nga Giulio Mozzi
përktheu: Arben Dedja
[Marrë nga “Teoria e pratica”, 11 dhjetor 2014]
- Meqë duke i bërë gjërat vetë nuk arrihet asgjë më pak se duke ia lënë punën në dorë një botuesi makut me pagesë: ia vlen.
- Po t’ia besosh punën një botuesi me pagesë, tekefundit nga ai do të presësh – meqë ke paguar një grusht para – diç më tepër se shtypshkrimi i thjeshtë dhe i qëruar. E pra, nuk do të kesh asgjë më shumë se shtypshkrimi i thjeshtë dhe i qëruar: por nga pritja te përpëlitja, nga dyshimi tek iluzioni, mes një mesazhi e një telefonate, kohë do të kalojë më kot: dhe do të stresohesh. Kurse ç’të presësh nga vetja e përfytyron bukur mirë që në krye (= jo stres).
- Duke qenë botues i vetes, do ta korrigjosh gjithë dashuri tekstin tonë. Gjë që një botues me pagesë nuk do ta bëjë.
- Duke qenë botues i vetes, do të nxitesh ta përhapësh veprën tonë. Gjë që botuesit me pagesë nuk i intereson: ai, xhixhat, i mori.
- Duke qenë botues i vetes, do ta dish tamam sa kushton (në para dhe djersë) çdo fazë e marrë veçmas e lëvrimit të librit (dua të them: shpërndarja, promovimi, shitja, si “faza të lëvrimit”, sikurse edhe faqosja etjera). Botuesi me pagesë, që të kërkon një shumë qesim, nuk do të ta shpjegojë kurrë siç duhet sa kushton kjo apo ajo: nuk i leverdis.
- Botuesi me pagesë ka për të kërkuar një aksh për aksh kopje. Duke qenë botues i vetes mund të mbështetesh në shërbime self-publishing apo print-on-demand: dhe të shpenzosh aq sa do.
- Po t’i dërgosh Claudio Magris-it një kopje të veprës sate të shtypur nga botuesi me pagesë, kollaj të parashikohet që Claudio Magris-i – sapo të vërë re logon e turpshme të botuesit – do ta flakë librin në kosh. Dhe nuk i vë dot faj. Po t’i dërgosh Claudio Magris-it një kopje të veprës sate të vetëbotuar, kollaj të parashikohet që Claudio Magris-i – sapo të vërë re mungesën e logos të botuesit – do ta flakë librin në kosh. Por në këtë rast e kap ca në faj: nëse ka kuptim vërtet ta flakësh pa i hedhur një sy librit të një botuesi muti, nuk ka kuptim ta flakësh pa i hedhur një sy librit pa botues. (Shënim: nga përvoja ime, veprat e vetëbotuara – edhe pse në përgjithësi jo kushedi çfarë – të paktën priren të jenë më të lexueshme se ato të botuarat nga botuesit me pagesë).
- Botuesi me pagesë do të të detyrojë të nënshkruash kontratë. Në rastin kur një botues i vërtetë, pse jo dhe i rëndësishëm, do të tregonte interes për veprën tënde, botuesi me pagesë do të të vërë në dukje praninë në kontratë të ca shtojcave me shkronja gjashtëshe dhe do të ngulë këmbë për pjesën e tij të fitimit. Po t’i bësh gjërat vetë, do të jesh i vetmi në sofër.
- Botuesi me pagesë, sa kohë që i detyrohesh para, do të më lajë e lyejë me lëvdata të neveritshme. Pastaj do të më keqtrajtojë. Ti, me të vendosur që t’i harxhosh paratë, do të bësh kujdes mos ta mbivlerësosh veten. E mirë, edhe po të të brejë ndërgjegja: të paktën s’do të jetë poshtëruese.
- I rëndësishëm nuk është botuesi, nuk është libri, rezultati ekonomik, suksesi, nuk është dështimi, nuk është kjo apo ajo, bile i rëndësishëm nuk je as ti: vepra është e rëndësishme.