Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Udhëtime

CUBA LIBRE

shënime udhëtimi nga Ajkuna Dakli

Nuk duhet shumë kohë që ky vend të më kujtojë vendin tim. Sapo shoh aeroportin e vogël të Varaderos nga dritarja e avionit më kujtohet aeroporti i dikurshëm i Rinasit.
I njëjti diell, të njëjtat palma disi të thara, i njëjti bar ngjyrë kafe në fusha.

Më pas nëpunësja e ngrysur e aeroportit me uniformë ngjyrë kaki me spaleta me yje mbi supe.

Rrugës për në resort shoh gjithandej pankarta me udhëheqësin duke i buzëqeshur popullit, dhe parulla me fjalën “revolucion”.

Guida në autobus na shpjegon shkurt gjeografinë, pastaj ekonominë e Kubës , turizmin si një nga të ardhurat kryesore në ekonomi – tregues i qartë se Kuba është tashmë disi më e hapur duke e shmangur me kujdes çdo shprehje për varfërinë e vendit e cila është megjithatë shumë e dukshme; në një paragraf të gjatë që pason mbi njerëzit që jetojnë me turizmin, punën e tyre të palodhur dhe bakshishet e pritshme për shërbimin e mirë.

Peizazhi është kaq i ngjashëm me atë në fshatrat e Durrësit ose Kavajës , në kontrastin e detit me godinat e vjetra, aty këtu ndonjë vilë e re dhe pastaj të njëjtat pallate me parafabrikate që i kam parë në çdo vend ish- komunist që kam vizituar pavarësisht sa në veri ose jug. Po këtu si edhe në atdheun tim duken akoma më të varfra të zbërdhulura e të rrjepura nën diellin e fortë.

Kur arrijmë në resort, shkojmë në një nga baret në lobby dhe pyesim sa kushton një kafe.

Nada – përgjigjet kamerierja që sjell kafen. Buzëqesh. Duket qartë që pret bakshish.

Në Toronto gjithashtu lihet bakshish 15% ose më shumë. Është një standard që e dinë të gjithë dhe zbatohet kudo dhe kamerierja atje ka buzëqeshjen e sigurt të atij që kërkon atë që i takon.

Gruaja e re që shërben këtu ka buzëqeshjen e atij që lutet dhe shpreson. Prapë me vjen ndërmend ai kufi gjithnjë i mjegullt të drejtash e detyrimesh në vendin tim. U deshën vite në perëndim të mësohemi me atë çka na takon dhe vite të tjera të mësojmë ta kërkojmë çka na takon.

Ditën e dytë nuk ka ujë. Përpiqem të pyes pastruesen nëse ikja e ujit është rutinë apo rastësi dhe nëse kanë të paktën rezerva uji. Përgjigja është “No hablo ingles” (më vonë do mësoj se mësimi i anglishtes dhe çdo gjë tjetër që lidhej me imperializmin amerikan ka qenë i ndaluar për shumë kohë pas revolucionit).

Agua? Ah Agua? Si, Agua deposit, …Deposito?

Aha- ajo tregon me dorë zyrën e bankës. Unë shtrydh trurin… Boliere, boliente…) Agua boliere?

Bolero? – pastruesja me sheh e hutuar. Me qeshet.

Agua- them prapë pa shpresë. Ajo bën shenjë. Prit. Vjen pas pak me një shishe ujë të pijshëm në dorë.

E marr ujin dhe e falënderoj. Uji vjen pasdite vonë. Për fat në ditët në vazhdim ka ujë pothuaj gjithë kohën. Po mungesa të tjera ka sa të duash. Gjëra të vogla bazë te cilat i kemi pa kursim e me të cilat jemi mësuar dhe na duken të padiskutueshme.

Dikur hyj në bisedë me një nga punonjëset e resortit pak a shumë në moshën time, e cila me zë të ulët e të qetë më pyet nga jam.

Jetoj në Toronto them – po jam shqiptare.

Ah – thotë dhe buzëqesh me mirëkuptim bashkëvuajtësish. “Then you know”. Flasim për punën dhe fëmijët dhe duke parë rrotull më thotë se ushqimet i kanë me racion. Thotë se peshku i pëlqen shumë, po nuk mund ta blejë, sepse shkon pothuaj i gjithi për turistët dhe për vendasit është shumë i shtrenjtë. Nuk flet për politikë dhe nuk fajëson askënd. E di, i them, ne në Shqipëri e kemi kaluar këtë kohë. Më pyet si është tani në Shqipëri

Ka ndryshuar disi i them – mbase do ndryshojë edhe këtu.

Nuk e besoj thotë. Duket e pashpresë po e qetë dhe e mësuar me mungesa.

Ndërroj bisedë. E pyes për shtëpinë e Hemingway-t. Më tregon se ndodhet në rrugën për Havana. Mund të marrim një tour.

Vendosim të shkojmë. Kam dëshirë të shoh pak më tepër nga Kuba. Duhet të ketë diçka ky vend që e derdhi pikë-pikë frymëzimin prej shkrimtarit të madh në libra të pavdekshëm derisa e la pa frymë.

Dielli, deti ndoshta. Si Atdheu im me diellin që të ngroh shpirtin sapo shkel në Rinas po pastaj shumë shpejt të kujton njëqind arsye për t’u larguar.

Nisemi për Havana në mëngjes herët.

Guida na flet për historinë e Kubës duke iu kthyer e rikthyer revolucionit, flet pothuaj me mallëngjim për Fidel Kastron dhe Che Guevarën. Vazhdon me embargon, lidhjen me Bashkimin Sovjetik, lulëzimin e ekonomisë nga eksporti i sheqerit në Bashkimin Sovjetik, raketat sovjetike të instaluara në Kubë, përparësitë e sistemit socialist – shton se kishin qenë shumë afër komunizmit po për fat të keq ekonomia sovjetike pësoi kolaps pas rënies së murit të Berlinit dhe kjo bëri që ekonomia kubane të pësojë rënie drastike gjithashtu , – mjekësinë falas , papunësinë e ulët, arsimin falas pastaj papritur fillon të flasë për mjekë dhe mësues që lënë profesionin e punojnë në turizëm pasi aty kanë mundësi të fitojnë pak më shumë. Dhe nuk bëhet fjalë për luks – shton papritur – bëhet fjalë për mbijetesë.

Pastaj flet për vështirësitë që i paskëshin rënë mbi kokë ekonomisë kubane 30 vitet e fundit, për pagat e ulëta, problemet me ujin dhe energjinë. Po nuk e përmend kurrë qeverinë si përgjegjëse. Gjithnjë është diçka/dikush tjetër- imperializmi amerikan, embargoja, muri i Berlinit, Hrushovi, Kennedy, Putini, Trumpi, fajtor për problemet. Ose problemet qëndrojnë në këmbë vetë, të pashkaktuara nga askush.

E gjitha është kaq déjà-vu për mua. Më kujtohen fjalimet e Ramiz Alisë në fund të viteve 80 që fajësonin thatësirën e tejzgjatur.

Rruga është e bukur. Autostrada shkon pranë detit dhe diku guida tregon horizontin.

Këtu është pika më e afërt e Kubës nga US thotë pastaj shton nga këtu janë nisur barkat për eksodet masive në US.

Është një gji i qetë me ujë blu në të gjelbër. Otranto i Kubës. Një copëz det në thellësi të të cilit kanë mbaruar kaq e kaq jetë dhe shpresa njerëzish.

Jo shumë larg prej këtej, në të dalë të një fshati me shtëpi të varfra dhe baraka që me sa duket kanë mbirë aty pas revolucionit, ndodhet shtëpia e Hemingway-t.

Është një ndërtesë njëkatëshe në mes të një kopshti të madh.

Në hyrje një foto e madhe e tij duke shtrënguar dorën me Kastron. Nuk harrohet asnjëherë të përmendet miqësia e shkrimtarit të njohur me udhëheqësin. Dhe ngaqë askush nga punonjësit e muzeut nuk thotë gjë për jetën e tij përveç ecejakeve të Hemingway-t në Kubë, duket madje se e vetmja arsye që ai nderohet në këtë vend është qëndrimi i tij pro revolucionit.

Për të mos u dëmtuar, shtëpia është e mbyllur për vizitorët. Mund të shohësh vetëm nga dyert dhe dritaret e hapura, po kaq mjafton për të krijuar një ide të qartë mbi vilën. E pajisur me shije e këndshme, asgjë e tepruar, me ca ngjyra te buta, dhe një koleksion prej rreth 7000 librash – një vend ideal për të shkruar.

Njëra nga punonjëset, që vë re mesa duket shprehjen e ngazëllyer të fytyrës sime, më merr celin nga dora dhe bën foto rreth e rrotull. Ma kthen dhe më bën një shenjë të heshtur. Duhet t’i lë bakshish.

Pas një qëndrimi të shkurtër nisemi për në Havana.

Havana ngjan me një grua të bukur të rënë nga vakti, aq të lodhur sa nuk e merr më mundimin ta fshehë varfërinë e saj. Arkitektura të magjeps po suvaja mbi motivet e vjetra baroke ka rënë dhe gjithçka është lënë pas dore. Hyrja, zona ku banonin dikur amerikanët është pothuaj e rrënuar. Në fillim mendoj se këtë pjesë të qytetit e ka rrënuar diçka: uragan mbase? E pyes shoferin. Më ngul sytë dhe përgjigjet shkurt. Nuk e di. E marr me mend përgjigjen.

Rrënimi vazhdon edhe më tutje dhe shtrihet pothuaj në të gjithë zonën që quhet pjesa e re e qytetit.

Në qendër, te Plaza de la Revolución, Guida thotë se ky është vendi nga ku Fidel Kastro i drejtohej popullit kuban. Përmend se nga ky vend dikur, udhëheqësi i foli popullit të tij për 7 orë rresht (Një zot e di se çfarë mund të thuhet në një fjalim shtatë orësh….).
Portrete te Fidel Kastros dhe Che Guevarës gjithandej. Me kapele me yll, pa kapele me yll duke qeshur duke përshëndetur duke tymosur puro havaneze si ndoca modele që mund të shesin gjithçka (Blijeni, është e mirë. Kjo lloj puroje i pëlqente edhe Fidelit, Che Guevara nuk e hiqte nga dora këtë lloj puroje…).

Nëpër rruge sheh pak njerëz. Nuk sheh dyqane, restorante. Duket çudi sesi pas atyre godinave të rrënuara gjallon jeta. E pra Havana ka 2.5 milion banorë.

Më tutje Pallati i Asamblesë. Pranë tij Spanish Opera House me arkitekturën e lakuar baroke dhe suva të rënë. Me bie në sy që ka shumë pak për të mos thënë aspak ndërtime të reja. Disi më tepër restaurime.

Havana e vjetër është disi më e mirëmbajtur dhe më e gjallë. Kopshte të bukura, ndërtesa të vjetra dhe grupe turistësh. Det blu, qiell i kaltër, 500 e ca vjet histori. Në kodrën përballë kështjella e vjetër e ngritur në kohën e sundimit spanjoll e paprekur nga koha, statuja e Krishtit, shtëpia e Che Guevarës dhe një restorant i këndshëm. Po ndryshe nga resorti, ushqimi është me kursim. Uji gjithashtu. Kudo kërkohet bashkish në të njëjtën mënyrë të heshtur dhe lutëse.

Në kthim, kur kalojmë nga porti më vjen ndërmend një film i vjetër me R Redford me titull Havana – historia e një romance të një amerikani në kohën e revolucionit dhe mbylljes së Kubës. Filmi mbyllet me personazhin kryesor që largohet i vetëm nga Kuba duke lënë pas gjithçka. Kur e shihja dikur nuk e dija se ajo histori ishte në njëfarë mënyre prelud i të ardhmes së shumë prej bashkëkombësve të mi.

Po a nuk është përzier politika me jetën e secilit nga ne ikanakët, a nuk ka humbur secili nga ne në një mënyrë a në një tjetër, a nuk ikëm nga sytë këmbët duke lënë pas diell e det që përpiqemi me mund ti harrojmë në ditët e gjata të dimrit?

Kuba është e bukur. E ngrohtë, tingëlluese, plot muzikë me gjithë varfërinë e saj, si një lëkurë lakuriqe e nxirë pamja e së cilës nuk vret aq.

Një udhëtim me katamaran në një plazh me ujë të gjelbër që duket si nga një botë përralle, një tjetër guidë i gjallë e hokatar, i cili nuk flet për politikën, muzikë, fruit punch, dhe për ca orë i harron të gjitha.

Tek e fundit pas pak ditësh do kthehemi në vendin tonë të ftohtë me dëborë por “ të pasur e të qetë” – siç thotë një nga punonjësit kubanë të resortit – si gjithë turistët e huaj që kthehen në vendet e tyre të pasura dhe të qeta, të ndjekur nga vështrimet plot kureshtje dhe mbase zili të punonjësve të resortit të cilët jetojnë në kohën e mungesave të mëdha, kur lumturia njësohet me komoditetin dhe nuk kanë si ta dinë se ato janë në fakt dy gjëra të ndryshme dhe nuk kanë si ta njohin boshllëkun e heshtur që të sjell ky i fundit, kur e shkëmben me ikjen përgjithmonë nga vendi yt.

© 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

20 Komente

  1. Kishte klube dhe kafene, private disa. Une e gruaja kemi qene ne keto casa particular ne Havana dhe nja dy qytete te tjera, me mire se hotelet nese deshiron te njohesh robt e te bisedosh me ta. Cfare me ra ne sy ishte dinjiteti i tyre. Vetem ne nje vend na kerkuan sapune, se menduan se rrinim ne hotel, perndryshe askush nuk lypte. Na shiten diku puro false, ose me sakte puro jashte standardit e pa vule eksporti, disa hustler qe rrinin neper rruge dhe kishin organizuar nje skeme te llahtarshme, 50 eur per te pare performancen e tyre. Nuk mbahem per paranojak, por shofer i nje taksie private nga Trinidad ne Havana na doli nje rob qe kishte mbaruar gjuhet e huaja, kish punuar ne ambasade ne Napoli e dinte italisht shume mire, dmth. hafije. Edhe nje vit pasi kam pire kafen sahi kubaneze, kubanet nuk e konsumonin se shkonte per eksport, kam vuajtur nga ankthi dhe halucinacionet. Nuk rekomandohet!

  2. Nje nga gabimet kryesore te atij qe quhej komunizem (socializem), te pakten ai i matrices marksiste-leniniste zbatuar ne shekullin e XX ka qene perpjekja formale (pra “per nga forma”) per te kryer veprime qe ngjajne me antitezen e tij, pra me kapitalizmin (fillo me zgjedhjet elektorale, dhe mbaro me ‘zbukurimet’ estetiko-urbane, meqe keto te fundit evokohen edhe ne reportazh). Pa dyshim kjo duhet te kete ndodhur nga pamundesia e triumfit boteror te atij modeli dhe per rrjedhoje, nje akomodim me nje lloj ‘kapitalizmit shteteor’ ne ato vende.

    Tani qe kolapsologjia (fundi i civilizimit boteror, ose i atij qe quhet kapitalizem nderplanetar) eshte teme e dites, doemos qe “fajin e ka Kuba” 🙂

  3. Falemnderit per komentet. Per mua kjo ishte pershtypje nga vizita e pare. Kur bisedonim me miq kanadeze ne Toronto na thane qe ekziston nje jete tjeter e fshehte informale e zbavitjes per turistet e huaj dhe nje rrjet njerezish qe te cojne ( fshehur ) aty ku duhet . Gje qe ne nuk e pame sepse ishim me femijet dhe nuk levizem vetem. Nga jashte cdo gje dukej e vdekur.
    Ajo qe me beri pershtypje ne dallim nga vendet e tjera te Karaibeve qe kam vizituar ishte njetrajtshmeria e varferise dhe frika per tu shprehur qe te kujtonte Shqiperine ne vitet 80.

    1. Po mire, në shekullin e XXI, kur te gjithe ekspertet serioze konsiderojne konsumerizmin si e keqja numer nje e gjendjes sociale, ekologjike dhe politike te nje planeti te tere, prap se prap ju dhe miqte e juaj kerkoni qe edhe Kuba te behet “si gjithe bota” ??

      1. Me fal o kinoditar, se mbase po hy kot ne kete diskutim aq me teper qe nuk kam qene ndonje here ne Kube dhe as nuk ma ka qejfi te shkoj qe te riperterij kujtime aspak te kendshme. Nuk me duket se autorja po “kerkon” qe Kuba te behet si gjithe bota, thjesht ka hedhur ne leter ato qe ka pare dhe i kane bere pershtypje, pra thjesht pershtypje udhetimi, pa marre pozicionin e atij qe kerkon ta ndryshoje boten, me fal Kuben.

        Dhe sa per ekspertet serioze qe permendni ju, po nuk vute ndonje emer qe te mund ta kuptojme tamam se kujt i referoheni ju per kataklizmat e kesaj bote qe nuk e prekin Kuben, ka edhe shume eksperte te tjere edhe me serioze qe konsiderojne si te keqen numer nje, te tjera probleme nga ato qe permendni juve. Nejse po e le me kaq qe te mos dalim nga tema e thjeshte e shenimeve te udhetimit te zonjes.

        1. Ne fakt, ti ke te drejte ne nje pike: Kuba ka filluar tashme te behet “si gjithe bota”, por ky eshte tjeter muhabet. Por mua mu duk patetike qe dikush hedh, në fund te dhjetevjeçarit te dyte te shek XXI, pershtypje te tilla (qe kane shikohen nën optiken e historine shqiptare te viteve 50-80 te shekullit te kaluar), nderkohe qe para syve kemi nje katraure te madhe planetare. Nga ana tjeter, me duhet te pranoj se edhe shume nuk habitem, perderisa zonja jeton ne nje vend qe aplikon nder politikat më anti-ekologjike te planetit Tokë (pra si te thuash, me thuaj nga vjen, te te them se cili je, pra ç’sy ke).

          Meqe me kerkon emra ekspertesh serioze, po te permend nja dy (Thomas Piketty, Naomi Klein), por edhe une u intrigova se cila na qenkesh e keqja numer nje sot, dhe jo ndonje nga ato qe permenda une (problemet social-ekonomike apo ekologjike).

        2. Falemnderit per begenisjen dhe sidomos per ate qe me jep te drejte per dicka qe nuk ta kerkova. Nqs Kuba na paska filluar te behet si gjithe bota, une do te thosha, mire per Kuben, se sa per Boten nuk po do me ia dite fort se cfare ben Kuba.

          Duke pranuar injorancen time rreth egzistences se ketyre eksperteve serioze qe ju permendni, mu desh te bej nje kerkim dhe megjithese e quaj qe nuk mund te vleresoj seriozitetin e tyre, me aq sa lexova ne Wikipedia per ta, nje gje mund ta them me siguri, njeri eshte nje ripertypes i marksizmit, tjetra eshte aktiviste social-politike me nje lloj flavor feminizmi. Me fjale te tjera, qe te dy keta nuk jane gje tjeter vecse perfaqesues te njelloj majtizmi ne mode qe mundohet te kundershtoje gjitheshka qe ndodh ne kapitalizmin e ndyre, megjithese nuk pertojne qe vete t’i vjelin te gjitha benefitet e mundshme po prej ketij kapitalizmi.

          Po te kujtoj qe paraardhesit e ketyre lloj mendimtaresh serioze dhe ata qe u besuan e u vane pas, u kane shkaktuar me shume te keqia tamam atyre qe pretendonin se po u benin mire, se i gjithe kapitalizmi e kapitalistet te marre se bashku.Besoj se e kupton perse e kam fjalen.

          Per ekologjizmin dhe moden me u vesh me jeshile po te permend nje shprehje te Shtraussit, ish kryeministrit bavarez, qe kur e pyeten se c’mendonte rreth jeshileve (ne ate kohe levizja ishte ne fillimet e saj ne Gjermani) u pergjegj me dashamiresi: “Te gjelberit jane si puna e domateve, kur piqen behen te kuq”. Shnderrimi ne kauze politike i ekologjizmit eshte perpjekja e atyre qe lindin militante me shpirt kundeshtimi, por qe duke qene te pazote per te bere ndonje gje te dobishme me kohen e tyre, kane vetem aftesine t’i gjejne nje pune vehtes ku rrogen e paguajne ata qe ngopen me luge zbrazur.

          E keqja numer nje sot, meqe u intrigove ta dish, eshte rishfaqja e ideologjive ekstremiste me baze fetare ose jo qe duke luajtur me friken primordiale te njerezimit, ate te kataklizmes finale, apo apokalipsit, terrorizojne fizikisht dhe psikologjikisht adoleshentet nga 100 muaj ne 100 vjeç duke i ndersyer kunder arsyes se shendoshe. Me fal qe per kete nuk jam ne gjendje te jap ndonje reference mendimtaresh serioze, thjesht keshtu mendoj.

  4. Sic e permend dhe Duledupicard me siper ( te falemnderit) keto jane pershtypje personale udhetimi dhe shkrimi nuk eshte as pamflet politik dhe as ka per qellim te beje analize sociale apo ekonomike te Kubes krahasuar me pjesen tjeter te botes. Ka nje paralelizem midis Kubes sot dhe Shqiperise ne vitet 50-80 sepse per mua ishte kaq i dukshem!
    Meqe eshte permendur fjla “patetike” ajo qe mu duk vertet patetike ishte fakti qe kubanet akoma flasin me ze te larte per fitoret e revolucionit socialist nderkohe qe me peshperima te tregojne qe jetojne ne kushte varferie totale gje qe tregon hapur mungesen e lirise se fjales.

    Gjithashtu ky shkrim nuk ishte per qellim te bente nje vendosje Kuba kunder botes dhe anasjelltas. Natyrisht ekonomite e zhvilluara kane problemet e tyre madhore dhe konsumerizmi eshte nje nga keto probleme po nuk mendoj se kjo zgjidhet me sistem tollonash duke I cuar njerezit ne kufijte e mbijeteses as duke u mbyllur kufijte qe te mos ikin.
    Per mua ishte e trishtueshme te shihja se si nje popull jeton akoma ne nje sistem qe falimentoi ne gjysmen e botes dhe u solli probleme madhore popujve qe e vuajten ne kurriz, probleme te cilat ne si shqiptare po I vuajme edhe sot.
    Problemet ekologjike ne shkrimin tim nuk jane permendur dhe nuk e di pse u sollen ne bisede dhe cfare lidhje kishin me ate qe desha te them une. Gjithsesi tani po e marr vesh qe Kanadaja qenkesh nje nga vendet me anti-ekologjke te planetit. Po kot sa per ti hedhur nje sy Kinoditar meqe nuk e di ne c’vend jeton : https://www.canada.ca/en/services/environment/weather/climatechange/climate-action.html.
    Ah, nje gje tjeter qe vertet me trishton kohet e fundit sic e permend edhe Duledupicard me siper eshte edhe perpjekja per ta kthyer cdo problem social – ekologjia njeri nga keto – ne politik.
    Dhe ketu e mbyllim biseden se me duket se po dal vertet jashte temes.

    1. Heu! Ti nuk ke degjuar qe “Canada became the first signatory to announce its withdrawal from the Kyoto Protocol” në 2011 ??
      https://en.m.wikipedia.org/wiki/Kyoto_Protocol
      Po per vendimin e fresket (në maj!!) të qeverise Trudeau për naftesjellesin problematik TransMountain, nga Alberta drejt Paqesorit, nuk ke degjuar??

      ps: problemet ekologjike u sollen sepse ato evokohen në artikull permes mungeses se ujit dhe disa gjerave të tjera qe, siç thuhet më nje far krenarie në artikull, “i kemi pa kursim”. Dhe po, siç po shkojne punet, ndofta do të vije dita qe njerezimit do ti duhet të mendoje për ate qe ti e quan ironikisht kthim tolloni (koncept qe tashme ekziston prej dekadash e qe quhet degrowth: https://en.m.wikipedia.org/wiki/Degrowth

  5. Kuba eshte dhimbje kur e viziton. Edhe une kur kam vajtur per here te pare pata te njejten ndjenje vetidentifikimi me ta si Ajkuna, po pastaj pas cdo vizite perpiqem t’ia rikujtoj vehtes qe s’jam si ata se te pakten une dhe brezi im patem zemer te ngriheshim dhe ta rrezonim ate rregjim poshterues e kriminal. Kurse kubanezet jetojne si zombies ne ate realitet social dystopik dhe ne ate nature te mrekullueshme qe u ka falur Perendia. Njerez te mire e te vajtur, po prape varferia e rrenon moralisht edhe njeriu me te mire se e kemi oerjetuar edhe vete. Po qe hajt mos qajme gjithe hallet e botes, plus qe Trudo babai ka qene goxha mik me Baba Fidelin, hence…

    1. Keto mburrjet e tipit brezi im permbysi diktaturen jane ekuivalenti i partizaneve qe munden fashizmin apo UCK Cliroi Kosoven. Shqiperia eshte po aq e varfer sa Kuba vetem se per $10 miliarde borxh ka lyer fasadat e ndertesave, makinat shumica te vjedhura ne Europe jane me te reja, dhe ka nje demokraci te tipit: populli flet c’te doje, qeveria ben si te doje.

  6. @duleducipard :
    Më vjen shume inat me veten qe nuk e shkrova me pare, por besomë qe e mendova: me siguri qe per ty e keqja kryesore ishte radikalizmi fetar (sigurisht ai musliman, eshte kaq ‘e thjeshte’). Ishte pista e vetme qe kish mbetur (meqe ato sociale, ekonomike e ekologjike ishin skualifikuar nga ty).
    A je valle në dijeni qe sot flasim, rruget e qyteteve të botes, nga Hong-Kongu e deri në Santiago (pa harruar të kalosh nga Bejruti, Bagdadi, Parisi apo Barcelona) janë plot me manifestues për arsye nga më të ndryshmet, por në asnjerin prej tyre nuk behet fjale për probleme të natyres fetare?

    ps: por edhe fjala ‘gjitheshka’ nuk shkruhet ashtu. Por gjithçka.
    Meqe ra fjala.

    1. Flm ( besoj se e kupton qe kete flm e kam per falemnderit, qe te mos na vesh ndonje ps tjeter) per korigjimin ne drejtshkrim. Nuk kam pretenduar te jem ekspert i drejtshkrimit, por nuk besoj se ky gabim ne drejtshkrim ka qene shkaku qe ti pergjithesisht nuk e ke kuptuar mire pergjigjen time.

      Se pari une nuk kam shkruar “radikalizmi fetar”, ky eshte interpretimi i gabuar qe ti u ben fjaleve te mia. Tekstualisht kam shkruar:

      E keqja numer nje sot, meqe u intrigove ta dish, eshte rishfaqja e ideologjive ekstremiste me baze fetare ose jo qe duke luajtur me friken primordiale te njerezimit, ate te kataklizmes finale, apo apokalipsit, terrorizojne fizikisht dhe psikologjikisht adoleshentet nga 100 muaj ne 100 vjeç duke i ndersyer kunder arsyes se shendoshe.

      Ju keni lene menjane pjesen e dyte te rendesishme, ate te ideologjive ekstremiste me baze jo fetare, ku padyshim futete edhe neomarksizmi qe kamuflohet si ideologjia e barazise, por qe sherbeu si embrioni nxites i masakres masive ne ish Bashkimin Sovjetik dhe te gjitha vendet e lindjes ish komuniste, perfshire edhe ate lagjen tone buze Adriatikut. Kjo masaker nuk ishte hiç me e bute apo me e lehte se holokausti. Ndryshimi ishte qe holokausti ishte i fokusuar mbi nje etni te caktuar, dhe per me teper u zhvillua ne kushte te nje lufte boterore e per nje kohe relativisht te shkurter, kurse masakra bolshevike komuniste u zhvillua ne kushte paqeje dhe u shtri ne kohe per pothuaj nje shekull, e madje vazhdon ende ne mos ne Kube, ne Korene e Veriut ku menyre egzekutimi eshte edhe ajo me qen te uritur. (Ne rregull, mbase eshte propagande kapitaliste).

      Se dyti, i ke shkuar anash, dmth nuk e ke kuptuar hiç faktin qe e tere zhurma ekologjike sot eshte pasoje e drejtperdrejte e “fearmongering” e asaj pjese te papune te shoqerise qe ka gjetur veten ne ideologjine e apokalipsit modern, me profete te tipit Greta Thunberg. E po, o kinoditar, nqs ti nuk je ne gjendje te dallosh diferencen e arsyeve se perse ne çezmat e Tiranes nuk ka uje, kurse ne Kanada mund te mos kete uje ne te ardhmen per shkaqe te masakrimit ekologjik (gjithmone sipas apokaliptikeve) atehere une nuk shpresoj te te mbush mendjen, por edhe nuk me prishet ndonje pune.

      ps mirepres edhe sugjerime te tjera drejtshkrimore, pa problem.

      1. Shkruani:

        nuk e ke kuptuar hiç faktin qe e tere zhurma ekologjike sot eshte pasoje e drejtperdrejte e “fearmongering” e asaj pjese te papune te shoqerise qe ka gjetur veten ne ideologjine e apokalipsit modern, me profete te tipit Greta Thunberg.

        Kjo që thoni nuk është “fakt” – madje është më pak fakt edhe se “konsensusi” që ngrohjen globale po e shkakton njeriu.

        Pozicion edhe më ekstremist se ai i Gretës. Që nuk është mainstream, kjo nuk ia shton gjë besueshmërinë.

        1. Ptoblemet ekologjike, përfshi ngrohjen globale për aq kohë sa ofrohet si fakt nga “expert witness’, janë reale. Të stisura janë recetat ekonomike që jepen në formën e ‘fearmongering” siç thotë Duledupicard. Shrytëzimi i krizave çfarëdo dhe panikut që ato shkaktojnë për të ofruar të njëjtin model ekonomik marksist, dhe për të luajtur të njëjtin futboll politik kundër “imperializmit’ është shndërruar tashmë në ritual.

          Harroje që fakt ekonomik global është se shumica e burimeve natyrore shfrytëzohen pa kriter dhe nuk rigjenerohen më së shumti në vëndet e botës së tretë, aty ku autoritarizmi, korrupsioni, dhe mungesa e lirive ekonomike janë normë. Por kjo narrativë nuk i përshtatet gjë kallëpit marksist nga i cili ka zgjedhur ta formuloj shabllon botëkuptimin shumica e të majtës së sotme.

          Sa për ilustrim, askush nuk foli në sezonin e fundit të OKB-së rreth problemeve ekologjike më shumë se adoleshentja e sponsorizuar nga Soros, sesa kryeministri i sektit marksist të Tiranës. I guess there is hope.

        2. Eshte fakt, eshte, po pergjithesisht nuk e shofim se e kemi mrena.

  7. Ky debati për ujin është fantastik. E pasqyron më mirë se çdo gjë mentalitetin e Marksistëve. Sipas këtyre, në mos vetë Marksit, fakti që ekonomia kapitaliste krijon vlerë të shtuar nuk i dedikohet gjë sipërmarrjes së lirë në shkëmbim dhe në krijim. Jo. I dedikohet vetëm shfrytëzimit të njeriut nga njeriu. Ndaj është vetëm e llogjikëshme që meqënëse kanadezët kanë ujë, me siguri po ua marrin atë kubanezëve.

    1. Hahaha, L.A. thanks! Madje edhe shqiptareve, prandaj Tirana ka vetem nja 3 – 4 ore uje ne dite.

      1. Kisha kujtuar se Tiranës ujin ia merrte Macroni… por dhe snobët që lajnë kokën ditë-për-ditë.

        E vërteta është që sekti marksist që drejton Shqipërinë është shumë i iluminuar shpirtërisht. Benefitet shpirtërore që sjellin çmimet nga Hollanda janë të pakrahasueshme me përfitimet materiale që sjellin tubat e ujit dhe kanalizimet. Like me, aren’t you happy?… and don’t you feel guilty when you take a shower?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin