MITOLOGJIA E SAUDADE

«Mitologjia e saudade» libër nga Eduardo Lorenço

 

Ese mbi melakolinë portugeze*

Asnjë mit nuk është pa një themel. Mbi të gjitha miti është një klishe, një klishe psikologjike, mendore, por që ka për themel, anën e melankolisë që mund ta gjejmë në forma të ndryshme të shprehjes artisktike portugeze, ndër më origjinalet dhe më autentiket. Me kohën, kuptimet e miteve natyrisht që konsolidohen. Diçka niset për të qenë një mënyrë dhe përfundojmë duke pasur një sjellje të caktuar. Në fund të shekullit XIX elita dhe natyrisht poetët erdhën të takonin “saudade” dhe Portugalinë. Me Teixeira de Pascoaes, ajo kthehet edhe në një figurë universale të njerëzimit, një ndodhi metafizike.

Saudade”  është një mënyrë për të kthyer atë që është e pakthyeshme. Është një raport me kohën e shkuar, me kohën e lumtur që ka qenë në të shkuarën. Koha e pafat nuk është diçka që na kthen në “saudade”. Por nga ana tjetër “saudade” është ajo që mbetet kur gjithçka vdes, dhe gjithçka vdes. Pra, fjala përmban edhe një vizion pesimist të historisë, të kohës dhe humanitetit. Me këtë konstatim duket sikur diçka ndalon. Sikur dielli të shuhej por të mbetej ende shkelqimi i hënës”. (E. Lourenço, ekstrakti i një interviste me Mireille Descombes, l’Hebdo, 26 prill 2001)

“Qasja natyrale e portugezëve ndaj melankolisë është e njohur prej të gjithëve. Ata prej kohësh kultivojnë një varietet të komplikuar dhe që mbart reputacionin si i papërkthyeshëm, saudade. Fjala, saudade, është ndoshta fjala më e bukur e gjuhës portugeze. Etimologjia e kësaj fjale përzjen soledade dhe saudação, vetminë dhe përshendetjet e atyre që ndahen apo rigjehen. Ajo përshkruan literalisht trishtimin e lindur nga mungesa apo nga vdekja. Më pak introspektuese dhe më pak e errët sesa spleen-i, më pak përmbyllëse sesa keqardhja për të shkuarën, nostalgjia, që do të ishte “nostalgjia e së ardhmës”, saudade është një e keqe prej së cilës kënaqemi ose një lumturi prej së cilës vuajmë”. Por, saudade, ka në vete edhe shenjën e pashlyeshme të udhëtimit. Ajo, vendoset midis idealizmit të së largëtës që ka mbetur dhe shpresës, qoftë kjo edhe e pabazë, për t’u rikthyer”. (Christian Auscher, Portugalia)

“Portugezët janë kaq të mësuar me ndjenjën e saudade sa ata kanë refuzuar që ta përkufizojnë.

Tek kjo ndjenjë ata lënë sekretet e tyre, esencën e ndjenjave të tyre, të ekzistencës së tyre, deri në pikën që e kanë kthyer në një “mit”.

Në fund është ky lloj mistifikimi i një ndjenje universale, që i jep kësaj melankolie të çuditshme, pa tragjedi, përmbajtjen e saj kulturore dhe i jep saudade-s blasonin e sensibilitetit portugez.

Ende mbetet e panjohur se pse një popull i tërë njihet me këtë delikatesë që shkrihet në pasqyrën e kësaj melankolie njëherazi e trishtruar dhe e lumtur dhe që e ka quajtur, saudade.

Ndoshta koha për portugezët ka vetëm dy rrjedha kryesore – atë të historisë dhe atë të shpirtit – dhe këto na japin çelësin për këtë mister të vogël. Saudade, na fton aty, tek historia dhe tek shpirti.

E ç’mund të jetë tjetër kjo ndjenjë sesa një rënie, ai ajo e Orfeut, në labirintin e kohës së humbur, për të shpërfaqur fytyrën, njëherësh të vdekur dhe të gjallë, të së shkuarës së bukur?

Në fillim të veprës “Mitologjisë së saudade” Laurenço ka thënë se kultura portugeze nuk ka arritur  “që të shohë njëherë nga jashtë veten e saj, gjë që në fakt do ta ndihmonte për t’u zgjuar” (…) nga vëmendja e lumtur dhe mahnitja ndaj vetvetja ». Dhe nëse do t’i thonim Lourenços që ai është pikërisht aty, që do të thotë, në distancën e respektueshme, prej tjetrit që ndodhet nga ana tjetër e kufirit, madje edhe me pak distancë nga kufiri, d.m.th. pak në distancë, për të sjellë këtë vështrim mbi realitetin e dukshëm dhe të padukshëm të Portugalisë, ai do të bërtiste « pa dyshim ».

Por në vepër e vëmë re këtë lloj vështrimi me distancë në analizat e shkrimtarit-kritik,të mbushur me finesë, njëherazi tërësisht portugez nga shija, suspansi dhe paradoksi dhe njëkohësisht si të huaja, të përjashtuara nga hapësira dhe koha në të cilën ato ushqehen. Kjo lidhje e çuditshme dhe familjare gjendet më mirë se kudo në figurën e Pessoa-s dhe në gjithë pyetjet, gjithë ankthet që zgjojnë fatin e poetit dhe mitit që ai i jep trup. Por mbetet ende i deformuar imazhi i vetes që të çon në një pasqyrë në formë marr-mendje .

Le Monde, 17 mars 2000

 

*Perktheu Dilfirus Vrioni

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: