Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

NJË NATË ME GIACOMETTI-N

Nuk kisha besuar ndonjëherë (për shkak të fondeve të rëndësishme të sigurimit që kërkohen) se një muze i vogël i Artit modern, LaM (50 minuta me tren në veri të Parisit), do të mund të organizonte paraqitjen e pothuaj të të gjitha veprave të A. Giacometti-t. Dhe meqë një e mirë  kur i teket të vijë, nuk vjen vetëm, ekspozita, bashkë me fondin e përhershëm, qëndroi e hapur edhe gjatë Netëve të muzeve, duke krijuar mundësinë e veçantë për të hedhur ndonjë hap natën në shoqëri të Burrit që ecën, por dhe të grave të panumërta të Giacometti-t.

Pa asnjë siguri se si do të shkonte puna me të, vite të shkuara, kur vizitova për herë të parë një muze arti natën (nuk e shoh shumë qartë interesin e natës për një muze historik), mendoja se duhej të përgatitesha për përjetime të paharruara. Kontakti me objektet e ekspozuara do të ishte jo i zakonshëm, më intim dhe i shoqëruar me një farë ndjenje afërsie që rezervon nganjëherë nata… Në të vërtetë nuk ishte tamam ashtu, të paktën jo aq zbavitës sa besoja. Nga ai kontakt, siç e kanë vërejtur edhe të tjerë më parë, kupton më mirë se në hapësirën e kufizuar të sallave ka një përqendrim të jashtëzakonshëm kërkimi e zgjidhjesh estetike, por edhe intensitet të madh refleksionesh turbulluese, ka mjaft hir dhe gjenialitet, ka shumë materie fizike, damarë, mish, muskuj, seks. Kanë qenë gjithnjë aty, është e vërtetë, por natën, të gjitha këto përjetime ngjajnë më të pandërmjetësuara, më të amplifikuara, të shfaqen si të nënvizuara me penë flouroshente, ndërsa ti lëviz në prani të insomniakve të rrallë me bindjen se nuk ke asnjë arsye të ngutesh.

Për të shmangur fatalitetin e sindromës së supermarketit (le ta quajmë kështu përkohësisht), pra atë rastin nervozues kur hyn të blesh gjësendi për të cilën ke nevojë të ngutshme dhe del prej andej me tre gjëra të tjera, të cilat kurrë nuk do të hyjnë në punë, u përpoqa ta përgatis veten që atë natë të rrija vetëm me Giacometti-n. As edhe interesi më i vogël për Modigliani-in, Pikasso-n, Braque-un, Miro-n, Matisse apo për një koleksion të jashtëzakonshëm të artit brut për të cilin muzeu i fshatit tim është mjaft i njohur…

Në të vërtetë, nga të gjithë artistët e mëdhenj të brezit të tij, me Giacometti-n mund të ndjehesh disi më afër, edhe pse del nevoja për ndonjë shpjegim paraprak. Në një rast ideal po qe se ata artistë të mëdhenj do të ishin ciceronë të një ekspozite me veprat e tyre, atij do më pëlqente t’i bëja ndonjë pyetje, jo të tjerve. Te të tjerët ndjej një siguri totale dhe besim të patundur në atë që bëjnë, gjë që nuk më duket shumë në pajtueshmëri me një vepër arti (që me të drejtë thuhet se ka detyrimin të ngrejë pyetje dhe jo të japë përgjigje), ndërkohë që Giacometti-n, isha i sigurtë se do ta gjeja me tasin e allçisë në dorë, duke kërkuar diçka për të cilën as ai nuk ishte fort i sigurtë se çfarë do të ishte… Shkurt, refleksione para një ngjarjeje që e kisha pritur aq shumë!

Eshtë e rëndësishme të thuhet se vetë Giacometti, pas kërkimeve në pikturë, tregon pa drojë se filloi të merret me skulpturë sepse ishte gjëja që kuptonte më pak, një pohim ky që kurrë nuk e kam dëgjuar nga një artist tjetër. Në të vërtetë, në fillimet e tij edhe ai u josh së tepërmi nga arti surrealist. Kësaj periudhe i përket Sferë e varur, realizuar ndërkohë që ishte pranë grupit të A. Breton-it në Paris (vepër të cilës kam dëshirë t’i kthehem në një shkrim tjetër), por me kohë më shumë se te objektet do të thellojë kërkimin për të kuptuar njeriun, atë që ai fsheh së jashtmi, natyrën e tij të thellë, për të cilën nganjëherë edhe vetë nuk është i vetëdijshëm.

Nuk e shoh këtë pa lidhje me sinqeritetin e tij artistik, për të mos mbetur në kufijtë flu të interpretimeve subjektive të objekteve (surrealistët do ta përzënë nga radhët e tyre, por ai nuk do të ngurrojë të shprehë rezerva të forta edhe për kubizmin, që kishte përqafuar në fillimet e tij). Më vonë, megjithatë për këtë periudhë do të thotë se ishte “një nevojë pune që të mund të shoh më mirë natyrën”. Por me terma të qartë kërkoi që emri tij të mos lidhej me asnjë lëvizje artistike.

Gjithsesi para se të mbërrijë te veprat e mëdha që njohim sot, ai do të pësojë edhe ndikimin e arteve jo perëndimorë, artit afrikan, egjiptian, cikladik (arti i Egjeut), sumerian etj., shkurt të atyre që nganjëherë padrejtësisht quhen “arte ekzotike”.

Ishte menjëherë mbas L2B kur ai nisi të rishikojë gjithçka nga e para. Bëhet aq shumë këmbëngulës për të kuptuar natyrën njerzore, sa tregon se sa herë që gjente rast, rrinte e vështronte me ngulm e kureshtje njerëz të ndryshëm që nuk i njihte fare, sa ata nisnin e nervozoheshin e madje zemëroheshin ndaj tij.

Eshtë tamam kjo periudha kur nisin e shfaqen personazhet e tij filiformë, personazhe që i krijonte me baltë rrotull një shufre metali, dhe u jepte trajtë duke i gërryer e prerë me biçak…

Njihet më shumë Burri që ecën (versioni i parë është i vitit 1947 për t’u pasuar edhe nga tre të tjerë më 1960), por në kuadrin e veprave të tij të mëdha LaM ka sjell zemërgjërësisht edhe një seri tjetër veprash ku ai përqendrohet te natyra femërore si: Grua që ecën, Grua e shtrirë që ëndërron, Grua më këmbë, Grua e therur, Grua lugë, Gratë e Venecies, Grua në karrocë, Grua e ulur, vepra këto për të cilat miku i tij, shkrimtari J. Genet thoshte më 1957 se: ato nuk rreshtin së ecuri e së zmbrapsuri në një palëvizshmëri absolute, ndërkohë që “krijojnë hapësirën e tyre të pafund”.

Por për të kapur më mirë origjinën e artit të tij të veçantë, duhet përmendur edhe statuja ”Hija e mbrëmjes”, që ai pa në një muze etrusk gjatë një vizite në Itali. Veçse ka një ndryshim do të thotë në një intervistë të vitit 1958 (pak i bezdisur), skulptura etruske e gjatë e hollake, është një lloj kërkimi dekorativ, ndërkohë që personazhet e mi, burra e gra nisin të hollohen e zgjaten, gati pa vullnetin e tim (malgré moi).

Ai vetëm se kërkon në to, rrëmon në psikën e tyre, do të kuptojë se çfarë mendojnë, çfarë i torturon, çfarë i bën të vuajnë. “Nëse unë bëj portretin tënd, shprehet në një bisedë, kjo do të thotë të hedhësh hapin e parë në një botë të panjohur, që askush nuk ka tentuar të eksplorojë”.

Shoh Burrin që ecën dhe nuk është sa jam i bindur se ai vërtet po ecën, edhe pse një çast u përpoqa të eci edhe unë me të, por qe një pozicion që nuk të shtynte të shkoje më tej. Ai ngjan sikur vetëm se ka nxjerr një këmbë përpara dhe kërkon të ruajë ekuilibrin e të mos rrëzohet përtokë. Duke e parë përballë më ngjan sikur ka ngecur aty, anash më duket sikur kërkon të shkojë diku por nuk e di se ku, veçse është gati të shkojë sapo ta kuptojë se ku. Dhe, ndërkohë qëndron pezull, pret…

Për të arritur te ajo siluetë e brishtë, Giacometti qëndroi vite të tëra para modelëve të tij, duke i zhveshur nga materia, duke i bërë gati ajrorë për të kapur esencën e njeriut. I vëllai Diego pozoi për të pothuaj për 50 vjet rresht. Dhe ai e vështroi pa reshtur për 50 vjet duke kërkuar e kërkuar tutje tipareve të tij, për të mbërritur në thelbin e qenies së tij. Pak si Diogjeni i Sinopes që, me kandilin e tij të ndezur në mes të ditës, ishte vënë në kërkim të njeriut.

Dhe këtë, ai mendon se mund ta arrijë duke i zhveshur personazhet e tij, por jo dosido, jo me kujdes, jo me delikatesë e shtresë pas shtrese. Ai ndërhyn në to pa asnjë mëshirë, pa dhimbje, si të bënte një diseksion në një tavolinë anatomie. Punon me biçak, vlera e goditjeve të të cilit nuk u zbeh aspak edhe kur në arenën e artit botëror nisën të shfaqën edhe antigiacometti- t e shquar si personazhet gjithë mish e pulpë të F. Botero-s.

Njihet edhe një skulpturë e A. Rodin-it me emrin Burri që ecën. Mbase Giacometti i ka huazuar titullin, por ajo sot përmendet në trajtë “retrospektive”, jo për atë që ajo është në vetvete por sepse një emër të tillë ka edhe vepra e Giacometti-t. Këtu është e pamundur të mos pyesësh, çfarë ka ndodhur? Skulptura e Rodin-it një punë e mrekullueshme, me raportet harmonikë të artit klasik grek, sublimim i forcës dhe bukurisë (diçka midis Apollonit dhe Herkulit) që bart hirin e pangatërrueshëm të dorës së artistit të madh, ka mbetur e mbyllur në katalogët e artit, ndërsa kjo vepër e Giacometti-t në të cilën ai nuk ruan asnjë lloj raporti me hapsirën, që nuk e lëmon asgjëkundi, që shkon kundër çdo rregulli e prerjeje, fare pa muskuj, lëviz në kohë dhe përgjigjet më së miri të vërtetës që fsheh brenda vetes edhe njeriu i shekullit që pasoi krijimin e saj. Mbase ka të drejtë J. Genet kur thotë: ky artist ka ditur të largojë gjithçka që pengonte vështrimin e tij për të zbuluar se çfarë do të mbesë nga njeriu kur falsiteti të bjerë.

Vij rrotull Burrit që ecën, ngre kokën ta shoh në sytë që nuk ia gjej dot dhe kujtoj fjalët e krijuesit të saj që këmbëngul se nuk ishte fare qëllimi i tij që ta paraqiste ashtu siç e shoh unë. Ai vetëm se kërkonte natyrën e tij të brendëshme dhe ai, burri në fjalë, zgjatej, hollohej, anohej… Dhe pastaj i dukej se nuk e kuptonte dot deri në fund dhe e braktiste, për të filluar një tjetër.

Dhe ti si vizitor nuk ke arsye të mos besosh se vërtet ato goditje thike, Burri që ecën nuk është si i ka marrë nga dora e tij, por nga jeta, nga vuajtjet, frustracionet, dështimet, pakuptimësia. Giacometti vetëm se gdhendi dhe nxorri në dritë dhimbjen në të gjithë madhështinë e saj.

………………..

Pasojën e parë të asaj nate me Giacometti-in e vërejta të nesërmen kur m’u desh të shkoj për disa orë në Paris. Si asnjëherë tjetër kuptova sa i pranishëm ishte ndikimi i artistit të madh zviceran (që nuk e shmangu dot kurrë theksin e kantonit italian nga vinte) në artet bashkëkohore. Sapo dola nga stacioni i metrosë Saint Michel Notre Dame më zunë sytë një afishe për ekspozitën e T. Schutte. Nuk kisha asnjë mundësi ta vizitoja, por afishja me të cilët njoftohej ajo, nuk kishte si të mos më tërhiqte vemënden me gjendjen e pashpresë të personazhit që paraqiste.

Rreth gjysmë ore më vonë ndërsa po prisja në një stacion autobusi në bulevardin Raspail, te lulishtja e vogël aty pranë ishte një shtatore e kapitenit Drejfus. Sigurisht që ka qenë gjithnjë aty, por mua atë ditë më tërhoqi vemëndjen.  Nuk di si mund të paraqitej ndryshe poshtrimi dhe masakrimi që i bënë për së gjalli kapitenit të ndershëm, që në çdo çast këmbëngulte në pafajësinë e tij.

Duket se pas Giacometti-t, artistit që thoshte se nisi të merret me skulpturë sepse nuk kuptonte gjë prej saj, ky art vështirë se do të jetë më si më parë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin