanologjia zyrtare iliret trajtohen si njesi abstrakte referimi per Balkanin romak e pararomak, pra pa kurrfare interesi gjuhesor, jashte te qenit ene per mbajtjen e latinizmave. Perndryshe zhvillimet pellazge nuk kane asnje pike interesi per kohen e Romes e pasketaj, per te mos thene qe as e vene ujin ne zjarr per Romen. Pra, difekti i albanologjise zyrtare eshte inkompetenca ne iliristike, studimet paleoballkanike dhe indoeuropianistike. Duket qarte edhe nga menyra shabllone si kritikohen en bloc gjithe studimet pellazge, nderkohe qe autore te ndryshem deri edhe ballkaniku/ bullgari Georgiev guxojne te ngrene hipoteza per pellazget. Pra, eshte e qarte qe albanologjia eshte jo vetem e paafte te merret me ceshtjen e origiines se shqiptareve, por edhe mburravece per kete inkompetence ( sikur inkompetenca te jete dicka e levdueshme). Keshtu qe ka qene edhe eshte normale qe per ate qe albanologjia zyrtare ka shpallur inkompetence ontologjike, te vazhdojne studime amatoriale nder shqiptaret. Per mendimin tim justifikimet e asaj kohe kane qene komike sa jane ende sot, ndersa inkompetenca per ballkanin pararomak ka qene dhe eshte tragjikomike. Ne kushtet kur per Renfrew Ballkani eshte njefare atdheu i dyte indoeuropian dhe per steporet na del qe nuk njihnin fare agrikulturen (Mallory), shqipja si para kentum/satem ( Hamp, Adams), le te themi qe shume uje ka rrjedhur qe te likujdojme gjerat me Joklin e Krecmerin. Sa per Enverin, shume i eshte rene ne qafe, ne fund te fundit i duheshin edhe studiues qe merreshin me origjinen e shqiptareve, jo vetem me vijueshmerine, se me siguri nuk do merrej vete me ate pune.

  2. Shume me pelqeu fotografia.
    Bravo per ndjenjen e humorit.
    Qeramidhe te krisura – crackpot.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin