Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Përkthim

PRAPË PËR LISTAT

Si rregull, listat përcjellin shijet, simpatitë dhe anësitë e atyre që i hartojnë – dhe shumë pak gjë tjetër. Por në kontekste performative, ose kur listat i bën dikush me autoritet, edhe të tërthortë, në fushën përkatëse, atëherë mund të krijohen keqkuptime dhe mëri.

Në një shkrim të paradokohshëm (Për përkthyesit, ca të vërteta e ca të pavërteta), Kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri shprehej kështu:

Fillimisht më duhet të nënvizoj që në Shqipëri ka pasur dhe ka vlerësim shumë të madh, deri në nderim për përkthyesit. Të kuptohemi: për ata përkthyes të rangut të Fan Nolit e deri te Sotir Caci, Misto Treska e Mitrush Kuteli, pak më vonë Robert Shvarc, Shpëtim Çuçka, Donika Omari, Afrim Koçi, Mira Meksi, Ardian Klosi, Edmond Tupe, Mirela Kumbaro, Diana Çuli, Perikli Jorgoni etj., etj., pa pretenduar që i radhis dot të gjithë ata punëtorë të shkëlqyer të gjuhës, që i kanë bërë shërbime të mëdha kulturës shqiptare.

Kjo listë, më duhet ta them që në krye, spikat për mangësitë e saj, ose për ata që nuk përmenden. Sikur të gjendej në artikullin e ndonjë studenti a të ndonjë gazetari portalesh, lexuesi do të thoshte: “falja, o Zot, se aq di.” Por për kryetarin e Shoqatës së Botuesve këtë nuk e thua dot. Sepse Petrit Ymeri jo vetëm di më shumë se aq, por edhe i kërkohet që të dijë, në pozicionin që ka.

Njoh të paktën katër-pesë përkthyes, që kanë fituar edhe çmime kombëtare, dhe që do të ndiheshin të lënduar, ngaqë nuk janë përfshirë në këtë listë të një autoriteti të botimeve në Shqipëri; dhe sidomos, në krahasim me kë është përfshirë. Njoh edhe të paktën nja dhjetë-pesëmbëdhjetë emra përkthyesish të mëdhenj veprash të mëdha, që duhej ishin përfshirë në këtë listë. Atëherë pse?

Të shpjegohem: të gjithë nga përkthyesit në listën e Ymerit kanë spikatur me punët e tyre dhe i kanë sjellë publikut vepra me peshë; por as ata vetë nuk besoj se do të ndihen mirë, kur ta vënë re se kujt ia kanë zënë vendin, në këtë shkrim që u kushtohet përkthyesve dhe që, siç e përmenda, shquhet sidomos për ata që kanë mbetur jashtë.

Kam bindjen se Ymeri nuk është nisur të denigrojë njeri me këta emra që ka renditur; dhe se thjesht do të ketë përmendur të parët që i kanë shkuar në mendje. Sikurse kam bindjen se ai nuk ka bërë ndonjë studim për cilësinë e përkthimit shqip dhe për mjeshtrit përkatës. Kam edhe bindjen se, kur ka lënë jashtë listës figura si Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi dhe Petro Zheji (mos ma quani listë), ky autor nuk ka vepruar me ndonjë qëllim kulturor të caktuar, dhe as ka dashur t’i errësojë e t’i zvogëlojë këto figura, për t’u dhënë hapësirë të tjerave. Me fjalë të tjera, besoj se ai ka shkruar në mirëbesim.

Faji, nëse mund ta përdor këtë term, e ka vetë përftesa e listës, si mënyrë për të kristalizuar një kanon specifik – ose premisë në arsyetimin e autorit të shkrimit. Vetë Ymeri e thekson se nuk po pretendon t’i radhisë “të gjithë ata punëtorë të shkëlqyer të gjuhës, që i kanë bërë shërbime të mëdha kulturës shqiptare”. Dhe me të drejtë. E ndien se lista që ka bërë nuk vlen, meqë është e mangët, e pakriter, e improvizuar dhe, në ndonjë rast, ofensive – edhe për ata që kanë mbetur jashtë, edhe për ndonjë emër që duket sikur është përfshirë aty pak si me pahir.

Nëse është kështu, atëherë pse? Shpjegimi im: sepse ndërtimi i parashtresave me lista të tilla, sidomos prej autoriteteve edhe minore, është zakon burokratik, i trashëguar nga enverizmi dhe arsimi enverist; duke mishëruar idenë – përndryshe absurde – se çdo lloj diskursi publik synon krijimin dhe veçanërisht konfirmimin e hierarkive në fushat përkatëse; madje edhe kur këto hierarki përdoren si premisa.

Në të vërtetë, lista e përkthyesve të shqipes, e sjellë prej Ymerit, nuk i shton gjë argumentit në shkrim. Po provoj ta rishkruaj paragrafin e tij kështu:

Fillimisht më duhet të nënvizoj që në Shqipëri ka pasur dhe ka vlerësim shumë të madh, deri në nderim për përkthyesit, [këta] punëtorë të shkëlqyer të gjuhës, që i kanë bërë shërbime të mëdha kulturës shqiptare.

Kaq. A mendoni se i hoqa ndonjë gjë esenciale argumentit dhe krejt shkrimit? Mua më duket se jo. Përkundrazi, pa çetën e këtyre përkthyesve të mbledhur shkel-e-shko e të prirë nga flamuri aq klishé i Fan Nolit, shkrimit do t’i shtohej serioziteti – meqë lexuesi nuk do të shpërqendrohej më duke vrarë mendjen për simpatitë dhe antipatitë e autorit të artikullit. Dhe sidomos, lexuesi nuk do të hutohej, duke menduar se po i jepej një përmbledhje e rezultateve të olimpiadës së parë të përkthimit shqip.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet kopjimi. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.

Shënim: unë vetë, në shkrimet e mia, i kam vënë jo rrallë në punë lista të tilla, i pavetëdijshëm për efektet. Por jo më. Jo më.

3 Komente

  1. Dikur, një miku im, axhami në lëmi të përkthimit, çoi për të botuar një tregim në një revistë letrare (që s’ekziston më, btw, se ashtu janë ca punë listash). Si axhami që ishte, harroi të vinte emrin e vet, po vetëm emrin e lavdishëm dhe hijerëndë të autorit, shumë i njohur dhe i ngritur në piedestalin e letërsisë së përkthyer shqip. Kryeredaktori erdhi vërdallë nja ca javë, se s’po e gjente dot kush ia kishte sjellë përkthimin. Kërkoi nëpër listat e përkthyesve që kishin ndërruar jetë, ose atyre që ishin gjallë, por që kishin kohë pa botuar, pasi besonte se përkthyesi ishte ndonjë prej “listave”. Kur përkthyesi axhami shkoi rastësisht të pyeste “si duket përkthimi”, kryeredaktori u shtang: axhamiu përktheka si “etërit”? S’e kishte pasur me qëllim kryeredaktori të bënte dallime hierarkike, s’e kishte mënyrë jetese, por ja, u kap gafil tek kuptoi se mund të heqësh tabelën e emulacionit nga muri, po s’e heq dot lehtë nga mendja, pavarësisht se kurrë s’e kishte honepsur…

  2. “Shpjegimi im: sepse ndërtimi i parashtresave me lista të tilla, sidomos prej autoriteteve edhe minore, është zakon burokratik, i trashëguar nga enverizmi dhe arsimi enverist;”

    kjo konfirmohet edhe nga levizja studentore e cila ishte ne tehun e tranzicionit nga arsimi enverist ne ate plurarist sic mund te shikojme nga intervista e te paharruarit Nikotin Llukashi

    “Mbaj mend që atë natë u takuam me një grup shokësh studentë – isha unë, Shaban Hyzoti, Dale Hashorva, Pjerin Shata, Ervehe Fico, Lisenko Fshikza, Vangjo Llakatundi, Kliti Vogli dhe ndonjë tjetër që s’më kujtohet”

    dhe me poshte

    “Me ne ishin edhe Skënder Skuqi, Jani Gjergjeku dhe Thoma Gulçi. ”

    dhe me poshte

    ” prandaj e dërguam, së bashku me Saliun, Skënder Gjinushin, Lek Kolën dhe një arbëresh, poetin Françesk Ulku”

    dhe me poshte

    “Ishim unë, Arqile Llapa, Natasha Vrraka, Polikseni Polovina, Ylli Karamitri, Mexhit Ylli, Agustin Kola dhe Nadire Haxhija.”

    dhe me poshte

    “Shumë prej tyre nuk jetojnë më – disa të vrarë, disa të vdekur. Ku janë Eligon Matraku, Zija Koni, Perikli Dhalesi, Perikli Qirjazi, Lulëzim Shtino, Mamica Hasimja, Blendi Blindi, Xhorxhi Kapo, Niko Nosi, Aneta Jorganxhiu, Bebi Kërçiku, Millan Baçi, Sokol Guraleci…”

    le ti kthehemi edhe nje here asaj interviste qe ka shume per te na mesuar

    https://obobonews.wordpress.com/2009/12/27/arma-jone-e-vetme-fjala/

  3. Me duket se problemi i listave fillon nga qasja qe merret. Nqs do thuhet mjeshtrat e letersise, do futesh aty poete, shkrimtare, kritike, studiues, etj… Nqs i qasesh, psh, nga kendi i poezise se post-tranzicionit, je i detyruar te permendesh disa emra, por edhe ketu emrat nuk jane ne nje linje, sepse mund te jene hermetike, pop, etj… Gjithe ky problemi i listave, qe ti me te drejte e hap, eshte problem qasjeje. Psh ne nje program PhD ke nja 80 vepra (liste) por ne vetvete i bishtnon idese se listave sic ju e parashtroni ketu.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin