“Ç’libër do të merrnit me vete në një ishull të pabanuar” – kësaj pyetjeje, që e ndesh rëndom në anketat dhe intervistat e lehta në mass mediat, i ka kushtuar një refleksion Ricardo Piglia.[1] Sipas tij, pyetja e ka zanafillën te Robinson Crusoe dhe nënkupton që “për të dalë nga shumësia a nga proliferimi i tregut, duhet të shkojmë në një ishull të pabanuar”, por edhe pyetjen tjetër: “Cili libër do t’ju hynte në punë, për të mbijetuar në kushte ekstreme?”
Pyetja sjell me vete edhe një teori të leximit – meqë libri kërkon gjithnjë izolim nga bota; dhe izolimi lidhet etimologjikisht me ishullin, siç edhe tejduket qartë nga italishtja: isola – isolare (ose latinishtja īnsulā – īnsulāre). Do të thonim: ai që lexon, lexuesi, gjendet gjithnjë në një ishull të pabanuar, ose që e kujton të pabanuar.
Piglia i kushton vëmendje Robinsonit, si lexues i izoluar nga halli: libri i Robinsonit në ishull është Bibla, ose Libri me L të madhe – e cila jo vetëm ia shpjegon heroit ekzistencën hap pas hapi, por edhe e ndihmon për të përballuar vetminë, për të kapërcyer pengesat, deri edhe për t’u shëruar nga sëmundjet. Bibla është instrument i mbijetesës. Robinsoni, shkruan Piglia, e lexon Biblën në mënyrë orakullare, “duke shpresuar në një marrëdhënie mistike midis fjalës dhe rastësisë”. Në fakt, artin e parashikimit të së ardhmes duke interpretuar një pasazh të rastësishëm nga një libër e kanë quajtur Bibliomanci. Termi edhe ka, edhe nuk ka lidhje me Biblën – por dihet me siguri që versetet e Biblës janë përdorur shpesh për këtë synim. Piglia gjen këtu një lidhje edhe me kalvinizmin, leximin personal të Biblës, pa ndërmjetësimin e një prifti.
Ka edhe më. Gjithnjë sipas Piglia-s, Robinson-i të bën të mendosh për “delirin e një anglezi, kristalizimin e ishullarësisë më ekstreme: një njeri i izoluar, i rrethuar nga deti, zot i krejt truallit, që lexon Biblën dhe bëhet gati të sundojë mbretërinë e vet, kështjellën e vet, zotërimet e veta.” Përmend edhe që Joyce-i, në një konferencë të vitit 1912 në Trieste, e pat quajtur romanin e Defoe-it “profeci të perandorisë, simbolin e mirëfilltë të ngadhënjimit britanik” dhe Robinson Crusoe-n si “prototipin e vërtetë të kolonizatorit britanik.”
Në një farë mënyre, ishulli dhe “ishullimi” e detyrojnë Robinson-in të zhytet në Bibël; por leximi obsesiv i Biblës e “detyron” Robinson-in t’i japë një interpretim të ri eksperiencës së vet prej lundërthyeri dhe botës që e rrethon.[2]
Ilustrimin perfekt të marrëdhënies mes “ishullimit” dhe librit e jep një tjetër britanik, Aldous Huxley, te “Brave New World”. Në botën e mbarështuar, distopike të romanit, dy nga personazhet, Bernard Marx-i dhe Lenina, vizitojnë Rezervatin e Të Egërve (Savage Reservation) në New Mexico – ku një grup njerëzish jetojnë “të izoluar” nga qytetërimi. Rezervati është i rrethuar me gardh të elektrifikuar: që andej nuk mund të arratisesh.[3] Banorët janë një përzierje vendësish indianë dhe metisësh. Sipas drejtorit të Rezervatit, njerëzit atje ende martohen, lindin fëmijë, krijojnë familje, kanë nënë dhe baba…
Në Rezervat jeton edhe John (Savage), biri natyror lëkurëbardhë i një qytetareje të Botës, që kish humbur atje aksidentalisht, gjatë një aventure turistike njëzet vjet më parë. I rritur dhe i shkolluar nga e ëma, John-i (I Egri) e kish marrë edukimin sentimental nga një vëllim rastësor i Veprave të plota të Shekspirit, të cilin ia kish dhuruar së ëmës një prej të dashurve.
Shekspiri ishte libri i tij, Bibla e tij, në Rezervat; mësuesi që i kish treguar si ta përjetonte botën madje edhe veten.[4] Ligjërimi i Shekspirit është, de facto, gjuha që e bën John Savage-in njeri (subjekt) ndaj vetes dhe ndaj së tjerëve, në një botë ku subjekti nuk është veçse një fiksion gramatikor. Ai flet me vargje, fraza, citate të shkëputura nga libri.[5] Konflikti aq dramatik mes këtij avatari të diskursit shekspirian dhe qytetarëve naivë të botës së re është po aq shekspirian.
Ideja e librit që ke marrë me vete në ishullin e pabanuar sugjeron edhe që një libër i vetëm, i ndarë nga “vëllezërit”, është më i fuqishëm, më i pushtetshëm se një bibliotekë. Sipas një rrëfimi – të sajuar – kalifi Umar Ibn Al-Khattab, pasi e pushtoi Aleksandrinë e Egjiptit, urdhëroi që të digjej Biblioteka e famshme e atij qyteti, me këtë arsyetim: nëse ata libra thonë të njëtat gjëra si Kurani, atëherë janë të panevojshëm; nëse thonë gjëra të tjera, atëherë janë të gënjeshtërt.[6] Rrëfimi mund të jetë i sajuar; por bindja që një libër i shenjtë, qoftë ky Bibla apo Kurani, përmban gjithë dijen dhe qytetërimin, ka qenë dhe është akoma real.
Këtë bindje e gjen edhe në të gjitha ato rrëfime, legjenda dhe histori të vërteta, ku dikush arrin të përballojë të keqen dhe vështirësitë dhe sfidat sfilitëse të jetës duke u kapur pas një teksti të shenjtë – si Bibla; dhe jo vetëm. E gjen edhe në të gjitha ato kronika dhe histori të vërteta të kolonizimit të botës nga Fuqitë Europiane: Spanja, Portugalia, Franca, Britania e Madhe, e kështu me radhë; deri në atë shkallë sa qytetërimi, si proces, nuk mund të ndahet nga ungjillëzimi. Të njëjtën gjë bën edhe Robinsoni, siç e përmend Piglia, me Premtin: i lexon pjesë nga Bibla, për ta “qytetëruar.”
E reja e Brave New World, është se Huxley e kundërshton abominacionin teknologjik të distopisë jo nëpërmjet teksteve të shenjta, por nëpërmjet një monumenti letrar – veprës së plotë të Shekspirit, e cila rivalizon me Biblën; si skripturë e një shekullarizmi që mbetet, megjithatë, humanist deri në rrënjë.
© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Këtu dhe më poshtë, i referohem vëllimit Piglia, Ricardo, L’ultimo lettore, Feltrinelli, 2007.
[2] Shkruan Jung-u te Psychology and Alchemy: “vetëm në hapësirat e rrezikut (thellësia e nëndetit, shpella, pylli, ishulli, kështjella, etj.) mund ta gjesh thesarin e vështirë për t’u arritur (gurin e çmuar, virgjëreshën, ujin e jetës, triumfin ndaj vdekjes).”
[3] Jo vetëm që ishujt janë përdorur sistematikisht si vende internimi dhe burgje në rrjedhë të shekujve; por edhe në letërsi janë të shumta narrativat ku ishulli është burg, ose gjithsesi vend ku nuk mund të hysh ose nga ku nuk mund të ikësh. Për këtë veti të fundit, le të kemi parasysh edhe serialin televiziv Lost.
[4] Tropi i librit që ka me vete një lundërthyer, në një ishull të pabanuar, vepron edhe si metaforë në rrethanat e izolimit (inshullimit) total, p.sh. të Shqipërisë gjatë periudhës totalitare – si hapësirë e rrethuar me gardh vdekjeprurës. Kam shkruar gjatë për këtë te Sende që nxirrte deti.
[5] Edhe titulli i romanit, Brave New World, vjen nga The Tempest, Akti 5, skena 1, 181-184:
O wonder!
How many goodly creatures are there here!
How beauteous mankind is! O brave new world
That has such people in’t!
[6] U lutem lexuesve dashamirës të mos më ndërhyjnë këtu, për të më sqaruar se kjo histori nuk i përgjigjet realitetit. Më intereson historia, jo realiteti.