Ju kujtohet Çmimi Ardian Klosi?
Mua më kujtohet mirë. Sepse lidhet me emrin e një miku dhe kolegu të shtrenjtë, që iku prej nesh shumë herët; dhe sepse edicionin e parë të këtij çmimi e ka fituar një libër imi, Sende që nxirrte deti.
I mbështetur financiarisht nga fondacioni S. Fischer në bashkëpunim me TRADUKI-n, ky çmim u prezantua për herë të parë në kuadër të Festivalit të Librit dhe Artit PaMUR, që u zhvillua në Tiranë me nismën e Shoqatës së Librit Shqip, në datat 23-27 prill 2014.
Çmimi vazhdoi të jepej edhe për disa vjet të tjera.
Por tash e tutje, siç më lajmëron tani një punonjëse e fondacionit Fischer, Çmimi Ardian Klosi nuk do të mbështetet më nga ky fondacion.
Si edhe shumë çmime të tjera, të filluara me bujë të madhe por pastaj të harruara, edhe ky tani rrezikon të mbahet mend – nëse do të mbahet mend – për dështimin e tij.
Ky dështim i kish dhënë ca shenja që në edicionin e parë – atë që fitova unë. Megjithë organizimin e mirë të ceremonisë, unë u habita pak, kur më dhanë vetëm një certifikatë prej letre, si dëshmi. Zakonisht këto çmime shoqërohen edhe nga një pllakë, një statuetkë a një medalje, si objekt simbolik që e përfaqëson çmimin. Çmimin “Gjergj Fishta” që pata marrë në 2010 ma dhanë si pllakë; çmimin për librin më të mirë eseistik në Panairin e Librit në Prishtinë në 2018 si statuetë.
Por do të kishte edhe më keq. Vitin pasues, kur çmimi i shkoi Mustafa Nanos nga një juri ku merrja edhe unë pjesë si anëtar, në ceremoninë e dorëzimit te një sallë në Pallatin e Kongreseve – në kuadër të festivalit Tirana Open – në praninë e disa pak studentëve të mbledhur si me fshesë dhe të ministres së Kulturës M. Kumbaro, çmimi u shpall vërtet, por certifikata nuk ishte bërë akoma gati (!); kështu që fituesit i dorëzuan vetëm një tufë buzëqeshjesh.
Nuk mbaj mend se me çfarë e gëzuan dy vjet më vonë Veton Surroin, në ceremoninë – këtë herë të mbajtur në COD.
Këto mund të duken gjëra të vogla, në krahasim me shpërblimin monetar ose edhe regjistrimin burokratik të çmimit; por eventeve të tilla, po t’u heqësh aspektet simbolike, nuk u mbetet shumë.
Ai çmim më pëlqente edhe ngaqë, i vetmi në hapësirën kulturore shqiptare, merrte përsipër të nderonte – rregullisht – një vepër të natyrës eseistike (publicistike), zhanër pak i lëvruar dhe pak i njohur për lexuesin nga anët tona; por që unë e kam fort për zemër dhe e kam lëvruar shpesh. E megjithatë, më se një herë më është dashur t’u sqaroj, të tjerëve dashamirës, dallimin midis eseistikës, publicistikës dhe punimit shkencor të mirëfilltë. Për fat të keq, eseja ende nuk e ka fituar qytetarinë e plotë, në një regjim që ndonjëherë më duket ende i sunduar nga (pseudo-)akademizmi historiografik – edhe kur nuk është i sunduar nga doktoraturat e ngjitura me pështymë.
Por sado i trishtuar të ketë qenë peizazhi i eseistikës në shqiptari, tashmë trishtimi po kthehet në dëshpërim, pas lajmit për anulimin e këtij çmimi dhe kësaj mundësie të çmuar për stimulimin e një zhanri ende në kërkim të vetes, së paku ndër ne.
Nuk jam në gjendje të them pse u vendos që çmimi Ardian Klosi të mos jepej më, aq më tepër kur libri shqip, autorët dhe lexuesit, kanë nevojë të madhe për këto mekanizma të dallimit dhe shpërblimit të vlerave të veprave. Edhe ky shkrim nuk ka ndonjë pretendim “investigativ” – sepse arsyet e anulimit të çmimit, në thelb, mua nuk më interesojnë; arsye mund të gjenden gjithnjë, edhe prej fajtorëve, madje sidomos prej fajtorëve; dhe unë nuk jam gjykatës as mëtoj të jem. Nëse po flas tani, e bëj si qytetar, si fitues i hershëm i çmimit, si autor aktiv në eseistikën shqip dhe jo vetëm, si koleg dhe mik i afërt i Ardian Klosit vetë. Dua të them, që nuk po dua t’ia rrëmbej punën dhe temën gazetarisë investigative në atdhe, e cila me siguri do ta kërkojë të vërtetën më thellë e më mirë se ç’do të mundesha unë.
Edicioni i parë dhe ai i tretë i çmimit Ardian Klosi ranë në sy edhe për angazhimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Kulturës Mirela Kumbaro.
Në fillimet, çmimi ishte menduar si pjesë e ekosistemit të Festivalit të Librit dhe Artit, që mendohej të mbahej çdo pranverë. Edhe kjo nismë nuk u çua më tej, ngaqë palët humbën interesin ose kushedi për ç’arsye tjetër.
Si person drejtpërdrejt i angazhuar me çmimin – fitues por edhe anëtar i jurisë në disa edicione – sapo vura re se çmimi nuk po jepej më, fillova të interesohem pranë fondacionit Fischer, duke i shkruar drejtoreshës Antje Contius. Përgjigjja që mora prej Contius-it ishte korrekte, por formale; siç ia kërkonte edhe pozicioni në krye të fondacionit.
Më patën thënë, aso kohe, se Fondacioni Fischer në bashkëpunim me palë të treta, po kërkonte një formulë tjetër për organizimin dhe dhënien e çmimit Ardian Klosi.
Më pas edhe më ofruan – gjithnjë tërthorazi dhe informalisht – që të merrja pjesë edhe unë, ose revista “Peizazhe të fjalës”, në organizimin e ri, me formulë të ndryshuar në raport me si kish qenë dhe me përfshirjen e palëve të tjera. Nuk pranova, sepse propozimi nuk më bindi.
Tani që m’u njoftua se çmimi nuk do të jepet më, sërish nuk besoj se arsyeja për këtë anulim të ketë qenë refuzimi im për t’u angazhuar në organizimin e çmimit; dhe këtu spekulimet e mia ndalen.
Në çdo rast, përzgjedhja dhe dhënia e një çmimi letrar kërkon një lloj mobilizimi edhe njerëzor edhe burokratik që mund të përballohet më mirë nga një institucion kulturor publik, në Shqipëri ose Kosovë.
Vetë çmimi i kësaj natyre – cilido çmim – e ka vlerën jo aq te prestigji i institucionit që e jep dhe tek emri që i kanë vënë dhe as te shuma e shpërblimit, sa te aftësia për të krijuar një traditë në vite.
Nga kjo pikëpamje, e kam të pamundur të mos e interpretoj anulimin e tanishëm të çmimit Ardian Klosi si pasojë objektive të së njëjtës politikë të ndjekur nga ish-ministrja e Kulturës Kumbaro – e cila, me të ardhur në post, praktikisht i konsolidoi në një të gjitha çmimet letrare që jepte institucioni i saj (edhe pse nuk kam asnjë arsye të mendoj, dhe as të them se përgjegjësinë konkrete, për anulimin e çmimit në fjalë, e mban Kumbaroja).
Për mua, kjo politikë ka qenë dhe mbetet e gabuar. Çmimet janë një mënyrë për të nxitur krijuesit, për të nxjerrë në pah vlerat letrare dhe për të plehëruar arën e kulturës – madje edhe kur shpërblimi monetar për krijuesit është modest.
Aq më tepër, në rastin e çmimit Ardian Klosi, shpërblimi monetar vihej në dispozicion i tëri nga një palë e tretë, Fondacioni Fischer, dhe palës shqiptare i kërkohej vetëm të siguronte kushte të përshtatshme, organizative dhe profesionale, për dhënien e tij.
Ato para do të mund t’i jepeshin çdo vit një autori shqiptar si shpërblim për një vepër cilësore.
Nëse sa më lart do të lexohet si nekrologji, kjo do të ndodhë ngaqë me atë ndjesi e kam shkruar. Gjithë duke dashur t’u kujtoj lexuesve diçka që Klosi vetë e pat kuptuar mirë për së gjalli dhe nuk reshti së punuari për ta bërë realitet: dhe pikërisht, që kultura ka nevojë për institucionet e veta specifike dhe institucionet kanë nevojë për traditë, që të materializohen.
Edhe pse nuk kam menduar se do të mund ta ndalja këtë valë shkatërrimi vlerash dhe kolonizimi të politikave kulturore nga interesat e vockla të ditës, sërish ndihem njëfarësoj fajtor, përballë Ardian Klosit – qoftë edhe thjesht si fitues i hershëm i çmimit.
Sikurse ndihem drejtpërdrejt i lënduar, që ky çmim u la të japë shpirt (mbase duhet të thoja “të vdesë urie”, por nuk po dua të evokoj imazhe sentimentale), për shkak të çinteresimit, kaosit dhe arrogancës institucionale.
Që nga viti kur u dha për herë të parë çmimi e deri më sot, politikat kulturore të qeverisë në Tiranë dhe të institucioneve përkatëse kanë bërë dëme të mëdha në të gjitha format dhe instancat e kulturës shqiptare (dhe jo veç në Shqipëri). Vendin e prodhimit, evidentimit dhe nxitjes së qarkullimit të vlerave e ka zënë, dora-dorës, dukja, “imazhi”, kitsch-i, komercializmi dhe spektakli banal i shesheve me kalamaj, i tullumbaceve me ngjyra logosh komerciale dhe i panaireve me xhezve bakri dhe qilima. Në këtë kontekst, çmimi Ardian Klosi kurrsesi nuk do të mund të mbijetonte: pushtetarët e sotëm, akrobatët e granteve dhe të OJQ-ve, nuk do të dinin se ç’të bënin me të.
© 2019, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat. Kopjuesit do të ndiqen penalisht.
E mbaj mend mirë ditën e ndarjes se pare te cmimit. Nuk hyra ne salle. Erdha qellimisht pak me vonese. M’u duk si shume me me shume zhurme se sa ky cmim do merrte ne nje situate te zakonshme. Per mua miqesia e kryeministrit me Klosin nuk justifikonte bujen. Por e ndoqa nga jashte salle, nga nje altoparlant nen shi, po ne muzeun kombetar, qe ne ate moment ishte krejt i shnderruar, sepse nuk doja as qe ta humbisja ceremonine. Kalova shume muaj ne Shqiperi ate vit. Me bente pershtypje te mire energjia dhe stimulimi i levizjeve dhe aktiviteteve, por me trishtonte koncepti i te shtyrave, pershpejtimit pa pare shume cilesine, mospergatitja e plote e ngjarjeve, lemshi dhe ngaterresat ne cdo hap, zevendesimet ose gjetjet pa kriter dhe pa profesionalitet te njerezve. Ne cdo moment dukej sikur “eventet” ishin aq te lekundur sa mund te deshtonin, dhe mbaheshin me fryme me shume se me planifikim e pergatitje. Nuk e dija sa do mund te mbante nje bina qe ngrihej me “turru, jepi, ta kryejme se kemi edhe shtate bina te tjera qe i mbajme me gajret me shume se me pergatitje! Dhe efekti nuk llogaritej, e ardhmja e projekteve dhe iniciativave nuk ishte ku rrihte cekani. Ishte vec shkelqimi i momentit qe kish rendesi, dhe kryerja e listes me gjera te reja, dhe sidomos me gjera qe benin zhurme.
Po me vinka keq qe dicka kaq e bukur qenka braktisur kaq shpejt.
M’ane tjeter, mua gjithmone me ka ngacmuar ideja e te krijuarit te nje cmimi me peshe financiare te pranueshme per autoret shqiptare, sidomos per levruesit e tregimit – zhanri me “viable” i letersise shqipe ne kohet tona per arsye te dukshme. Mbase nje dite edhe e bej, kur ti kem vene para pulat e mija…
Por gjer m’ate dite, kush me mire se ju ketu mund te beje dicka te tille?
Nje mije dollare ne vit per tregimin me te mire te vitit mund ti mbledhim besoj, 10 a 20 vete qe mund te lexojme ketu rregullisht?
Thjeshte nje ide…