Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

EMRI I SHQIPTARËVE NË ALBANIA VENETA

anëshkrim

Në fillim të shekullit XVII, grupe të krishterësh nga zona e Shkodrës (fshatrat Brisk, Shestan, Larje dhe Pod, të Krajës) kishin kërkuar strehë në Kotorr, prej nga ish arkipeshkvi i Tivarit Vinçenc Zmajeviç tani arqipeshkv në Zara dhe proveditori i përgjithshëm i Serenissima-s, konti Nicolò Erizzo, i ndihmuan të barten në një vend afër Zara-s, në Dalmaci, për të themeluar një vendbanim të ri, të cilin e pagëzuan Arbneshi (kroatisht Arbanasi)[1] por që përndryshe, për nder të kontit, u njoh edhe si Borgo Erizzo. Grupi i parë prej 16 familjesh, gjithsej 121 vetë, u shpërngul në gusht të vitit 1726; një grup i dytë, prej 7 familjesh, gjithsej 71 vetë, mbërritën në 1727. Grupi i tretë, më i madhi, i vitit 1733, përfshinte 28 familje me gjithsej 150 vetë.

Ky komunitet ka mbijetuar dhe flet shqip sot e kësaj dite.

Prof. Tullio Erber i pat kushtuar historisë së këtij ngulimi një studim monografik me titullin La colonia albanese di Borgo Erizzo presso Zara, cenni storici, të botuar në Dubrovnik në 1883[2]. Të dhënat e mëposhtme i kam nxjerrë kryesisht nga ky studim.

Sipas Erber-it, shqiptarët katolikë të Shqipërisë Veri-Perëndimore, të ndodhur nën persekutimin sistematik të osmanëve, kërkonin dhe shpesh gjenin mbështetjen e Venedikut, ndonjëherë edhe për t’u larguar nga tokat e tyre (tek Idriz Ajeti kam gjetur argumentin se shtysë e shpërnguljes mund të ketë qenë edhe indiferenca e autoriteteve osmane ndaj epidemisë së murtajës në atë periudhë, përkundrejt masave relativisht të suksesshme të Venedikut, për ta ndaluar sëmundjen). Siç mund të supozohet, edhe Venediku i shfrytëzonte popullsitë katolike të Shqipërisë së veriut për synimet e veta politike kundër Perandorisë Osmane.

Gjithnjë sipas Erberit, dikur në mes të shekullit XVII, një kapiten i Venedikut, Nicolo Chechlina, me kombësi “shqiptare”, që t’i provonte qeverisë venedikase besnikërinë e vet, kish vendosur të shpërngulte nga Shqipëria osmane (“Albania turca”) pesëdhjetë familje, gjithsej 400 vetë, për t’i çuar në Istria nën mbrojtjen e Republikës; madje kish gjetur në Istria edhe një vend ku t’i vendoste. Një nga kërkesat që ia bënte Chechlina Proveditorit të përgjithshëm në Dalmaci dhe Shqipëri, Giovanni Antonio Zen, ishte që të ardhurve “tu njiheshin të njëjtat privilegje me ato që gëzonin fshatarët e Zhupës”; dhe “t’u lejohej të ushtronin ritin grek-ortodoks të cilit i përkisnin të gjithë dhe t’u lejohej të merrnin me vete një ose më shumë priftërinj për të kryer shërbesat hyjnore në këtë rit”. Kapiten Cechlina zotohej pastaj që në të ardhmen të sillte, në territoret e kontrolluara nga Republika, nënshtetas të tjerë turq.

Në atë kohë, sqaron Erber-i, venedikasit quanin “Dalmazia” atë pjesë të “nostra provincia” që shtrihej deri në Raguzë; ndërsa Gryka e Kotorrit shihej si pjesë e “Albania veneta[3], për ç’arsye – shtoj unë, A.V. – edhe banorët e atjeshëm mund të jenë quajtur lirisht Albanesi thjesht për nga prejardhja gjeografike. Prandaj, vëren Erber-i, na duhet të përcaktojmë se cilës “etni”[4] i përkisnin të ikurit, duke pasur parasysh se këta i njihnin privilegjet e Zhupës, ishin të fesë greke-ortodokse dhe subjekte të Turqisë; prandaj, supozon ai, ata duhet të kenë qenë të “kombit sllav” (di nazione slava), me origjinë nga malet kufitare me Zhupën[5]. Këtë hipotezë, vazhdon Erber-i, e konfirmon prania e banorëve të fesë greke-ortodokse në fshatin Peroj, në Istria, të cilët deri pak kohë më parë visheshin si malazezët (“portavano… il vestito montenegrino”); mes tyre mund të ketë pasur, megjithatë, edhe shqiptarë katolikë, madje edhe grekë ortodoksë nga Qiproja. Që mes këtyre kish edhe shqiptarë, duket sikur e konfirmon tërthorazi një lajmërim i Matteo Bartoli-t (Le reliquie del dialetto albanese dell’Istria) për një tekst të transkriptuar nga ai dialekt.

Gjatë shekullit XVII, vazhdon Erber-i, Senati i Venedikut ishte njoftuar që shumë shqiptarë po emigronin, me rrugë detare, drejt Mbretërisë së Napolit, për t’u vendosur atje dhe për t’u rekrutuar në ushtrinë mbretërore si ushtarë. Prandaj, vëren ai, në maj të vitit 1675, Proveditori i Përgjithshëm Pietro Civran dha urdhër që të dërgohej një flotilje në jug të Adriatikut, për t’i kontrolluar anijet që kalonin atje dhe, nëse do të gjendeshin ikanakë (“fuggiaschi”) që synonin të kalonin në shërbim të Mbretit të Napolit, t’i shtrëngonin të ktheheshin mbrapsht, dhe t’i zbarkonin në plazhet më të volitshme, që këta të ktheheshin në shtëpi (“dovevano constringerli al ritorno, facendoli sbarcare sulle spiagge più comode, per ridursi alle case loro.”)

Megjithatë, në fund të majit, ambasadori i Vendikut në Napoli i pat komunikuar qeverisë së vet mbërritjen e refugjatëve shqiptarë në atë mbretëri, për t’u rekrutuar në forcat ushtarake (“nelle milizie”), dhe senati venedikas dha urdhër që “të hetohej numri i të ardhurve dhe kush e kish nxitur këtë”, duke shtuar se ai (Senati) “gjithnjë kish pasur synim të ruante në shërbimin e vet atë komb të mirëdashur (“bene affetta”) dhe të kujdesej që ky të mos transferohej gjetiu.”

Ky urdhër u rimor pastaj nga një dekret i ri, meqë ish marrë vesh, ndërkohë, se shumë shqiptarë kishin ndërmend të udhëtonin për në Trieste, prej nga të kalonin në Mbretërinë e Napolit. Por Proveditori Civran kreu hetimet e duhura dhe lajmëroi Senatin se lajmet për shqiptarët e kaluar në shërbim të Mbretërisë së Napolit ishin pa bazë.

Pyet Erber-i: nga vinin këta të ikur dhe ishin vërtet shqiptarë, duke pasur parasysh se shumë prej tyre vinin nga Gryka e Kotorrit[6] dhe ishin “bocchesi sudditi veneti”)?

Banorët e zonave përreth Bunës kishin dëgjuar, në atë kohë, se lufta mes Venedikut dhe Turqisë nuk do të vononte, çfarë i pat bërë t’i kërkonin Proveditorit Giustino da Riva që t’i ndihmonte t’i shpëtonin zgjedhës turke dhe të strehoheshin në territorin e Republikës. I njëjti Proveditor ishte lajmëruar, në 20 shtator 1707, se fisi malësor i Kelmendasve (i Clementi) kishin ngritur krye kundër turqve[7]. Në relazionin përkatës, Da Riva tha se do të përpiqej t’i qetësonte banorët e krishterë shqiptarë dhe sllavë të zonave kufitare me Albania Veneta, meqë prania e tyre atje ishte “në interes publik [të Venedikut]”, duke u premtuar atyre mbrojtje dhe mbështetje edhe ekonomike.

Pa u zgjatur në hollësi të tjera të vyera, që ofron Erber-i, po dua të ve në dukje disa pak konsiderata në bazë të sa u soll më lart, dhe pikërisht:

  1. Që në shekujt XVI-XVII, zonat e kontrolluara nga Venediku në rripin bregdetar të Adriatikut (në vija të trasha, midis Raguzës dhe Ulqinit) njiheshin akoma si Albania Veneta; dhe që këtej duket logjike që banorët e tyre mund të quheshin sporadikisht “albanesi”, thjesht për nga përkatësia – pavarësisht nga nëse të etnisë shqiptare, sllave (malazeze a kroate), dalmate ase italiane.[8]
  2. Që ishte në interesin strategjik të Venedikut që kjo popullsi, përfshi edhe atë kufitare me trojet e Albania Veneta, edhe të ndihej e mbrojtur kundër kërcënimit osman, edhe të mos lejohej të largohej në masë, sidomos drejt Mbretërisë së Napolit; meqë, mund të supozohet, ajo mund të përdorej në rast të një lufte me Perandorinë Osmane (nuk mund të them asgjë për marrëdhëniet e Venedikut me Napolin, në atë periudhë).
  3. Që të paktën një pjesë e atyre që lejoheshin të iknin nga Albania Veneta, ose nëpërmjet porteve të saj, për t’u vendosur gjetiu në trojet e Republikës ishin sllavë etnikë (malazezë)[9], por që quheshin albanesi qoftë për shkak se vinin nga Albania Veneta, qoftë sepse ashtu mbase do të përfitonin më shumë simpati nga autoritetet. Nëse të shpërngulurit në Istria e prezantonin veten si shqiptarë, por ishin sllavë-malazezë të ritit grek-ortodoks, atëherë nuk mund të përjashtohet që emri arbënesh (arbanasi) të jetë përdorur prej tyre edhe si endonim; në kuptimin “ne vijmë nga Albania Veneta”.
  4. Që kjo popullsi jo-italiane e Albania Veneta, shqiptarë a sllavë qofshin, ka pasur lidhje të forta familjare, fisnore, kulturore, tregtare etj. edhe me popullsinë katolike në trojet e Perandorisë Osmane që kufizonin me të, në mos edhe me popullsinë myslimane të po atyre trojeve.

Tani, gjithnjë nëse albanesi, shqip arbnesh, sllavisht arbanas, përdorej sado informalisht në ato kohë për të identifikuar banorët jo-venecianë të Albania Veneta, kjo gjykoj se hap një argument të ri, në përpjekjet për të arsyetuar rreth ndërrimit të emrit etnik të shqiptarëve; aq më tepër që mu në atë kohë, ose në fillim të shekullit XVIII, dalin në dokumente edhe okurrencat e para të emrit etnik shqiptar dhe luhatjet mes shqiptar nga njëra anë, arbnesh dhe arbënor nga ana tjetër (si te Da Lecce). Kujtoj këtu se ishte i njëjti prelat, arqipeshkvi i Tivarit Vinçenc Zmajeviç, drejtues i punimeve të Kuvendit të Arbënit dhe hartues i (ku përmendet edhe emri shqiptar si endonim), që ndihmoi më pas shqiptarët (arbneshët) e Krajës të shpërngulen në zonën e Zara-s, në Dalmaci.

Me fjalë të tjera – për arsye kryesisht politike, të paktën në trojet e Albania Veneta, emri albanese me gjasë po fillonte të përdorej për të shënjuar jo vetëm shqiptarin katolik, por edhe të tjerë bocchesi, banorë të bregdetit të asaj eksklave, përfshi këtu edhe sllavë; gjithë në një kohë kur Republika ishte e detyruar të ofronte trajtim të diferencuar midis gli albanesi shtetas të vet, nga gli albanesi të hinterlandit, që – të paktën ata katolikë – edhe ata prisnin prej saj vëmendje dhe mbrojtje nga osmanët. Venediku mund të toleronte largime grupesh të vogla, si ato të Arbneshit në Zara, por përgjithësisht ishte kundër shpërnguljes masive të një popullsie që, përndryshe, i shërbente si buffer në kufijtë me Perandorinë Osmane dhe do t’i hynte shumë në punë, në rast lufte.

Të ketë qenë kjo një faktor, edhe në luhatjet mes përdorimit të termit etnik arbënuer/arbënesh, përkatësisht shqiptar, në tekstet e Da Lecce-s (parathëniet e veprave të tij dhe Fjalorin)?[10] Da Lecce ishte klerik katolik dhe u bindej orientimeve të Vatikanit; të cilat jo gjithnjë përkonin me interesat e Venedikut në Adriatik – sa u përket shqiptarëve. Në parim, mund të përfytyrohet një lëkundje në kuptimin e termit arbënuer/arbënesh, në trojet katolike-bregdetare të Shqipërisë së Veriut – midis “shtetas i Venedikut si banor i Albania Veneta” dhe “shqiptar etnik”; dhe në ato rrethana kur edhe sllavët e zonës filluan të identifikoheshin si “albanesi”, për të përfituar më mirë nga predisponimi miqësor i Serenissima-s, mund të mendohet se filloi të ndihet nevoja për një emër tjetër etnik, të paktën fillimisht në atë zonë; duke u përceptuar ai i vjetri si tashmë i lidhur më ngushtë se ç’mund të tolerohej, me Venedikun.[11]

Natyrisht, anëshkrimi më sipër, është vetëm një hipotezë e skicuar shpejt, madje e pagatuar mirë; e hedh këtu për të kontribuar në diskutimin e këtyre ditëve, me shpresë se do të tërheqë edhe vëmendjen e ndonjë studiuesi më kompetent se unë, specialist për Albania Veneta gjatë shekujve XVI-XVIII. M’i bëni kabull gabimet, kam dalë nga fusha ime (pasaktësitë në lexim dhe interpretim lutem m’i vini në dukje më poshtë) dhe mbase edhe jam ngutur, duke ia lejuar vetes një prezantim që nuk është ai optimali – por tema është tejet e nxehtë për revistën, në këtë moment.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Antica mappa veneziana delle Bocche di Cattaro, Di Giorgio Roncolato – Opera di Vincenzo Maria Coronelli (Venezia 1648) – Opera propria, CC BY-SA 3.0.


[1] Ka një traditë të përhapur të emërtimit të ngulimeve shqiptare anembanë Europës me këtë emër: veç Arbneshit në Zara, ka një Arbanas në Bullgari. David Luka ka shkruar për këtë temë, por artikullin e tij nuk e kam në dorë.

[2] Ata që futen në Google nga një IP në SHBA mund ta lexojnë librin falas në Google Books. Pjesë të përkthyera nga monografia janë botuar te revista Përpjekja, no. 9, 1996.

[3] Në monografinë e Erber-it, Albania Veneta shënjon një territor (eksklavë) që i përgjigjet, pak a shumë, bregdetit adriatik të Malit të Zi deri në Ulqin, dhe që u administrua nga Republika e Venedikut më parë me emrin Bocche di Cattaro dhe më pas si njësi administrative autonome, nën një Provveditore generale e ordinario di Dalmazia e Albania, me seli në Zarë. Ky territor u kontrollua gjithnjë nga Republika, nga viti 1420 deri në 1797 (Tivari dhe Ulqini ranë në duart e osmanëve në 1571).

[4] Erber-i përdor fjalën nazione; sot do të ishte më korrekt ta përkthenim këtë si etni, për ta dalluar nga kombi.

[5] Malësorët malazezë të etnisë sllave dhe të fesë ortodokse gëzonin autonomi ndaj osmanëve dhe shpesh hynin në aleanca me Republikën e Venedikut.

[6] Këtu dhe më poshtë, Gryka e Kotorrit duhet lexuar si emri i trojeve të kontrolluara nga Venediku (Bocche di Catarro) në bregdetin e Malit të Zi, jo si emër gjeografik.

[7] Te Çabej lexoj që dy katundet dikur shqiptare në Sirmie, Nikinci dhe Hrkovci, në truall të ish-perandorisë austro-hungareze, u themeluan nga refugjatë kelmendas që kishin ngritur krye, kundër Turqisë dhe në favor të Austrisë, në 1737, dhe që pastaj ishin arratisur në 1740, për t’u shpëtuar represaljeve osmane.

[8] Sipas historianit dalmat Luigi Paulucci, popullsia e Albania Veneta fliste kryesisht venezianisht (la lingua veneta), një dialekt i italishtes, por në zonat e brendshme më shumë se gjysma e popullsisë flishte sllavisht, ndërsa afër kufirit me Shqipërinë (osmane) kish komunitete të mëdha që flisnin shqip. Ulqini ishte shqiptar përgjysmë, një çerek venecian dhe një çerek sllav.

[9] Teorikisht, nuk mund të përjashtojmë këtu edhe popullsi etnike shqiptare të fesë ortodokse që jetonin në ato zona.

[10] Shih për këtë bibliografinë e ofruar nga M. Karagjozi-Kore, tek eseja Edhe njëherë për etnonimin “shqiptar” dhe fjalën “shqip”, botuar në Peizazhe të fjalës në 1 gusht 2020.

[11] Në një koment tek eseja e M. Karagjozit përmendur më lart, Dies Irae shkroi sa vijon: “Mjedisi shqiptar më i favorshëm për të prodhuar/ndryshuar një etnonim, për mendimin tim, kanë qenë malet e Gegërisë, sipas modelit që etnonimit që vjen nga reformimi socio-ushtarak, i cili strukturon një hegjemoni në një territor të caktuar.” Këtë ai e lidh me “rregullimin e territorit katolik” pas pushtimit turk. Të dyja këto teza përkojnë me hipotezën time më lart, sidomos po të kemi parasysh që ndërrimi i emrit nga arbnesh/arbnor në shqiptar fillon të përvijohet në kontekstin e një koncili katolik (Kuvendi i Arbrit), që synonte riorganizimin e kishës katolike në trojet shqiptare, për t’i bërë ballë më mirë islamizimit të vazhduar të popullsisë; situata sociale dhe politike përligj edhe përkthimin e atyre akteve në shqip.

9 Komente

  1. Albania Veneta ishte nje antipod i Albania Turca dhe ne fakt pjesa e papushtuar nga P.O., deri ne v. 1501, fillonte nga Durresi drejt Bishtit te Muzhlit (Kepit te Rodonit) e Lezhes per ne veri (vetem vija bregdetare qe kur Shkodra kish rene).
    Pas renies se Ulqinit, kjo Albani, u reduktua ne vijen Confin-Herzeg Novi. Por ashtu sikurse ky territor ndryshonte ne rrjedhe te koheve, ashtu edhe perberja etnike e popullates ndryshonte ne kete rrjedhe ne favor te nje hinterlandi gjithnje e me sllav. Dinamika e mpakjes se arberoreve eshte e veshtire te ndiqet (psh. sllavizimi i disa fiseve te forta arberore ne Mal te Zi).

  2. Jetegjatesia disashekullore e Albania Veneta, qe prej kohes se Balshajve, qe dorezuan/leshuan/shiten Shkodren, Ulqinin e Tivarin, duket se ka krijuar edhe konceptin e ”albanese” si percaktim gjeografik-administrativ te shtetasve venete, si nje term ombrelle ku perfshiheshin tre etni, me shqiptaret etni kryesore ne shek 15, por minoritare reziduale tashme pas pushtimit turk te Ulqinit e Tivarit ne 1571.

    Me pak fjale ne shek 17, nqs perdorej termi albanese per banoret e Albania Veneta, me shume gjasa ka te mos kete qene shqiptar.
    Sa per moslejimin e largimeve masive, duhet te kete te beje me faktin qe Arqipeshkvia e Tivarit , aq e njohur historikisht, praktikisht u shperbe pas pushtimit turk te 1571, se katoliket u larguan masivisht prej Tivarit e rrethinave dhe ne shume zona u kthyen ne ortodokse ( kjo ndoshta perdoret nga ata qe thone se shume fise shqiptare u sllavizuan).

    Ne 1675, Mbreteria e Napolit vazhdonte te ishte nen Spanjen Habsburgase, e cila ishte ne lufte me Luigjin e 14, pra keta shqiptare mercenare duheshin per frontet spanjolle te luftes me Francen, kufiri franko-spanjoll dhe ai franko-belg meqe Belgjika ishte nen Spanjen asokohe.

    Ne 1669 Venetia humbi Kreten ne luften e gjate me P.Osmane, qe asokohe nen ndikimin e dinastise se vezireve Qyprillinj njohu momentet e fundit te zgjerimeve territoriale. Ne 1675, Turqia ishte duke fituar nje lufte me Polonine.

    Keshtu, qe Venetia ka qene me siguri ne kercenimin me serioz turk te historise se vet dhe i duheshin mercenaret shqiptare ne pritje te luftes se ardhme me turqit ( nuk vonoi shume ne 1683, turqit sulmuan pa sukses Vjenen).

    Po ashtu nuk eshte per t’u perjashtuar qe bllokimi i mercenareve shqiptare drejt Spanjes/ Napolit si nje politike neutraliteti filo-freng nga ana venete, meqenese Habsburget e lane vetem kunder osmaneve ne luften e gjate per Kreten, 1645-1669.

    Momenti historik ne 1675 ne fakt ka qene shume kritik per Venetine, nje paqe e armatosur ose nje armepushim me shume sesa paqe.

    Mandej, kemi luften e madhe turke 1683-1699, kur edhe ka da Lecce ka punuar ne terren per fjalorin, me siguri bente edhe pune spiunimi e rekrutimi ushtarak ne favor te fuqive katolike, Venetise e Habsburgeve austriake.

    Nqs ceshtja perqendrohet tek nje analize e qendrimit dhe dyzimeve te Da Lecce-s, atehere perkthimi i ”shqipetar = parlatore”, me shume sesa ”gojetar” ne kontekstin e fjaleve dhe te kultures shqiptare do te ishte ”kuvendar”, njeri qe kuvendon, zakonisht pari e vendit ( nga edhe Kuvendi Kombetar/Popullor per parlamentin).

    Pak a shume ne kete kuptim te shqipetar si parlatore/kuvendar, i bie qe te quheshin te paret e vendit, te paret e fiseve, famujve/bajraqeve, fese si dhe pleqte qe njiheshin si gjygjtare.

  3. Shpresoj qe pasazhi me poshte te sherbeje ne kete diskutim. Eshte shkeputur nga libri “Nga Ballkani ne Mesdhe. Shqiptaret prej Mesjetes ne Agimin e Kohes se Re”, me autor Ardian Muhaj, botim i Institutit te Historise.

    ********

    Ata(studiuesit) e shohin sit ë tejkaluar koëndvështrimin tradicional të Perandorisë Osmane si një shtet monolit, të centralizuar politikisht e të njëtrajsthëm kulturalisht dhe etnikisht. Në një studim të tijin, Metin Kunt argumenton se përkatësia etnike ishte një element thelbësor kohezioni social në kontekstin osman. Në aspektin ushtarak dallohet një antagozniëm bipolar brenda elitave ushtarake-administrative ndërmjet boshnjakëve dhe shqiptarëve që filluan të perceptoheshin si “perëndimorët” dhe kaukazasve dhe kurdëve si “lindorët” e rivalitetit të ushtarakëve. Sipas tij një nga veçoritë dalluese të politikës oborrtare osmane në shek. XVII ishte solidariteti mes njerëzve nga e njëjta prejardhje etnike dhe krahinore, të njohura zakonisht me termin xhins (cins). Autori mendon se një faktor themelor në përcaktimin e karrierës së një individi që hynte në oborrin osman ishte prejardhja e tij etnike dhe krahinore dhe marrëdhënia e tij me individë të tjerë të të njëjtit background në hierarkinë administrative osmane…(fq.245)
    Autorë të tjerë i kanë përshkruar këto rivalitete si kundërvënie të Rumelisë ndaj Anadollit…

    Osmanët nuk kishin ndonjë problem me theksimin e identiteteve etnike për aq kohë sa nuk shkonin në dëm të qëndrueshmërisë së pushtetit shtetëror dhe ishin thjesht shprehje të identitetit etnik pa ngarkesa politike. Kështu këtë e vërejmë në rastin e bashkësisë së tregëtarëve osmanë në Venecia, të cilët për habinë e venedikasve theksonin këto dallime e afinitete etnike. Ndryshimet në rregulloren e hotelit apo fondakos së turqve tregojnë për mënyrën e perceptimit të kategorive të ndryshme të tregëtarëve osmanë në Venedik. Rregullat e miratuara më 1621 dallonin qartë dy kategori: “boshnjakët dhe shqiptarët” në njërën anë dhe “aziatikët”, pra anatolasit nga ana tjetër. Ky dallim ishte përvijuar më herët në raportimet e bëra me urdhër të Bordit të Tregëtisë nga Dragomanët Publikë, MIchiel Membre e Giacomo de Nores në vitin 1575 e 1620, respektivisht. Dallimi mes personave nga Ballkani dhe Anadolli ishte bërë në majft raste nga vetë tregëtarët anadollas. Në vitin 1579 p.sh ata protestuan kundër zhvendosjes së detyruar të tyre në hostelin Frangia, ku do të duhej të ndanin hapësirën e banimit me grekë e boshnjakë, duke thënë se kjo mund të çonte në përplasje të dhunshme mes tyre. Ata vërenin madje se edhe në ushtrinë osmane, këto grupe mbaheshin në garnizone të ndara për të shmangur trazirat…

    Bordi e njohu faktin se një sërë zakonesh e dokesh i dallonin kërkesështruesit. Dragomani Publik Giacomo de Nores, në raportin drejtuar Bordit në vitin 1620 vërente se ndërsa shumica e tregëtarëve shqiptarë dhe boshnjakë në Venezia banonte në hostelin e pasardhësve të Frangias, “nacioni aziatik” ishte shpërndarë nëpër qytet dhe ishte me sjellje dhe zakone të ndryshme nga të parët. Një logjikë të ngjashme mbështeste edhe një grup tregëtarësh anatolikë më 1625. Ata e detyruan një përfaqësues të lartë që të kërkojë në emër të tyre një findak të ri ku atyre do t’u sigurohej banim i veçantë për të dalluar kombësitë e Bosnjes nga ata të Stambollit dhe zonave të tjera. Megjithatë në praktikë nuk ishte e lehtë të dalloheshin lehtë. Në vitin 1645, pas fillimit të luftës së Kretës, një anëtar i Bordit të Tregëtsië, Girolamo da Ca’ da Pesaro, hartoi një raport të mbështetur në një burim të besueshëm, që sugjeronte se tregëtarët në fondak po grumbullonin armë dhe ky ishte një problem i madh pasi turqit vishnin rroba të ngjashme që vështirë dalloheshin nga shqiptarët(albanesi) dhe boshnjakët(perastini).

    Nga ky raport mund të shihet qartë se ai dallon ata që ishin tradicionalisht në miqësi me Venedikun si shqiptarët dhe boshnjakët, dhe të tjerët që nuk ishin…Pra përveç ndarjes së njohur zyrtarisht në milete fetare ka vepruar edhe identifikimi ose vetëidentifikimi etnik(fq. 246-247).

    ***
    Autori vazhdon me konkluzionin se në shekullin XV vihet re një prirje e shqiptarëve me funksione e pozita në shtetin osman për të bërë politikë…shqiptarocentrike. Spikasin sipas tij këtu në bazë të dokumentacionit Skënderbeu dhe Ahmed Gedik Pasha. Për të vijuar pak më poshtë:

    Politika e lobimit të mbështetur në përkatësinë etnike nuk duket të jetë iniciuar nga shqiptarët e qendrës perandorake, por nga sllavët, ose më saktë nga kryeministri Mehmet Sokoloviç. Ky së bashku me valide sulltaneshën dhe të preferuarën e Sulejman Kanuniut, rusen Roksana duket se e dominuan oborrin perandorak në gjysmën e dytë të sundimit të Sulejman Kanuniut dhe të pasardhësit të tij, Selimit III. Favorizimi i dukshëm i elementëve etnikë sllavë në këtë periudhë, si duket shkaktoi njëfarë mënjanimi të dukshëm të shqiptarëve që deri në vitet 1540 kishin qenë të rëndësishëm e të kudogjedur edhe pse të paprofiluar në një politikë proshqiptare.

    ***
    Reaksioni sipas autorit ishte solidariteti mes shqiptarëve dhe spekullimi i një “ndërgjegjësimi të lobit etnik shqiptar” që përfundon me Hysejn Pashanë, kryeministër, i vetmi që nuk dinte turqisht. Pasazhet për afrimimin e lobit shqiptar nuk i shpëtojnë gati një panegjiriku nga autori, por nëse konsiderojmë se aktivizimi politik i shqiptarëve në këtë drejtim dhe hapja e tyre dinamike në çështjet e detarisë në këtë kohë, sjellin strukturim të tyre në perandori dhe konfrontim me “fuqitë tradicionale”, mundet të pranohet një ide se çfarë procesesh vunë në lëvizje dhe shkallmuan ekuilibrin e vjetër aq sa p.sh më 1553 një diplomat venedikas i quante banorët e Ulqinit barbarë e injorantë vetëm se flisnin përgjithëisht shqip(citohet vepra e N. Malcolm, Agjentë perandorakë, një familje shqiptare në botën mesdhetare të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, fq. 280).

    ***
    Me gjasë tronditja në botën shqiptare është e karakterit social dhe politik brenda tyre për shkak të rrethprerjeve të disa ndikimeve dhe mobilizimit në njërën anë duke determinuar dallimin për të cilin diskutohet. Edhe pse në në periudhën që flasim jemi në procesin e ngritjes dhe manifestimit integrues të mjedisit osman, aq sa autori, duke marrë shkas nga rasti i arkipeshkvit të Tivarit Marin Bici më 1609 që fiton me ferman të drejtën e kthimit në kishën e tij konkludon se:
    _______________
    Hapësira e sundimit osman tashmë në periudhën e forcimit të lobit shqiptar përbën një hapësirë gjithënjë e më të volitshme dhe më integruese jo vetëm pë rata që shqiptarë që kishin përqafuar Islamin, por edhe për shqiptarët e krishterë, madje edhe për diasporën shqiptare të krishterëv të Italisë(fq.279).

  4. Lidhur me endonimin SHQIPETAR qe permendet ne shkrimin e Vehbiut, kush ka deshire mund te njihet me kontekstin ku del e prej te cilit meson se ne ate periudhe se paku per ato rajone ku vepronte kisha katolike romake ne Shqiperi e Kosove endonimi shqiptar perdorej qarte per pjesetarin e nje bashkesie etnike gjuhesore qe perdorte si mjet komunikimi shqipen. Se pari teksti latinisht i Zmajevich-it dhe gjegjesi shqip i perkthyer prej Egidio d’Armeno:

    Teksti origjinal latinisht (1706):
    (lat.-KA1, IV: De patribus Missionariis, f. 88-9).

    Priusquam verò exponantur officio audiendi confessiones à Patre Præfecto, vel ab alio, ad hoc specialiter Deputato, examinentur circa peritiam Albanæ linguæ, ut latissimæ messis, meritique campum tutissimo cursu, & velue inoffenso percurrant pede. (lat.-KA1, IV: De patribus Missionariis, f. 88-9).

    Përkthimi përkatës (bot. I – 1706):
    /Para se të hīnjënë Misionarët me rëfyem, të jenë saminuem prej P[atër] Prefetit, ndo prej si, qi urdhënon Prefeti, a dīnë mir giuhën e shqipëtarëvet; kinëse të jenë të zot me shetitunë ndëpër arë e bashtinë të Tinëzot tue rëfyem e tue predikuem./ (KA1, Kap. IV: Te Patrevet Miſſionarevet f. 105

    Jane pjese e akteve dekretale te Kuvendit te Arbenit. Misionaret e huaj qe ishin caktuar te misiononin ne Shqiperi duhej te kishin mesuar me pare shqipen, si me se domosdoshme: 1) gjate rrefimit, ku s’lejohej te kishte midis besimtarit dhe priftit nje te trete (perkthyes) qe ndihmonte rrefimin (shkelje e kanoneve te kishes) dhe 2) gjate predikimit ne nje bashkesi gjuhesore-enike qe fliste vetem shqip.
    Perkthimi i lire (circa peritiam Albane lingue) me (a dine gjuhen e Shqiptareve) e ben me se te qarte se per cilet shqipetare behet fjale.

    Kush ka interes te dije me shume mbi Zmajevichin dhe rolin e tij ne mbareshtimin e kishes e te grigjes katolike shqiptare, sikurse rolin i tij prej meceni ne themelimin e ngulimit shqiptar ne Borgo Erizzo / Arbanasi le te shohe: https://www.academia.edu/43202670/Vincenzo_Zmajevi%C4%87_1670_1745_

  5. Prape se prape fakti qe Arbereshet – Gege Katolik – e Zares (me origjina nga Kraja, dhe qe emigruan rreth viteve 1726-1735) vetequhen ne te folmen e tyre Arbëneshë, nderkohe qe Shqiptaret/’Arvanitasit’ – Tosk Ortodoks – e Evros (Thraka lindore, me origjine nga Vithkuqi, Qyteza, Qafzeza etj qe emigruan rreth 1770) vetequhen ne te folmen e tyre Shqiptare, e ben ceshtjen e emrit veteidentifikues te Shqiptareve paksa me te turbullt!! Rasti interesant i reminishences/vestixhe se emertimit te vjeter Arberor/Arbnor eshte ai i mbiemrit Arbnori, psh Pjeter Arbnori !!

    1. Nuk eshte edhe aq i turbullt sa mund te duket ne pamje te pare.
      Ne varesi me kohen e largimit te tyre per ne Traki nga ato zona (Vithkuq…), popullsia shqifolese mori me vete endonimin qe parapelqente prej kohesh, dmth. ate shqipetar e jo arber/n. Etnonimin arber e njihnin. por nuk donin te identifikoheshin me te, andaj vetequheshin shqipetare, sic na meson Koste Xhehani student voskopojar (as 10 km vije ajrore larg Vithkuqit ne vije ajrore) ne vitin 1774 (Thunmann). Sa per arbereshet e Zares ata vinin aty nga nje zone periferike e hapesires kompakte shqipfolese. Risite gjithmone prekin me vone periferine. Po ashtu ka ndikuar edhe exonimi kroat ndaj tyre: arbanasi. Ngulimi Borgo Erizzo del shpesh ne dokumente te kohes si Arbanasi.

      1. Faleminderit Prof.Demiraj per shpjegimin e arsyeshem e bindes, besoj qe fillim shek XVIII ka qene, nga pikepamja kohore, faza perfundimtare e ketij procesi te nderrimit gradual te endonimit arber\n -> shqiptare, pajtohem plotesisht me interpretimin tuaj qe bashkesite skajore shqipfolese u preken me vone nga kjo dukuri (madje ne rastin e Krajes verejta edhe egzistencen e nje katundi me emrin Arbenesh !), plus ne mos gaboj etnonimi Arbanas (nga shqipja Arbenesh, si edhe versioni ne vllahisht: Arbinesh) nder sllavet jugore eshte perdorur gjeresisht deri vone madje edhe nga bota akademike (Shuflaj, Cirkovic etj) ne ndryshim nga etnonimi pezhorativ i mevonshem – nga shek XIX e tutje – Shiptari !!

    2. Nuk ka ndonje problem qe ne 1770 tosket e Trakise quhen shqiptare, eshte ne linje me 1774 e Kostes dhe 1788 e bejtexhiut kolonjar. Ajo e Arbanasit te Zares, ne fakt na fut edhe njehere ne hulline e analziave rreth etnonimeve e identiteve etnike jo vetem si jouniforme ne shek 18, si i kemi sot apo ne shekullin e 20, por edhe si identitete qe ne mesjete e deri ne shek 19 i nevojiten me se shumti parise apo pakices sunduese dhe perhapen me lehte e me konsistence tek te armatosurit qe i sherbejne pakices sunduese. Pra, nuk eshte aspak e cuditshme qe grupime te ndryshme te mos e njohin etnonimin shqiptar nr shrk 18, apo ta njohin e te mos duan te identifikohen. Psh ta zeme France e frank/freng i nevojitej nje pakice sunduese me origjine gjermanike te ciles iu bashkangjiten pari te ndryshme latine dhe keta vaxhdojne per 1 mije vjet te identifikohen kesisoj, nderkohe qe frengj filllojne e quhen te gjithe duke nisur me revolucionin freng ( psh revolucionaret bene masakra mbi provencalet qe nuk e quanin veten franceze por provencale). Po keshtu bullgaret, para se te perhapej si percaktim etnofetar, mbi kedo qe i takonte kishes bullgare, ishte nje percaktim i pakicave sunduese turke e sllave, ashtu si ato serbe, dmth nje pakice sunduese e quan veten setbe, ushtaret e tyre quhen serbe, ndersa popullata te quhek si te donte derisa me patriarkanen e Pejes serb erdhi e kuptoi besimtarin e kishes serbe, perpos pakices sunduese. Pra, ne thelb keto percaktime etnike dhe shpesh zgjerimet territoriale , lidhen me sukseset ushtarake e politike te pakicave sunduese qe quajne veten franke, bulgare, serbe, anglo-saksone apo hungareze, pa qene e nevojshme qe keto pakica t’i imponojne shumices gjuhen e tyre ( nga 5 shembujt, dy te fundit imponiuan gjuhen e tyre, 3 te parat jo-duke i marre serbet per sarmate ne origjine-). Pra, shqiptar e me heret arber, mund te supozihen lirisht si identitete te pakices sunduese, qe mandej zgjerohen qofte si siperfaqe e qofte mga lart-poshte, dmth nga pakica sunduese tek i sunduari me i keputur. Pastaj qe eshte me e lehte perhapja apo perqafimi i percaktimit etnik kur eshte gjuha e njejte ne mes, as qe diskutohet, shtohet lehtesia nqs nje fe, nje kulture, nje race, nje histori, te njejtat halle e gezime apo me nivelin e larte te alfabetizimit, por gjithcka duket se nis nga nje pakice sunduese zakonisht ushtarake dhe pronare tokash. Pra, nuk kemi pse sikletosemi apo shtojme hipotezat nqs x apo y nuk e quan vetem shqiptar ne shek 18 apo edhe 19, thjesht sepse eshte normale te ndodhe. Ashti sikunder eshte normale qe arberi, arbereshi apo arbnori i mesjetes te mos e quajne veten arber, ka nje pari sunduese etnikisht jeter, dhe as ka ndonje detyrim historik apo para Zotit qe te quhet arber dhe te luftoje per Arberine.

  6. Jam kurioz kur filloi te perdorej termi geg dhe si qendron ky term vis a vis me termin shqiptar n’ato fillime.
    Me kujtohet kam lexuar dicka per Gjakoven e fillimit te shek. 19 ku termi shqiptar as nuk perdoret fare, as arber/arben.
    Gege, thote, me duket nje imam qe po flet, jane te tere brenda ne qytet.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin