Nga pikëpamja linguistike, lista i ka disa tipare të përbashkëta me paradigmën gramatikore, p.sh. format e lakimit të një emri ose të zgjedhimit të një foljeje; por paradigma është gjithnjë metagjuhësore, në kuptimin që thënia punoj, punon, punon, punojmë, punoni, punojnë etj. nuk kumton veçse që këto forma – artificialisht të pranëvëna – janë në fakt të zëvendësueshme, si kallzues, në kontekstin e një fjalie.
Nga pikëpamja retorike, lista ka shumëçka të përbashkët me enumeracionin – akumulim njësish gjuhësore të barasvlershme, për të arritur një efekt stilistik të caktuar. Për shembull, ky fragment nga Bagëti e Bujqësia, e Naim Frashërit:
O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Njësitë që përftojnë enumeracionin nuk është e thënë të jenë fjalë; mjafton të jenë sintaktikisht të barasvlershme:
Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Në thelb, enumeracioni është derdhje e paradigmës në sintagmë – përmes një çarjeje të zinxhirit ligjërimor.
Nga pikëpamja semiotike, enumeracioni i ngjan panoramimit (në film) – çfarë edhe shpjegon pse është aq i kudogjendur te poema e Naimit; sikurse i ngjan një koleksioni objektesh – p.sh. trofesh, ose veprash arti ose eksponatesh në një galeri a muzeum, ose librash në një raft biblioteke, ose futbollistësh në formacionin e një skuadre, ose varresh në një varrezë, ose këngësh në një album, ose ndenjësesh në një teatër, ose mallrash në një dyqan a në një ekspozitë, ose sportistësh në një parakalim, ose ushtarësh në një paradë (ja ku e bëra edhe unë një listë përkufizuese të listave, e cila mbetet e hapur). Këto manifestime kanë të përbashkët pranëvënien e objekteve ose të shenjave, të themeluar mbi një tipar të përbashkët. Umberto Eco:
“listat (praktike) i japin unitet një bashkësie objektesh që, pavarësisht sa të pangjashme mes tyre, i nënshtrohen një trysnie kontekstuale – meqë janë të ndërlidhura thjesht ngaqë gjenden në të njëjtin vend ose ngaqë përftojnë synimin e një projekti të caktuar (një shembull do të ishte lista e mysafirëve në një festë).”
Sërish në kontekstin semiotik, listat janë forma të ndërmjetme midis gjuhës nga njëra anë dhe aritmetikës dhe algjebrës nga ana tjetër (përfshi këtu edhe seritë); pa harruar këtu që edhe numërimi është një lloj liste, sikurse edhe alfabeti.
Listat emërore, për të cilën kam folur në dy shkrimet e fundit, janë edhe ato enumeracione, por emrash të përveçëm; edhe pse synimi i tyre nuk është retorik dhe as mirëfilli panoramues, sërish kanë një efekt hipnotik, mu për shkak të çarjes që sjellin në ligjërim dhe “horizontalizimit” të paradigmës.
Për t’u kthyer tani sërish te qasja linguistike, listat edhe janë, edhe nuk janë ligjërim; mund t’i konsiderosh si një lloj specifik thëniesh, të cilave u mungon predikativiteti, meqë nuk kanë sintaksë, të paktën nuk kanë sintaksë eksplicite (kryefjalë, kallzues, kundrina, etj.). Organizohen në bazë të dy parimeve: prania ose mungesa e elementit dhe rendi, ose njëpasnjëshmëria (rendi është nga e majta në të djathtë dhe nga lart poshtë, të paktën për shqipen; gjuhë të tjera ndjekin renditje të tjera). Për shkak të një konvencioni të natyrshëm, elementi i parë në listë ka përparësi (siç e thotë edhe fjala) ndaj të dytit dhe kështu me radhë; çfarë megjithatë mund të shmanget, duke adoptuar kriterin e renditjes alfabetike, e cila është arbitrare.
Por lista nuk funksionon si një thënie e zakonshme në gjuhë; meqë kuptimi që përcjell është gjithnjë implicit. Lista e mëposhtme:
Czesław Miłosz
Jevgenij Jevtushenko
Ismail Kadare
Mund të jetë një listë shkrimtarësh, një listë shkrimtarësh nga vendet e Lindjes, një listë shkrimtarësh nga vende ish-komuniste, një listë poetësh, e kështu me radhë. Edhe renditja e tyre mund të ndjekë kriterin e moshës, ose të përhapjes së veprës, ose ndonjë kriter tjetër çfarëdo.
Kjo natyrë implicite e afron listën me mbishkrimin; prandaj edhe nuk është rastësi që listat i gjen në gjithfarë monumentesh (lapidarësh) ku kremtohen mbretër, fisnikë të një dere aristokratike, ose edhe dëshmorë.
Te Koncert në fund të dimrit Kadareja tregon si ndryshimet në renditjen e anëtarëve të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës përdoreshin, nga vëzhguesit në Perëndim, për të kuptuar diçka rreth zhvillimeve politike sekrete në atë vend, gjatë periudhës së mbylljes totale ndaj botës. Në fakt, duke mos pasur kinezçja alfabet dhe as një kriter të rreptë për organizimin formal të ideogrameve (shih fjalorët e kinezçes, ku duhet pak mjeshtëri, për ta gjetur një fjalë), renditja e emrave të kupolës komuniste gjithnjë do të ndiqte kritere semantike. Ndryshe qëndronte puna me Byronë Politike në Shqipëri, ku – të paktën nga vitet 1960 e këtej – përdoreshin kritere të përziera për renditjen: i pari përmendej Enver Hoxha, i dyti Mehmet Shehu, pastaj anëtarët e tjerë në rend alfabetik (që konotonte barasvlerë në pushtet), dhe në fund kandidatët, sërish në rend alfabetik.
Çfarë i jep solemnitet një liste, është plotësia e saj: për shembull, Byroja Politike duhej përmendur e gjitha, sipas radhës së shtangët, të përcaktuar nga protokolli. Ishte e pamendueshme, që në një tekst publik, të gjeje një listë të tipit: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Abdyl Këllezi, Adil Çarçani, etj. Çfarë edhe provon, të paktën për mua, funksionin “ritual” të listës, në kuptimin që anëtarësia në Byro jo vetëm duhej përmendur veçan për çdo anëtar, por edhe ashtu sanksionohej në çdo akt listimi; prandaj edhe çdo alterim i listës do të interpretohej si sakrilegj.
Kjo na sjell edhe te natyra e asaj etj.; pjesëz me të cilën i mbyllim shpesh listat që bëjmë, meqë nuk dimë t’i çojmë deri në fund, ose ato vetë janë të hapëta nga natyra. Kjo etj. është, në fakt, shenja që ndan të rëndësishmen nga më pak e rëndësishmja; të përmendshmen nga e panevojshmja për të përmendur; të detyrueshmen nga opsionalja. Gjykoni vetë si do të tingëllonte një listë politikanësh shqiptarë bashkëkohorë e formës së mëposhtme: Erion Braçe, Astrit Patozi, Fatmir Mediu, etj.; edhe pse ajo nuk ka të sharë, nga ana logjike dhe semantike, sa kohë që të tre këta janë politikanë shqiptarë bashkëkohorë, krahas shumë të tjerëve (mbase mund të ndeshej si listë, po të fotografoheshin ndonjëherë bashkë duke dalë nga urinorja e Kuvendit). Kjo edhe na provon, nëse do të ishte akoma nevoja, që listat janë gjithnjë përzgjedhëse dhe përcaktojnë ose konfirmojnë hierarki.
Një tjetër shembull: Në tekstet kritike dhe historiko-letrare të Realizmit Socialist, gjithnjë do të gjeje listën e tre poetëve të viteve 1960: (Ismail) Kadare, (Dritëro) Agolli, (Fatos) Arapi, të cilët sollën një frymë të re në poezinë shqipe. Lista ka qenë e arsyeshme dhe e mbështetur në realitet – edhe pse fare lehtë mund të sillen emra poetësh të tjerë që ndihmuan për ta kapërcyer prapambetjen formale në këtë poezi. Por, si efekt edhe i rimarrjes së listës dhe i dëshirës për konformim, këta të tre erdhën dhe u kthyen në një triumvirat të poezisë shqipe moderne, madje edhe në vitet kur patën dalë poetë të tjerë, të një brezi më të ri (p.sh. Xhevahir Spahiu ose Adem Istrefi). Nuk dua të diskutoj këtu meritat letrare të treshes, në vetvete dhe në krahasim me të tjerët; por vetëm të vë në dukje se futja e tyre në listë dhe sanksionimi i listës me rrugë intertekstuale, luajtën rol të dorës së parë në kristalizimin e një hierarkie.
Dhe, me sa më kujtohet, askush nuk ka shkruar a thënë Ismail Kadare, Dritero Agolli, Fatos Arapi, etj.; ajo etj., duke e lënë listën potencialisht të hapur, në fakt do t’ia kish dobësuar efektin performativ, ose aftësinë për të imponuar dhe riprodhuar hierarkinë.
© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet kopjimi. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.
Shënim bibliografik: një kornizë teorike për listat, edhe pse të fokusuar në poetikë, do të gjeni në dy libra të Umberto Eco-s:
- Eco, Umberto, Confessions of a Young Novelist, Harvard University Press, Cambridge, Massachusetts, London, England, 2011 (The Richard Ellmann lectures in modern literature), veçanërisht kapitulli 4. My Lists, f. 121-206.
- Eco, Umberto, Vertigine della lista, Bompiani 2012.
Imazhi në kopertinë: Monumenti i genocidit në Kigali, Ruanda. Solemniteti i vdekjes e përjashton vetvetiu shenjën etj.
Megjithese nuk eshte ndonje gje esenciale, lidhur me ate qe thoni:
“Sërish në kontekstin semiotik, listat janë forma të ndërmjetme midis gjuhës nga njëra anë dhe aritmetikës dhe algjebrës nga ana tjetër (përfshi këtu edhe seritë); pa harruar këtu që edhe numërimi është një lloj liste, sikurse edhe alfabeti.”
Desha vetem te ve ne dukje, qe nje analogji me e mire per listat ne kuptimin matematik do te ishin BASHKESITE, me shume se sa SERITE, (gjithmone nqs kam kuptuar korrekt ato qe ju thoni lidhur me listat), per arsye se termat e serive merren nga njeri tjetri sipas nje rregulli rekurent, gje qe nuk eshte e thene te jete gjithmone e vertete per listat, ndersa termat (ose elementet) e nje bashkesie perfshihen ne nje bashkesi vetem ne saje te nje vetie qe e kane te perbashket. Thene ndryshe sapo te njihet termi i pare (ose cfaredo termi) i serise dhe rregulli i rekurences te gjitha termat e serise jane te njohura, gje qe nuk mund te thuhet apriori per te gjithe elementet e bashkesise nqs njihet vetia e perbashket.
Problemin e shoh kështu – nga sa kuptoj: elementet e një bashkësie nuk ka nevojë të jenë të renditura (ordered), ndërsa listat, edhe kur të parenditura, janë sikur e marrin renditjen vetvetiu. Në fakt, shumica e listave ndryshojnë, po t’u ndryshosh renditjen elementeve.
Nje shenim paraprak qe dua te bej eshte qe ne kete kontekst termat “seri” dhe “bashkesi” une i perdor ne kuptimin strikt matematik, pra ashtu sic perkufizohen ne matematike. Kuptimet e ketyre termave tej matematikes, si psh “seri pullash, “seri filmash”, ose bashkesi (komunitet) qytetare etj. nuk i perfshi ne kete arsyetim.
Po, eshte e vertete qe:
“elementet e një bashkësie nuk ka nevojë të jenë të renditura (ordered), ndërsa listat, edhe kur të parenditura, janë sikur e marrin renditjen vetvetiu.”…
por nga ana tjeter nuk ka ndonje rregull qe te ndalon te besh renditjen e elementeve te bashkesise, qe shpesh mund te jete nje rend natyror, si psh bashkesia e numrave natyrale, qe eshte e veterenditur. Kur renditja nuk eshte natyrale, here – here mund te jete intuitive, si psh bashkesia e shesheve te qyteteve te Shqiperise, ku renditja intuitivisht mund te konsiderohet se kryhet sipas madhesise se siperfaqes te ketyre shesheve, ose nje rend arbitrar ne dukje, por implicitisht i veterenditur, si psh bashkesia e ngjyrave monokromatike te ylberit (spektrit te dukshem te drites) qe impicitisht renditen sipas madhesise se gjatesise se vales elektromagnetike qe i materializon ato ngjyra.
Te gjitha keto i shkrova ne mbeshtetje te idese qe nje liste afron me shume me nje bashkesi, duke u perpjekur te shpiegoj qe sipas mendimit tim, renditja eshte gjithmone e pranishme ne bashkesi, edhe pse ndonjehere nuk shihet qarte.
Nderkaq analogjia e listave me serite me duket se calon per nje arsye me te rendesishme. Edhe pse ka raste kur duke njohur elementet e nje liste mund te jesh ne gjendje te parashikosh elemente te tjere te kesaj liste kjo nuk mund te behet ne menyre plotesisht te percaktuar siç ne serite. Ne serite po njohe te ashtuquajturin term i pergjithshem, je ne gjendje te tregosh se cili do te jete remi i n-te pa qene nevoja t’i shkruash te gjithe elementet paraardhes.
Nejse, e kuptoj qe parashtrimi juaj i tejkalon shume “kufijte matematike” qe po ve une ketu. Mua thjesht me ngacmoi analogjia e listave me objekte matematike.