GJUMI DHE VDEKJA

nga Gerasimos Laskaratos
 
Dëgjova dialogun e mëposhtëm mes Vdekjes e Gjumit:
 
Vdekja: Mirëmëngjes, miku im!
Gjumi: Lërmë të lutem, se pamja jote më kall datën.
Vdekja: Çfarë gjëje tmerruese kam unë?
Vështromë mirë, thonë që ngjajmë.
Gjumi: Nëse ngjajmë në diçka, nuk ngjajmë për nga pamja jote e neveritshme, e ashpra Vdekje.
Vdekja: Më quan të ashpër, por nëse do me njihje më shumë, do më respektoje më tepër. Jam i nevojshëm për njerëzit, sepse pa mua sipërfaqja e tokës, do ishte shumë e vogël për t’i nxënë të gjithë, pa mua do bëheshin krime të panumërta. Vetëm unë arrij t’i përmbaj njerëzit brenda kufijve të detyrimeve të tyre, i bëj më të ndjeshëm, dhe përmes lavdisë i udhëheq drejt aksioneve të mëdha. Për më tepër çliroj fatkeqët nga dhimbjet e vuajtjet e tyre.
Gjumi: Cilido qoftë ndryshimi mes nesh, njerëzve përgjithësisht u vjen ndot prej teje, ndërsa mua më duan, më japin emrat më të bukur, hidhen netëve gjithë hare në prehrin tim; përmes hireve të mia, u zbus shqetësimet, ndërpres përkujdesjet e tyre dhe u risjell fuqitë. Ndonjëherë, atyre që nguten, u jap kënaqësi më të madhe. Je frika dhe tmerri i gjinisë njerëzore, kurse unë jam Ngazëllimi.
Vdekja: Po më thua, që njerëzit më urrejnë? Përkundrazi, besoj që më dëshirojnë. A s’ vriten mes tyre për hiçgjë? A nuk bëjnë gjithfarë shpërdorimesh, që të përshpejtojnë ardhjen time? Nëpërmjet sistemeve të reja gjuajtëse, githfarë armëve, aeroplanëve bombardues e luftanijeve, a nuk më ftojnë vazhdimisht? Ndër beteja, a nuk luftojnë në emrin tim? Nëpër luftëra, a s’jam unë gjithmonë fituesi? Çfarë ke ti për të thënë? Cilët punojnë për ty? Vetëm farmacistët dhe ca oratorë.
Gjumi: Më duhet të rrëfej që pamja jote e pështirë, nuk mjafton që njerëzit të heqin dorë nga pasionet e tyre keqndjellëse. Por, pavarësisht kësaj, vazhdojnë të tmerrohen prej teje.
Vdekja: Frikësohen prej meje? Njerëzit mendjelehtë mendojnë që, me kalimin nga bota e tyre në botën tjetër, do vazhdojnë të kenë të njëjtat dëshira, siç kishin dhe më parë në tokë. Për më tepër, ndryshimi ynë nuk është aq i madh. Ty të quajnë vdekje e vogël, mua gjumë i përjetshëm. E sheh, që vetëm nga kohëzgjatja ndryshojmë?
Gjumi: Pikërisht, kohëzgjatja është ajo që i frikëson. Fakti, që njeriu nuk rikthehet në jetë pas vdekjes, është tmerrues.
Vdekja: Sa i padrejtë dhe paradoksal, që është njeriu! Asnjëherë s’u ankua, që fillesa e jetës nuk përllogaritet që në krye të botës, por proteston, që nuk do jetojë të shohë fundin e saj.
Gjumi: Arsyeja është, se tashmë që njeriu njeh jetën, i vjen keq që pas vdekjes s’do ekzistojë më.
Vdekja: Njeriu duhet të mësojë, që jeta është dhuratë e natyrës, që fillimi i saj është zeroja dhe fundi, vdekja. Madje, duhet të dijë, që natyrës duhet t’i jepet, gjithçka që ajo ka nevojë.
Gjumi: E kuptoj, që duhet të zmbrapsem, dhe po zmbrapsem paqësisht, pasi nëse do vazhdoj të debatoj me ty do mposhtem, kur dihet, që askush s’ arrin të mposhtë vdekjen.
Autori: Gerasimos Laskaratos, 1910
Përshtati në greqishten e sotme, Aleksandros Laskaratos
 
Përktheu në shqip: Eleana Zhako

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin