Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori / Kujtime

PROFESORI ZETA

nga Bardhyl Demiraj

Profesori Zeta si emërtim gjenerik ishte i pari që më zgjoi kureshtjen në shkrimin „Inteligjenca shqiptare në tehun e Luftës së Ftohtë“, postuar para do kohësh në faqet e Peizazheve të Fjalës (28 janar 2020) e që ka për autor Agron Alibalin, ndërkohë i njohur si studiues dhe gjurmues i apasionuar i vlerave materiale që konsiderohen “të humbura” në kulturën shqiptare. Njohja dhe bashkëpunimi i Profesorit Zeta me prof. Krist Malokin (Uni Graz/Austri) e që të dy në funksion të përmbushjes së një misioni operativ që mbulonte atëbotë një oficer i zbulimit amerikan më joshën ta lexoj deri në fund qoftë tekstin e rrjedhshëm ashtu edhe shumë prej sqarimeve të rastit që përcjell autori në formë shënimesh. Emra të tjerë studiuesish shqiptarë – shumë syresh ish-profesorë të mi e më pas kolegë të moshuar – në këto dosje të arkivit të CIA-s sigurisht që e nxitën përqendrimin në lexim.

Sa i përket fundit besojmë që shumëkush ta ketë hamendësuar që në fillim, bash ashtu siç përmbyll autori shkrimin e tij me konkluzionet që kumtojnë dështimin e gjithë misionit. E kjo s’ka të bëjë asesi me efikasitetin e kundërzbulimit shqiptar, siç gëzonim dikur në rrugë, në bangat dhe oborrin e shkollës. Thjesht u piketua një rrugëkalim, që edhe atëbotë – sot jo se jo!!! – s’të shpinte gjëkundi. Sepse të merrje e të jepje informacion me Profesor Zetën për të vënë lëvizje prof. Malokin, në mënyrë që ai të komunikonte më pas intensivisht me prof. Çabejn apo prof. Budën e prej tyre të mësonte së fundi diçka mbi gjendjen shëndetësore të Enver Hoxhës, ishte njëlloj sikur të ushtroje një masë kompakte intelektualësh me mësuar se cili syresh do të shihte i pari veshët pa pasqyrë.

Asgjëmangut, si shqiptar e bir shqiptari, menjëherë pasi mbarova leximin më shkoi mendja për ters, shi se si do ta kenë pritur shkrimin në fjalë personazhet e lartpërmendura, po të gjëllijnë sot midis nesh si lexues virtualë të Peizazheve: A do ta pëlqenin shkrimin e si do të reagonin? Një pyetje të fundit, që, nëse do t’u pëlqente, a do të dhuronin diçka në konton e Peizazheve, e hoqa shpejt nga lista, meqë janë thjesht lexues virtualë. Le t’i marrim thukët një nga një:

Profesor Maloki është pas gjase personazhi më pak interesant, meqë edhe informacioni në dosjet e CIA-s e klasifikon së fundi si pemë pa kokrra, bash siç përjetoi më pas e gjithë dosja që u deklasifikua. Prashtu, në rastin më të fatlum Maloki do të shkonte rishtas të prehej i qetë aty ku i është bërë vend qëmoti. Shtojmë këtu se në daç t’i ketë pëlqyer shkrimi, në daç jo, kuletën nuk pritej asesi ta hapte. Ani, përcjellim këtu me dashamirësi do gojë të liga që flasin ende sot e gjithë ditën se paska qenë paksa cingun në këtë botë.

Me Profesor Zetën puna qëndron ndryshe. Personi e tij me emër e mbiemër real u pikas qysh në komentin e parë (me inicialet r.th.) në pjesën e dytë të shkrimit në fjalë. E me thënë të drejtën, ashtu siç e përshkruan dhe e sistematizon Alibali në detaj materialin e dosjeve që shqyrton, të detyron që emërtimin gjenerik Profesor Zeta ta ripagëzosh me emrin e regjistruar qëmoti në zyrën e gjendjes civile si Martin Kolë Camaj.

Prandaj s’na mbetet gjë tjetër veçse të tumirim me burime arkivore si fakte të mirëqena se Martin Camaj: a) në vitin 1952 studionte në Beograd, ndërsa b) me Krist Malokin njihej dhe korrespondonte së paku prej vitit 1951; c) në vitin 1966 jetonte në Munih, ku punonte në universitetin Ludwig-Maximilian prej një viti si docent privat (më parë lektor – B.D.) i gjuhës shqipe; d) kishte botuar ndërkohë edhe tezën e tij të habilitacionit (“Albanische Wortbildung”. Kovač, München 1966); e) nuk ka qenë pjesëmarrës aktiv në Konferencën e Parë të Studimeve për Europën Juglindore (Sofje 1966), ndoshta thjesht prej e) statusit të tij civil si refugjat politik pa shtetësi, çka i kufizonte natyrshëm lëvizjen në vendet e Lindjes.

Sa do t’i ketë pëlqyer ky shkrim Camajt? Kësaj pyetjeje nuk i shmangemi dot, anipse duhet të përsiasim vetëm hamendje. Gjithsesi shumëkush e merr me mend sa dhe si është befasuar Martini, kur ka lexuar se informacioni i tij ndihmonte me depërtuar deri në vilën e Enverit. Pra në rastin më fatlum thjesht është mërzitur, kur ka ngjëruar në tekst kumtin e hidhur se si ai mision farëmirë paska pasë dështuar pa nisur.

Nuk mund t’i anashkalojmë këtu as opsionit, që mërzia t’i jetë shtuar shumë më shumë, veçse në tjetër kah, meqë, duke qenë mjeshtër i fjalës dhe studiues i saj, sigurisht që nuk e ka gëlltitur lehtë personifikimin e tij në këtë shkrim me togun në dukje pa konotacion negativ: “agjent informator”, që vjen thënë popullorçe “hafije”. Në një moment madje i janë ngritur me siguri qimet përpjetë, bash kur lexon në tekst se si: “Me shumë gjasë, kjo lagje studiuesish – informatorë, apo informatorësh – studiues siguronte mbështetje edhe për avancim në karrierat e tyre akademike, si dhe merrte mbështetje e ndihmë të prekshme përmes financimeve e sponsorizimeve të ndryshme.”

Se për çfarë lagjeje studiuesish e ka llafin Alibali në shkrimin e tij dhe përse mëtohet prania e Profesor Zetës në të, këtë gjykim për fat të keq nuk arrijmë ta ngjërojmë bindshëm qoftë në klasifikimin dhe sistematizimin aq të saktë të fakteve burimore, ashtu edhe në fotot facsimile që shoqërojnë tekstin e tij. Sa për sqarim lejohemi të shtojmë këtu që blerja e një sasie (prej gjashtë) ekzemplarësh të librit të Camajt prej misionit informativ amerikan nuk parakupton assesi sponsorizim të botimit të veprës apo mbushje xhepash të autorit deri ndihmë ase mbështetje në ecurinë e karrierës së tij akademike.[1] Pra në çështjen Profesor Zeta, të mishëruar në personin e Martin Camajt si “agjent informator” përballemi hë për hë – thënë troç! – me një të pavërtetë që është mirë ta anashkalojmë si pakujdesi e autorit, e shkaktuar gjatë realizimit të shkrimit të tij të gjatë e që vise-vise ndjen vërtet nevojën e përpunimit redaksional.

Mërzia e përshkruar më lart mënjanon vetiu pyetjen, nëse Camaj do të fuste dorën në xhep për këtë shkrim. S’ke dhe ç’i kërkon atij për një shkrim që edhe pse s’ta nxjerr emrin në mexhlis të brengos dyfish, madje e ka bërë të flasë me vete: “Edhe agjentin informator të CIA-s paskam mangut!? S’mjaftoka UDB-ja, siç ma mballosën para do kohësh[2]!? … As llafet e rrugëve në Tiranë, Mynih e gjetkë se si paskam gëlltitur dikur një lugë çorbë të prishur me vjellë pastaj gjithë jetën në pjatën e Sigurimit Shqiptar!? … E lëmë më mirë këtë mesele dhe… ikim…!”

Po oficeri i zbulimit amerikan? Do ta kishim më të lehtë po të operonim në këtë mjedis me një emërtim gjenerik, psh. Agjenti Ypsilon, duke iu shmangur kështu ndonjë emërtimi në modë si 007. Me siguri që ka plasur nga marazi duke hedhur vrug e vrer sigurisht ndaj CIA-s që i paska deklasifikuar dosjen. Megjithatë, për të mos i mbyllur kaq shpejt hesapet me të, le të përpiqemi të zbresim idealiter në terren e të gjenerojmë për nga perspektiva operative e me mendje esëll një bashkëpunim real, por të realizuar ndërmjetshëm midis Martin Camajt dhe zyrës së informacionit amerikan në Vjenë.

Një nga fotot e vona të Camajt (1992), që pati mirësinë të na dërgonte prof. Demiraj.

Duke qenë se Camaj nuk njihet si folës aktiv i anglishtes e se ndër shefat e zyrave të informacionit amerikan janë me gishta ata që njohin mirë ase duan të komunikojnë në një gjuhë tjetër, aq më pak në shqip, por edhe thjesht si masë mosdekonspirimi, shpresojmë të jemi me këmbë në tokë sikur oficerin e CIA-s për lehtësi gjenerimi ta markojmë me shenjues shtesë që do ta bënin ndërkomunikimin me Profesorin Zeta sa produktiv aq edhe afatgjatë. Asgjëmangut, në sendërtimin e bashkëlidhjes hipotetike Camaj ~ CIA për çështje që kanë të bëjnë me Shqipërinë vështirë të kërkosh e të gjesh shenjues më të përshtatshëm se shqipja si mjet komunikimi, përkatësisht një agjent si mik me kokë i Camajt që kishte shqipen gjuhë amtare. E nuk është se (edhe) në periudhën e Pasluftës së Dytë Botërore nuk janë rekrutuar syresh që fitonin bukën e gojës bash si agjentë në profesion në shërbimet e ndryshme sekrete.

Parë nga kjo perspektivë opsionale na krijohet tash mundësia e çgjenerimit të agjentit Ypsilon, duke u fokusuar në rrethin e ngushtë të miqve të vjetër të Martin Camajt, të cilët ishin njëherësh agjentë të punësuar në rrjetin informativ të CIA-s. Duke qenë botues i veprës letrare të Camajt, studiues i produktit të tij shkencor por edhe njohës i angazhimit të tij social në jetën kulturore të mërgatës politike shqiptare të Pasluftës, kam pasur rast të mësoj edhe unë mbi miqësinë e tij të hershme me Ton Kokën, një ish-student shqiptar që e zuri Lufta rrugëve të Europës e nuk u kthye më në atdhe. Menjëherë pas Luftës u punësua agjent në zyrat amerikane të rekrutimit të refugjatëve dhe të të arratisurve politikë prej Bllokut të Lindjes me detyrë për të përzgjedhur e përpunuar kontingjente të caktuara refugjatësh shqiptarë me destinacion SHBA-të si edhe kampet e përgatitjes së diversantëve. Ton Koka ishte dhe mbeti njëherësh (ish-)agjent i CIA-s dhe mik i familjes Camaj edhe pas vdekjes së Martinit, kur vijoi korrespondojë me të venë, zonjën dr. med. Erika Camaj. Do vite para largimit të tij nga kjo botë (Trieste 2013 ?) Ton Koka i kishte çuar zonjës Camaj do kujtime personale (2008), ku përshkruan njohjen dhe miqësinë me Martinin.

Mbyllim këtu shkrimin tonë duke i bërë vend një pjese të këtyre pasazheve (me lejen e znj. Camaj) e me shpresën se dosje të gjalla të kësaj natyre përcjellin detaje për atë çka kemi  shumë nevojë të njohim sot: marrëdhëniet në jetën e brendshme të mërgatës politike shqiptare të Pasluftës; rolin e Profesor Zetës, më saktë vendin e njeriut të mirë Martin Camaj në të, po se po:

„[f. 1] … Tekembramja gjinden në Romë Padër Daniel Gjeçaj e Martin Camaj.

Nder te pare Kren partinash ne Rome qi ishin ne dijeni t’arratisunve nga Shqipenija ne Jugosllavi ishte Ernest Koliqi. Lajmet e t’arratisunvet mbrrijshin ne Rome me lugje të ndryshme. Mesatarja e t’arratisunve ishin te nji niveli t’ulte kultural per disa arsye. Njerzit me “shkolle” ishin nen mbikqyrjen e Sigurimit, prandaj me pune sa ma larg kufijve. Kjo ishte nji rregull por si çedo rregull ka perjashtime, prá nga Shqipenija jane arratise, me rreziqe, si nga Veriu ne Jugosllavi po ashtu edhe nga Jugu ne Greqi edhe njerz te vlefeshem ne gjendje me dhane lajme, jo vetem por edhe me ba analiza me vend. I tille rasti i Pader Gjeçaj e Canaj [sic! Camaj – B.D.]

Prania e tyne ne Jugosllavi ishte e njoftun, pothuej te gjithve edhe pse kishin kalue bukur tete vjete qi kishin hye ne Kosove fill mbrapa perçamjes te marradhanieve mjes dy shtetesh.

Ishte e njoftun qyshe ne fillim se jugosllavet bajshin gjithfare pengimesh per me i a mbushe menden mos me kerkue o ma mire mos me prá me kerkesa dalje ne Perendim por tuj i binde se edhe ne Jugosllavi kishte kuptim jeta e tyne.

Martini s’i kishte harrue ato ditet kur me nji grup te njoftun njerzish te besuem kishte kalue kufinin ne Jeserce mjes te dimnit bashke me Pader Danjelin. Ishte 1948.

Martini kishte rá ne bark e shpinë se si me gjete rrugen ma te pershtatshme, prirja ne gjak per letersi e gjuhe te hueja nuk i a braktisi dishirin. Mberrijne ne Belgrad; pikenisja Universiteti. Slavistika, Romanistika e Albanologjija ideali i jetes. Dallohet aq sá me rá ne sye te Prof. Bariç, nji nga profesorat jugosllav ma te shkelqyeshem ne Albanologji. Martini asht laurue ne vjeshten e vjetit 1955.

Imazh i faqes së fundit të materialit të Kokës, bashkë me nënshkrimin e znj. Camaj kur i ka ardhur materiali.

[f. 2] Fill mbrapa ka perballue probleme me origjine politike sikurse ajo qi nuk e kaperdinte, ate me e drejtue per nji karrjere docenti, e nenkuptueshme nenshtetesija me te gjitha pasojat.

Kishte dale nga Shqipenija tuj i ike diktatures te Enverit e tash me pranue diktaturen e Titos s’kishte asnji veshtrim pse qellimi i jetes ishte Lirija. Nuk i u dajshin e Martini i kishte thane troç se ikja nga Shqipenija synonte Prendimin e ky ideal s’i kishte dale nga mendja gjate tete vjeteve lufte e perpjekje. E kishte vue at uje ne zjarm dhe e dijte se ne Shqipni nuk mund ta kthejshin, permateper ne dijeni se Ministrija e Punve te jashtme t’Italise kishte ba hapa prane Belgradit me i dhane strehim politik ketyne dy intelektualeve shqiptare. […]

Me lajmon me telefon Ernest Koliqi per te pjekun (vizite) per kete mbasdreke me Martin Camaj.

Pa asnji tjeter paralajmim, tingellon zilja e paraqitet Martini. Paraqitjet e rastit e njeriu i dishruem n’oden e pritjes perpara meje. Veshtrojme njani tjetrin ndersa grueja piqte kafen.

Martini m’a kishte ndie zanin qysh ne Kosove; i kishte fole per mue Pader Danjeli. Ma vone njoftja me mue nga njerz me te cillet kumtonte n’Itali. I kishte mberrijte ne vesh se ishe i ngarkuem per t’arratisun e per rregullimin e tyne [f. 4] andej Atlantikut.

U paraqitete si ishte e si e kam njofte per vjete: njeriu i thjeshtë prandej edhe ma e lehte me e thye at akullin e njohtjes. Me tregoi se kishte lé ne Temal me 13 korrik, 1925 nga nji familje bujqish. Jeta me shterngesa, kohet edhe te vishtira ne malet t’ona sepse qeverija porsa e formueme, me jet e pa rregull. E vishtir me rrite femi e me i sigurue buken e gojes. Etent Gezuit dhe Françeskan kishin programet e tyne: te rijte bazja per rritjen e brezave t’ardhshem. Jane marre vesht me prindet e Martinit e caktue me e nise ne Shkoder ne Seminarin Saverijan, ku perpose shkollimit, ajo ma e randesieshme prirja per meshtari. Ne moshen 19 vjeçare Martini merr Maturen e fill mbrapa Seminari mbyllet me urdhen te kuqve porsa grabite fuqin. Martini gjene pune si aresimtar ne Prekal per dy vjete. Kujtohet se parimet ma fillestare si lirija e levizje ishin cungue e krijue pa besimi nga te kuqet per nji kontroll ma te perpiket. Martini kishte njofte prind femijesh dhe nji grue te veje; te shoqin hjeke qafet pa asnji aresye e burgose e mbas gjashte muejsh pushkatue. Kjo grue e veje tuj ia hjeke gojes e tue i a qite nevojes. Ishte ma se i bindun se ne Shqipeni ishin sose ato parime pa te cillat jeta s’ka veshtrim. Prá aresyeja me u largue nga vendi. Nuk u shtyena ne hollesina pse s’ishte as koha as vendi e vazhdueme ne subjekte tona.

Në Kosove nen nji kontroll t’ashper. UDB (Ured Drzavne Bezbednosti: Zyrja e Pamvaresis te Shtetit) kontrollonte takimet, leter-shkembime, levizjet. Ne pyetje qi i merreshin dojshin me dite ne se ne Shqipeni ishin dergue t’arratisun nga anglo-amerikan dhe cilli ishte qellimi. Nji interesim te posaçem per veprime nga ana e Anglezeve me elementa shqiptare te hjellun [hedhun – B.D.] ne Shqipeni nga bazet ne Greqi.

[f. 5…] Tuj kthye ne Rome, i tham Martinit se kishte gjete mjaft njerz qi tregojshin dashtni e mirekuptim per personin e tij. Martini e pohoi gjithkafshen me grishje per darke nga njerzit e partive te Ballit Kombetar, Ballit Kombetar Agrar, Legalitetit, Bllokut Kombetar Indipendent; te gjith per qellime[t] e tyne tuj mendue per t’ardhmen. M’a cillsonte: “m’u dukshin te ceket, pa marre parasysh shndrrimin e madh qi koha e jo rregjimet e kuqe kudo kjofshin, kishte shkaktue e gjithnji ne shndrrim e syper sidomos ne vendin t’one. Ishte kene i nevojshem Kanuni, por edhe vete Kanuni me kohe i leshon vendin ligjeve e atje ku ligja ece si breshka flitet per kanunin e Mirdites me rrethe por perhere perkohesisht sepse gjithshkafja asht perkatese (relative).

Disi si pernjimend e disi me shpotitje m’u drejtonte: “A thue e kam menden me m’enue bajraktar ne Dukagjin mbasi rrokullimi (revolucioni) te jete sose?”

I tham Martinit: “Nuk e kam menden me e fute hunden ne punet tueja, por pse, ndoshta, i kam njofte ma per s’afermi njerzit qi je tuj hanger darka, me lejo pa asnji qellim te dyte por vetem me te ndricue ne detyrimet tueja ne boten t’one. Asnji kren partije tuj pershi edhe Ernest Koliqin, nuk don ase nuk e din se shka i pret e nesermja. Ti ke tregue prirje per letersi e mos hum kohe kot. I vetmi qi mundet me te perkrahe ne studime asht Ernest Koliqi. Te merrna vesht, mos e perziej me partin e tij.

[f. 6] Shka jam tuj te thane ty i a kam thane me kohe Ernestit, nuk flas mas shpine. Ernesti asht njeriu fjalet e tuj kene se Blloku asht ne dore te Kapidanit te Mirdites dhe te Ismajl Verlacit; i pari me randsi ne Malet e Mirdites, i dyti me pasunina n’Itali dhe Svicerr, Ernesti i ka dhane fjalen ketyne miqeve qyshe nga themelimi i Partis. Peshteten nga Italija dhe nga Shtetet e bashkueme per veprime te kota e per interesa private. Un e kam kuptue se komunizmi ne Shqipeni nuk luftohet sikurse jane tuj veprue por e persris kan diejte me i luejte guret vetem e vetem per interesa private. Me kren qi je tuj u sjelle, mos mendó se veprojne ma mire, perkundrazi e, ke me u kujtue per se shpejti se, jane ne rrugen e gabueme. Deshtimi, pamvaresisht se si veprojne, asht te perçamja e plote mjes partinash. Tirana me pase harxhue mjaft te holla s’i a kishte dale qellimit ma mire. Ke me u kujtue per se shpejti ne çfare gjendje gjindet mergata politike. Ernesti asht i squete mos me kuptue por i a nxuni rrota bishtin, por ka diejte me luejte nji gur me randsi, ate te themelimit te perkohshmes “Shejzat”. Ka grumbullue mbas vehtes ajken e intelektuelve te gjakut dhe eliten e te huejve. Nji pune e pa krahasim ne te gjithe diasporen. M’asht ankue sa here se i ka hye nji pune pa peshue si duhet dy faktore: ekonomik dhe ate te punes se perditshme me njerz qi njohin punen e botimit. Ke nevoje per pushime mendore e fizike por ne fund te fundit ke me caktue rrugen qi ke marre. Fatin e kombit nuk e kemi ne duer t’ona, sidokjofte kam vrojte se penda kenka ma e forte se shpata. Shejzat kerkohen nga anmiqet. Tirana, Moska e Belgradi marrin vazhdimisht dheta numrash te kesaj te perkohshme; je kujtue tuj i gjete ne Bibliotheken e Universitetit ne Belgrad. Komunizmi luftohet me botime qi e vrasin e me vjen mire kur m’a theksove se “Koliqi me Shejzat i ka ra shejit.”

[f. 7] Gjindemi përpara nji tragjedie qi nuk njef historija sado e dhimbshme e vendit tone. Planet e te kuqve jane me resite Rilindjen Kombetare e me e zavendesue me Shqipni sovjetike. Veprat e shkrimtereve te Pamvaresise Kombetare tuj permende vetem simbolikisht pak prej tyne: Gjeçovi, Fishta, Frasheri, Cajupi e Poradeci i zhdukene ne programet e planeve te tyne. E ke lane Shqipnin para tete vjetve por katilat nuk i ndalon kush; jane tuj ba namin me zhdukjen e ajkes intelektuale, bazja e perparimit.

Martin Camaj, ne kje se nuk e ke peshue deri sot, te lutem peshoje kete gjendje e pvete ndergjegjen tande ne sa e kemi me detyre mos me u terhjeke e me ba se s’po ndiejme por me programe te shndoshta me i qite pengime te kuqve kudo kjoshin, sejcilli si mbas mundesinave dhe pregaditjes. Asht nji detyre e shpejte, na kerkojne te gjallet nder burgje e kampe perqendrimi por edhe nji detyre jo ma e vogel per nderim ndaj gerojt te zhdukun me masat ma shnjerzore.

Jam kontend qi u njoftme e po me duket si me te pase njofte me kohe. Sot gjindesh ne Rome. Po çilet nji kapitull tjetër për jetën tande, jo ma i lehet dhe jo me ma pak pergjegjesi, prandej mendó mire ne se me perqafue politiken a por me vazhdue karrjeren ne letersi. Asht ne dore te ndergjgjes s’ate kjo zgjidhje. Me fal Martin shka jam tuj te thane ty i a kam pas thane vehtes perpara kater vjetve: nuk due me marre at shembullin e dacit qi rá ne goviç.

Nji shqiptar ne mergim e kishte kuptue se ishte nji problem ne boten t’one: Dasija o perçamja e shqipetarve.

[… f. 8 …] Martin Camaj me falenderoi per mbas dreken e perzemerte e veshtrimplote. Nga njerzit e porsa te njoftun i kishte ba nji pershtypje te keqe perçamja me ide aspak te kjarta rreth gjendjes te mjere n’atdhe.

Koliqi e kishte ba per vedi kaq e vertete fjala e tij: “As kerkush as te kambet e tija.“

Ne Kosove Martin Camaj kishte njofte profesora te ndryshem shqiptare te cillet ishin mirenjoftes Koliqit per çiljen e shkollave shqiptare me aresimtare te sjellun nga Shqipenija.

Me kujdesimin e Ernestit, autoritetet italjane i kane dhane Martinit burse me ndjeke mesime ne Letersi n’Universitet te Romes.

Ne vjetin 1958 Martin Camaj emnohet Kryredaktor i te perkohshmes „Shejzat“.

Miqesija mjes Ernest Koliqit dhe Geo[r]ge Stadtmiller te bindun si ishin per talentin e tij e Martinit, e drejtojnë kahe ideali i tij: Profesor i gjuhes dhe Letersise Shqipe n’Universitet te Muenchen.

Martini mbrrijnë ne Muenchen ne vjetin 1960 [sic! 1961 – B.D.]. Ne stacjon Hauptbahnhof e kishte prite Hile Topalli. Ajo mbramje aq e ftofte sa per pak Martini nuk u kethye ne Rome.”

“2008 erhalten. Von Dr. Ton Koka einem alten Freund von Martin” (Marrë në vitin 2008. Prej Dr. Ton Koka, një mik i vjetër i Martinit [Dr. E. Camaj – B.D.])

(c) 2020, Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi, pa lejen e autorit.


[1] Për jetën akademike dhe angazhimin social të Martin Camajt mund të konsultoni: <https://www.albanologie.uni-muenchen.de/downloads/publikationen-demiraj/jeta-akademike-e-martin-c.pdf> dhe <https://www.albanologie.uni-muenchen.de/downloads/publikationen-demiraj/angazhimi-social-i-martin-c.pdf>.

[2] Shkrim i datës 13 mars 2017 në portalin Konica.al e me autor Salih Mehmeti. Për reagimin e Ardian Vehbiut shih <https://peizazhe.com/2017/07/28/dosja-e-camajt/>

7 Komente

  1. (Ne komentin tim parakalues nuk kisha arritur tek ky shkrim.) Gje e mire kjo e sqarimit me nje shkrim mbi “rolin e agjentit” Zeta. Kush ka lexuar letersine e Martin Camajt e kupton se ai njeri eshte larg spiunazhit si c’ eshte Dielli nga Plutoni. Kjo ideja e oficerit te CIA-s si nje shqip-foles eshte mjaft e besueshme. Ne mos Toni, nje tjeter, qofte edhe i sigurimit shqiptar i futur ne CIA-n. Po nejse, dava spiunesh, sic thote populli.
    Po shtoj dhe kete -nwse me lejohet- une kam patur rastin te flas nje here ne telefon me Martin Camajn, diku aty ne 1990 kur erdhem ne Gjermani, qe te me shifte ca vargje e te me jepte nje mendim cfar bente per botim, (ia cova vjershat dhe me ktheu pergjigje), dhe mbaj akoma mend zerin e tij, mjaft i embel dhe i ngrohte. Nje ze i tille nuk mund te zgjidhesh per agjenture.

  2. “Nji interesim te posaçem per veprime nga ana e Anglezeve me elementa shqiptare te hjellun [hedhun – B.D.] ne Shqipeni nga bazet ne Greqi.”
    S’e kuptova. Eshte valle fjala per komuniste arvanjite te hedhur ne Shqiperi nga DSE gjate Luftes Civile ne Greqi?

    1. Te arratisur shqiptare qe pergatiteshin per t’u rikthyer si diversante ne Shqiperi, kryesisht per veprime sabotazhi.

    2. Dy ishin mundesite dhe drejtimet nga arratiseshin shqiptaret: nga Greqia dhe nga Jugosllavija. Keta te Greqise supozohej se rekrutoheshin nga anglezet ne kampet e refugjateve ku perfundonin; kampe qe administroheshin prej anglo-amerikaneve. E verteta eshte se nje pjese e zgjedhur e refugjateve shqiptare te ketyre kampeve, pasi mberriten ne Itali, u sterviten si desante dhe u hodhen me parashute ne Shqiperi nga avione ushtarak Italiane, p.sh. rasti i kater parashutisteve te pare, kreu i te cileve ishte Alush Leshanaku. E njejta gje dhe per nje pjese tjeter qe mbeten ne Greqi. Edhe prej tyre u zgjodhen elemente per tu kthyer me misione te posaçme ne Shqiperi, p.sh Hamit Matjani.
      UDB-ja, i pyeste te arratisurit e kampeve te tyre te refugjateve, se ç’dinin ata per desantet e ardhur nga Greqia dhe Italia, duke dashur te zbulonin keshtu listen e agjentures anglo-amerikane ne Shqiperi; sigurisht dhe planet e tyre…
      Pra, behet fjale per keta shqiptare e jo per arvanitasit

  3. Policia sekrete, eshte me tamam e sekrete edhe nga emri, pale nga bëmat, sidomos gjate Luftes se Ftohte qe u zhvillua si e nxehte vetem si lufte midis sherbimesh sekrete. Te kuptosh se çfar ndodh ne palce te shtetit, quajtur ndryshe polici sekrete, eshte sikur te shikosh se çfar ndodh brenda Vrimave te Zeza kozmike.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin