Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Histori / Kujtime

DOSSIER À LA CARTE

nga Arjan Shahini

Shkrimi i Auron Tares te Peizazhet shkaktoi një debat interesant mbi trajtimin e disa figurave historike bazuar kryesisht mbi dokumentet arkivore të shërbimeve sekrete. Kritika serioze u parashtruan nga historianë si S. Cunga apo E. Mëhilli, ky i fundit edhe në komente në Facebook e në ato private; edhe nga studiues të shkencave sociale si E. Qesari apo albanologë si B. Demiraj. Problematike ishin mungesa e kontekstit historik, trajtimi kritik i materialit, apo qasja metodologjike, dhe përfundimet e nxituara që ndoshta e kanë dëmtuar trajtimin e kësaj çështje së paku për disa vite. A mos është e drejtë vërejtja e Ministrisë së Arsimit që kritikohej nga J. Godole[1] se në Shqipëri nuk ka as vullnet, por as profesionalizëm për të trajtuar tema apo biografi të tilla?

Mua debati më pëlqeu gjithsesi, se nxori në pah disa problematika që unë i analizoj nga perspektiva e shkencave sociale, duke marrë parasysh edhe përvojën time. Këto janë:

(1) Paqartësi mbi figurat kontroverse: Ka shumë paqartësi në lidhje me trajtimin e këtyre figurave historike kontroverse. Kontroversiteti vjen ose mungesa e konsensusit mbi trajtimin apo jo të biografisë së figurës historike, ose nga vetë trajtimi, ose nga tematika. Së dyti, kampet ndahen jo vetëm në pikënisjet dhe përfundimet që duan të arrijnë me trajtimin, por edhe në ata që duan të kufizohen thjeshtë te vepra, dhe te ata që e shohin edhe biografinë si pjesë të veprimtarisë letrare apo shkencore. Si mund të këshillohet një studiues në të tilla raste? T’i qëndrojë larg? Jo, ta futë në një kontekst më të gjerë, mundësisht ndërkombëtar apo duke e trajtuar në formë abstrakte, teorike e përgjithësuese.

Disa figura janë kontroverse se përfaqësohen nga familjarë që ruajnë me agresivitet trashëgiminë e tyre. Të tilla raste ka edhe në botë me figura të njohura, ku fanatikë kanë fshehur apo deri edhe djegur arkivin personal të të ndjerit. Por perspektiva e tyre është e rëndësishme në përballje me dokumentet arkivore. Në të tilla raste unë do t’i sugjeroja studiuesit të jetë i kujdesshëm me familjarët, ose të mos angazhohet direkt me ta, për vetëm se në mënyrë formale. Në Shqipëri nuk u shpëton dot marrëdhënieve miqësore, së kështu hyn në kontakt me njerëzit, dhe arrin të marrësh informacione shumë të vlefshme nëpërmjet familjarëve, por intervistat duhet të jenë formale (me marrëveshje të firmosura etj. që zakonisht i kërkojnë komisionet e etikës së kërkimit në institucionet arsimore). Përndryshe rrezikon që studimi të merret peng nga familjarët.

Skema e trajtimit te figurave historike

Skema e vendimit mbi trajtimin e disa figurave historike.

(2) Konflikti ndërmjet profesionistëve dhe amatorëve. Në hapësirën virtuale amerikane, p.sh. në Reddit (/askhistorians), ka diskutime disa vjeçare ndërmjet “history buffs”, që e njohin një ngjarje në detaje, deri edhe aktorët më periferikë, dhe historianëve që njohin kontekstin historik nga niveli makro dhe synojnë të kuptuarit dhe shpjegimin e ngjarjes historike, sesa thjesht renditjen besnike të fakteve. Po kuptohet që komunikimi ndërmjet historianëve profesionistë dhe atyre amatorë është shumë i rëndësishëm. Të parët ofrojnë një sistem mendimi, të dytët kujdesin ndaj fakteve historike që ndonjëherë nuk i përshtaten narrativave që gatisin historianët për të përgjithësuar apo reduktuar kompleksitetin e ngjarjes.

(3) Dominanca e public history. Historia publike (public history), e cila anon më shumë nga amatorja në Shqipëri, pse i mungon profesionalizimi sikur gjetkë, është tjetër lloj zhanri. Mbizotërimi i kësaj lloj historie nuk është vetëm në sasi (individë, muze, institute e shoqata të kujtesës), por edhe në metoda. Kam shkruar shkurtimisht për këto institucione si aktorë të regjimit të kujtesës edhe më parë, sidomos për problemet me bashkërendimin e publikimit të gjetjeve historike dhe me hagjiografinë. Kjo lloj historie gjithashtu lipset të ketë lidhje me akademinë, e disa institucione kanë, nëpërmjet personelit, projekteve të përbashkëta dhe nëpërmjet studentëve që kryejnë praktikat profesionale në to. Funksioni i këtyre institucioneve dhe lidhja e tyre me akademinë është e rëndësishme, pasi fundja informacioni që ato prodhojnë është çfarë konsumon zakonisht publiku. Por edhe për historianët është e rëndësishme t’ia përcjellin gjetjet e tyre një audience më të gjerë e në formë të lehtë-përtypshme, ç’ka mundësohet nga historianët publikë.

Por sa kohë akademia është e dobët, nuk ka se çfarë ti ofrojë as historisë publike. P.sh. edhe revistat shkencore si Studia Albanica apo Studime Historike që aspirojnë të jenë akademike, janë për nga mangësitë metodologjike për t’u renditur më shumë si histori publike. Kjo vjen edhe nga historiografia e kohës së regjimit komunist, që ka qenë kryekëput histori publike, në shërbim të shtetit dhe edukimit qytetar. Nga kjo pikëpamje akademia ndodhet për fat të keq në konkurrencë me historianët publikë, çfarë i ngatërron rolet dhe funksionet e të dy llojeve. Historianët publikë, në vend që të ndërmjetësojnë gjetjet e akademisë, e fillojnë dhe e përfundojnë vetë të gjithë procesin, nga gjetja e burimeve arkivore, te kontekstualizimi e deri te publikimi.

Veçojmë te historia publike hulumtues si Kastriot Dervishi. Aktualisht Dervishi është një institucion, jo vetëm burim referimi për një grup të madh individësh e studiuesish, por edhe prodhimtar i madh librash e artikujsh. Edhe pse ka rrëmuar mjaft në arkiva, e duhet përgëzuar për këtë, ka probleme të mëdha me burimet. P.sh. libri i Dervishit mbi historinë e Sigurimit të Shtetit nuk plotëson kriteret as për histori publike. Dervishi ka botuar rreth 1000 artikuj të Gazeta 55. Pjesa më e madhe janë copëza dokumentesh, të prera si feta sallami në seri, të hedhura gjithashtu edhe në Facebook. Por Dervishi gëzon besimin e shumë individëve në Facebook, dhe nuk mund të akuzohet për falsifikim. E sa kohë që nuk vendos burimet, për fat të keq nuk mund të kritikohet për asgjë. Kjo është një lloj teknike për të imunizuar argumentet nga kritikat e mundshme, e ngjashme me librat e historisë të periudhës komuniste, të cilave u mjaftonte referenca tek autoriteti e jo burimi arkivor. Imunizimi i argumenteve për të shteruar debate nuk është shkencë. Megjithatë, Dervishi është i treguar i gatshëm të ndajë disa prej burimeve kur është pyetur (edhe me autorin). Në Facebook postimet e tij marrin mesatarisht mbi 200-300 pëlqime. Nëse do e krahasonim me një sërë aktorësh të tjerë të regjimit të kujtesës në Shqipëri e të historisë publike, si p.sh. Autoritetin e Dosjeve, Jonila Godolen e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Dervishi vepron në një tjetër ligë (p.sh. krahasuar, Kujto.al merr mesatarisht 100 pëlqime për status).

Disa aktorë të regjimit të kujtesës.

(4) Hapja jo-sistematike dhe e përzgjedhur e arkivave. Dy vitet e fundit proceset në Arkivin Qendror Shtetëror dhe marrëdhënia me Autoritetin e Dosjeve i ka lehtësuar punët shumë atyre që rrëmojnë dokumentet arkivore. Kur unë kam filluar hulumtimet në 2015, në arkiv nuk mund t’u qaseshe dokumenteve të klasifikuara, as atyre të rëndomta. Kam pyetur se ku mund të merrja certifikatë sigurie e nuk tregonte njeri. Në Ministrinë e Brendshme ende sot është e vështirë (p.sh. kam kërkuar para një viti programet lëndore apo tekste universitare të shkollës së lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe më sollën vërdallë – m’i dha Autoriteti i Dosjeve). Në Universitetin e Tiranës nuk kanë as arkiv besoj. E peripeci të tjera.

Patjetër që aksesi në arkiva është perceptuar si privilegj. Trashëgimi nga regjimi totalitar që u lejonte qasje vetëm punonjësve të shërbimeve sekrete për të gjetur yçkla në biografi ose historianëve zyrtarë për të pastruar dhe renditur historinë sipas orekseve të pushtetit. Rrëmimi nëpër arkiva për të dëmtuar dikë duhet të ketë qenë praktikë sovjetike. P.sh. në mesin e viteve 50, kur gjatë kohës së mbikëqyrjes së E. Çabej u dha urdhri që të shihen arkivat në lidhje me veprimtarinë e tij në administratën e qeverisë mbretërore, urdhëri nuk mund të zbatohej se arkivi ishte ende në proces strukturimi. D.m.th. ndoshta një prej arsyeve të arkivit ka qenë edhe ky funksion, të mblidhte sa më shumë informacione edhe për individë – madje më duket se ka një regjistër individësh të brendshëm (sot i digjitalizuar), dhe kam idenë se duhet të jetë krijuar gjatë regjimit. Shtjelluar më bukur nga E. Mëhilli këtu.

Por është interesante se ka plot botime të studiuesve të pas viteve 90 referuar dokumenteve të klasifikuara apo arkivave të mbyllura për publikun. D.m.th. në arkivat e shtetit ka funksionuar miku e paraja, dhe ca më pak ligji, se nuk besoj se kanë qenë pajisur të gjithë me certifikata sigurie; si edhe përzgjedhja, jo vetëm e studiuesve, por edhe e dokumenteve. Kush ka mundur është mjaftuar me çfarë i kanë dhënë, të tjerë kanë përzgjedhur me agjendë ose të nxituar nga ndonjë ego që nuk mungon te akademikët. Kërkimi sistematik i dokumentacionit arkivor është ende thuajse i pamundur (sistemi online i kërkimit të Arkivit Qendror është torturë). Kur punoja një ditë në arkivin qendror dhe u përplasa me një përgjegjës sektori, komenti tij ishte se unë isha “grumbullues”, pra që mblidhja ç’të mundja. Nuk i shkonte në mendje që një studiues punon në disa projekte njëherazi, apo se është duke i krehur dokumentet për të gjetur rregullsitë (pattern) e mangësitë në proceset e hartimit/renditjes së dosjeve që ndonjëherë flasin më shumë se faktet. Por me siguri arkivisti mendonte se isha si ata gazetarët që i mbledhin dhe i flakin nëpër artikuj gazetash. Madje edhe në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme më shprehën të njëjtën frikë. Studiuesi me arkivistin nuk janë gjithmonë miq edhe gjetkë, po në Shqipëri marrëdhënia është tepër e acaruar. Temperamenti i studiuesit është jo pak herë shkak edhe i kësaj armiqësie, sikur e ilustron rasti im. Ndërsa institucione si Autoriteti i Dosjeve kanë pasur fillimisht problem të krijonin praktika të qarta në raport me studiuesit. P.sh. më është dashur gjashtë muaj t’i qasem dosjes së E. Çabej pasi ishte deklasifikuar, ndërkohë që pjesë të dosjes kishin dalë në publik nga Gazeta 55 prej 2008.

Kjo ka shkaktuar dy probleme kryesore: Socializimin me praktikat e këqija të hulumtimit dhe mungesën e trajtimit të disa çështjeve të rëndësishme.

(5) Socializimi me praktikat e këqija në institucionet e kërkimit: Mungesa e qasjes në arkiva ka sjellë për pasojë edhe socializimin e studiuesve me praktikat e këqija të kërkimit: përzgjedhjen sipas tezave apo qëndrimit të autorit, të mjaftuarit me interpretime të përcipta ose dokumente jo të rëndësishme, fetishizimin e dokumentit arkivor pse i rrallë, i kyçur, sekret e me myk. Jo vetëm në Universitetin e Tiranës, ku studentët mbruhen me kësi praktikash, por edhe në ato private vëren ngjashëm. Për ilustrim, së fundmi kam parë dy doktorata në Universitetin Evropian të Tiranës, një mbi marrëdhëniet me Kinën dhe një mbi zhvillimet demografike në vitet 1960-1990, dhe ishin thjesht riformulime të vetëm një dokumenti arkivor.

(6) Mungesa e trajtimit të disa çështjeve shumë të rëndësishme. P.sh. A ka ndonjë studim serioz për të hulumtuar vërtetësinë e akuzave ndaj disa anëtarëve të Byrosë Politike për bashkëpunim me shërbimet e huaja sekrete? Apo këto tema u janë lënë këtyre “history buffs” (diku pash që Tare paska shkruar për Teme Sejkon dhe Hysni Kapon)? Po sa i përket penetrimit sovjetik të shërbimeve tona? Shqipëria dërgonte mesatarisht 50 kuadro të shërbimeve sekrete në vit për shkollim në Bashkimin Sovjetik, pasi kryenin një shkollë disa mujore po nën instruksionet e sovjetikëve. Numri total i tyre përfshin thuajse gjithë armatën e Sigurimit. Veç këtyre, janë dërguar ndoshta mbi 1000 oficerë ushtrie në shkollat ushtarake sovjetike, pa folur për rreth 1400 studentët e arsimuar në shkollat civile. Është e pamundur të jenë spastruar apo vrarë e burgosur të gjithë ata që mund të jenë kompromentuar nga shërbimet sovjetike nga lidhje jashtëmartesore seksuale, pjesëmarrje në bandat e huliganëve, pjesëmarrje në tregun e zi apo të tjera krime të vogla, apo nga ndonjë shpërblim financiar. Ka vlerësuar p.sh. ndonjëri sa prej ushtarakëve kanë qenë të dyshuar si të rekrutuar nga GRU (shërbimet e inteligjencës ushtarake)? Nëse historianët nuk do të merren me kësi pyetjesh, patjetër që do të merren amatorët, e këtu nuk kemi pse të habitemi kur të fillojë sherri. Këto hulumtime mund të bëhen edhe të klasifikuara, por popullit ti jepen disa të dhëna të përgjithshme.

Përfundimisht, shumë mendje janë më mirë se një. Peizazhe si një përpjekje kolektive ndoshta i ka hapur rrugë pikërisht zgjidhjes së disa prej problemeve të përmendura këtu: komunikimin ndërmjet historianëve amatorë e profesionistë, trajtimin e disa temave që në kuvende të tjera do të mbartnin tjetër valencë, dhe hapjen e disa të tjerave po aq kontroverse, prej të cilave nuk kemi pse të tutemi, përveç nëse nuk zotërojmë teknikat e duhura të hulumtimit e na mungojnë këllqet për tu përballur edhe me të pakëndshmen. Nga ana tjetër paraqitja e këtyre problematikave qartëson rolin e hulumtuesit dhe vështirësitë që ata hasin (sikur shprehen në shumë dedikime studiuesit: mundimi është kolektiv, por përgjegjësia e autorit).

Do ta lija me kaq, por është e thjeshtë të jepen rekomandime. Kjo ishte edhe kritika e A. Vehbiut ndaj meje e disave që kundërshtuan qasjen e A. Tares. Kështu që po e ilustroj këtë qasje normative me një rast hipotetik studimor, ndryshe “proof of concept”. P.sh. rasti i E. Koliqit që u trajtua nga A. Tare. Si do e kryeja unë këtë studim duke përdorur materialet që ka nxjerrë A. Tare?

a. Fillimisht qartësoj se premisa ime e analizës është ajo e shkencave politike, se unë për këtë jam trajnuar dhe e kam të vështirë të mendoj ndryshe. Gjithashtu, kësaj premise i shtohet përvoja ime në administratën e shtetit, dhe ajo me këshilltarët e huaj që pajtonte qeveria. Që në premisë unë jam i goditshëm. Së dyti unë ndërtoj konstruktin historik, sërish brenda një kornize teorike se më kushtëzon arsimi im akademik. Konstrukti historik është edhe i kushtëzuar nga ligjërimi politik sot në Shqipëri. Konstrukti i shprehur në gjuhën teorike është në thelb nga sociologjia politike marksiste (conflict theory), shprehur me terma kyçe: (1) në nivel makro: Lufta e Ftohtë dhe teoritë e varësisë qendër/periferi; (2) në nivel shtetëror: konflikti opozitë qeveri dhe ndasitë krahinore e fetare (cleavages) që reflektohen në këtë konflikt, sikur edhe sot PD (Veri/Katolik) vs. PS (Jug/Orthodox); (3) në nivel mikro: konfliktet individuale.  Dikush mund të nxjerrë të tjera qasje teorike apo konflikte. Zgjedhja e teorisë dhe e konstruktit përmban në vetvete edhe metodën e hulumtimit, atë të vërtetimit të një hipoteze, por edhe vetë një pjesë të tezës. Optika ime është e kufizuar: Unë do të shoh ndërthurjen e konflikteve globale me ato lokale e individuale.

b. Vijoj me përkufizimet e termave që do të përdor në analizë. Por unë has probleme. Çfarë është tradhti ndaj kombit? Po ndaj shtetit? Ku kufizohet kombi? Kosovë apo Shqipëri? A është përkufizimi kushtetues apo ligjor i moralshëm? Nga cila qasje filozofike, e së drejtës apo e filozofisë së zbatuar duhet gjykuar? Biem dakord që bashkëpunimi me shërbimet sekrete të huaja e një agjenti të shërbimeve vendase është tradhti. Po e një opozitari që nuk është në administratën e shtetit, madje ndodhet jashtë vendit dhe nuk ka akses në sekretet shtetërore? Që këtu zhduket nga analiza gjykimi apo vlerësimi i moralit të E. Koliqit. Premisa analitike e ndalon këtë.

c. Më tej shihet dokumentacioni dhe ngrihen hipoteza se mos Koliqi ka dëmtuar çështjen kombëtare (problem edhe kjo për t’u përkufizuar), integritetin territorial të vendit apo ka vrarë me dorë ose makinë shkrimi njerëz të pafajshëm.

ç. Për të mos e stërholluar shumë, lexoj dokumentin e paraqitur edhe nga A. Tare mbi K. T. Hass, ish-nëpunës i shërbimeve sekrete gjermane. Në fakt K. T. Hass ka rreth 114 dokumente në CIA Readingroom (Hass Collection, 246 fletë gjithsej, shih këtu), nga këto 15 fletë janë përmbledhje të veprimtarisë së Hass, i cili ka hyrë pas luftës në shërbimin amerikan dhe ka qëndruar në shërbim deri në 1954. Ky individ duhet analizuar gjithashtu në kontekst (global, lokal e individual). Së pari, Hass kur hyn në shërbimet amerikane e shet veten si të vlefshëm pasi do të shpëtojë jo vetëm nga burgu, prej nga është arratisur tre herë, por edhe nga akuzat e shërbimeve izraelite për krime kundra hebrenjve, të cilët me siguri duan ta heqin qafe. Për këtë i duhet ta zmadhojë teorikisht dhe praktikisht rrjetin e tij, edhe duke shantazhuar ish-bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm për t’u shërbyer amerikanëve. Gjithashtu, nga sa lexoj, qëllimi kryesor i pajtimit të Hass është rrjeti i tij në Partinë Komuniste Italiane, jo komuniteti shqiptar. Madje amerikanët vlerësojnë një konflikt (shih! Konflikti!) të mundshëm ndërmjet Hass dhe shërbimeve amerikane, pasi ky ishte i interesuar të mos lejonte penetrimin amerikan në komunitetin shqiptar. Hass sipas analistëve – (e këtu duhet të dallojmë raportimet nga analizat e CIAs: raportimet e deponimet e bashkëpunëtorëve nuk janë dokumente CIAs por për CIAn, madje as raportimet e agjentëve ndërmjetës nuk janë të besueshme, se atyre u humb busulla në terrren e nuk arrijnë të shquajnë pyllin nga pemët.) – Hass pra po luante lojën e shërbimeve gjermane në Bonn, të cilët kishin filluar të tregonin interes për Shqipërinë, kjo punë edhe në kundërshtim me interesat e shërbimeve italiane. Pra duhet thënë që shërbimet, edhe kur janë aleate, janë egoiste dhe këto reflektohen në punën e agjentëve. Kështu që unë ngre një tjetër hipotezë, se mos shërbimet amerikane ndërkaq kërkojnë ta izolojnë Hass, e të marrin përsipër rrjetin? Kaq sa për Hass, për të tjera lexoni shkrimin e A. Tares.

d. Vazhdoj me E. Koliqin. Vetëm duke u bazuar nga dokumentacioni i publikuar nga A. Tare, duket qartazi se sherri ndërmjet shërbimeve spikatet nga Koliqi, pasi ai u ofron shërbimin e tij gjermanëve vetëm në këmbim të njohjes së opozitës (e Koliqi paraqitet këtu si kolektiv, jo si individ), Bllokun e Pavarur Kombëtar (nga përkthimi, shih fl. 142, dt. 12.01.1954). Koliqi e kishte refuzuar me parë bashkëpunimin me Hass në mars 1953 (fl. 12). Pra unë e refuzoj hipotezën se kemi politikë armiqësore ndaj interesave kombëtare nëpërmjet shërbimeve të huaja. Unë supozoj se kemi thjesht veprimtari opozitare nga mërgimi.

Unë e interpretoj kështu: Koliqi ka menduar se nëse Boni është i interesuar në çështjen shqiptare, do të thotë se ai mund të luajë kartën e izolimit diplomatik të Shqipërisë për t’i shërbyer çështjes së tij opozitare. Këtu Koliqi besoj se sheh një lidhje ndërmjet politikave të Bonit dhe atyre Sovjetike në RDGj, e ndoshta është përpjekur ta rrisë kapitalin dhe vlerën e lojës së shërbimeve në nivelin e politikës së jashtme e në atë diplomatik, ku përfitimet janë më të mëdha për legjitimitetin e lëvizjes opozitare. Kuptohet që për ta shtjelluar këtë analizë më duhen prova për aftësitë dhe shkathtësitë diplomatike të E. Koliqit në të kaluarën, e nëse ai ka hartuar të tilla strategji. Por unë besoj se Koliqi me siguri ndihej më rehat në këto nivele të politikës e diplomacisë, e jo në çikërrimat e shërbimeve sekrete. Pak kontekst: Shërbimet sekrete nuk ndikojnë në politikat e jashtme, madje është vërtetuar disa herë se nuk luajnë rol as në çështjet e sigurisë.

Ndërsa sa i përket ndihmës financiare, është afër mendsh që duhet të kishte para për lëvizjen. Që nga krijimi i Shqipërisë paratë e austriakëve, italianëve, amerikanëve protestantë, jugosllavë etj. kanë motivuar e ndihmuar ata që ne i njohim si heronj kombëtar apo intelektualë patriotë, ose armiq nëse kanë mbështetur njërin apo tjetrin grup. Gjatë Luftës së Ftohtë paratë kalonin edhe nëpërmjet shërbimeve sekrete, rol të cilin më parë në Shqipëri e kishin lojtur konsujt austriakë e italianë.

Për vëzhguesit e politikës, kjo është një lojë e ngjashme me ato të rëndomtat ndërmjet qeverisë dhe opozitës, e nuk i ka akuzuar askush për tradhti kryetarët e PS e PD, vetëm për lojë të keqe. Kjo nuk ka ndodhur as kur shkonin t’i rrëfenin ambasadës poshtërsitë e njëri-tjetrit (shih Wikileaks), por as kur paguanin me paret e shqiptarëve grupet lobiste të Brukselit e të Washingtonit për interesat e partive. Fundja politika e partive politike është politikë kombëtare, vetëm se kur vërtetohet ndryshe. Jemi brenda proceseve normale politike dhe instrumenteve të ligjshëm të influencës edhe kur ftohet njëri apo tjetri ambasador si ndërmjetës apo ushtron ndikim nëpërmjet njërës palë. D.m.th. nëse do të gjykohet moralisht, e jo si një manovrim politik, veprimtaria e E. Koliqit duhet të vlerësohet për nga dëmi ndaj çështjes shqiptare që shkaktojnë këto lëvizje opozitare jashtë vendit. Sa kohë nuk ka një përkufizim të qartë të interesit kombëtar, vështirë të lëvizim në këto ujëra.

dh. Përfundimisht, çdo argument apo interpretim imi është i goditshëm, jo vetëm nëpërmjet fakteve të tjera, por edhe nga ndonjë këndvështrim tjetër, vetëm se përkufizimet duhet të jenë të qarta. Siç vihet re, unë i kam evituar cilësimet komunist apo fashist, e dikush mund të zgjedhë të mos i injorojë. Por rezultati i studimit tim hipotetik është i qartë: Një analizë nëse E. Koliqi ka qenë apo jo spiun, nuk ka asnjë lloj dobie për mua si studiues i shkencave politike. Për një “history buff” besoj se po. Por nga një analizë e manovrimeve politike, luftës opozitare, instrumenteve e strategjive politike, dhe ndërthurjes së tyre me konfliktet globale, rajonale, lokale, edhe individuale (për biografët), patjetër që përfitimi është shumë i madh për shkencën dhe çështjen kombëtare.

 

(c) 2020, Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Jonila Godole e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, (Facebook, 9.07.2020, ora 12:34) i ishte referuar interpelancës së mininistres së arsimit dhe e kritikonte këtë qëndrim.

5 Komente

  1. Arjan,
    je shume i sakte, shume profesional. Shume profesioniste serioz, te fushes, si Sokol Cungu, e jo vetem, e ngriten qe ne fillim problemin e mungeses se seriozitetit dhe trajtimit joshkencor te çeshtjes ne fjale. Por komentet, me sa duket, s’paskan qene te mjaftueshme.
    Une, kerkoj ndjese paraprakisht per, mbase, dalje nga tema me sjelljen me poshte te nje satire nga Gjergj Fishta , por them se ia vlen; edhe pse tamam tamam, mund t’i shkonte me teper ndonje prej te tjereve shkrime, te meparshme. Ishallah, e kalon serveri.

    “Kasneci i dardhës” – Gjergj Fishta (1922)
    “ Kallxohet se, motit paska pasë kenë nji plak katundi, nieri orëzi e fort gazepqar, qi njimij ngatrresa po ja kishte pasë pertrie katundit të vet; ku me pleqni të shtremta, ku me pare nen dorë, por sidomos nepermjet sundimtarve të vendit, të cillt – ç’se kungujt zunë me u njitë landve perpjetë e me dalë n’maje të tyne – gjithmonë kan mbajtë nen sjetull batakçit, vagabondat, ngatrrestarët e njerzt ushujza e rriqna të popullit të ngratë. Prandaj katundi marë e kishte në mni e i lute dekën.
    Kaluen disa vjet edhe ky plak katundi u lig me dekë. Para se me dhanë shpirt, thrret djalin e vet të madhin edhe i ven porosi, qi, mbasi të jet da kso jete, ta merrte trupin e tij e, naten, ta vjerrte m’dardhë, ku katundi mblidhej në kuvend. E mbasi ja ven të birit ket porosi, hjek brish edhe ngordh. I biri kapë trupin edhe, naten të pa hanë, e vjerrë m’dardhë, si kishte pasë fjalen e t’et.
    N’e neseret ndjehi plaku i katundit vjerrë m’dardhë. Kush e vuer, kush nuk e vuer, s’dilte kush me thanë gja. Merr vesht Qeverija e vendit, edhe futë katundin -ka nji per shpi – në burg; u merr lopë e qe e dhi, e u ven nji gjobë të randë, me u lae me pare arit, pse, tuj e diejt se katundi marë e kishte pasë m’hundë plakun e vet, ishte tuj kujtue, se katundi vetë e kishte vjerrë m’dardhë. E kshtu, edhe mbas deket, ky plak ju ba rrezik katundit të vet. Ç’m’at ditë e sod, ka met fjala: plaku ase “kasneci i dardhë”, për me diftue, se ndokush edhe mbas deket të vet fizike a morale, i len vendit gjalmat neper kamë, tue is jell dame e rreziqe.”

  2. Ndersa une pres nga Peizazhet nje shkrim mbi “idhnimin” te intelektualet shqiptare (ose lidhjen nese eshte shkruar dic me pare). Ne i lexojme e i mburrim, por sa prej tyre kane pasur nje marredhenie dashurie-urretje me vendin e tyre? Fjala dashuri eshte ndoshta jo e pershtatshme, por paternalizmi, si ajo e aristrokrateve per vegjeline, ose meshira/pergjegjesia e te mencurit per ate qe nuk ka kohe te mendoje ngase rropatet ne fushe apo gurore. Fishta, Konica e Noli kane shkruar bolle tirada kunder vendit te tyre (apo njerezve), me siguri edhe keta te tjeret qe kane zgjedhur te jetojne jashte 🙂

    1. Bujrum. Deri atehere, ik lexo Koliqin te Shejzat si shembulli par excellence.

      1. Nje prurje nga Hilushi (pena e plumbit te Ernest Koliqi mendoj une nga stili). Ky editorial flet pikerisht per bashkepunimin ndermjet Shqiperise, Kosoves dhe mergates ne ceshtjen e perbashket te kultures dhe ceshtjes shqiptare.

        Do thuash ti se kjo vjen bash kur CIA paguante Congress for Cultural Freedom e nder to edhe Shejzat per te theksuar te perbashketat e kultures, sulmuar internacionalizmin komunist dhe rritur kapitalin social individeve si E. Koliqi etj. Ndoshta, por edhe filozofe te majte e te djathte paguheshin njesoj dhe mbanin bindjet e tyre, qe ishin ne nje linje me ato te konfliktit kulturor te dy perandorive, BS dhe SHBA.

        Megjithate, duhet pra nje lloj historie qe shkon tej ketyre ndasive, sepse ka njerez sot ne Shqiperi qe fitojne kapital duke i ndare artificialisht. Sidomos ne Albanologji, nga cfare perceptoje une te Shejzat, dy numra i lexova, e te faleminderit qe ma adresove, ka linja te perbashketa ndermjet Shqiperise dhe mergates.. .nuk e di ne shkence a ka pasur divergjenca, mund ta thote Ardiani.

        Hilushi (Koliqi, Ernest). 1965. Fjala qet fjalen. Politika e Kultura. Shejzat. Nr. 7-8. fl. 218-219. Marre nga: http://adsh.unishk.edu.al/items/show/411

        Ky dishir m’e pa vendin t’one mire te mbareshtruem e te mataruem politikisht mbi baza drejtesie shoqnore, do te mbette ndiesi e thate po nuk u shnderrue ne shkas perpjekjeje e vrull veprimtarie qi shnderron dishirin ne realitet. Shpesh ketu, ne ket rubrike, e kemi ceke punen se si ne mes nesh ka mjerisht shum prej asijsh qe ngatrrojne ne mende te tyre kuptimin e atdhedashunis me ate te patrojtizmit. Kujtojne se per te qene atdhetar duhen krye vepra te spikatura tek s’ve: me vu kryet ne rrezik per cashtje, m’u dallue neper veprime te jashtazakonsheme, me shkri pasunin e m’u dermue ne flijime mbinjerzore. Po t’ishin krejt Shqiptaret patrjota ne nje te tille menyre e po t’i a ngreheshin nje pomendore (monument) cdo njanit prej ketyne patrjotave, do t’a shifshim vendin t’one te popullsuem ma teper prej shtatorevet (statues) mermeri se prej njerzvet mishi e gjaku.

        […]

        Prendoi koh e njohunive se mjegullta e te cekta: ne dac e mburrjeve patrojtike pa theme ne dac e pohimeve paragjikuese qe ligshtojne hovin kombtar. Tashti flitet ne baze te dokumentavet e te rezultatevet ne te cilat arrijti shkenca e albanologjis. Sot, nje Shqiptar qi don te dije sa peshon ne kandar te vlerave njerzore e te njerzimit dhe don t’eci mbi shtigje te kesaj jete me vetedije se plote te mundesive dhe te caqever te pakapercyeshme te gjakut te vet, duhet t’i siellet kultures. Sidomos ata qi vehen ne krye te ndermarrjeve kolektive, e kane per detyre m’u pajise me dhanat e fundit te levizjes kulturore qe peshtjllueshem por me shkas gjallnuer te pmajeshme po vrumulise ne cdo vis ku vlon gjaku i yne i shprishun. Hulumtimet shkencore, shyqyrtimet e perimtimet (analyses) e shpirtit individual e kolektiv shqiptar paraqite ne krijesat qe, ne nje shtjellim harkuer, perfshijne tashma te gjitha gjinit letrare (liriken, artin tregimtar, dramatologjin) tue lulzue ne Shqipni, ne Kosmet, nder Arbreshe t’Italise, ne diaspor, duhet t’i njofim jo vetem por t’i bajme objekt studimi te thelluem. Vetem keshtu, po perseris, mund te kemi nje ide te qarte mbi boten shqiptare e, sejcili pren nesh, per vetveten.
        Sot per sot nji veprimtari politike e cila nuk ndricohet prej kultures nuk asht tjeter vecse nje loje kote, qe argton ndoshta ata ji e losin, por pengon ecjen e kombit mbi udhen fatale te historis.

  3. Artikullin e Edon Qesarit ne lidhje me temen, se bashku me librin ku e ka botuar, e gjeni tashme ne libgen. Se shpejti edhe monografite e ndonje autori ketu qe i pervidhet zhvillimeve teknologjike.

    Gli anni della distensione: Le relazioni italiano-albanesi nella fase centrale della Guerra fredda Edon Qesari
    Ignorati. La questione degli esuli anticomunisti nelle relazioni italiano-albanesi durante gli anni della distensione

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin