Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MENDIME TË PAKREHURA (LIX)

(nga Stanislaw Lec*)

 

Të gjithë zotat ishin të pavdekshëm.

Në luftën e ideve, janë njerëzit që lënë kokën.

Më thuaj me kë fle, të të them se kë ëndërron.

Duhet shumë durim për të mësuar si të jesh i durueshëm.

Fshihej prapa gjuhës që ia nxirrte botës.

Gjithnjë kam pasur frikë nga karabinat e pambushura. Me to kanë pasë thyer kafka.

Jemi çmësuar të bëjmë dallim mes varrit dhe monumentit.

Sa më të vegjël të jenë qytetarët, aq më e madhe duket perandoria.

Kurrë nuk është më lehtë të humbësh rrugën në një pyll, se kur ia presin pemët.

Ekzekutimi i padrejtësive bëhet gjithnjë nga duart e duhura.

Çfarë nuk arrin ta imagjinosh, shpesh mund të arrish ta blesh.

Të hezitosh është ta marrësh tashmë një vendim.

Reflektoni para se të mendoni!

Pasi të realizohet, a ka surrealizmi ndonjë arsye akoma që të jetë?

A ka mjaft fjalë për t’ua shuar urinë të gjitha gojëve?

Te çdo dordolec dremitin ambicjet për terror.

Le t’u fryjmë ne vetë velave!

Një zarf bosh, por i ngjitur, fsheh edhe ai një sekret.

I shtinte njohjet në dorë, por nuk i pllenonte.

Nuk është mirë të dyshosh për dikë, kur je totalisht i sigurt.

Kur nuk fryn erë, edhe flugerët kanë karakter.

Po të mos dini gjuhë të huaja, nuk do t’i kuptoni kurrë heshtjet e të huajve.

Mos i fertilizoni mendjet shterpa!

Vetëm pas krijimit të botës dolën një mori gjërash që nuk ishin të kësaj bote.

I dua shumë ata që do të kishin ekzistuar edhe sikur të mos i kish lindur kush.

Jo nga çdo vezë del një Kolomb.

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin