Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shah

VESHA KOPILESHA

Garry Kasparov-i nuk ka qenë i vetmi kampion bote në shah, që ka vizituar Shqipërinë: shumë vjet para tij, ka ardhur në Tiranë për një vizitë të shkurtër edhe holandezi Max Euwe, asokohe president i FIDE-s (Federatës Ndërkombëtare të Shahut).

Euwe do të mbahet mend, në historinë e shahut, si lojtari që rrëzoi nga froni Alexandre Alekhin-in, në një matç të zhvilluar në 1935. Por vetëm dy vjet më pas, Alekhin-i e fitoi matçin e revanshit dhe me kaq edhe i dha fund qëndrimit të shkurtër të Euwe-s në fronin e kampionit.

Max Euwe

Kur u zgjodh president i FIDE-s, në vitin 1970, Euwe ishte 69 vjeç.

Nuk i di, dhe as po i gjej dot, arsyet e vizitës së Euwe-s në Tiranë; edhe pse politika e tij, në krye të FIDE-s, ishte e orientuar ndaj hapjes së federatës ndaj vendeve të vogla dhe të pazhvilluara.

Ato vite, shahu në Shqipëri po përjetonte gjallëri të pazakontë, falë edhe sukseseve të shahistëve shqiptarë në olimpiadat botërore të shahut.

Unë e mbaj mend vizitën e Euwe-s në Tiranë edhe ngaqë kam qenë aty.

Besoj se kjo vizitë ndodhi në verën e vitit 1972, edhe pse nuk jam krejt i sigurt.

(Një referencë relative ma jep fakti që, kur erdhi Euwe-ja në Tiranë, kampion i Shqipërisë në shah ishte Vangjel Adhami – dhe tani shoh në databazat që ky e ka fituar titullin në vitet 1971 dhe 1972. Po ashtu, kam përshtypjen se Euwe pat ardhur në Tiranë para Olimpiadës Botërore të Shkupit, që u mbajt në tetor të vitit 1972.)

Atë verë unë sapo kisha mbaruar klasën e shtatë dhe luaja shah me të rinjtë e “Studentit”. Na kishin lajmëruar që të paraqiteshim, të dielën paradite, te Pallati i Kulturës, sepse “vinte Max Euwe.” Dhe që të visheshim mirë.

Me rastin e vizitës, Komiteti Olimpik i Shahut në Tiranë kish parashikuar të organizonte një ceremoni të shkurtër te salla e hyrjes në Bibliotekën Kombëtare, që do të pasohej nga një simultane – me 50 tavolina – e kampionit kombëtar Vangjel Adhami. (Në simultane, një shahist zakonisht i njohur ose shumë i fortë, luan njëkohësisht me shumë kundërshtarë, duke u zhvendosur nga një tavolinë te tjetra.)

Për këtë simultane, i kishin rreshtuar tavolinat, në formë drejtkëndëshi, tek atriumi i madh i Pallatit të Kulturës.

Para se të futeshim brenda, kryetari i Komitetit të Shahut, prof. Bujar Hoxha, i zgjodhi personalisht ata që do të luanin në simultane. Për fat të keq, një pjesë e mirë e kandidatëve ishin të veshur në mënyrë të papërshtatshme – ca me tuta, ca me bluza e kanotiere të grisura, ca të zhubrosur…

Përndryshe, unë nuk kisha asnjë shpresë për t’u ulur në simultane: zar i vogël, nuk ma varte njeri dhe nuk është edhe se premtoja shumë si lojtar. Por atë ditë gëzoja një avantazh të madh ndaj konkurrencës: e kisha këmishën të pastër dhe pantallonat të hekurosura.

Kështu edhe më zgjodhën.

U futëm brenda, u ulëm gjithsekush në tavolinën e vet, dhe pritëm që të vinte i madhi Euwe.

Në nderim të Presidentit të FIDE-s, problemisti i njohur Mina Peçi kish përgatitur 5-6 posterë të mëdhenj, me probleme shahu të kompozuara enkas për vizitën (të tipit “mat me dy lëvizje”), të cilët i kishin ekspozuar te hyrja e Bibliotekës. Minai, njeri jashtëzakonisht i sjellshëm, nuk përtonte që t’ua shpjegonte të gjithëve frymën e problemeve – ashtu na tha edhe neve se këtë herë seria e problemeve tregonte një histori, me mbretër dhe mbretëresha, kalorës dhe intriga. Unë nuk e kuptova se çfarë na shpjegoi Minai; as shokët e mi. Më thanë pastaj se askush nuk e kishte kuptuar.

Ndërkohë u shfaq edhe Max Euwe, impozant, i veshur në rroba liri, flakë i kuq nga vapa; i shoqëruar nga dinjitarët e shahut shqiptar, që vapën po e përballonin disi më mirë. Hyri në atrium, e drejtuan te salla e vogël në hyrje të Bibliotekës, ku u ndal pak çaste për të ndjekur, gojëhapur, shpjegimet që dha Mina Peçi për problemet.

Nuk di pse, por unë pata frikë se mos Euwe-s i binte ndonjë damlla dhe më vdiste mu aty, para syve, duke bërë që të anulohej edhe simultaneja ime.

Nëse kuptoi gjë apo jo Euwe-ja nga problemet narrative të Peçit, kjo do të mbetet përgjithnjë enigmë.

Tani gjithçka ishte gati për simultanen, përfshi edhe Vangjel Adhamin, kampionin në fuqi me këmishë verore. Adhami ishte djalë i imët, bjond, shumë i urtë, që çuditërisht tregonte dorë të hekurt në skakierë. I ashpër ishte rivaliteti i tij ato vite me Florian Vilën – unë mbaja anën e Florianit, sepse ky më dukej melankolik.

Kampioni shqiptar filloi të çapitej nga një tavolinë në tjetrën dhe t’i fillonte lojërat me lëvizje gjithnjë të ndryshme. Kur erdhi radha ime, Adhami lëvizi e2-e4 dhe unë, në hullinë e Botvinnikut dhe të Smisllovit të viteve 1940, vendosa t’i përgjigjem me e7-e6, duke e futur lojën në mbrojtjen franceze.

Konfigurimi karakteristik i mbrojtjes franceze.

Salla miratonte me gjithfarë gumëzhimash hapjet e shumta dhe të larmishme. Pas çdo lojtari në simultane, ishin mbledhur spektatorë dhe kibbitzers (shumë prej tyre “të veshur keq”), përfshi edhe mjeshtra. Max Euwe rrinte në këmbë diku anash, kullonte në djersë dhe, me siguri, fliste fjalë të mira për Shqipërinë.

Adhami u shfaq sërish, dhe ndoshta i bezdisur nga ideja se po detyrohej të luante dhe të fitonte kundër një mbrojtjeje franceze, zgjodhi variantin e ndërrimit në d5, i cili ia hoqi krejt kripën lojës. Pas shpinës sime, një nga spektatorët – shahisti shumë i kompletuar Ilir Karkanaqe – u dëgjua të thoshte “hajde të shkojmë të shohim ndonjë Siciliane”; dhe me ikjen e Ilirit dhe të ndjekësve të tij, humbën edhe shpresat e mia për ndonjë këshillë kritike.

Kisha bërë gabim diplomatik me atë e7-e6. Mbrojtja ime franceze nuk i interesonte askujt. Të gjithë kishin investuar në mbrojtjen siciliane – sepse ashtu ishte “moda”. Edhe shahistët e ndiqkëshin modën.

Adhami erdhi rrotull edhe ca herë të tjera i torturuar nga vapa, sikurse edhe pozicionit im erdhën duke iu zbërthyer kopsat. Karkanaqja u shfaq sërish, më dha një këshillë të shpejtë (të tipit “bjeri me fil”), dhe u largua drejt “sicilianeve” të tij. Më la të kuptonte se nuk mbante përgjegjësi për “francezen” që unë kisha guxuar të zgjedh.

Kur e dorëzova lojën, Max Euwe kish ikur. Por të paktën ashtu shtrënguam duart, Adhami dhe unë.

Ato vite shahun shqiptar e dominonin kampionë si Ylvi Pustina, Vangjel Adhami dhe Florian Vila. Pak më vonë do t’u vinte radha edhe Fatos Muçës dhe Llambi Qendros. Nga të rinjtë, Ilir Seitaj – me të cilin edhe kam luajtur në kampionatin e të rinjve (dhe që aso kohe mbante mbiemrin Luarasi) – ishte talent i lindur, për të mos thënë gjeni (i mbante mend të gjitha lojërat që kish luajtur); me pak investim nga shteti, natyrshëm do të ish ngjitur në Olimpin e shahut botëror. Njëlloj ndoshta edhe Fatos Muça, po të mos ia kishin masakruar karrierën vendimet politike për të mos luajtur me sovjetikët dhe izraelitët.

E megjithatë, për fare pak minuta, në fronin e shahut i kisha zhubrosur pantallonat edhe unë, klasë-shtatësi, për t’u matur me kampionin tonë Adhami, nën sytë miratues të Max Euwe-s, atij që kish mundur Alekhin-in.

Mos thoni pastaj që…

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Kopertina: simultane e 8-vjeçarit gjeni, amerikanit Samuel Reshevsky, në Francë, në vitin 1920.

4 Komente

    1. Kjo është një thënie, besoj me origjinë nga Shkodra, pak a shumë me kuptimin se veshja të tregon edhe siç nuk je. Unë kalamani e fitova karrigen në simultane jo sepse luaja dhe aq mirë, por sepse isha i veshur më mirë se të tjerët.

  1. Po, ai është kuptimi. Unë e kam dëgjuar edhe si “tesha kopilesha”.

  2. “Vesha kopilesha”, nje thenje qe e ka pas perdorur rendom krejt Veriu Shqiptar, perfshire Verilindjen.
    Kopil-mashkullore. Kopilesha- femerore,
    Kopilesha=Marifetcija.
    Ne kete rast, qe te mashtron me dukjen, te ben te dukesh tjeter njeri, te jep tjeter status, me te larte.
    Eshte nje ekuivalent i thenjes se vjeter dhe qe i atribuohet Nastradinit, ne ate historine ku ai, i ftuar ne nje gosti, pa i kushtuar rendesi, shkoi i veshur rendom, me xhyben e vjeter dhe te lerosur dhe, per pasoje, pothuaj pa e pershendetur, e ulen ne fund te dhomes, pa e respektuar.
    Pasi i hodhi nje sy njerezve qe ishin ulur ne krye te odes, prane oxhakut, konstatoi se te gjithe ishin te veshur resmije, shik, me rroba e xhybera te reja, me qeleshe qe zbardhonin e flakeronin, kerk te reja.
    Vrik, u ngrit Nastradini yne, vrap ne shtepi, nxorri nga senduku rrobat me te reja dhe te shtrenjta qe kishte, i veshi dhe, permbi to, hodhi xhybene qe e mbante vetem per ceremonira, xhybene qe ate bote e ne ato ane e quanin “Binish”.
    Dhe keshtu, resmije dhe shik, me ecje mbreterore, hyri perseri ne oden ku po pergatitej gostija.
    Dhe, hop, “Vesha kopiliesha” e rrotulloi situaten:

    -Urdhero, Nastradin Efendi, dil ketu siper zotrote, jo, jo, ketu me siper, ne krye te vendit zotote!

    Keshtu u ul dhe u kapardis Nastrdini yne ne krye te qoshese, balleperballe me te zotin e gostise dhe priti me durim te vini te shtruarat e darkes.

    Me ne fund e me se mbrami, erdhen edhe mishrat e shkuara ne hell, u copetuan mu atyneper sofrat e medha, u copetuan me “shenja”, sic ishte adeti ate bote, bishti e koka ne krye, shpatullat e kerbishtet me tej, brinjet e kofshet me tutje, mire e bukur, mjeshterisht dhe me ceremoni sepse, pikerisht edhe me ceremoni do tu viheshin perpara “shenjat” sipas rendesise se mikut te ftuar qe kishte nderuar me ardhjen e tij te zotin e gostise.

    Ne Veri te vendit, mikut te pare, i vihet koka e mishit ne pjate, nderi me i larte ne gosti.

    Ne Jug te vendit, ku edhe qelloi gostia e Nastradinit tone, mikut te pare i leshohej ne pjate “bishti” i mishit, qe konsiderohet me i shijeshmi dhe me i bollshmi.

    Dhe keshtu, Nastradinit tone, te kapardisur ne krye te qoshese me “Binish”-in e tij flake te ri qe te merrte syte, i vune perpara plot ceremoni, bishtin e madh e te majme te mishit kryesor te gostise, (mish bio), te ngrohte dhe qe ende kullonte leng e yndyre bashke.

    Edhe pse, zakonisht, miku i pare ne krye te odes, kur qellonte fisnik i vertete dhe burre zakoni, pasi kepuste nje copez te vogel te bishtit per ta filluar, me pas e kalonte dore me dore nder miqte e tjere, sipas rradhes, qe te gjithe te ndiheshin te nderuar sikurse miku i pare.

    Por Nastradini yne, qe gjithesesi, nuk rridhte nga ndonje dere e larte a fisnike, por edhe sepse akoma nuk i kishte dale inati e terbimi qe, sefte, e kishin ulur ne fund te odes, edhe pse e dinte mire zakonin e percjelljes dore me dore te bishtit ne shenje repsekti per te pranishmit, zgjati doren ne sofer, mori sahanin e madh me bishtin brenda dhe e vendosi mu permbi “Binish”-in e tij te shtrenjte, “Binishi”-in qe edhe i kishte siguruar vendin ne krye te gostise dhe i therriste me te madhe:

    -Ha Binish, bisht
    -Ha Binish, bisht!

    Meqe e zgjata e sterhollova pak si shume humorin e fabules, nuk po e shkruaj reagimin e te zotit te gostise dhe te miqve ndaj Nastradinit tone qe “i paskeshin roitur bletet”, vetem po them se Natradini u thoshte se Bishti ishte sjelle per Binish-in e jo per Nastradinin.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin