PRIT PRIT…

Ka qenë një tip, gjysmë i roitur, që dilte te trotuari në hyrje të rrugës së Durrësit dhe u thoshte të gjithë atyre që kalonin: prit prit… Medemek, prisni se nuk keni parë gjë akoma. Prit prit

Propaganda qeveritare po bëhet kaq groteske, po kaq groteske, sa njeriu e ka të vështirë ta besojë që njerëz me shkollë dhe të shëtitur në botë mund t’i flasin e të lejojnë t’i flitet publikut në këtë mënyrë – derisa i shkon mendja, të shkretit njeri, se këta burra e gra me shkollë dhe të shëtitur në botë mbase kështu e shohin publikun, si derra të rrasur në një stallë të ngushtë dhe të zhytur deri gju në ekskremente, mes të cilave ato të derrave nuk dallohen dot më nga bajgat që u servirin stallierët si ushqim të përditshëm.

E kam fjalën për Teatrin. Të gjitha ato që thonë mediat pro-qeveritare, për këtë apo atë aktor ase artist që qenka shprehur për “teatrin e ri”, ose ka lënë këtë apo atë amanet para se ndahet nga të gjallët, janë budallallëqe. Çfarë ua kalon edhe budallallëqeve, është prozopopeja e të trajtuarit të një ndërtese si të ishte person. Si të ishte rrezik. Si të ishte armik. Ose fushata, që po arrin nivele porcine, për ta përdhosur jo vetëm inxhinierisht, por edhe estetikisht, politikisht dhe deri edhe moralisht ndërtesën e Teatrit – kinse si argument pro prishjes.

Nxorën deri edhe të vdekurit nga varret, për të na shpjeguar që ndërtesa është e plakur dhe me materiale të skadueshme; pyetën amatorët e historisë, që thanë se ndërtesën jo vetëm e kishin ngritur fashistët (mamma, i fascisti!), por edhe kishin ngritur si dopolavoro – pa çka se 99 për qind e shqiptarëve as që e kanë idenë se ç’kanë qenë dopolavorot në vitet e fashizmit. Folën edhe ca amatorë të tjerë, që luajtën kartën anti-komuniste (kjo s’të lë kurrë në baltë), për të shpjeguar se jo vetëm tek ajo ndërtesë janë mbajtur nuk di ç’gjyqe terrori të kuq, por edhe janë luajtur pjesë teatrale të realizmit socialist – me një fjalë, tek ai truall është zhvilluar lufta e klasave, ergo… duhet shembur (mamma, i communisti!). Ia nxinë biografinë së shkretës ndërtesë.

U ngritën pastaj specialistë të tjerë, që thanë se ndërtesa është e vjetër, e amortizuar, me vrima, me mure të shtrembra, me asbest, me erë të keqe, me minj të gjallë, me minj të ngordhur, me myk, me likene, me këpurdha, me dërrasa të kalbura, me dërrasa të ngrëna nga krimbat; që ndërtesa po bie copa-copa dhe një ditë do të na zërë brenda; që ndërtesa mund të vrasë njerëz, madje edhe ka vrarë, po të gjykohet nga aktorë që paskan lënguar dhe pastaj vdekur nga sëmundje të rënda që i kanë marrë atje brenda… Të gjithë në rolin e prokurorëve, që e kërkuan për ndërtesën dënimin kapital; të gjithë në rolin e inkuizitorëve, që e shpjeguan pse ekzistenca madje mbijetesa e kësaj ndërtese bie ndesh me të ardhmen.

Ka edhe më. TemA përcjell sot fjalët e Kastro Zisos (aktor, këngëtar, entertainer dhe influencer, por me gjasë edhe penë e fortë), i cili e quan ndërtesën e Teatrit “Orgji Kombëtare”, një “bordello që duhet fshirë që në gjenezë”, sepse muret e saj “kanë qenë ato që kanë parë lloj e soj perversiteti italian Locopoco, ai vend që bënin seks edhe 10 njerëz në një dhomë…”

Ta sulmosh një ndërtesë moralisht, për të përligjur prishjen e saj; ja një argument që më duket sikur vjen nga Mesjeta. Ta marrësh një ndërtesë nëpër gojë, më duket arritje e pashembullt e propagandës Rilindëse. Të hedhësh baltë kundër një ndërtese, por jo për ta suvatuar – ja një përdorim post-modern i baltës. Ta dënosh një ndërtesë me vdekje, ngaqë “paska lejuar” seks kreativ brenda vetes: kjo më duket si e dalë nga farsat otomane të Kadaresë. Të supozosh se e shkuara “moralisht e njollosur” e ndërtesës e bëka këtë të rrezikshme edhe për frekuentuesit e saj të tanishëm…

Tani mbetet të dalë ndonjëri dhe t’i këshillojë qytetarët e Tiranës që t’i mbajnë fëmijët larg ndërtesës së Teatrit.

Prit prit…

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

5 Komente

  1. Mbase nuk ka te beje shume me shkrimin e mesiperm, por me situaten konfliktuale qe ekziston ne Shqiperi. Nese nuk gaboj diku nga 2007 ??, keni shkruar “Virtyti i kompromisit”. Mbase do ish me vlere te ripostohet…

  2. Teknika e shkisherimit te nderteses eshte e domosdoshme per ndertesa me vlere simbolike. I beri 20 vjet lufte Saliu kunder Piramides, por u terhoq ne fund, tani te shohim luften e Rames kunder teatrit. Besoj se Rama perpos pareve te shumta qe do fuse ne xhep, do korre edhe nje sukses ndaj shtreses artistike e intelelktuale ne teresi. Keto jane tiparet tipike te tiranit ose satrapit, bashke me korrupsionin e vertitjen e ligjit si Maliq, te vere poshte edhe individe apo shtresa me prestigj popullor. Prishja e teatrit do te jete nje fitore e trefishte ne syte e popullit; leket i beri se eshte i zoti, ligjin e vertiti sipas qejfit se eshte i zoti dhe artistet e intelektualet i vuri poshte se eshte i zoti.

  3. Më bëri përshtypje ndërmjet të tjerave një refleksion i Prof. Plasari : ……….( Të supozosh se e shkuara ” moralisht e njollosur “e ndërtesës e bëka këtë të rrezikshme edhe për frekuentuesit e saj të tanishëm…….. ) më duket analoge me pervesitetin moral të k.ministrit – quando ha vissuto nelle costiere francese- .Tani të dalë ndonjëri dhe të këshillojë qytetarët shqipëtar të qëndrojnë larg ( ta shkatërrojnë ) figurën e k.ministrit

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: