Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

LAST BUS TO MANCHESTER

Mbrëmë kisha dalë për gjimnastikë peripatetike rreth lagjes sime të trembur në Brooklyn, i kuturisur në rrugë anësore për t’iu shmangur Tjetrit (për të respektuar nevojën e Tjetrit për të më shmangur), kur m’u fanit, te një stacion i shkretë autobusi, një poster reklamë me diell dhe njerëz buzëpërveshur dhe mbishkrimin grotesk FLY TO MANCHESTER, që më zuri në befasi, edhe pse tashmë prej vitesh në SHBA jam mësuar që emrat e qyteteve të mëdha të Europës t’i shoh të replikuar në gjithfarë lokalitetesh në mes të asgjësë, të tipit Paris,Texas (për të mos u shtyrë deri në Paris, Las Vegas), ose fundja edhe York-u i Ri (por ky do të ishte muhabet tjetër) dhe se gjendet një Manchester edhe në New Hampshire ku mbase nuk ia vlen të shkosh me rrugë ajrore, përveçse po të të shpien me zor, me helikopter të FBI-t (Wikipedia më thotë se ka të paktën 30 Manchester-ë në SHBA); e pra, më ngjalli kureshtje kjo ftesë për të marrë qiejt drejt Mbretërisë së Bashkuar, dhe u avita te poster-i për të parë se për çfarë ishte fjala tamam dhe ashtu lexova se kjo paskësh qenë një ftesë e njëmendtë nga VIRGIN ATLANTIC, për bredharakët e rrugëve tërthore të Brooklyn-it, që të vizitonin dikur Manchester-in; mbijetojë e një epoke tjetër të lënë pas, kur vërtet mund të merrje avionin në JFK ditën për diell dhe të kapërceje oqeanin si turist; shenjë që tani e kish humbur synimin praktik, për të funksionuar vetëm si kujtesë drithëruese se bota, e lebetitur nga kometa Korona, është tërhequr në guaskën e vet si kërmilli. Dhe atypari m’u përhi në mendje një pasazh i një interviste të gjatë që Philip K. Dick, autor amerikan i fantashkencës, dhe mes shumë të tjerash edhe i romanit Do Androids Dream of Electric Sheep?, që pastaj Ridley Scott e shndërroi në një film nga më ndikuesit të epokës (Blade Runner) pat dhënë pak para se të vdiste; ku Dick-u, që e pat ndjekur hap pas hapi shpalosjen e origamit të tij tekstual në celuloid, por që nuk arriti dot ta shihte filmin të përfunduar, tregon për preokupimin e regjisorit Ridley Scott me detajet edhe më të papërfillshme, për të krijuar botën distopike të Los Angeles-it të vitit 2019, si skenë ku luhen ngjarjet dhe ku luajnë personazhet e filmit; dhe ndalet një copë herë te titujt e sajuar të gazetave, te një kiosk një cep rruge në Chinatown, kiosk gazetash (dizajnuar nga Tom Southwell), i tëri i rremë, por i riprodhuar në hollësi marramendëse; dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, vëmendja maniakale e Scott-it shkon deri atje, thotë Dick-u, sa deri edhe gazetat dhe revistat brenda në kiosk, ose ku kamera dhe bashkë me kamerën edhe spektatori në kinema nuk do t’i shohin dot kurrë, janë po aq të sajuara me kujdes, dhe po aq të kuratuara, a thua se ajo botë e krijuar për filmin nuk do të mund të funksionojë, po të mos jetë e plotë në falsitetin e vet artistik, edhe kur ne spektatorët nuk e shohim dhe nuk do ta shohim; sepse duhet të jetë e plotë për aktorët që luajnë, por edhe në vetvete; si të thuash, të jetë një pemë që rrëzohet në pyll dhe bën zhurmë edhe kur nuk ka mbetur më frymë frymori për ta dëgjuar, të themi pas një pandemie të shurdhimit total. Ky rrëfim i Dick-ut më erdhi në mendje, sepse edhe posteri reklamë i Virgin Atlantic për t’u dushkatur me avion drejt Manchester-it m’u duk edhe ai si pjesë e një dekori të një filmi fantashkencor, detyrimisht distopik; shenjë e koncentruar (just add water) që e lajmëron publikun për natyrën distopike të artit që po i paraqitet dhe që e përgatit për premisën narrative se diçka pamatshëm e madhe ka ndodhur më herët; element vizual që, tek e fundit, shoqëron tashmë klishé çdo riprodhim atmosferik të një bote që ka shkuar për lesh, jo vetëm në filma dhe seriale TV, por edhe në videolojëra: fare mirë mund ta përfytyroja posterin e tanishëm përbri ndonjë rrënoje të komplikuar në Fallout; mu në momentin kur një autobus urban me një pasagjer të vetëm me gjasë mutant të mbështjellë me maskë për t’ia kursyer publikut gjymtimin, kalon te stacioni pa denjuar as të kthejë kokën e jo më të ndalojë, versioni post-apokaliptik i avionit që do të më çonte në Manchester, mbase edhe i autobusit Greyhound që do të më çonte në Manchester-by-the-Sea në Massachusetts; pavarësisht nëse ky autobus gjysmë-fantazmë do të përvidhej ashtu në filmin e kategorisë B apo në realitet, sa kohë që realiteti i tanishëm i karantinës, bashkë me peripecitë e mia peripatetike, është edhe më kitsch se një film i kategorisë B, dhe se vetëm deliri paranoid i një Philip K. Dick-u mund t’i jepte domethënie të përballueshme, duke e pikturuar me ngjyrat optimiste por të zbërdhylura të një Amerike të viteve 1950, të porsadalë nga Lufta, që nuk pat ekzistuar ndonjëherë, por edhe siç po ëndërron të zgjohet në të ardhmen kjo e tanishmja, e rrugëve të zbrazura, avionëve të ndalur dhe zombieve me maska.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

6 Komente

  1. Ha haa.Mund ta kishe lene dhe vetem me piken e fundit. Si zhytesi i thellesise me vetem nje frymemarrje. Kam nje pikture te Zamfires tw tille qe fillon e mbaron pa ndalim; stili LINJA me duket se i thone…Ishte zbavitese. Me pelqeu stili.

    1. Me duket e çudi qe ty te duket zbavitese, se mua me duket krejt e kunderta.

  2. Hmmm ka edhe me keq. Bashke me udhetimet ekzotike ne Manchester na u zhduken edhe ikonat e rrugetimeve tona shpirterore. Jane tretur si kripa ne uje figurat madhore profetike te medias si Greta Thunberg, Kaperniku I pergjunjur qe lufton racizmin ne atletet Nike, Taylor Swift qe Xhorxh Sorosi I kishte vjedhur kasetat e gjimnazit dhe levizja madhore #metoo (larg qofte).
    E ndersa dje pasdite, teksa lexoja nje liber letre duke pire çaj, hodha syte I pa perqendruar tek ime shoqe qe lexonte iPad ne kolltuk qe pinte te njejtin çaj dhe krejt papritur kapa kuptimin e plote themeltar te fjales “bashkeshort”, po asaj nuk ja thashe sidoqofte.

      1. Le te zhduken te gjithe, te gjithe le te zhduken, dhe Toka si planet bosh pa jete te vazhdoje te rrotullohet ne nje univers te shurdhet dhe indiferent, sepse jeta ne Kozmosi prej kohesh e ka kryer misionin e vet qe kur arriti te prodhoje produktin artistik te Stonsave dhe Mik Xheker me kitare me korent ne dore. o jeeee, comon bejbi

  3. Posteri reklamë FLY TO MANCHESTER në Brooklyn na sjell pa dashur kujtimet e një kohe të dikurshme, jo edhe aq të largët – kur udhëtohej lirisht në mbarë botën, ndërkohë që sot përplasemi me realitetin e ngujimit global. Sa do të vazhdojë kjo gjendje?

    Sipas disa burimeve nga kompanitë ajrore amerikane, kthimi në nivelin para pandemisë do të jetë jo i shpejtë. [Gazeta The Wall Street Journal, 4 maj 2020]. Një zyrtar i lartë amerikan, Steven Mnuchin, deklaronte dje se “është tejet e vështirë për të thënë” nëse udhëtimet ndërkombëtare do të rifillojnë në dhjetor të këtij viti.

    Goditja e beftë e pandemisë parashikohet të sjellë një krizë të pashembullt në industrinë e turizmit dhe të tjerat të lidhura me të. Mnuchin, sikurse edhe Kryeministri i Shqipërisë ca ditë më parë, bëri thirje që t’i drejtohemi udhëtimeve dhe turizmit të brendshëm.

    Një saktësim miqësor për përdorimin metaforik të Manchester-by-the-Sea, MA. Qyteza sympatike është një ndër të rrallat ku nuk ka semaforë. Mbaj mend që edhe Woodstock, NY – ku u mbajt dikur festival i famshëm i rock-ut, nuk ka pasur semaforë – njëfarë krenarie e çuditshme e disa qyteteve të vogla të Amerikës që refuzojnë përftimin e fondeve federale për rrugët e tyre për të ruajtur lirinë e vetëqeverisjes përmes rregullimit në nivel lokal të çështjeve të transportit.

    Mënyra më e vetme e transportit publik për të shkuar në Manchester-by-the-Sea është linja e trenit Boston – Rockport. Greyhound, apo linjat e tjera të autobuzëve – nuk sigurojnë lidhje.

    Sa i takon filmit me të njëjtin emër, për mua ai është ndër filmat amerikanë më të arrirë. Sapo isha vendosur në qytezën simpatike atë verë kur filmi po xhirohej. Kishte mjaft kuriozitet të natyrshëm tek kalimtarët e rastësishëm, por dhe shqetësim të ligjshëm për atë se si do ta portretizonte filmi qytezën e tyre. Më kujtohet Kadareja kur përmendte dikur se jo domosdoshmërisht një novelë duhet të mbyllet me “happy end”-in, një farë norme kjo në kinematografinë e Hollywood-it. Filmi “Manchester-by-the-Sea” nuk ka “happy ending”. Përmes gërshetimit të së tashmes dhe digresioneve ngjethëse, ai pasqyron me realizëm dramat dhe tragjeditë e jetës së njerëzve të thjeshtë në Amerikë. Edhe pse shijet janë individuale, filmi për mendimin tim është i kategorisë A+, një zgjedhje mëse e këshillueshme për t’u ndjekur gjatë ngujimit të pandemisë…:)

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading