Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

ÇË KUR TË LASHË, NANI TË SHOH

nga Bardhyl Demiraj

(për Gianni Belluscio-n)

Kështu përshëndeteshim me Xhanin sa herë shiheshim; së fundi dhjetorin e shkuar, kur erdhi e mbajti një bllok leksionesh te ne në Mynih; njëlloj si së pari, në fillim të vitit 2013, kur botoi me këtë titull kujtimet dhe mbresat e para që kishte hedhur në letër atëbotë, në gusht të vitit 1983 gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri.

Është një shprehje arbërisht që përcjell më së miri jetën e Xhanit: paktin e tij fëminor me kujtesën kolektive në Shën Vasil ku lindi (25 gusht 1961) e hodhi shtat bashkë me rrëmihjet imagjinare te dheu i të parëve po aq imagjinarë që jetonin diku aty, në More, në kërthizë të Arbërisë; apo me rrëfimet gjysmëpërrallë, të shpeshta e të njëjta të Pallatèri-t fqinjë, ish-ushtar në kohën e Duçes, se sa e lartë ishte Kulla e Sahatit në Tiranë dhe malet që e rrethonin. Kur u bë burrë, që vjen me thënë në moshë adoleshence Xhani nuk kishte më nevojë vetëm t’i rrëfenin, sepse kërkonte dhe lexonte vetë për Shqipërinë, “il paese delle aquile”, shi aty ku përkrenares së Skënderbeut i kishin vënë dy brirë lart, anipse e nderonin “si neve” edhe Donikën me birin e saj Gjonin; po ashtu e habisnin Xhanin lajmet në RAI se si “qui Stalin piace ancora” e se Partia e Punës ngadhënjente gjithherë 99,x % të votave, ndërsa në vendin e vet qeveritë ndërronin ndërresat shpesh e më shpesh.

Kjo shprehje shoqëron hap pas hapi jetën akademike të Gianni Belluscio-s. Dashuria për gjuhën, kulturën dhe historinë e ngulimeve arbëreshe në Itali ravijëzuan formimin e tij shkencor-universitar në Universitetin e Studimeve të Kalabrisë, ku pati fatin të studiojë pranë prof. Francesco Solano-s, prof. Italo C. Fortino-s dhe prof. John Trumper-it. Aty përfundoi edhe studimet universitare për gjuhë dhe letërsi të huaja moderne me punimin monografik në fushën e fonetikës eksperimentale “A Model for a discreet Analysis of three Italo-Albanian dialects: vocalism, electro-acoustic analysis et alia” (1986). Ky punim vlerësohet si studimi i parë i llojit të vet në këtë universitet e që ruan sot e gjithë ditën vlerat e një pune pioneri që ndryshoi paradigmën në studimet albanologjike bashkëkohore në Itali. Një tjetër gur sinori në formimin e tij akademik është edhe disertacioni “Linguistic Continuity and Fragmentation: the vexata quæstio of the vocalic isophones in the Arbëresh speaking Area in northern Calabria” (Romë, 4 qershor 1994), si edhe botimi shembullor me komente në dy gjuhë (anglisht-italisht) i monografisë së albanologut amerikan Eric Hamp “Il Sistema fonologico della parlata di Vaccarizzo Albanese, Università della Calabria: Centro Editoriale e Librario. Translation and Italian Edition by G. Belluscio, of: E. P. Hamp’s, Vaccarizzo Albanese. The Sound System of a Calabro-Albanian Dialect (A Ph.D. Dissertation, 1954) Albanistica. Studi e testi Vol. 3, Università della Calabria: Centro Editoriale e Librario.

Karriera akademike dhe universitare e Gianni Belluscio-s është e sendërtuar në këtë shprehje, është e lidhur pazgjidhshmërisht me angazhimin e tij si kërkues shkencor e specialist i gjuhës shqipe, si edhe profesor universitar i asociuar (2017)  në Universitetin e Studimeve të Kalabrisë. Gianni Belluscio është angazhuar shpesh edhe si profesor mik në disa universitete në Italinë e Jugut, Shqipëri, Kosovë si edhe Universitetin elitar Ludwig-Maximilian të Mynihut (LMU: 2-7.12.2019). Aktiviteti i tij shkencor dallohet gjithashtu për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare në shumë vende të Europës dhe SHBA-ve si edhe për paletën e gjerë të botimeve shkencore si autor e bashkautor në shumë lëmenj të albanologjisë, që arrijnë shifrën e 180 titujve, ndër to 8 punime monografike.

Këtë përshëndetje takimi sjell të parën ndër mend shkruesi i këtyre radhëve, pikërisht tani kur Xhani largohet prej nesh (12 prill 2020); ja ashtu…, krejt panatyrshëm, njëlloj siç është edhe jeta që po jetojmë sot. E ndarja, sado e përkohshme qoftë, qenka vërtet e dhimbshme dhe brenga po aq e madhe, sidomos kur përjeton se si miku e kolegu ynë largohet nga kjo botë dhe merr me vete krahas buzëqeshjes, fjalës e vështrimit gjithherë magjepsës edhe masën e tërë të atij kumti që syzonte ta linte mirëfilli në plotësinë e vet mes nesh, sikurse edhe ne donim ta përcillnim si të tillë në vazhdimësi te të tjerët. Ndarje dhe brengë bashkë… sepse: çë kur të lamë, nani të shohmë.

(c) 2020, Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin