nga Arjan Shahini
Studentët mësojnë në shkrimin akademik se referimi i jep forcë argumentit, dëshmon njohuritë mbi fushën dhe i njeh të drejtën autorëve për idetë e tyre. Por kur citati futet si pykë në tekst, përdoret tej mase, apo ndodhet jashtë kontekstit e qëllimit të tekstit, atëherë humbet pronësia mbi tekstin, firon autori. Studenti vlerësohet për aftësitë e përftuara argumentuese, jo për shkathtësinë që tregon në copy-paste. Këtë duhet ta mësojnë mësueset e shkollave të mesme që shkruajnë tekste patetike si ky i hartueses së testit së gjuhë-letërsisë (shih Apologjia e Sokratit).
P.sh. citimi në fillim të një trajtese apo i shpeshtë i Enver Hoxhës kishte pikërisht si qëllim të humbte autorin, pronësinë intelektuale mbi veprën. Kjo më sjell ndërmend problemin që hasa gjatë studimit të politikë-bërjes gjatë regjimit komunist. A mund të identifikohen politikat, p.sh. politika e jashtme, qasjet, premisat e motivet, nga veprat e Enver Hoxhës si udhëheqës?
Elidor Mëhilli në një bisedë me autorin thotë se edhe arkivat pasqyrojnë në thelb interesin dhe qëllimet e sunduesve. Pra, shumë pak mund të nxirret nga arkivat, që mund të kundërshtojë veprën e Enver Hoxhës, pse ato materiale janë gatitur për t’i shërbyer së njëjtës narrativë. Edhe pse ndoshta veprat kanë qenë më elastike ndaj kërkesave të befta për modifikime. Këtë e vërteton p.sh. analiza e marrëdhënive shqiptaro-kineze e E. Biberaj[2] . Studimi i Ylber Markut[3] nuk sjell ndonjë gjë të re, edhe pse i referohet kryesisht dokumenteve arkivore.
Prandaj studiuesit e politikave të kësaj periudhe, besoj unë, kanë problem pikërisht të identifikojnë autorët e nismave politike, ngase është e vështirë të ndahet udhëheqësi nga politika. Një studiues madje ka shkruar një doktoratë mbi filozofinë e arsimit të Enver Hoxhës[1]. E këtu problemet janë jo vetëm nëse ka pasur Enver Hoxha (apo Hamit Beqja?) një filozofi koherente, për më tepër të edukimit që mund të klasifikohet në rryma apo shkolla të caktuara, por edhe se sa mund të lexohet kjo në dokumentet politike, bisedimet në Byronë Politike, etj.
P.sh. nga sa kam lexuar, e ndoshta gaboj, analizat e politikës së jashtme të Shqipërisë janë trajtuar shumë pak nga qasjet behavioriste dhe teoritë psikosociale, të cilat merren kryesisht me ndikimin e udhëheqësit, personalitetit, profilit psikologji dhe botëkuptimit të tij mbi politikat e shtetit. Dy studiues në Shqipëri që janë të njohur me këto teori në marrëdhëniet ndërkombëtare, Enri Hide (UET) dhe Fatos Tarifa, kanë shkruar për politikën e SHBA-së(!). Në Universitetin e Tiranës nuk ka specialistë të marrëdhënieve ndërkombëtare apo të analizës së politikës së jashtme, vetëm historianë. Studiues shqiptarë në universitete të huaja kanë përdorur teoritë klasike, p.sh. për politikën e jashtme gjatë „aleancës“ me Kinën, E. Biberaj(neoliberalizmën), apo Ylber Marku(ka cituar realistë e liberalë strukturalistë, por nuk e kam të qartë se ç’kuadër teorik ka përdorur), ndërsa Enika Abazi ka analizuar ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë (shkolla angleze), ndërsa Njuton Mulleti ndikimin e organizatave ndërkombëtare po në Kosovë (konstruktivizmi, por nuk e kam lexuar).
Fokusi mbi personalitetin e Enver Hoxhës dhe veprave të tij është problematik edhe ngaqë një pjesë e madhe e teksteve që i atribuohen Hoxhës nuk janë shkruar prej tij. Një arkivist më thotë se nuk kanë ngelur dëshmi se kush i ka hartuar këto vepra. Nëpunës të lartë të Sigurimit të Shtetit i dinë me siguri. Por unë mendoj, se veç intervistave, autorët mund të identifikohen nëpërmjet analizës së teksteve me kompjuter.
Kështu që guxoj të hamendësoj se një pjesë e intelektualëve më të zëshëm në atë periudhë kanë cituar veten duke iu referuar Enver Hoxhës. D.m.th. autorë të 70 e kusur veprave e monografive të Enver Hoxhës janë pikërisht këta (250 tituj tregon Biblioteka Kombëtare). Madje në vitet e fundit të viteve 70 e në fillimet e viteve 80, me shqisën time x vërej se një specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një sociolog, anëtarë të elitës së re, kanë kontribuar së paku në dy vepra, ndoshta si redaktorë.
Për të provuar nëse mund të kryhet një analizë e tekstit me metodat e sotme të analizës kompjuterike, analizova (Python, paketa NLTK, n-gram=5) ngjashmërinë e disa veprave të Enver Hoxhës. Ngjashmëria e teksteve matet përmes disa metodave, por për ta provuar përdora Cosine Similarity dhe Jaccard Coefficient. Shkurtimisht, e para metodë vlerëson ngjashmëritë e teksteve duke parë fjalët e përbashkëta në fjali. E dyta sheh më shumë dallimet ndërmjet teksteve duke analizuar gjatësinë e fjalive.
Nga analiza paraprake rezulton: (1) sa më shumë distance kohore të kenë veprat, aq më shumë dallojnë ato. Vepra e parë (1943) p.sh., botimi i dytë (ndryshuar me siguri), ka ngjashmëri me veprën 02 e 03 (cosine similarity 0.29 e 0.24, Jaccard Coef., 0.025 dhe 0.02), por kjo ulet me veprën 19 (CS 0.16, JC 0.01), rritet paksa me veprën 30 e bie më tej me veprat 45 e 69. (2) Veprat që trajtojnë periudha prej viteve 60, (prej V. 41-42) botuar nga mesi i viteve 70, kanë gjasa të jenë shkruar nga një dorë, ngjashmëria është më e lartë. Këtu dallohet dora e intelektualëve të rinj, që mund të studiohet më tej duke i krahasuar tekstet e tyre edhe pas viteve 90 me veprat e Enver Hoxhës. Kaq sa për të provuar konceptin (proof of concept), pse nuk janë marrë parasysh dallimet ndërmjet tematikave dhe që shumë vepra përmbajnë edhe tekste që identifikohen qartë si jo të Enver Hoxhës.
(c) 2020, Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Akulli, Ksenafo. “Education and the Individual: An Exploration of Enver Hoxha’s Philosophy of Education.” PhD diss., The Ohio State University, 2018.
[2] Biberaj, Elez. Albania and China: a study of an unequal alliance. Westview Press, 1986.
[3] Ylber Marku, “Sino-Albanian relations during the Cold War, 1949-1978: an Albanian perspective” (Lingnan University, Hong Kong, 2017), https://commons.ln.edu.hk/his_etd.
Trajtesë mjaft interesante. Urime autorit. Shihja vitet qe iknin dhe nuk e kisha besuar se do te tregohej ndonjehere interes për këtë subjekt.
Jashte kesaj, me kujtohet se nga fundi i viteve 70 e kisha lene per nje kafe me Aleksander Meksin te kati i dyte i Pallatit te Kultures. Erdhi ca me vonese dhe me tha se i kishin mbledhur ate dhe ca kolege te tij specialiste te arkitektures bizantine per t’u ulur dhe shkruar per historine dhe kulturen greke, marredheniet e perbashketa etj., duke mos ua fshehur se keto te dhena “kerkoheshin lart”. Me pas, te gjithe kerkonin se cila ishte pjesa e tyre te nje liber i Hoxhes, Dy popuj miq, a diçka e tille.
Por ajo qe me ka bere pershtypje, ishte se per disa tema njerzit shkruan, pa e ditur aspak se ku shkonte puna e tyre kerkimore per nje dege te dijes a te shkences.
Pastaj, ndersa i ftonin ne ndonje plenium partie si specialiste te degës, kishin surprizën e pabesueshme të degjonin nga goja e Hoxhes, rezultatet e tyre te nje pune të gjate. Dhe madje (eshte fakt i vertete dhe subjek i romanit tim “Habia”), te ndeshnin edhe ne veshtrimin aspak miqesor te Hoxhes perse nuk mbanin shenime si gjithe te tjeret. Dhe ai, ne nje rast, e nderpreu leximin dhe iu drejtua autorit te vertete te punimit: Ty, shoku x, nuk te pelqejne keto qe po thuhen ketu?
Edhe pse ndenji gojëkyçur dhe nuk mund t’i thoshte se i dukej marrezi te mbante shenim ato qe kishte shkruar vete, kjo nuk ia kurseu aspak kalvarin qe filloi qe ne perfundim te mbledhjes…
Te falemimderit per deshmine. Me gjeresisht kjo teme duhet trajtuar edhe ne vjedhjen e pronesise intelektuale. Por nga ana tjeter, kjo asgjeson gjithe ate literature mbi totalitarizmin dhe historine nga larte. Dmth. i hap pune studiuesve qe mjaftohen duke cituar veprat apo fjalimet si argumente.
Si një nga studiuesit që jam marrë me veprat dhe fjalimet e Hoxhës dhe i kam cituar, të siguroj se kjo nuk më hap asnjë punë. Sepse nuk përbën gjë të re për mua – që Hoxha përdorte ghost writers (kjo pak a shumë dihej); dhe sepse kam rezerva të mëdha për metodologjinë që ke përshkruar në shkrim. Por po bëj gati një përgjigje të argumentuar…
Po e pres argumentin, prandaj edhe e hodha. E per te shtuar ca zjarr: ndersa Trump ja dime, ketij jo, ata ghostwriter.
Sa i perket metodes, jam dakord, se une nuk jam as linguist, e as computer-linguist. Thjeshte hodha nje ide qe cfare hamendesohet, mund te faktohet. Shpresoj ti jap spunto ketij qe ka mbledhur nje corpus gjigand.
A Lexicon of Albanian for Natural Language Processing
Besim Kabashi, Friedrich-Alexander-Universität Erlangen-Nürnberg, Ludwig-Maximilians-Universität München.
Spiro Dede ishte ghost writer I librave te tij me kujtime.
Une kam menduar qe i ka pas shkruar vetë. Per nje arsye te thjeshte: ditari i Haxhi Kroit eshte i mbushur me rrefime te tipit : “edhe sot shoku Enver nuk doli ne zyre”. Kam menduar se rrinte ne shtepi dhe shkruante kujtime (per me teper qe i thosh vetes ‘i penës’). Shto egon prej ariu…. .
Ai hidhte ne kujtime materialin bruto,pastaj Spiro Dede dhe eunuket e institutit te Nexhmijes e perpunonin.Pavaresisht prej permbajtjes mediocre te fjalimeve te tij qe sot jane komplet pa vlere ,Dulla mbetet si public speaker me I miri deri me sot .E kam fjalen per delivery of the speech jo per permbajtjen .
Duket eshte praktike e te gjitheve, edhe e shtetarve perendimore (dikur kam ndjekur nje interviste te gjate te keshilltarit special te Kenedit A. Shlesinger, me duket, qe tregon se ne ç’rrethana e shkruajti ate shprehjen e fameshme Mos pyet se ç’do të bëjë atdheu për ty, por ç’mund të bësh ti për të (pak a shume), shprehje qe sot njihet si e… Kenedit…
Por ka nje ndryshim me udheheqesit lindore, nje ndryshim thelbesor. Perendimoret (ne rastin me te mire, ata amerikane, franceze, angleze… kurre nuk jane shprehur e nuk japin orjentime ne fusha te specializuara, kurre nuk zevendesojne specialistet e aq me pak kurre nuk u jepin mend atyre, siç bente Hoxha duke u dhene mend edhe se si duhet nxjerre … nafta, si duhet permisuar gjendja e pyjeve, si duhet te jete mesimdhenja, si duhet rritur prodhimi i çelikut, pa folur per artin dhe kulturen (keto jane mjaft subjektive dhe nuk ja heq te drejten askujt te shprehet, por puna eshte se kur shprehej ai, iknin koka..)…
Kishin nevoje te ishin te pranishem gjithandej jo vetem si figura politike, por mbi te gjitha si autoritete te pakundershtueshme ne çdo fushe te jetes dhe duket se e shihnin normale qe te tjeret te punonin per ta…
Do ndalesha tek citatet ne shkrimet e shqiptareve. Shkrimet jane te mbushura me citate, ne shumicen e rasteve, te perdorura jashte konteksit, ose te them jo te thurur bukur ne shkrim. Autoret duan te na tregojne qe kane nje kulture te gjere por e bejne kete ne menyre artificiale. Ke qejf te lexosh nje artikull te huaj. Citati eshte aty ku duhet te jete, duke i hedhur kripen e duhur shkrimit. As me pak, as me shume, aq sa duhet.
Citatet e perdorura pa kriter e rendojne shkrimin, e bejne te merzitshem.
Per sa i perket Hoxhes, menyren qe perdorte ai e perdorin te gjithe qe shkruajne libra. Paguan sekreraren e tij, tjetri, dhe kur ka shume pune, edhe ca te tjere qe te marri informacionin e duhur.
Pastaj ka korektore, redaktore dhe perseri redaktore.
Asgje e re nga fronti Hoxha.
Faleminderit per artikullin dhe faleminderit qe moret studimin tim si shembull. Jam me dijeni te kritikes suaj, dhe ne fakt, e kam argumentuar ne kapitullin e pare arsyen pse kam zgjedhur ate metodologji te tille. Ne fakt, kontributi im me I madh eshte kjo metodologji. Me shkruaj nese deshiron te vazhdosh biseden.