Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

KOHË TË ÇEKIÇIT

Kemi pasur një kushëri që, në moshë madhore, mori një zakon të çuditshëm: kur qëllonte t’i vdiste ndonjë i afërm, ose edhe thjesht mik a i njohur, ky shkonte në kësoll dhe – në momentin e mbylljes së arkivolit – ofrohej për t’ia gozhduar kapakun (aso kohe ashtu i mbyllnin arkëmortet). E bënte këtë me pasion prej zelltari, kujdesej që asnjë goditje e rreptë çekiçi të mos i shkonte kot, nën sytë herë të përlotur e herë të habitur të së pranishmëve, që kapsalliteshin nga frika pas çdo rrapëllime. Bam bam bam – kushëriri ynë sigurohej që ta mbyllte mirë derën midis kësaj bote dhe së përtejmes. Nuk do ta kish lexuar Poen, as tmerrin e këtij të fundit se mos e varrosnin të gjallë; kushedi, me mendjen e tij, kujtonte se duke i shërbyer “vdekjes”, kjo do ta kursente edhe pak… Ishte njeri i mirë, kushëriri ynë; të gjithë ia toleronin këtë huq, por edhe nuk e përmbanin dot buzëqeshjen, kur u shfaqej fytyra e tij e shqetësuar në kësollet; gojët e liga thoshin: prit tani kur të nxjerrë çekiçin. Të përcjellët e dikujt në varr ka qenë dhe mbetet spektakël në llojin e vet, por ky yni ia shtonte spektaklit një risi, një moment gati çlirues, një performancë falas e të mirëpritur, për të gjithë të lodhurit, një provë sa atletike aq edhe ngadhënjyese, që jeta vazhdonte.

Ky kushëri – që ka kohë që ka vdekur, edhe pse nuk di kush ia ka gozhduar atij vetë arkivolin – më kujtohet sa herë që lexoj emrat e ca “të mëdhenjve” që vrapojnë të tregojnë fytyrat dhe të mbajnë fjalime me fjalë të ngadalta, sa herë që ndërron jetë ndonjë njeri i dashur për publikun: të thuash që qytetarët i kanë zgjedhur në ato poste dhe ua paguajnë rrogat, që këta të hardallosen në rolin e zëdhënësit mortor  a të nekrologut-in-chief; edhe këta gati që t’ua mbyllin arkivolet të vdekurve, me goditjet shurdhuese të çekiçëve të tyre institucionalë. Edhe kur qëllon që i vdekuri të ketë qenë artist a intelektual, mendje e ndritur, talent i rrallë – por i asfiksuar nga duhma e plehut, i braktisur nga institucionet, i shmangur nga miqtë në pushtet, i ngrënë për së gjalli nga krimbat e harrimit; edhe kur qëllon që i ndieri, duke u larguar nga kjo botë, ta ketë lënë pas një qortim, sado të heshtur, për nekrologët e vet të ardhshëm; t’u ketë tundur gishtin, mbase edhe për t’u thënë: unë nuk do t’ju harroj por edhe ju mos gaboni të më harroni. Prandaj mbase nguten e dihatin edhe këta, që t’ua mbërthejnë mirë arkivolët miqve, ose për t’i tradhtuar edhe një herë në të vdekur, pasi i kanë tradhtuar për së gjalli. Mbaj mend kur njëri prej tyre, me ton dhe entuziazëm prej pionieri buzëlëpirës, thoshte në një fjalim mortor, për një ish-kolegun e vet, që u nda nga jeta gati i vdekur urie: “ai na shikon tani nga atje lart” – të thoje ti që i ndjeri nuk kish punë tjetër, veç të admironte pozat prej vodëvili të klounit mbetur gjallë këtu poshtë… Edhe pse, pas këtyre ceremonialeve dhe “të shtënave” me çekiç, unë u mësova dora-dorës të dëgjoj pastaj frikën e zhurmëtarëve se mos “ai”, i ikuri, e kish lënë mërinë e vet ende rrotull.

Pushtetin e sotëm, me gjithë obsesionin e vet për kulturën, për fasadat, për maskat, për teatrot, vështirë të mos e lexosh edhe si kult të vdekjes; gjakim i mbrapshtë për t’i përcjellë në varr e për t’i kallur në dhé të gjithë ata, para të cilëve pushtetarët ndihen në faj, të turpëruar; sepse ky soj të vdekurish, të gjithë me histori të rënda për të rrëfyer dhe akuza të hidhura të ngecura në fyt me grahmën e fundit; ky soj të vdekurish, pra, u kujtojnë atyre – quasi të gjallëve – se ç’është tradhtia, thika pas shpine, ose edhe vetëm të kthyerit e kurrizit në rrugë. Prandaj, mbase, edhe hapësira publike shungullon e dridhet nga çekiçët e tyre, madje edhe ndërtesave të llangosura rishtas u shkërmoqet e u bie suvaja e ngjitur keq; në zell satanik e sipër, këta nuk e ndalin dorën edhe kur i vdekuri në arkivol qëllon ndonjëherë më të rrallë ta hapë njërin sy ende të pafikur dhe t’ua lëshojë një vështrim të fundit mallkimtar. Bam bam bam: kjo klasë politike paskësh pasur talent të madh por edhe një hall të madh për të hequr, në ritualet e tyre varrimtare të kulturës.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në media të tjera. Kundërvajtësit do të përndiqen ligjërisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin