(nga Stanislaw Lec*)
Më thanë për të: “Është luan!” Dakord, por ç’ta bëjmë, meqë nuk kemi savanë? Le ta çojmë në cirk ose në zoo. Ose më mirë, ta mbushim me kashtë dhe ta vëmë në muzé.
Liria nuk mund të simulohet.
Mendimet, si pleshtat, kërcejnë nga njëri tek tjetri. Por nuk i pickojnë të gjithë.
Unë e di pse thonë që hebrenjtë janë të pasur. Paguajnë për gjithçka.
Kashtës nuk i vjen erë njëlloj për kuajt dhe për të dashuruarit.
Ndodh ndonjëherë që peshku të gëlltitë edhe grepin, edhe peshkatarin.
Mallkuar qofshin ata diktatorë, që besuan mirëfilli se nuk ishin të tillë!
“Si të sillesh vallë,” më pyeti një mik, “kur kap në flagrancë, në shtëpinë tënde, dashnorin e gruas sate me një grua tjetër?”
Mendimet duhen shumuar aq fort, sa të mos ketë mjaft roja për t’i mbikëqyrur.
Kam njohur një tip që kish kaq pak vesh për muzikë sa, po ta kish mbështetur me ndonjë teori, do të kish zënë me siguri vend të dorës së parë në historinë e muzikës.
Kafshë e çuditshme, njeriu. Qëllon që, kur e kanë dënuar me punë të detyruar, që të thyejë gurë në gurore, nuk harron të zgjedhë një bllok graniti për statujën e vet të ardhshme.
Porosia e njëmbëdhjetë: “Mos u marto me fjalët e tjetrit!”
Transfuzionet e gjakut shpesh bëhen nga një xhep në tjetrin.
Kujt t’ia japësh për grua lirinë, që të bëjë fëmijë?
Nuk është hiç e lehtë të jetosh pas vdekjes. Ndonjëherë duhet, për këtë, të humbësh gjithë jetën.
Obezët jetojnë më pak gjatë. Por hanë për një kohë më të gjatë.
Edhe në heshtjen e tij gjeje gabime drejtshkrimore.
Njeriut nuk i lejohet ta shpërfillë ligjin. Por as ligjit nuk i lejohet ta shpërfillë njeriun.
Edhe në vetvete, simboli që u paraprin paragrafëve të ligjit (§) i ngjan një vegle të torturës.
Kurrë mos ua hap derën atyre që, gjithsesi, do ta hapin pa lejen tënde.
Mos i tregoni ëndrrat. Po sikur ta marrin një ditë pushtetin freudianët?
Mos e sharro degën ku je ulur, përveçse po të mos duash të të varin atje.
Edhe mazohistët më në fund e pranojnë fajin, nën torturë. Nga mirënjohja.
Kush mban mend mirë, e ka më të lehtë të harrojë shumëçka.
Shkronja e ligjit duhet të bëhet pjesë e alfabetit.
Në ferr, djalli është personazh pozitiv.
Mund të përfytyrohet një dënim me burg të përjetshëm, i kombinuar me zgjatje artificiale të jetës.
Epiteti “intelektual kafésh” nuk është univok: duhet saktësuar i cilës kafé.
Kam parë një herë një titan që po arnonte çorapet. Ishte përpjekja e tij e parë titanike.
Ëndërroj një spirancë që do të tërhiqte pas vetes tokën.
Puthja e Judës ua mbyll gojën poetëve.
Erërat fryjnë në mënyrë shumë transparente.
Të sakrifikojmë gjithçka për njeriun. Me përjashtim të njerëzve të tjerë.
Kam takuar një tip që kish lexuar kaq pak, se i duhej t’i shpikte ai vetë citatet e klasikëve.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).