(OSE DISIPLINË DHE KONTAMINIM)
nga Orgest Azizi
Ndodh që katastrofat të jenë dobi- ose fitimprurëse për botuesit dhe librashitësit. Zjarri në katedralen e Parisit, bashkë me tymin, ngriti në qiell edhe shitjet e romanit te Hugoit anembanë botës. Me siguri, pas tërmetit, botues të ndryshëm në Shqipëri do kenë psherëtirë pse s’e kishin Librin e tërmetit në katalogët e tyre, dhe disa ndoshta edhe me vrap do kenë kërkuar në listat e panaireve ndërkombëtare nëse një i tillë ekzistonte. E njëjta gjë nuk ndodh, çuditërisht, me kinemanë (art i masave!), dhe dy filmat shembullorë të Kiarostamit, Dhe jeta vazhdon (1991), dhe Përmes ullishtave (1994), që i ktheheshin tërmetit të 1990-s në veri të Iranit, nuk u duk se mund t’i shërbenin ndokujt, apo ndonjë cepi çfarëdo të vetëdijes kolektive kombëtare.
Pandemia e “koronavirusit”, siç dhe pritej, e ktheu vëmendjen nga Murtaja-e-Kamysë (Camus, 1947, ende jo në domenin publik) dhe doktorët e tij shembullorë, alegori e rënduar morale (por jo vetëm) për kohën e sapokaluar të “Okupacionit” dhe “Kolaboracionit (terma që do t’i lëmë me të madhe dhe në gjuhën e origjinalit) – dhe shitjet e librit “pësuan” (nëse mund të thuhet) rritje në shkallë ndërkombëtare. Pse Murtaja dhe jo, për shembull, Dekameroni i Bokaçios? – është pyetje me vend – ndoshta biles vetë pyetja! – por ky vend do duhej të ishte më i madh se ky i këtushmi.
Mirëpo, përveç, dhe shumë më pak i njohur se trajtimi moral i “ekzistencialistit” francez, dhe se ai erotiko-eskatologjik i shkrimtarit fiorentin (dhe shumë të tjerëve), ekziston edhe një përmasë tjetër e murtajës, e krizës së kontaminimit në përgjithësi, veçanërisht në epokën moderne: jo më përfytyrim letrar, porse realitet politik – “utopi e qeverimit të përsosur”, rikujton Foucault në tekstin më poshtë.
Situata e kontaminimit universal, ndërsa bëhet alegori në letërsi dhe arte, historikisht, në rrafshin e praktikave dhe teknologjive politike bëhet mishërim i një ëndrre pushteti – mishërim që vlen si gjenealogji deri edhe për Pallatin tonë alegorik – dhe nëpunësin e tij – të ngritur (jo më kot) në pasuri kombëtare. “Qyteti i murtajës”, përkrah “gjendjes natyrore”, si vatër e vazhdueshme e filozofisë politike – de nobis fabula narratur?
Teksti më poshtë çel Kapitullin 3, “Panoptizmi”, të Pjesës III të librit të Michel Foucault Disiplinë dhe ndëshkim. Lindja e burgut (1975)[1] – dhe i prin menjëherë ekspozesë dhe analizës së “modelit” ç’prej atëherë të famshëm të Panoptikonit. Vetëm se shpesh, në të shumtat “surveillance studies[2]” kjo hyrje e vogël harrohet, siç harrohet edhe funksioni hyrës i saj – ideja e thjeshtë se ndrymja dhe panoptizmi nuk janë aspak kontradiktore, porse në vijim, zgjerim dhe normalizim.
Dhe (vetë)mbikëqyrja, si model analogjik sjelljeje dhe pushteti, ushqehet me çdo epidemi.
Orgest Azizi
PS: Pa dashur të shkurajoj askënd, më duhet të them – për këdo që do të donte ta blinte librin – se ai është, fatkeqësisht, disi i vështirë për t’u gjetur, edhe në kohë normale…
* * *
Ja cilat ishin, sipas një rregulloreje të fundit të shekullit xvii, masat që duheshin marrë në një qytet kur deklarohej murtaja[3].
Fillimisht, një kuadratim i rreptë hapësinor : rrethim i plotë, natyrisht, i qytetit dhe « rrethinave », ndalim absolut i daljes, e kërcënuar me vdekje, asgjësim i të gjitha kafshëve endacake ; ndarje e qytetit në lagje të veçanta, në krye të të cilave vendoset një oficer i plotfuqishëm. Çdo rrugë vendoset nën autoritetin e një mëkëmbësi, përfaqësues i banorëve, i cili ka në ngarkim mbikëqyrjen e vazhdueshme të saj ; largimi nga posti dënohet me vdekje. Në ditën e caktuar, gjithsecili urdhërohet të mbyllet në shtëpi : ndalohet dalja dhe kundravajtësit dënohen me vdekje. Vetë mëkëmbësi vjen e mbyll nga jashtë portën e çdo shtëpie ; çelësin e merr me vete dhe ia dorëzon të plotfuqishmit të lagjes, i cili e mban deri në fund të karantinës. Secila familje duhet të ketë siguruar ndërkohë rezervat ushqimore ; për bukën dhe verën, ndërtohen kanale druri që lejojnë kalimin e racioneve nga rruga nëpër shtëpi, duke shmangur kështu çdo lloj kontakti mes furnizuesve dhe banorëve ; për mishin, peshkun dhe erëzat përdoren shporta dhe çikrikë. Nëse dalja nga shtëpia është e domosdoshme, atëherë sekush duhet të dalë me radhë, dhe duke shmangur çdo takim. Të vetmit që lejohen të qarkullojnë janë të plotfuqishmit, mëkëmbësit, ushtarët e rojës dhe, mes shtëpive të infektuara, « korbat », të cilët mund t’i ekspozohen vdekjes pa problem, ngaqë bëhet fjalë për « njerëz llumi, që bartin të sëmurët, varrosin të vdekurit, pastrojnë dhe bëjnë shumë punëra të tjera të ulëta e të ndyra ». Hapësirë e prerë, kuadratike, e ngrirë. Secili ngujohet në vendin e vet. Po lëvizi, e paguan me jetë : o kontaminim, o ndëshkim!
Inspektimi është i pareshtur. Shikimi është përherë i mprehur : « Një trupë e konsiderueshme milicësh, komanduar nga oficerë të zotë dhe njerëz të sojmë », truproja në çdo portë të qytetit, si dhe në çdo lagje, për ta bërë bindjen sa më të sigurt dhe autoritetin e magjistratëve sa më absolut, « si dhe për mbikëqyrjen e çdo çrregullsie, hajdutërie apo grabitjeje ». Poste mbikëqyrëse të rregullta ndanë portave ; në hyrje të çdo rruge, nga një roje ushtarake. I plotfuqishmi, çdo ditë, viziton lagjen që ka në ngarkim, kontrollon nëse mëkëmbësit i përmbushin detyrat dhe nëse banorët kanë ndonjë ankesë. Çdo ditë po ashtu, mëkëmbësi kontrollon rrugën që ka në përgjegjësi, ndalon para çdo shtëpie dhe i thërret të gjithë banorët në dritare (atyre që banojnë nga ana e oborrit të brendshëm u caktohet një dritare mbi rrugë ku vetëm ata kanë të drejtë të shfaqen) ; pasi e thërret secilin me emër, informohet për gjendjen e secilit, një e nga një – « me ç’rast banorët kanë detyrimin të përgjigjen me vërtetësi, përndryshe rrezikohen me jetë » ; nëse dikush nuk del në dritare, mëkëmbësi duhet të kërkojë arsyen : « Do të zbulojë kështu nëse ka që fshehin të sëmurë apo të vdekur. » Secili i mbyllur në kafazin përkatës, secili në dritaren që i takon, secili përgjigjet kur dëgjon t’i thërrasin emrin dhe shfaqet kur e kërkojnë : është parada e madhe e të gjallëve dhe të vdekurve.
Një mbikëqyrje e tillë mbështetet në një sistem të përhershëm regjistrimi : raporte të mëkëmbësve tek i plotfuqishmi, të këtij të fundit te prefekti ose kryetari i bashkisë. Në fillim të « shtetrrethimit » përcaktohet roli i të gjithë banorëve të pranishëm në qytet, një nga një ; « shënohet emri, mosha, seksi, pa dallim statusi » : një ekzemplar për të plotfuqishmin e lagjes, një i dytë për zyrën qendrore të bashkisë, një tjetër për mëkëmbësin, që të bëjë apelin e përditshëm. Gjithçka që vërehet gjatë vizitave – vdekje, sëmundje, ankesa, parregullsi – mbahet shënim dhe u përcillet të plotfuqishmëve dhe magjistratëve. Prerogativa e përkujdesjeve mjekësore u takon ekskluzivisht këtyre të fundit, të cilët emërojnë një mjek përgjegjës ; asnjë praktikant tjetër nuk lejohet të mjekojë, asnjë farmacist (spicer) nuk lejohet të përgatisë ilaçe, asnjë prift nuk lejohet të vizitojë të sëmurët, pa marrë paraprakisht autorizim me shkrim prej tij, « me qëllim që të parandalohet fshehja dhe mbajtja e të sëmurëve ngjitës në padijeninë e magjistratëve ». Regjistrimi i patologjisë duhet të jetë konstant dhe i centralizuar. Raporti i secilit me sëmundjen dhe vdekjen e vet kalon nga instancat e pushtetit, nga regjistrimi që ato kryejnë, nga vendimet që marrin.
Pesë ose gjashtë ditë pas fillimit të karantinës, nis dezinfektimi i shtëpive, një nga një. Fillimisht, të gjithë banorët nxirren jashtë ; në çdo dhomë, « mobiliet dhe mallrat e tjera » ngrihen dhe varen në lartësi ; shpërndahet pastaj parfumi, i cili vihet të digjet, pasi është bërë kujdes të mbyllen mirë të gjitha dritaret, dyert, deri te vrimat e çelësave që bllokohen me dyllë. Në fund mbyllet e tërë shtëpia, ndërkohë që parfumi vazhdon të digjet ; ashtu si në hyrje, parfumuesit « kontrollohen sërish edhe në dalje, në prani të banorëve, për të parë mos kanë ndonjë gjë që nuk e kishin në hyrje ». Disa orë më vonë, banorët lejohen të hyjnë në shtëpi.
Një hapësirë e tillë e mbyllur, e mbikëqyrur në çdo pikë, ku individët ngujohen në vende fikse, ku edhe lëvizja më e vogël kontrollohet, ku të gjitha ngjarjet shënohen e regjistrohen, ku një punë e pandalur shkrimi lidh përherë qendrën me periferinë, ku pushteti ushtrohet i plotë dhe absolut, sipas një figure hierarkike të vijuar, dhe ku çdo individ vazhdimisht gjurmohet, ekzaminohet dhe klasifikohet mes të gjallëve, të sëmurëve dhe të vdekurve – e tërë kjo pra, përbën një model kompakt të dispozitivit disiplinor. Pllakosjes së murtajës i përgjigjet acarimi i rendit ; funksioni i tij është të zhbëjë çdo lëmsh a përzierje : atë të sëmundjes që përcillet kur puqen trupat ; atë të së keqes që përhapet kur frika dhe vdekja i fshijnë të gjitha ndalimet. Rendi i imponon secilit vendin e vet, secilit trupin e vet, secilit sëmundjen dhe vdekjen e vet, nëpërmjet një pushteti të gjithëpranishëm e të gjithëditur, i cili prodhon vetvetiu nën-ndarje të rregullta dhe pa ndërprerje, deri te përcaktimi fundor i individit, me gjithë karakteristikat e tij, përkatësitë e tij, zotërimet apo ngjarjet e tij.
Përkundër murtajës, që vjen nga përzierja, disiplina ushtron pushtetin e vet, që punon me analizë. Murtaja pati pjellë një fiksion të tërë letrar, të përshkuar nga përfytyrimi i festës : ligje që pezullohen, ndalime që shfuqizohen, tabù që bien, frenezi e kohës që ikën, trupat që përqafen pa cipë e pa gajle, individë që shpërfytyrohen, teksa braktisin maskën e identitetit statutor dhe figurën familjare të deriatëhershme, për të shpalosur një të vërtetë krejt tjetër. Por pati gjithashtu edhe një ëndërr politike të murtajës : pikë për pikë e kundërta e sa më lart : jo festa kolektive, porse veçime të rrepta ; jo ligje të shkelura, por depërtim i rregulloreve deri në detajet më të imta të ekzistencës, me ndërmjetësinë e një hierarkie absolute që siguron funksionimin kapilar të pushtetit ; jo maskat që vihen dhe bien, por imponimi i përgjithshëm i emrit « të vërtetë », i vendit « të vërtetë », i trupit dhe sëmundjes « së vërtetë » të secilit. Murtaja, si formë njëherazi reale dhe imagjinare e trazirës dhe çrregullsisë, ka si korrelativ mjekësor dhe politik disiplinën. Në sfond të dispozitivave disiplinore shquhet obsesioni i « kontaminimeve », murtajës, revoltave, krimeve, vagabondazhit, dezertimeve, i njerëzve që shfaqen e zhduken, që jetojnë dhe vdesin në mënyrë të çrregullt.
Nëse lepra nxiti ritualet e dëbimit dhe përjashtimit, që shërbyen si model dhe formë e përgjithshme e Ndrymjes së madhe në fillimet e epokës klasike, murtaja, nga ana e vet, u bë nxitje për skemat disiplinore. Në vend të ndarjes veçuese, masive dhe binare, ajo kërkon shpërndarje të shumëfishta, ngulitje individualizuese, organizim të mbikëqyrjeve dhe kontrolleve në thellësi, intensifikim dhe degëzim të pushtetit. Leprozi i nënshtrohet një praktike dëbuese, një praktike mërgim-rrethimi, ku braktiset si në gjirin e errët të një mase që nuk ia vlen të diferencohet ; ndërkohë që të prekurit nga murtaja i nënshtrohen një kuadratimi taktik të hollësishëm, ku diferencimet individuale janë efekte shtrënguese të një pushteti të shumëfishtë, të artikuluar e të kapilarizuar. Nga njëra anë, ndrymja e madhe ; në tjetrën, ngulitja e përgjithshme. Lepra me veçimet e saj ; murtaja me kuadratimet e veta. Njëra e damkosur ; tjetra analizohet dhe shpërndahet. Mërgimi i leprozit dhe kontrolli i murtajës nuk bartin të njëjtën ëndërr politike. E para është ëndërr e një komuniteti të kulluar, tjetra ajo e një shoqërie të disiplinuar. Dy mënyra të ushtrimit të pushtetit mbi njerëzit, të kontrollit të raporteve mes tyre, të zgjidhjes së rreziqeve të përziera. Qyteti i murtajës. Qytet i tëri nën hierarki, mbikëqyrje, vështrim, shkrimësi, qytet i ngrirë nën funksionimin e një pushteti të shtrirë dhe që ushtrohet dallueshëm mbi secilin trup individual – utopi e qeverisjes së përsosur. Murtaja (të paktën për sa mbetej ende e parashikueshme) është përvoja ekstreme që lejon përkufizimin ideal të ushtrimit të pushtetit disiplinor. Për të gjetur funksionimin e pastër teorik të ligjeve dhe së drejtës, juristët e përfytyronin veten në gjendjen e natyrës ; për të parë funksionimin e disiplinës absolute, qeverisësit ëndërronin gjendjen e murtajës. Në sfond të skemave disiplinore, imazhi i murtajës vlen për të gjitha trazimet, mishëron të gjitha çrregullsitë ; ashtu si imazhi i leprës, i kontaktit që duhet prerë, gjallon në themel të çdo skeme përjashtuese.
Skema të ndryshme, por jo të papajtueshme. Pak e nga pak, do t’i shohim si ato afrohen ; dhe veçoria e shekullit xix ishte se teknikat specifike të kuadratimit dhe pushtetit disiplinor ia zbatoi hapësirës së përjashtimit, të banuar simbolikisht nga leprozi (dhe të populluar realisht nga lypsarët, vagabondët, të çmendurit, të dhunshmit). Trajtim i « leprozëve » si të ishin « të prekur nga murtaja », projektim i ndarjeve të holla të disiplinës mbi hapësirën konfuze të ndrymjes, përpunim i saj me metodat e shpërndarjes analitike të pushtetit, individualizim i të përjashtuarve, gjithë duke përdorur procedura individualizimi për të shenjuar përjashtueshmëri të reja – të tilla ishin operacionet konstante të pushtetit disiplinar qysh nga fillimi i shekullit xix : azili psikiatrik, burgu, shtëpia e korrektimit, institucionet e riedukimit të mbikëqyrur, spitalet në një pjesë të mirë, dhe në përgjithësi çdo instancë e kontrollit individual funksionojnë në mënyrë të dyfishtë : sipas etiketimit dhe ndarjes binare (i çmendur-jo i çmendur, i rrezikshëm-i parrezikshëm, normal-anormal) ; dhe sipas ngulitjes shtrënguese, shpërndarjes diferencuese (kush është ? ku duhet të jetë ? çfarë e karakterizon ? si dallohet ? si të ushtrohet mbi të një mbikëqyrje e vazhdueshme individuale? etj.). Nga njëra anë « lepra » konvertohet në « murtajë » ; dhe të dëbuarve u imponohet taktika e disiplinave individualizuese. Kurse, nga ana tjetër, universaliteti i kontrolleve disiplinore bën të mundur të etiketohen individët « leprozë » dhe të ushtrohen kundrejt tyre mekanizmat dualiste të përjashtimit. Ndarja e vazhdueshme e normales dhe anormales, së cilës i nënshtrohet çdo individ, përcjell deri në kohën tonë (gjithë duke ia zbatuar një lloji tjetër objektesh) damkën arbitrare dhe mërgatën e leprozit ; ekzistenca e krejt një grupi teknikash dhe institucionesh, që kanë për detyrë matjen, kontrollin dhe korrigjimin e anormalëve, vë në funksionim po ato dispozitiva disiplinore që nxiteshin nga frika e murtajës. Të gjithë ata dispozitiva pushteti që, edhe sot e kësaj dite, ushtrohen rreth figurës së anormalit, qoftë për ta shenjuar, qoftë për ta ndryshuar, janë gërshetime të këtyre dy formave me prejardhje të largët.
* * *
[…]
Mes qytetit të murtajës dhe institucionit panoptik, dallimet janë me rëndësi. Dëshmi e transformimeve që ka pësuar programi disiplinor gjatë një shekulli e gjysmë. Nga njëra anë, situata e jashtëzakonshme : përballë rrezikut ekstrem, ngrihet pushteti i acaruar ; bëhet i dukshëm dhe i pranishëm kudo, shpik mekanizma të rinj, mbyll, ngujon, veçon, kuadraton ; ndërton kështu, për një kohë dhe në një vend të caktuar, diçka që është njëherazi kundër- qyteti absolut dhe modeli i shoqërisë së përsosur ; u imponon të gjithëve një funksionim ideal, por që, ashtu si e keqja kundër së cilës lufton, nuk shkon përtej dualizmit jetë-a-vdekje : kush lëviz bart vdekjen, dhe pra kush lëviz do të vdesë. Panoptikoni duhet kuptuar, përkundrazi, si model funksionimi i përgjithësueshëm ; si një mënyrë e përcaktimit të raporteve të pushtetit me jetën e përditshme të njerëzve. Natyrisht, Benthami e paraqet si institucion të veçantë, të mbyllur ne vetvete. Dhe shpesh madje edhe është paraqitur si utopi e ndrymjes absolute. Përballë burgjeve të rrënuara të gravurave të Piraneses, zgavra të errëta ku gëlojnë trupat e munduar, Panoptikoni duket kafazi i mizorisë së rafinuar. Fakti që, deri në ditët tona, kafazi në fjalë ka frymëzuar variacione të shumta projektesh apo realizimesh, tregon se sa i lartë ka qenë intensiteti imagjinar i tij. Megjithatë, Panoptikoni nuk duhet parë si ndërtesë onirike : ai është diagrama e një mekanizmi pushteti të përvijuar në formën e vet ideale ; i zhveshur nga çdo pengesë, çdo qëndresë e çdo fërkim, funksionimi i tij mund të mendohet sigurisht si një sistem i kulluar optik dhe arkitekturor : në fakt, kemi të bëjmë me figurën e një teknologjie politike që jo vetëm mund ta veçojmë, por dhe duhet ta veçojmë nga çdo përdorim i veçantë.
(c) 2020, Orgest Azizi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Përkth. shqip O. Azizi, botimet Odeon, Tiranë 2010.
[2] Shih, ndër të tjera :
http://web.mit.edu/gtmarx/www/surv_studies.pdf;
https://www.surveillance-studies.net/;
https://www.surveillance-studies.org/;
[3] Archives militaires de Vincennes, A 1 516 91 sc. Në përgjithësi, rregullorja në fjalë përputhet me një varg rregulloresh të tjera të së njëjtës kohë ose të periudhave të mëparshme.
“Pse Murtaja dhe jo, për shembull, Dekameroni i Bokaçios? – ”
Shiko, mbaj gojën të lutem. “Dekameroni” momentalisht lexohet në shtëpinë time të paktën në dy gjuhë dhe në tre ekzemplarë, që të mos ngatërrohemi pastaj: “jo e kisha unë i pari në dorë” / “jo e kisha unë i pari në mendje”. Madje është edhe dhurata më kuptimplotë për miq të pafat, që ju kishte ikur nga vemndja. Në shqip është përkthyer shumë mirë nga Ali Hashorva, por më çuditi një botim veçanërisht estetik dhe i arritur i bërë në Gjermaninë Lindore nga shtëpia botuese “Aufbau Verlag Berlin und Weimar” i viteve 60.
Leximi im, i analizës më lart nga Foucault-i: nevoja për higjenë publike në qytetet, për të kufizuar epidemitë dhe për t’u mbrojtur nga sëmundjet, çoi në shpikjen dhe përsosjen e masave praktike të kontrollit (disiplinës), nëpërmjet policimit dhe, sipas rastit, ndëshkimit. Dy modelet – i leprës dhe i murtajës – më duket se e ruajnë fuqinë metaforike edhe sot: lepra mbahet dhe nxirret përjashta, murtaja edhe izolohet brenda. Më duket edhe se, këto praktika të kontrollit të popullatës, të përpunuara në kushte specifike të krizës (epidemitë, etj.) u panë pastaj si të dobishme edhe për kontroll të popullatës në përgjithësi, duke u integruar në sistemet e administrimit publik. Pra mund të thuhet, nga pikëpamja foucault-iane, se administrimi publik i qyteteve, sot, i ka rrënjët EDHE në praktikat e kufizimit, zbutjes dhe ndalimit të epidemive, ose në higjenën e mirëfilltë. Dhe kjo e higjenës nuk më duket thjesht operacionale, si metaforë; meqë për higjenë flasin edhe drejtpërdrejt fashistët dhe autoritaristët në përgjithësi; pa folur pastaj për puristët e të gjitha llojeve dhe të gjithë ata të tjerët që e themelojnë filozofitë e tyre të mbarështimit masiv në konceptin e “pastërtisë”. Shkrova “EDHE në praktikat e kufizimit, zbutjes dhe ndalimit të epidemive”, sepse e kam parasysh që, një pjesë e administrimit publik, modelohet sipas nevojës për të kontrolluar dhe kufizuar kriminalitetin (kontaminimin social të mirëfilltë), atë kriminalitet që mund të përkufizohet në mënyrë shumë fleksibël – p.sh. regjimi i Hoxhës internonte deri edhe “parazitët”, bixhosçinjtë dhe pijanecët. Më në fund, le të mbajmë parasysh edhe shkollën, si një model praktikisht universal të rendit social autoritar; aq më tepër që shkolla në një sistem totalitar si Shqipëria ishte edhe vendi ku ushtrohej dhe riprodhohej përditë pushteti biologjik (kujtimet e mia të viteve të shkollës fillore dhe tetëvjeçare janë të pasura me momente vaksinash, kontrollesh për zgjebe, mantush tuberkulare dhe kështu me radhë). Megjithatë, duke qenë shkolla vetvetiu e kufizuar tek të miturit; dhe ruajtja e rendit publik tek kriminelët dhe “deviantët”, pushteti publik nuk ushtrohej dhe as riprodhohej asgjëkundi më mirë dhe më universalisht se në masat për t’i marrë në rast krizash epidemiologjike, të cilat i preknin të gjithë.
nuk e di a perkthen me ky autori, por i kam lexuar nja dy perkthime para disa vitesh: respekte! Besoj se kush do qe te perktheje, perpara te lexoj ndonje nga ky, se ndoshta heq dore, perpara se te sakatoje ndonje liber e mendje.
Perse lebrozet perjashtohen? Se i kane tiparet e shperfytyrimin te dukshem – zezaket, ciganet, prifterinjte e bankieret e djallosur, sikur paraqiten ne disa artin socialist etj. e qe i asociojme me te tjera mikrobe. Nejse… Ndersa kjo puna e higjenes, biopolitika ne sistemet kapitaliste, social engineering ne sistemet totalitare, kontrollet kibernetike, ideja e “shtetit kopshtar” te Bauman etj. i sorollaten te njejtit mekanizem me terma e metafora te ndryshme. Nuk shoh nga Fucault ndonje gje te re, as te shtoje dic me shume ne interpretimin e se kaluares komuniste.